Stavri J. DAJO, studiues dhe përkthyes
LETËRSIA E PERIUDHËS KOMUNISTE DUHET TË RIVLERËSOHET ME GJAKFTOHTËSI
Romani i parë i letërsisë shqipe botohet një vit pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Greqisë (maj 1971). Në vitin 1972, pra, botohet në Greqi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë, përthyer nga frëngjishtja. Respektivisht, po në atë kohë, në Shqipëri botohet po i përkthyer nga frëngjishtja Kapedan Mihali i Nikos Kazantzakis-t
Shkëlzen HALIMI
Stavri J. Dajo u lind në Gjirokastër më 1958. Studioi në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë (1978-1982). Punoi në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri” redaktor i poezisë, i dramës dhe i kritikës letrare (1982-1989) dhe në vijim bibliograf në BKSH (1989-1991). Në vitin 1991 emigron në Greqi ku mbaron Master-in dhe gradën PhD në Universitetin e Thesaloniki Arostoteli. Është pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Studimeve Ballkanologjike Selanik dhe pedagog i teknikave bashkëkohore të përkthimit në Kolegjin Universitare Logos në Tiranë. Ka botuar disa monografi për marrëdhëniet e Greqisë me tre fqinjët e saj të Veriut, serinë me tri vëllim “Shqipja për greqishtfolësit” si dhe njihet si përkthyes i letërsisë shqipe në greqisht dhe e kundërta.
HEJZA: I nderuari Stavri, prej vitesh Ju jeni ligjërues i shqipes në Departamentin e Gjuhëve të Huaja të Institutit të Studimeve Ballkanologjike në Selanik. Në ç’nivel është interesimi i qytetarëve grekë për ta mësuar shqipen dhe në këtë drejtim sa janë të dukshme rezultatet?
S. DAJO: Interesi për gjuhën shqipe në Greqi nis shumë herët. Madje, interesi për albanologjinë dhe për studimet e kulturës shqiptare nisin shumë më herët se sa gjuhësia krahasuese indo-evropiane dhe studiuesit gjermanë apo austriakë të studiojnë gjuhën shqipe. Kështu, në ag të shekullit të 19-të, Marko Boçari harton fjalorin e parë të gjuhës shqipe (1809), i cili nuk arrin të botohet për nevoja utilitare, dhe që është monumenti i parë i leksikografisë shqiptare. Më vonë, dy pararendës dhe protagonistë të studimeve albanologjike me prejardhje arvanitase, Anastasios Kulluriotis dhe Panajotis Kupitoris, themelojnë shtypshkronjën e parë në Athinën nën titullin “I foni të Alvanias” – Zëri i Shqipërisë” (1879) ku botohen veprat e para në gjuhën shqipe, një abetare e gjuhës shqipe e hartuar nga Anastasios Kulluriotis ndërsa Panajotis Kupitoris harton një fjalor greqisht-shqip. Në vitin 1903, me financimin e qeverisë greke, Konstantin Kristoforidhi boton fjalorin e famshëm të gjuhës shqipe, i cili në fakt është fjalor dygjuhësh shqip-greqisht. Fjalori u ripunua dhe u transkriptua në alfabetin e shqipes së sotme prej A. Xhuvanit dhe u ribotua më 1961 me titullin Fjalor shqip-greqisht. Është vepra e parë dhe ndër më të rëndësishmet e leksikografisë shqiptare, përpjekja e parë pas fjalorit shpjegues të shqipes, i botuar vetëm 7 vjet pas botimit fjalorit të gjuhës shqipe nga Akademia Shqiptare në vitin 1954. Gjithashtu, edhe letërsia shqipe, megjithëse e re dhe me pak traditë, hyn në sferën e interesave të lexuesit grek. Tregimi i parë i letërsisë artistike shqiptare i takon Ernest Koliqit, “Ândërr e nji mbasditje vere”, i cili botohet në revistën më dinjitoze të kohës “Νea Estia”, në vitin 1931. Në kohën e Luftës së Ftohtë marrëdhëniet kulturore mes dy vendeve ngrinë, pasi Greqia dhe Shqipëria u takonin kampeve të kundërta (armiqësore) politike, ideologjike dhe ushtarake. Përkthimi dhe botimi i letërsive të ndërsjella duhet të merrte miratimin e metropoleve: të Beogradit, Moskës dhe Pekinit për Shqipërinë, të Londrës, Uashingtonit dhe Parisit për Greqinë, edhe pse dy vendet i ndante një vijë e hollë kufiri. Në vitin 1953, themelohet Instituti i Studimeve të Gadishullit Ballkanik në Selanik dhe dhjetë vjet më vonë