Me Ali Aliun, kritik letrar
ÇDO LETËRSI FRYMËZOHET NGA REALITETI PËRRETH
Ku qëndron letërsia jonë> Krahasuar me letërsitë e mëdha, me tradita shumë shekullore, një letërsi relativisht e re, plus në kushte të vështira zhvillimi lirie dhe hapësire, do të thosha që tashti e hapur nga të gjitha ndikimet për fat, e kërkon veten, kërkon dhe synon individualitet.
Shkëlzen HALIMI
Ali Aliu padyshim se është një nga figurat më të shquar të kritikës dhe letërsisë shqiptare. U ind më 1934 në Kranjë të Prespës (Republika e Maqedonisë së Veriut). Shkollën tetëvjeçare e filloi në vendlindje dhe e kreu në Manastir më 1951, ndërsa Shkollën Normale në Shkup më 1955. Studimet universitare (albanologji) i mbaroi në Beograd në vitin 1960. Pas studimeve zuri punë si gazetar në redaksinë “Flaka e vllaznimit” në Shkup. Prej vitit 1969 deri në vitin 1972 punoi redaktor në Edicionin e Botimeve “Rilindja” në Prishtinë. Doktoroi në Universitetin e Prishtinës më 1973 duke mbrojtur tezën “Jeta dhe vepra e Petro Markos”. Që nga viti 1972 deri në pensionim ishte ligjërues, docent, profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik, përkatësisht në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, për lëndën Teori e letërsisë. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i saj. Është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë të Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë së Veriut.
Ali Aliu, siç thamë është studiues i letërsisë bashkëkohore shqiptare, fushë nga e cila ka botuar shumë vepra. Është autor i disa dhjetave veprave me shkrime kritike, por edhe i shumë teksteve shkollore.
HEJZA: Profesor, po e nisim këtë intervistë duke ju kthyer në periudhën kur ju ishit student në Beograd, në mungesë të kushteve për shkollim të lartë në Kosovë apo në viset e tjera etnike! Pa dyshim, në këtë kohë do të krijohet një grupim i rëndësishëm intelektual shqiptar të cilët do të bëhen shtyllat e letërsisë shqiptare në Kosovën dhe viset etnike pas luftës së dytë botërore, si dhe përçues të mendimit kritik në shoqërinë tonë asokohe tejet tradicionaliste. Cilat ishin disa nga figurat më të rëndësishme letrare e kulturore që do t’i veçonit nga ajo kohë?
Ali ALIU: Po. Pas Luftë së Dytë Botërore dhe deri nga gjysma e viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, të rinjtë shqiptarë nga Kosova dhe hapësirat tjera në ish Jugosllavi, studimet universitare, në më të shumtën e rasteve, i bënin në Beograd, si dhe në qendra të tjera të shtetit, si Zagrebi, Ljubljana, Shkupi etj. Brezi im që i filloi studimet nga gjysma e dytë e viteve ’50 e deri në fillim të ’60, në kryeqytetin e ish Jugosllavisë, shënonte numrin më të madh të studentëve shqiptarë. Para këtij brezi, në Beograd kishin kryer studimet disa breza. Para nesh ajo e Enver Gjergjekut, Ramiz Kelmendit, Murat Isakut, Hilmi Aganit, Fehmi Aganit etj. Gjenerata për të cilën flas, nga fundi i studimeve në gjirin e vet numëronte rreth 800 studentë të shpërndarë në universitete dhe fakultete të ndryshme të kryeqytetit. Shpesh bënim shëtitje, ekskursione të përbashkëta në rrethinat e Beogradit dhe përpjekje për të zhvilluar aktivitete të përbashkëta. Në këtë kontekst, nga fundi i ’50, një grupi i brezit tim (Agim Gjakova, Latif Berisha, Zekirija Cana, Gazmend Zajmi, Ymer Jaka, Bekim Fehmiu etj. vendosëm që të themelojmë shoqatën e parë shqiptare të studentëve në ish-Jugosllavi. E pagëzuam “Përpjekje”. Fituam lokale në qendrën studentore si dhe në aparat radio, dhe në gjirin e këtij klubi vinte një numër konstant i studentëve. Pas një kohe vendosëm të themelojmë edhe një revistë. Përgatitëm dokumentet dhe ecëm procedurave administrative për ta regjistruar. Që të fitojmë edhe ndihmën financiare, një grup tre vetash: Agim Gjakova, Zekirija Cana dhe unë kërkuam takim me sekretarin e përgjithshëm të rinisë Jugosllave, që aso kohe ishte kroati Miko Tripalo. Na pranoi miqësisht, e pa afërsisht edhe koston financiare të fletushkës të përmuajshme, duke thënë se nuk përbën kurrfarë problemi. Mirë deri këtu. Por, besimi dhe shpresa se do t’i arrinim synimet, objektivin tonë, një mbrëmje çdo gjë u përmbys – na i mbyllën me çelësa të ri lokalin, një ditë pas filloi ftesa dhe pyetjet nëpër sekretariatet e policisë. Ky ishte faktikisht fundi i kësaj përpjekjeje të brezit tim, që nga Maqedonia ishin dibranët Nehat Bellçishta, Mahmut Hysa, Remzi Nesimi, Musa Arifi, Ditar Qamili, unë etj.
