Profile: Goliarda Sapienza
MES SHKËLQIMIT, HARRESËS DHE KUJTESËS
Sapienza nisi të shkruajë rreth kohës së dhimbjes të humbjes së nënës (1953). Shkroi për herë të parë poezi. Me kalimin e viteve, shumë gjëra në jetën e saj u bënë të pakëndshme
Xhahid BUSHATI
Sapienza u lind më 10 maj 1924 në Katania, Siçili; nga Maria Giudiçe (1880-1953) dhe Giuseppe “Peppino” Sapienza (1880-1949). Giudiçe, ishte një gazetare e shquar, me origjinë nga Lompardia dhe aktiviste e shquar feministe. Goliarda ishte fëmija i dytë i çiftit Sapienza. E kaloi fëmijërinë në një mjedis feminist, por jo-konformist. U hoq nga sistemi formal shkollor, kur ishte 14 vjeçe. Shkollohej në shtëpi. Sapienza i mësoi vetes dramën, pianon dhe rikrijoi filma që kishte parë në kinema, sipas perceptimit dhe imagjinatës së saj. Në vitin 1941, në moshën 16-vjeçare fitoi një bursë për të studiuar teatër në “Accademia d’arte drammatica” në Romë. U transferua atje, e bashkëshoqëruar me nënën e saj. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Sapienza filloi karrierën si aktore teatri, duke u dalluar në rolet e personazheve të Pirandelos. Ajo, gjithashtu, aktroi në disa filma (seriale) e inkurajuar nga Alessandro Blasetti. Për shkak të personalitetit të saj në talentin e aktrimit, u bë një figurë qendrore në kinemanë neorealiste. Në vitin 1947, u takua me regjisorin neorealist të kinemasë Françesko Maselli. Me të hyri në një lidhje që do të zgjaste afro 20 vjet. Më pas ndahen.
Sapienza nisi të shkruajë rreth kohës së dhimbjes të humbjes së nënës (1953). Shkroi për herë të parë poezi. Me kalimin e viteve, shumë gjëra në jetën e saj u bënë të pakëndshme. Për këtë shkroi dy kujtime radhazi. U botua në Lettera Aperta” (1967, për fëmijërinë e saj) dhe në “Il Filo di Mezzogiorno” (1969), për përvojën e saj në psiko-analizë. Këto janë përshkruar si përpjekje për të rindërtuar kujtimet e shkatërruar nga elektroshoku. Iu kushtua tërësisht shkrimit. Vepra e saj “Arti i gëzimit” mbetet kryevepra e saj në krijimtarinë letrare. Iu deshën 9 vjet për ta përfunduar (1976). Ishte një roman historik, me prirje monumentale. Për shkak të trashësisë së librit (mbi 700 faqe) dhe portretizimit të një gruaje të papërmbajtur nga morali konvencional dhe, mbase, e papërligjur në rolet dhe funksionet e mentalitetet tradicionale që përfaqësonin shumë personazhe-femra, u refuzua nga botuesi. Realisht nuk gjeti një botues për gjatë jetës së saj. Do të kujtojmë një moment nga jeta e trishtë e saj: Shkroi një rrëfim të kohës së saj nga burgu. U botua në “L’Universitá di Rebibbia” (1983) dhe pati një sukses të vogël. Në vitet e fundit të jetës, dha mësim aktrimi në “Centro Sperimentale di Cinematografia” në Romë. Shkroi vepra të tjera letrare, disa prej të cilave mbeten të pabotuara. Pas vdekjes së saj, bashkëshorti Angelo Pellegrino financoi botimin e plotë (1998).
Disa vite më vonë, u dërguan disa kopje në Panairin e Librit në Frankfurt. Romani u vu re nga një redaktor gjerman, i cili besonte se ishte një kryevepër e harruar. Redaktori gjerman ia kaloi një redaktori në Francë. U shitën 300 000 kopje. Suksesi i botimeve të saj (pas vdekjes) në Francë, Gjermani dhe Spanjë bëri që Sapienza të krahasohej me D.H. Lawrence dhe Stendal. Si përgjigje, Sh. B. “Einaudi” botoi një vepër të autores. Më pas kjo Shtëpi Botuese çoi për botim romanin “Io, Jean Gabin” (2010, vepër gjysmë-autobiografike), dy përmbledhje me poezi, tregimin “Elogio del bar”… etj., etj. Në vendlindjen e saj, në Katania, si dhe në Palermo, Gaeta dhe Linguaglossa; rrugët dhe sheshet kanë emrin: ‘GOLIARDA SAPIENZA’.