themelohet Departamenti i Gjuhëve të Ballkanit, ku që në vitin 1964 dhe deri tani, gjuha shqipe është ndër gjuhët e studiuara dhe me interes të veçantë për shkencëtarët grekë të gjuhësisë. Në vitin 1980, u botua për herë të parë nga Akademia Greke Fjalori i Marko Boçarit nga Titos Giohallas, akademik i shquar dhe albanolog grek, i cili në një intervistë dhe në atë kohë shpjegonte rëndësinë e madhe që ka gjuha shqipe për studimin krahasues të gjuhëve të tjera evropiane për të vërtetuar prejardhjen e tyre nga substrati i përbashkët indo-evropian. Instituti i studimeve Ballkanologjike ka shumë studentë grekë, shqiptarë të brezit të dytë që studiojnë gjuhën shqipe. Është i vetmi departament në Evropë, diplomat e të cilit i njeh shteti, sikundërse njeh dhe diplomat e anglishtes, frëngjishtes etj. Prej këtij rezervuari kanë dalë studiues të shquar, albanologë, diplomatë, njerëz që u intereson studimi i gjuhës shqipe, po dhe përkthyes të letërsisë shqipe. Një studente e këtij departamenti përktheu nga origjinali “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” (2009) që deri atëherë lexohej i përkthyer nga frëngjishtja.
HEJZA: Meqë prekëm çështjen e shqipes, vetvetiu na imponohet edhe pyetja: sa grekët e njohin letërsinë shqipe, përkatësisht sa është përkthyer në gjuhën greke?
S. DAJO: Siç thashë dhe më parë, botimi i parë i letërsisë së mirëfillte shqipe datohet në vitin 1931 dhe vazhdon përgjatë kohëve. Por, pas vitit 1945, marrëdhëniet midis dy vendeve ngrinë dhe përkthimi e botimi i letërsive të ndërsjella bëhet pas miratimit të metropoleve përkatëse. Megjithatë, romani i parë i letërsisë shqipe botohet një vit pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Greqisë (maj 1971). Në vitin 1972, pra, botohet në Greqi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë, përthyer nga frëngjishtja. Respektivisht, po në atë kohë, në Shqipëri botohet po i përkthyer nga frëngjishtja Kapedan Mihali i Nikos Kazantzakis-t. Ismail Kadareja është shkrimtari më i njohur shqiptar në Greqi me 28 vepra të botuara, ndërsa numri i përgjithshëm e botimeve nga letërsia shqipe arrin 91, 46 autorë, 36 shtëpi botuese. Nga Kosova dhe letërsia shqiptare e diasporës është botuar romani i Rexhep Qoses “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, botimi poetik i Yllka Imerit “Enigmë” dhe ndonjë tjetër. Në botimin antologjik “Proza e shkurtër e Ballkanit” (2020) janë përfshirë 7 autorë shqiptarë, 4 kosovarë, 3 nga Maqedonia e Veriut, 1 rumun me origjinë shqiptare dhe 1 turk me origjinë shqiptare.
HEJZA: Në fakt, si e përkufizoni Ju përkthimin, sepse jeni njohës i shkëlqyer i disa gjuhëve dhe cili është trajtimi i përkthyesve sot?
S. DAJO: Besoj e keni fjalën për përkthimin e letërsisë artistike. Përkthimi i letërsisë artistike është edhe teknikë edhe art. Ekuilibri “teknikë” apo “art” besoj që anon nga ana e artit. Përkthimi i letërsisë nuk ka lidhje me teknikat e të ligjërimeve të tjera, publicistik, ose i letërsisë shkencore. Shqipëria ka një traditë shumë të mirë në përkthimin e letërsive të huaja, kemi pasur një plejadë përkthyesish shumë të mirë, të cilët, me bindje e them, që ka lënë një kontribut shumë më të madh, ndoshta dhe më të madh se vetë shkrimtarët shqiptarë në pasurimin e thesarit leksikor të gjuhës shqipe. Më kujtohet kur isha redaktor në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, ndarë redaktorët ne dy grupe, “grindeshim” se kush ka kryet e vendit, përkthimi apo letërsia e mirëfilltë në pasurimin e shqipes, Ne, mbrojtësit e përkthimit i referoheshim Dhimitër Paskos, ata Jakov Xoxes. Por, të dy palët kanë meritat e tyre. Sot përkthyesit nuk trajtohen mirë, paguhen pak në të gjitha vendet e botës, në shumë raste botuesit ua besojnë përkthimeve amatorëve ose Google translation. Niveli artistik i përkthimeve ka rënë dukshëm.