HEJZA: Cilët janë kujtimet më të spikatura nga ajo periudhë studentore? A ka ndonjë moment apo ngjarje që do t’i shpalosnin sot e të cilat mendoni se shënuan kthesa në rrugën tuaj profesionale?
ALI ALIU: Gjatë studimeve katër vjeçare në Beograd, unë frekuentoja rregullisht manifestimet, takimet, kruzhoqet letrarë që bëheshin në kuadër të Fakultetit Filozofik, edhe në nivel të universitetit, por edhe të kryeqytetit. Sidomos bisedat dhe ligjëratat të shkrimtarëve të njohur nga Evropa dhe më gjerë që ftoheshin nga qendra e institucione të kryeqytetit. Delegacione e grupe, sidomos krijuesish evropianë, për të cilët Beogradi ishte i hapur. Shfrytëzoja parapagimin vjetor të lirë (simbolik) të teatrove, e sidomos atij të dramës Jugosllave, në skenën e të cilit kishte filluar të debutojë si student Bekimi.
HEJZA: Në retrospektivë, si e shihni rolin tuaj dhe të bashkëkohësve të asaj periudhe në krijimin e një tradite të mirëfilltë kritike dhe letrare në viset etnike jashtë shtetit amë?
ALI ALIU: Po flasim për një periudhë kur në mjediset e hapësirës shqiptare në ish Jugosllavi ende nuk kishte veprimtari dhe punë të organizuar në mes të shkrimtarëve. Letërsia shqipe sikur niste nga fillimi. Në Kosovë ajo lidhet me themelimin e revistës letrare “Jeta e Re”, nën udhëheqjen e Esad Mekulit, që u bë vatra e parë e jetës krijuese letrare dhe kulturore.
HEJZA: Ju keni qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës i zhvillimit të dy brezave krijues: njëri i frymëzuar nga rilindësit dhe tradita popullore, dhe tjetri që trasoi rrugën e artit modern. Tani, nëse moderne quhet gjithë ajo që shkëputet prej traditës, ndërsa tradicionale ngelë gjithë ajo që i reziston modernizimit, atëherë ku e shihni kufirin në mes të krijimtarisë tradicionale dhe krijimtarisë moderne në letërsinë shqipe?
ALI ALIU: Edhe në ato shkolla të pakta të mesme a gjimnaze, kryesisht në Kosovë, e në viset e tjera shumë të vonshme, ku mund të figuronte në program lënda “Histori e Letërsisë Shqipe”, në kuptimin pra të traditës rilindëse, nuk ekzistonin kushtet as kadrovike e as vullnet politik për një interpretim normal të kësaj tradite. Dua të them se edhe po të ishte, edhe të provohej të interpretohej, ajo nënkuptonte kryesisht një biografi të reduktuar të rilindësve më të njohur dhe rastësisht tek-tuk edhe ndonjë libër që mund të ndodhej tek individë ose edhe ndonjë bibliotekë gjimnazi, rastësisht të ruajtur dhe të trashëguar nga ato dy-tre vite arsimi shqiptar dhe në gjuhën shqipe gjatë kohës së Italisë. Kaq për pranimin e trashëgimisë letrare të shkruar në shqip, duke mos e përfshirë këtu letërsinë gojore që ishte e vetmja mbështetje për individët e parë pas luftës të cilët filluan të krijojnë letërsi. Megjithatë, çuditërisht shpejt, pas brezit të Esad Mekulit, Hivzi Sulejmanit, Sitki Imamit, Zekiria Rexhajt, Tajar Hatipit etj. filluan të konsolidohen brezat. Pas tyre vijnë më të ngjeshur, më në kompaktësi letrare brezi i Enver Gjergjekut, Ramiz Kelmendit, Murat Isakut, Rexhep Hoxhës, që do të pasohej nga brezi të themi i tretë, kushtimisht, i Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, Fahredin Gungës, Rrahman Dedajt (gjithnjë në poezi), vepra e të cilëve që në fund të gjashtëdhjetave dhe në fillim të shtatëdhjetave u vërvit në majat e vlerave poetike të hapësirës për të cilën flasim. Kontaktet e letërsisë shqipe të këtij krahu, siç e thoshim ne në ish Jugosllavi, dhe atij të shtetit shqiptar, gati se nuk ekzistonin. Një urë komunikimi mes Prishtinës dhe Tiranës në rrafshin e arsimit, kulturës, arteve, letërsisë, sidomos do të fillonin dhe do të përfundonin vetëm brenda një dhjetëvjetëshi, siç e quanim dhjetëvjetëshi i artë i viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar.
