Teki DERVISHI
MUZIKA KAMERTALE
(Mesorja e ftohtë e natës verore)
Pas mesnate Ajo dritaren e hapi me ngadalë
Drita në kopshtin e shtëpizës mbi degë titëronte
Prej mesores tash tymi dilte përjashtë valë – valë
Zëri i shterë i këngëtarit tash duket se gjëmonte
E pashë kur e shprushi edhe një herë me frymëzim
Krejt teprinë e ngazëllimit që i zgjati një çast
Por zëri s’i dual më tej zemrës dhe iu fik shqim
Mund të thuhet erdhi vonë. Takimi ynë ishte rast
Ajo dëshironte të flejë, po në dhomë flinte fëmija
Vesa me pika drite e agut binte ngadalë mbi dritare
Ishte tresh i çuditshëm i helmuar nga kllapia
Ajo duket aq e ngathtë nga lodhja, aq mitare
E tkurrë në skutën e vet para sofrës me pije
Pikëllimi i kobshëm nesër më do t’më ketë hije.
(Ilahi)
Ata që ishin të ftuar tash lanë këtu zbrazëtinë
Dhe ikën të përgjumë dita t’i puthë në ballë
Në dhomën e madhe të gazmendit e uruan miqësinë
Ikën të zbrazët pasi kënduan agë me mall
Dehja i lëshoi frenjash posa fresku u preku faqen
Ditën tash e presin në shtratin ku gjarpri fle
Ëndrra e flashkët më shumë se kënga u falë paqen
Mendimi i urtë frymëzimeve të tyre gjithnjë u vë fre
Në dhomën e madhe tash mbetën vetëm t’paftuar
Që as në mend s’u binte të iknin nga gëzimi i huaj
Ishin pak po në vete kishin një det të helmuar
Pikëllimi. Dhe mendonin se gota do ta shuaj
Flakën që e ndiznin edhe më me flakë. Të bezdisur
Me njollën e turpit në ballë të qëndisur.
(Okarina)
Të gjithë shkuan. Koka tash më oshtinë
Heshtja më shurdhon me zërin e saj si vaj
I frynë parmakëve të dritares si okarinë
E kërrat derën e hapur e fikë llambën me vaj
Edhe qiririn. Po dritë neoni ka jashtë kënge
Mbi fytyrën time të bërë qull prej pije
Kjo është marrëzi ndesh mendjes që lyp vange
Mbeti kjo shpuzë prej gjithë asaj bukurie
E lyp vange me mua, e zënka do rastis e di
Posa të pushojë kjo heshti e mrekulluar
Që me gjëmimin e okarinës ka mbuluar shtëpi
Po nesër edhe unë dua të mbetet e harruar
E fshirë me mbeturinat e natës që njollosë
Thellë nën fjalët e intrigës groposë.
(Dhoma e mbushur daire)
Fletoret e verdhura nga përhimësia e kohës në raft
Dhe saksitë prej argjile përjashta në dritaret
Gjësendet e vjetruara. Kujtimin, reja e vraftë
Ma ngjallin. Këtu dikur këndonin ato, këngëtaret
Ishin dy. Unë bëja treshin e çuditshëm që s’mba
Më shumë se vesa në petale. Dhoma e mbushur daire
Bukurinë e saj si të Tanushës asnjëherë s’e kam pa
Po të cilës nga të dyja. Ato ishin dy e bënin sehire
Violina e kërleshur tash në raft pushon si ngahera
E mërrolë në skutën që rrezja e prek me ditët
Mblidheshim aty jo ne të tre po edhe të tjera
Nga libri dhe mëdyshja. Kah t’ia mbaj. Ç’pritet
– Të zgjohem i pazbuluar në ngushëllimin tim të marrë
Apo ta bëj kokën time e ndërgjegjen gëverr e varr?!
(Vajtorja)
Syzezat e lëshuara mbi mafesin e zi dhe kurtinat
Në një dhomë. Ninulë. Djepi i zbrazët rrakatet
Muzikë. E dhembshme është reshtja e saj. Violinat
Dhe zamaret. Dairet. Tingulli i qelqtë shukatet
Ajo i këndon dhembjes së saj duke pritur stinën
E re të gjelbërimit. Në kopshtin ku do ta shpjerë
Vaktësia e qiellit në pranverë. Do ta presë vetëtimën
E do kthehet përsëri brenda një trupi t’ndjerë
Muzikë. Tash gurgullin vetëm valëza që rrah gurë
Ajo dhe Ajo rragatë. Fjala s’shpreh kuptim të ri
Ajo flet e s’dëgjohet, s’përgjigjet as ajo n’mur
Fotografia. Buzëqesh. Kush e dëgjoi dhe e krijoi
Gjuhë që s’ndjehet. Muzikën. As tingull as fjalë
Diç që qetësinë e saj ushton duke shprehur mall.
(1978)