HEJZA: Keni shqipëruar me sukses veprën “Jeta e Aleksis Zorba” të Nikos Kazantzakis, një vepër kjo monumentale. Me çfarë peripeci u përballët gjatë procesit të përkthimit. Na tregoni diçka më tepër për profilin krijues të Kazantzakisit?
S. DAJO: Po, ju keni dhe drejtë. Romani Zorba i Nikos Kazantzakis-it u botua për herë të parë në Shqipëri në vitin 1995, por përkthimi i tij zgjati disa vjet. Ishte botuar më parë (1977) në Kosovë me përkthim nga serbokroatishtja (në serbokroatisht ishte përkthyer nga frëngjishtja!) nga një përkthyes shumë i talentuar, shkrimtar dhe studiues, nga Nazmi Rrahmani. Po, Nazmi Rrahmani, i cili është miku im, guxoi një sfidë të tillë dhe, më kujtohet, ne e lexonim përkthimin e tij në Tiranë dorë më dorë se libri ishte i ndaluar. Përkthimi i Zorbas nga unë u vlerësua në kohën kur u botua, si një nga romanët më të mira të përkthyera të atij viti, ishte bestseller, dhe, sipas mendimit të kritikëve dhe studiuesve të ndryshëm, cilësohet ndër përkthimet më të mira nga letërsia greke. Madje, ka dhe nga ata që mendojnë që romani Zorba futet në përkthimet më të mira të letërsisë së huaj në shqipe. Në fillim, kur vendosa të përkthej Zorbën, u tremba, sepse Kazantzaki-si është një nga shkrimtarët me një arsenal shumë të pasur gjuhësor dhe me veçanti në përdorimin e gjuhës greke, me një pasuri shumë të madhe frazeologjike, por duke u konsultuar me fjalorë të ndryshëm, duke biseduar me njerëz që e njohin shqipen, po dhe me ata të cilat i njohin të folmet e krahinave të ndryshme, ka mundur që të përballoj dhe t’i dalë me sukses kësaj sfide. Natyrisht, kur përkthejmë nga letërsia greke, e cila mbështetet nga një gjuhë me histori të vazhdueshme tremijëvjeçare, ndeshim vështirësi të shumta, por në qoftë se i qëndrojmë shqipes me respekt, e njohim në themel dhe jemi të disiplinuar në punën tonë, mund t’ia dalim me sukses. Shqipja është ndër gjuhët e pasura në botë në njësi frazeologjike, të cilat kanë kuptime metaforike intriguese dhe kjo të jep dorë në përkthimin letrar. Kujtoj se kur Petro Zheji përkthente Gogolin dhe letërsinë ruse, dinte përmendesh ciklin e kreshnikëve të veriut që ka një pasuri të pafund kuptimesh metaforike.
HEJZA: Cili ishte motivi që Ju, përkatësisht Literatus (2022), të botoni antologjinë “Proza tregimtare e Ballkanit”?