HEJZA: Çfarë elementesh moderne gjejmë në letërsinë tonë tradicionale? Si është përfshirë tradita në letërsinë bashkëkohore shqiptare?
ALI ALIU: Do të dëshiroja, në këtë bashkëbisedim, që për lexuesit tuaj ta thjeshtoja pak terminologjinë teorike letrare; ju me të drejtë pyetni për reflekset e para moderne të letërsisë tonë. Qëkurse ekziston letërsia, ata që e kanë krijuar, që e krijojnë dhe do të vazhdojnë, janë individët, talenti, dhuntia e tyre për të rrëfyer kohën e vet, në fakt për të rrëfyer veten në kohën e vet, në epokën e vet. Edhe shkrimtarët janë individë që lindin njësoj si gjithë të tjerët, tek të cilët çdo epokë, çdo kthesë e madhe, ngritje a rënie, ndikojnë në perceptimin e botës së vet, krijojnë ndjesitë, vizion për jetën, ekzistencën, shkencën, lindjen, vdekjen, filozofinë, kohën hapësirën dhe të gjitha këto ndikojnë në artin përmes fjalës, për dallim nga artet e tjera të ngjyrës, tingullit etj. dhe pikërisht kjo mënyrë rrëfimi, që mbështetet edhe në shkolla, që sjell risi në gjuhë, në figuracion, është risia, novatorizmi që mandej evidentohet nga studiuesit si një metodë e re, pra edhe moderne, post moderne, në këtë kuptim lindin edhe shkollat. E tashti ku qëndron letërsia jonë në këto shtresime. Krahasuar me letërsitë e mëdha, me tradita shumë shekullore, një letërsi relativisht e re, plus në kushte të vështira zhvillimi lirie dhe hapësire, do të thosha që tashti e hapur nga të gjitha ndikimet për fat, e kërkon veten, kërkon dhe synon individualitet.
HEJZA: Cili është mendimi juaj për gjendjen aktuale të letërsisë shqipe? A mendoni se po ecën drejt një moderniteti të mirëfilltë, apo ende përballet me pengesa?
ALI ALIU: Në një mozaik të tillë aktual, letërsia shqipe aktualisht zhvillohet në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Luginën e Preshevës, e në Mal të Zi dhe në diasporë. Edhe përpos prirjeve, duke pasur si mjet shprehës gjuhën e përbashkët, kam përshtypje që secila qendër letrare preferon zë autonom. Mungojnë mekanizma të njëjtë vlerësimi. Ka dallime perceptimi të veçantë te lexuesit. Ka fare pak bashkëpunim mes institucioneve që prodhojnë librin, që e nxjerrin në treg, që e reklamojnë, që e vlerësojnë. Më të talentuarit dhe ata që arrijnë të veçohen nga kallaballëku, kanë lexuesit e vet, pavarësinë e vet dhe sikur nuk kanë nevojë për një unifikim të statuseve dhe distancave. Meqë revista juaj funksionon në hapësirën e letërsisë shqipe në Maqedoninë e Veriut, edhe ky kapitull i letërsisë shqipe ndjek këto trende: si e papërfillur nga qendrat, ajo ka filluar dhe po ndjek prirjen e vetëmenaxhimit, ka filluar t’i mjaftojë hapësira që ka dhe brenda saj të krijojë statuset e cilësimit, hierarkinë e vlerave, që vijnë edhe si rezultat i manifestimeve, i çmimeve përmes formimit të jurive letrare, t’u mjaftojë afirmimi dhe vetëbesimi brenda kësaj hapësire, por gjithnjë me një vesh e me një sy për të përcjellë ç’ndodh qendrave. Një prirje të tillë e kam vënë re në Tetovë sidomos, qytet që është qendër e dy universiteteve në gjuhën shqipe, qytet që ka një traditë letrare të themi njëqindvjeçare, që zhvillon një aktivitet botues serioz dhe me nivel.