S. DAJO: Selaniku tradicionalisht ka qenë “kryeqyteti” i Ballkanit. Në Selanik janë përqendruar institutet më të njohura për studimin e ballkanologjisë, të letërsisë dhe të kulturës gojore të popujve të Ballkanit. Por, unë si studiues i historisë së Ballkanit, i letërsisë dhe i folklorit, gjithmonë kam pasur vëmendje dhe gjithmonë kam menduar se letërsia që prodhohet në Gadishullin ballkanik nuk është aspak inferiore ndaj letërsive të vendeve të tjera të Evropës. Por, e keqja e vendeve të Ballkanit është se këtë letërsi nuk kanë mundur ta promovojnë dhe të bëhet e njohur në metropolet e Evropës: në Paris, Londër, Uashington etj. Në Tiranë presin që një shkrimtar ballkanas të përkthehet në Francë dhe pastaj në Tiranë. Po kështu në Athinë, apo në Shkup. Kësaj i thonë “mercenarizëm i letërsisë” së Ballkanit. Nga letërsitë e vendeve të Ballkanit kanë dalë fituesit e çmimit Nobel, IvoAndriç, Jorgos Seferis, Odhiseas Elitis, Orhan Pamuk; Ismail Kadareja ka qenë shumë herë kandidat për ta fituar këtë çmim, që është një nga shkrimtarët më të njohur të shekullit të njëzet. Nisur nga kjo, siç ju thashë, jam redaktor i një botimi antologjik në gjuhën greke –dhe pjesërisht përkthyes i tij–i “Prozës tregimtare të Ballkanit” ku përfshihen 68 shkrimtarë të njohur nga 12 vende (tashmë) të gadishullit, me 70 tregime, ndërsa marrin pjesë 34 përkthyes të njohur grekë. Në këtë vëllim, ku dalin në pah disa vlera estetike bashkëgadishullore. Vëllimi është pritur me ngrohtësi dhe, si nënshënim, studiohet si lëndë didaktike në disa katedra të gjuhëve ballkanike në universitetet greke.
HEJZA: Pas përgatitjes së kësaj antologjie, besoj se tani keni në pasqyrë për prozën e Ballkanit. Si e vlerësoni Ju këtë prozë dhe sa këto hapësira të Ballkanit i kanë dhënë letërsisë botërore?
S. DAJO: Siç thashë dhe më lart, letërsia e Ballkanit nuk është aspak inferiore kundrejt letërsive të tjera në botë. Përveç autorëve ballkanas që kanë marrë çmimin Nobel, ka një brez të rinj shkrimtaresh pak ose aspak të njohur në vendet e tjera. Detyra jonë është që këta të promovohen. P.sh nga vendet e ish-Jugosllavisë ka disa shkrimtarë që kanë spikatur kohët e fundit dhe mund të përkthehen. Pak e njohur është dhe letërsia shqipe e Kosovës dhe aspak ajo e shkrimtarëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.
HEJZA: Ballkani, në të kaluarën, por edhe tani, për shkak të rrethanave të njohura, gjithmonë është konsideruar si “fuçi baroti”. Sa mund të kontribuojë letërsia, përkatësisht përkthimi i saj, në zbehjen e paragjykimeve dhe shmangies së flakës që mund ta ndezë fitilin e kësaj “fuçie baroti”?
S. DAJO: Për Ballkanin gjithmonë është thënë se është një “fuçi baroti”, një “fole grerëzash”, është një hapësirë që “prodhon më shumë histori se sa është në gjendje të konsumojë” dhe shumë cilësime të tjerët zhvleftësuese . Këto cilësime e karakterizime vijnë në të shumtën e herës nga studiues evropianë, por jo gjithmonë ata janë fajtorë për gjendjen e kulturave të vendeve të Ballkanit dhe sidomos për historinë e tyre. Kjo është më shumë një alibi që na pëlqen vetë neve ballkanasve, për të hequr nga vetja përgjegjësinë vetjake dhe kompleksin e fajit. Në arealin mbarëgadishullor –mbushur me shamatarë, grindavecë e sherrxhinj, kinse bartës idesh origjinale e radikale, me gjykime të anshme dhe trajtime keqprirëse, predikues shterpë të arketipit të tyre kombëtar dhe cilësues të të tjerëve si kopjacë të pasurisë shpirtërore të të tjerëve (nyjëtuar shpesh me stil agresiv e me ide të përçudnuara), letërsia është ajo fushë e ndërgjegjes shoqërore e infektuar më pak nga pasionet nacionaliste, shoviniste, irredentiste dhe raciste. Ajo, historikisht, ka predikuar më shumë dashuri dhe më pak urrejtje. Atje ku politika dhe diplomacia zihen ngërç dhe nuk kanë zgjidhje, shkrimtarët e letërsisë gjejnë gjithmonë një kumt tolerance dhe mirëkuptimi. Po ju sjell dy raste nga dy vendet tona: Në vitet ’30 lëvizja mbarëballkanike për kualifikimin e shkrimtarit grek Kostis Palamas për të fituar çmimin Nobel, nxiti Palamas-in e Shqipërisë, Gjergj Fishtën, të niset nga Shkodra dhe të mbërrijë enkas në Athinë në mbështetje të kandidaturës greke. Respektivisht, në vitin 1980 kur në Shqipëri nuk guxonte kush të ngrinte zërin për kandidaturën e Ismail Kadaresë për këtë çmim, një shkrimtar i mirënjohur grek, Kristoforos Milionis, iu drejtua solemnisht dhe me guxim intelektual autoriteteve evropiane dhe argumentoi që Ismail Kadare nuk është më inferior se Ivo Andriç-i dhe se shkrimtari shqiptar e meriton plotësisht çmimin Nobel. Pra Ballkani nuk është një krahinë që e meriton stigmatizimin provincial. Konflikte, madje të agravuara ndodhin dhe në Lindjen e Mesme, në Ukrainë e gjetiu. E vërteta është se vendet e Ballkanit dolën nga “prehri i hekurt” i Perandorisë Otomane dhe u themeluan mbi baza irredentiste. Dhe periudha njëqindvjeçare e formimit të tyre nuk është një periudhë historike e mjaftueshme për të shëruar plagët e se kaluarës. Unë mendoj se vendet e Ballkanit kanë një emancipim të mjaft shpirtëror dhe një pjekuri politike dhe kombëtare sa të zgjedhin mosmarrëveshjet e tyre larg shereve, konflikteve dhe përleshjeve të armatosura, të cilat vetëm dhimbje dhe shkatërrime do të sjellin në rajon. Letërsia mund të luajë rolin e një amplifikatori në evidentimin e vlerave më të mira, e vlerave të përbashkëta të vendeve të Ballkanit.
HEJZA: Hapësira ballkanike konsiderohet si djepi i kulturës evropiane, mbase i tërë njerëzimit. Në këto hapësira, në antikë, shpërtheu një art i jashtëzakonshëm, shpërtheu filozofia. Në këtë pjesë të Europës lëvizën Platoni, Aristoteli, Sokrati dhe shumë figura tjera mbresëlënëse. Atëbotë u fol shumë për të bukurën, të përkryerën, harmoninë! Sot, sipas Jush, cila është qasja ndaj këtyre kategorive filozofike! I pëlqejmë, bëjmë pas tyre? Nëse po, atëherë si sillemi me to?
S. DAJO: Kultura bashkëkohore greke pati fatin të trashëgojë nga Bizanti qytetërimin e lashtë grek. Bizanti ishte ai që i përcolli epokës së re vlerat e patjetërsueshëm të antikitetit të lashtë. Në qoftë se nuk do të ishte Bizanti, atëherë grekët e sotëm nuk do ndryshonit nga popujt e tjerë të Ballkanit dhe të Evropës, sepse kultura e tyre do të ishte harruar. Sot greket bashkëkohorë mburren dhe mburren me të drejtë, sepse janë trashëgimtarë të vlerave të antikitetit grek. Por, duhet të them se Homeri, tragjedianët e lashtë, Aristofani, Aristoteli, Platoni, Sokrati, dhe gjithë qytetërimi i lashtë grek, i takon Greqisë së sotme po kaq sa i takon gjithë rruzullit botëror. Pra, mbi qytetërimin e lashtë grek u ndërtua gjithë mendësia bashkëkohore e Evropës. Greqia e vjetër ka meritën madhe se i dha botës një organizim shoqëror mbi baza demokratike për herë të parë në ag të shoqërisë njerëzore, duke e nxjerrë nga barbaria e mëparshme.
HEJZA: Periudha komuniste, nëpër të cilën kaloi edhe populli shqiptar, prodhoi “artin zyrtar” që e luftonte dekadencën, hermetizmin, “artin për art”. Me rënien e kësaj “ideologjie të kuqe” u përmbysën shumë vlera ideologjike, koncepte e mentalitete, por jo edhe krijimtaria e përgjithshme kulturore e kësaj periudhe! Ndodhi kjo, sepse ne shquhemi si harrestarë të së kaluarës, sado e afërt qoftë ajo, apo, sepse, patëm nevojë për një “mutacion gjenetik” që do të na rikthejë drejt evropianizimit të qenësisë sonë?