HEJZA: Në Shqipëri, për gjysmë dekade u kultivua letërsia e diktuar prej regjimit diktatorial! Në viset etnike, sidomos në Kosovë, u rezistua fuqishëm kundër politikave shovene që synonin për të krijuar një letërsi politike antikombëtare. Krijimtaria artistike gjeti shteg te metafora? “Disidentë plotë”, andej e këndej kufirit, por letërsi disidente fare? Historia jonë më e re ka shënuar mijëra ngjarje nga më të trishtat dhe nga më të papërjetuarat nga askush në këtë kontinent! Pra, ndonëse kemi po aq shumë tema të freskëta, ne lajtmotivet edhe më tej i kërkojmë në lashtësi, në mitologji e në folklor. Pse?
ALI ALIU: Po, në gjysmën e dytë të shekullit XX, letërsia në Shqipëri u vu nën ideologji të pagëzuar si doktrinë e realizimit socialist. Ndërsa krahu tjetër e kësaj letërsie, ajo e shqiptarëve në hapësirën ish Jugosllave, zhvillohej nën një survejim tjetërsoj ideologjik. Edhe pse Jugosllavia, që politikisht qëndronte në mes të lindjes dhe perëndimit, kryesisht e çliruar nga dogma, ishte mjaft e hapur ndaj ndikimeve, rrjedhave dhe trendëve evropiane, por edhe botërore. Mund të thuhet që qendrat kryesore letrare në të, si: Beogradi, Zagrebi, Lubjana ishin krejtësisht të lira për komunikim me botën, pra edhe letërsia dhe artet e tjera në këto qendra ishin në mos plotësisht të lira, kryesisht të lira. Përjashtim bënte vetëm letërsia që zhvillohej në gjuhën shqipe, sidomos ajo në Kosovë, por edhe në Maqedoni dhe viset tjera; dhe kryesisht të izoluara, letërsia në shtetin shqiptar me letërsinë jashtë kufirit – me përjashtim të një periudhe të shkurtër, siç e thamë më sipër, brenda dhjetëvjetëshit të viteve ’70 – nuk to të kenë kontakte. Por, kur jam këtu, dua të theksoj edhe një fenomen, ose një paragjykim, që lidhet me dhuntinë krijuese dhe vlerat, qo do të thotë, talente lindin njësoj si në perandori diktatoriale, si në hapësira demokratike. Rrethanat, zhvillimi dhe krijimtaria e tyre pengohet ose lihet e lirë. Natyrisht që letërsia në shtetin shqiptar u pengua të vazhdonte ritmin dhe hovin e letërsisë, sidomos të viteve ’20 dhe ’30 të shekullit XX. Por brenda atij harku kohor në gjirin e asaj letërsie lindën talente të mëdhenj, të shquar. Të përmendin emrat: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, por edhe dhjetëra të tjera si: Zija Çela, Fatos Kongoli, që gjetën shtigje për të dalë përtej dogmës, në një pjesë të krijimtarisë së tyre. Dhe shkrimtarët, krijuesit, gjithnjë vlerësohen nga maja më e lartë në të cilën mjafton të jetë ulur bindshëm edhe vetëm me një kryevepër. Letërsia në Kosovë, është e vërtetë, bënte përpjekje që t’i rezistojë politikës serbe, sidomos kundër gjuhës shqipe dhe kundër vlerave shpirtërore që kultivonin ndjenjën e identitetit kombëtar, lashtësinë, rrënjët e gjuhës dhe traditës, gjithë përmes një sistemi cesurash të rrepta; dhe e keni vërejtur mirë ju në pyetjen për një shtegdaljeje nga kjo censurë, siç ndodhi me poezinë e brezit të tretë në Kosovë, ajo e Shkrelit, Podrimjes etj. Edhe kur u duk nga jashtë Kosovës ndonjëherë se letërsisë shqipe të Kosovës sikur i mungon rezistenca ndaj pushtuesit, ajo në fakt, poezia, kishte gjetur rrugën e komunikimit me lexuesin, i cili ishte me të vërtetë i etshëm për porosinë që sillte letërsia dhe kryesisht poezia, përmes gjuhës ezopike. Dy palët krijuan një komunikim në heshtje dhe kjo kishte në sfond, ma merr mëndja, një fuqi të madhe krijuese: vetë shpërthimi i poezisë shqipe në Kosovë (gjithnjë