S. DAJO: E kam thënë shpesh se periudha komuniste ka qenë periudha më shterpë në prodhimin e vlerave shpirtërore të popujve. Pra, kjo nuk ndodhi vetëm në Shqipëri, por në të gjithë kampin socialist. Në qoftë se do të shikojmë kultura të tilla, siç është kultura ruse, ose kultura e vendeve të ndryshme sllave, e cila në fillim prodhoi vlera të konsiderueshme shpirtërore, në kohën e komunizmit këto vlera u politizuan, u dogmatizuan me pasojë të sajohet një figurë fiktive e njeriut, e cila nuk kishte asgjë të përbashkët me qenien njerëzore. Në Shqipëri kjo u çua në ekstrem, sepse varianti komunist shqiptar është varianti më brutal që iu imponua botës shqiptare. Shqipëria u izolua nga vlerat shpirtërore evropiane, pjesë e të cilave ka qenë që në krye të herë, madje u paragjykua dhe trashëgimia e vet gojore. I vetmi burim ushqyes i kulturës shqiptare ishte fillimisht kultura jugosllave, pastaj ruse dhe ajo kineze, dhe kjo në kundërshtim me traditën e lashtë të vlerave shpirtërore të botës shqiptare e cila kishte orientim evropiane. Megjithatë, jo e gjithë kultura që u prodhua gjatë të ashtuquajturit“realizmit socialist” duhet zhbërë. Shumë vepra të letërsisë së asaj kohe mund të lexohen dhe sot e gjithë ditën dhe të shkaktojnë kënaqësi estetike. P.sh. veprat e Ismail Kadaresë, Rexhep Qoses, veprat e një pjese të mirë të shkrimtarëve kosovarë dhe të Maqedonisë së Veriut. I gjithë mendimi krijues i asaj periudhe ishte shumë më i emancipuar në krahasim me kritiken letrare ose me studimin e letërsisë, sidomos mendim kritik dhe studimor kosovar, i cili qëlloi më i liberalizuar se ai i Tiranës. Merita ka shumë dhe shkenca e gjuhësisë. Këto vlera duhet të evidentohen, letërsia e periudhës komuniste duhet të rivlerësohet objektivisht dhe me gjakftohtësi tashmë, sepse pas rënies së komunizmit kaluan tri dekada dhe shoqëria shqiptare ka fituar pjekurinë e duhur politike dhe ideologjike që ta kryejë këtë mision.
HEJZA: Para viteve 90-ta (1982 -1989) keni qenë redaktor në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Çfarë mund të na thonë për vitet e kaluara në këtë Shtëpi botuese. Me kë keni punuar, veprat e të cilëve autorë kanë kaluar, të themi kushtimisht, në duart Tuaja, si trajtohej atëbotë letërsia shqipe që krijohej në ish Jugosllavi, përkatësisht në hapësirat shqiptare jashtë Shqipërisë?
S. DAJO: Jam emëruar në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri” (ent që botonte vetëm letërsi artistike, në kundërvënie me Shtëpinë botuese “8 Nëntori” që botonte literaturë politiko-shkencore) në shtator të vitit 1982 (deri më 1989), sapo kisha mbaruar studimet për gjuhë-letërsi shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, ku pata fatin të mësoj nga emra të nderuar të gjuhësisë shqiptare, të tillë si Shaban Demiraj, Mahir Domi, Rami Memushaj, Ethem Likaj, Thoma Rrushi e më së pari nga Eqrem Çabej që ishte ndarë nga jeta në vitin 1980, dhe u bashkova në redaksinë e poezisë, të dramës dhe kritikës letrare –në vëmendjen time ishte dhe një seksion i gjuhës greke për botime letrare të shkrimtarëve të minoritetit etnik grek– redaksia më delikate për shkak të natyrës së letërsisë që botonte. Ndiheshin ende vibracionet e plenumit të katërt famëkeq, disa vjet më parë ishte “zbuluar” atje një “grup armiqësor” dhe ishin dënuar redaktorë të zotë për agjitacion dhe propagandë me vite të rënda burgimi. Administrata e institucionit na tërhiqte përditë vëmendjen që të mprehnim “vigjilencën ideologjike”. Për këtë, më vonë, institucioni –si të gjitha institucionet e agjitacionit dhe të propagandës – u thirr, dhe jo pa të drejtë, dhe “institucion i policisë ideologjike”. Nga librat e redaksisë ku isha emëruar, pak kohë më parë (viti 1979), ishte “hedhur në karton” vëllimi poetik “Zgjimi i thellësive” i