kam parasysh numrin e madh të studentëve nga gjithë hapësira shqiptare e ish Jugosllavisë, që shkollohej në Universitetin e Prishtinës, që botonin dhe realizoheshin si krijues përmes Rilindjes si shtëpi botuese, Rilindjes si gazetë, Prishtinës si qendër kulturore…) dhe nga ana tjetër vetëdija e rinisë shkollore sidomos, për të qenë pjesëtar aktiv i krejt këtij hovi shpirtëror. Mbase, sikur të dy palët kishin të akumuluar brenda vizionin, gatishmërinë për të kompensuar sa është e mundur kohën e humbur, përmes ritmit për t’i mbërritur të tjerët. Them mbase kjo shpjegon se si studentët tanë, nga vitet ’70 kishin arritur të jenë të barabartë gjatë studimeve pasuniversitare në Beograd, e Zagreb, e Lubjanë, e Shkup, por edhe pedagogët jetonin me këtë ritëm, sa më shpejt për të arritur dhe për të qenë të barabartë me ata të këtyre qendrave. Pra sikur ishte një rizgjim, apo të themi një rilindje. Ndërsa për disidentizmin që e përmendni ju, natyrisht që nuk ishte fenomen dallues, siç ishte në disa vende të tjera të lindjes. Bile edhe letërsia e ashtuquajtur e krijuar brenda burgjeve në Shqipëri dhe që pas rënies të diktaturës pritej se do të sjellë diçka të paparë në këtë drejtim, siç e dimë nuk ndodhi. Dëshiroj t’i kthehem me këtë rast edhe krijimtarisë letrare në Shqipëri dhe në Kosovë, përkatësisht si dhe sa kanë arritur dhe po arrijnë këta dy krahë të frymëzohen, të parët nga regjimi socialist i diktaturës, të dytët nga ai i okupuesit, sidomos tema e luftës së fundit, të cilën po e përmendni edhe ju. Edhe në Shqipëri tanimë janë me dhjeta vepra, kryesisht në prozë, që i janë kthyer periudhës së diktaturës komuniste. Sa dhe cila nga ato përjetohet në përmasa që shkaktoi kjo ideologji. Ndoshta duhet pritur ajo e përmasave reale. Për luftën në Kosovë kam përshtypje se ekzistojnë disa vepra që janë në letërsinë artistike të sjelljes së kësaj lufte përmes fjalës artistike. Ka më shumë, por me këtë rast po përmend më të arrirat, siç është romani i Mehmet Krajës “Liria ime”, roman i Ag Apollonit “Fije shkrepse, fije shprese”, por edhe romani i Migjen Kelmendit “Darka ndër bomba” që u hodh në treg pikërisht gjatë këtij muaji.
HEJZA: Letërsia botërore shpesh përqendrohet në universalizmin e përvojave njerëzore. Si mendoni se letërsia shqiptare mund të mbështetet te përvoja lokale për të arritur një ndikim ndërkombëtar?
ALI ALIU: Universalja dhe lokalja në letërsi janë raporte të njohura në krijimtarinë artistike. Thënë shkurtimisht, vlera e vërtetë e artit lindur në hapësirë lokale, e ka pasaportën brenda për të qenë edhe vlerë universale. Është fenomen i vetvetishëm, i natyrshëm. Nuk vjen si programim, se atëherë raportet janë mekanike, jo të natyrshme dhe që në fakt cedimi lidhet me modestinë e vlerës konkrete. Si qëndron letërsia jonë në këtë drejtim? Besoj që është mirë që ka laramani, sidomos të shkollave letrare në botë, që ka laramani zërash, që mbështetet në një doktrinë ose në një tjetër, dhe kur autorët e tillë arrijnë t’i bëjnë të vetat, t’i bluajnë në studion e vet letrare, dëshmojnë fuqinë e talentit të vet. Personalisht ju besoj pandehmave se çdo letërsi e një gjuhe, e një hapësire, frymëzohet dhe krijon perceptim, por edhe vizion dhe filozofi, nga realiteti përreth. Kështu që përmes ngjyrimit shpirtëror dhe mendor të atij ambienti, pra ajo që e rrëfen bëhet bindëse dhe e besueshme universalisht në kohë dhe në hapësirë, e ka gjetur komunikimin e përhershëm në kohë.