poetit tim të dashur Xhevahir Spahiu, akuzuar për ekuivokë ndaj Enver Hoxhës dhe redaktori i tij, i ndieri Perikli Jorgoni, rrinte si në gjemba në pritje të dënimit (për shkak të uljes së ndjenjës së “vigjilencës ideologjike”). Në redaksi qarkullonte fjala e Dhimitër Fullanit (një redaktor i vjetër dhe emblematik) se të gjithë ishim viktima potenciale të mërisë së shefave nopranë të Komitetit Qendror dhe jetonim në një “zonë të minuar”. Po kështu, redaksia e tregimit dhe e novelës, drejtuar nga Sami Çabej, për shkak të qëndrimit të butë dhe jokritik ndaj një dorëshkrimi të Ismail Kadaresë, u gjend në objektiv të drejtuesve të lartë. Sundonte, si kudo, një regjim terrori psikologjik dhe shantazhi të pashpallur. Kështu që ngazëllimi fillestar u shua dhe u shndërrua në frikë; punonim në një mjedis skepticizmi dhe heshtjeje në atë “zonë të minuar”. Si i ri, mua m’u besuan kryesisht vëllimet poetike të talenteve të reja atëherë: Ilirian Zhupa, Besnik Mustafaj, Mimoza Ahmeti etj. me të cilët pata një bashkëpunim pjellor dhe konstruktiv. Ata u afirmuan shumë shpejt, dhe me të drejtë, falë talentit të tyre. Përndryshe, për shkak të njohjes së gjuhëve të huaja, më lidhte puna dhe me redaksinë e botimit të letërsisë së huaj që e drejtonte Donika Omari. Ky komunikim ishte për mua një shkollë e madhe dhe përvojë e paçmuar; bashkekzistenca me emra të tillë si Petro Zheji (kur përkthente tregimet e hershme të Gorkit kishte mësuar përmendesh eposin e kreshnikëve se, thoshte, ishte i vetmi leksik që i përshtatej natyrës dhe stilit të veprës), Bujar Doko (i dënuar në vitet e para të pasçlirimit si “armik i popullit” që punonte i tërëvetmuar), Klio Evangjeli, Afrim Koçi, Shpëtim Çuçka, PiroMisha, por edhe Brikena Çabej, e cila mbulonte letërsinë e huaj për fëmijë, më pasuroi dijen dhe urtësinë e profesionit. Këta punëtorë të palodhur të gjuhës kishin vetëm një laps dhe një gomë (dhe shumë pak fjalorë ose bazë të dhënash), por i dhanë letërsisë vepra madhore nga fondi i letërsisë botërore me një shqipe të pasur dhe tejet të kultivuar. Ndiej nderim të veçantë për ta.
HEJZA: Dhe, një ditë vendosët të largoheni nga Shqipëria e të kaloni në Selanik, ku filluat një jetë të re, përkatësisht një sfidë të re. Por, edhe përkundër kësaj, Ju kurrë nuk i shkëputet lidhjet me Shqipërinë, përkundrazi. Çfarë ju dha dhe çfarë ju mori lëvizja nga Tirana në Selanik?
S. DAJO: Nga viti 1989 deri në vitin 1991, kam punuar në sektorin e bibliografisë së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Kjo ishte e një nga periudhat më të mira të jetës sime, sepse kisha privilegjin të kisha akses në fondin publicistik të gazetave shqiptare të paraçlirimit dhe të shtypit të huaj, që nuk e kishin pjesa më e madhe e lexuesit të kohës. Kjo periudhë dyvjeçare pasuroi dhe emancipoi shumë ndërgjegjen time ideologjike dhe estetike. Në vitin 1991, në mars, erdha në Selanik dhe që atëherë fillon periudha më e vështirë e jetës sime, sepse duhet t’u përshtatesha kushteve të reja të jetës dhe të mbijetesës. Provova 19 profesione të ndryshme, disa prej të cilave i njoh mirë edhe sot e kësaj dite. Por, dora dorës, njoha diplomën e shkollës së lartë të Universitetit të Tiranës, si ekuivalente me diplomat e universiteteve greke, bëra master-in dhe pastaj tezën e doktoraturës. Pastaj, kam punuar në vende të ndryshme, por, si e thatë dhe ju, asnjëherë nuk i kam shkëputur lidhjet e mia shpirtërore me kolegët e mi shqiptarë, me universitetet e Tiranës, me entet botuese të Shqipërisë dhe bëj ç’ është e mundur që dy kulturat tona, kultura greke dhe kultura shqiptare të njihen reciprokisht nga lexuesit tanë, sepse e ndjej si detyrë morale të brezit tim për brezat që do të vinë, se kjo kulturë do ndihmojë popujt tanë të njohin më mirë vetveten dhe njeri tjetrin.
HEJZA: Si pasojë e shpejtësisë së modernizimit të përgjithshëm, a mund të themi se njerëzimi anekënd botës është edhe në një proces të motorëzimit të kulturës! Këtij procesi, a do t’i shpëtojë krijimtaria letrare, nëse jo, si do të dukej një letërsi e tillë, si për nga forma ashtu edhe për nga përmbajtja. Ç’mendim keni për digjitalizimin e letërsisë? Libri elektronik – a është ky fundi i Bibliotekës klasike?
S. DAJO: Kjo është një bisedë e gjatë që shpesh bëhet me hipoteza dhe pandehma, sepse askush nuk mund të parashikojë të ardhmen pas arritjeve të fundit të shkencës dhe zbatimeve të IA-së. Por, rreziku më i madh është që brezi B (fëmijët që lindin sot) të shkëputet tërësisht nga realiteti jetësor dhe të jetojë në një realitet virtual, të paqenë. Kjo do të jetë e tmerrshme. Ky konstatim vlen jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet kudo në botë. Mjetet e rrjetëzimit social dhe gjithfarë platformash të çdo lloji kanë shpallur “demokracinë e tribunës”, duke krijuar “gazetarinë popullore” ose thënë ndryshe “vulg-gazetarinë”. Paralelisht është krijuar “vulg-gjuhësia”, “vulg-historia” (dhe në këtë lëmë të dijes debati është fort i acaruar dhe shpesh armiqësor ndaj kolegëve). Dhe kjo – në respekt të analogjive– nuk është, detyrimisht, e keqe. Çdokush duhet të ketë zë publik, të drejtën për të thënë solemnisht fjalën dhe bindjet e veta. Por, si pasojë e këtij vërshimi të pakontrolluar, të papërmbajtur dhe shpesh agresiv, janë mbyllur shumë mjete të informacionit masiv (media). Por, sipas gjasave, gazetaria tradicionale (respektivisht, dhe shkenca e historisë, e gjuhësisë, etj.) do të bashkëjetojë me këto forma të shprehuri; ky është një realitet i pakthyeshëm tashmë dhe një evoluim i paprapësueshëm. Në shumë vende, në kryeherë, u tha se shkenca e mirëfilltë dhe gazetaria profesionale duhet të injorojë “specialistët diletantë” të facebook-ut, por me kalimin e kohës u pa se kjo ishte e pamundur. Pala tjetër krijonte “shkollën” e vet, duke sajuar mite të reja, të cilat duheshin shpërbërë si të pavërteta ose të pabazuara shkencërisht se fitonin audiencë, (“audiencën e turmës”) që nuk kishte dijen e duhur të konfirmonte vërtetësinë e informacionit të servirur. Pas kësaj u joshën dhe shumë gazeta, duke përshkallëzuar rrezikshëm publicistikën e verdhë dhe populizmin. Gazetaria e ka më të vështirë, ngase çdokush me një telefon celular që di shkrim e këndim, mund të hiqet si gazetar, paçka se nuk njeh shkencën dhe teknikën e profesionit dhe nuk respekton kodin e tij moral. Por, unë jam i bindur, se mjetet e informacionit me integritet profesional, sikundërse revista juaj, dhe bartësit e informacionit real (dhe jo e fake-news-ve) do të mbijetojnë, dhe lexuesi që rreket të mësojë të vërtetën do të grumbullohet rreth shtypit të përditshëm dhe periodikut serioz dhe jo sensacional që del e ikën si flaka e kashtës. Para disa muajsh një gazetar i Financial Times-it,Tony Barber, mbështetës fanatik i shtypit të printuar, u shpreh tejet pesimist për të ardhmen e tij dhe theksoi se në një horizont afatgjatë, media e printuar do të tkurret vazhdimisht, ndërsa do të fitojë terren media elektronike. Por, kjo është një bindje e shprehur në panik. Kështu u tha dhe për librin elektronik (e book) para shumë vjetësh, por këtu e disa dhjetëvjeçarë, ai nuk tejkalon 5% të tregut, madje është në tërheqje.