HEJZA: Kritika letrare ndër ne është një prej punëve intelektuale më pak e vlerësuar! Kritika letrare ndër ne trajtohet si produkt vullnetar i një “lexuesi profesional”, i cili dëshiron t’i shprehë përshtypjet e mira nga leximi i një vepre! Si e përshkruani rolin e kritikës letrare në pasurimin e një letërsie kombëtare? A mendoni se kritika shqiptare ka arritur të plotësojë këtë rol? Ju jeni një nga figurat kyçe të kritikës letrare shqiptare. Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballet një kritik në ruajtjen e integritetit dhe objektivitetit të tij?
ALI ALIU: Ju, përmes disa pyetjeve, shtroni problemin e kritikës letrare në përgjithësi dhe kritikës letrare tek ne. Mbase është një problem që kërkon më shumë vëmendje. Përmendet shpesh refreni që mungon kritika letrare, që nga një perspektivë është konstatim i vërtetë. Nga një perspektivë tjetër, mbase edhe mund të debatohet. Është e vërtetë se kritika letrare nuk është fare e pranishme në mediat audovizive, të shkruara, elektronike. Sa i mungon kjo letërsisë, çfarë mund të jenë pasojat kur mungon, dhe çfarë mund të jenë të mirat kur është e pranishme? Te ne mungon sepse ashtu e dikton tregu botën mediatike, e cila në faqet e veta, në pasqyrat e veta, sjell lëndën që e kërkon lexuesi. Nga ana tjetër, nuk mungon kritika studimore, monografike. Nuk mungojnë as botimet e tilla, prania e botimeve të tilla në programet e shtëpive botuese, të institucioneve, siç janë institutet, akademitë, të cilat kryesisht botojnë këtë formë të kritikës letrare. Dallimi mes kësaj forme dhe kritikës së ditës ndërsa, është dallim i madh. Kritika e ditës, në radhë të parë, bën evidentimin e botimeve, e që kjo nuk ekziston. Edhe kur lexuesi është e prirë drejt librit, e ka të vështirë ta gjejë botuesin, ta gjejë librarinë, pra që është nevoja e parë më praktike. E dyta, kritika e ditës bën një diferencim, sado të lehtë, të shpejtë, duke klasifikuar vlerat e para, të dyta, mbase edhe mungesën e tyre, në raste të caktuara. Në mungesë të kësaj kritike merr përsipër t’i bëjë reklamë dhe ta afirmojë librin e vet vetë autorit, përmes promovimeve, që shpesh bëhen të zhurmshme, me prani kallaballëku; dhe të pranishmit nëse do të thonë gjë, do të thonë vetëm fjalë të mira. Dhe në këtë kallaballëk, natyrisht më të paktit janë të talentuarit, që njëkohësisht e kanë më të vështirë të çajnë, të dallohen. Pasojat e rënda të mungesës të një kritike të mirëfilltë të ditës, unë i shoh edhe në dhënien e çmimeve për një vepër letrare të një zhanri të caktuar, brenda një viti apo më shumë viteve botuese, të një regjioni a të një krahine, ku ndodhin deformime gati më drastike dhe shpesh më të shëmtuara. Qoftë kur ato organizohen gjatë festave të librit, panaireve, juria zgjidhet sipas asaj që botuesi, bie fjala, e ka caktuar autorin e librit që t’i japë çmim. Anëtarët e jurive të tilla e kanë dhënë, e kanë falur, e kanë shitur votën, dhe as nuk duan t’ia dinë se libri fitues është disa shkallë nën, bie fjala, pesë të zgjedhurve apo dhjetë të zgjedhurve tjerë. Besoj që ky është dëm i madh. Është fenomen që duhet të nxisë vetë krijuesit e talentuar, krijuesit me ndikim, me zë, që tani në hapësirën shqiptare letrare janë aq të shumtë dhe me përgatitje, që t’i pritet hovi këtij fenomeni.