Letër nga diaspora

PËRVOJAT POZITIVE SI MODELE INSPIRIMI

Një takim, jo vetëm në Tiranë, me një nga shkrimtarët tanë të shquar, do të ishte mjaft frytdhënëse. Përvoja e një aktori të njohur në skenë filmi e teatri gjithsesi do të zgjonte kureshtjen e shumë të rinjve, sepse do të mësonin mjaft shumë nga përvojat e një aktori

Neviana SHEHI/ Itali

Umberto Galimberti dhe Guendalina Middei janë dy personalitete të njohura italiane, i pari filozof, eseist, psikoanalist, gazetar dhe autor i shumë veprave dhe mbi të gjitha një mendje e ndritur, kurse e dyta një autore e re, që ka mbi 500 mijë ndjekës në Instagram, të cilët pasion kanë letërsinë. Që të dy sot kanë ndjekësit e tyre, me të cilët komunikojnë përmes formave të ndryshme dhe sidomos përmes takimeve, të cilat i realizojnë në ambiente të ndryshme ky frymon arti. Pra, ata kanë shumë ndjekës, të cilët me pasion i dëgjojnë ligjëratat e tyre. Dhe kjo, natyrisht është një përvojë shumë e mirë, sepse këto takime, përkatësisht ligjërata ndikojnë pozitivisht në formimin intelektual, sidomos të të rinjve, të cilat ligjërata janë të frymëzuara kryesisht nga temat që zhvillojnë mendimin kritik, ndërgjegjësimin shoqëror dhe aftësitë praktike. Ne kemi nevojë të dimë më shumë mbi letërsinë, mbi teknikën e shkrimit, parimet etike në jetën e përditshme, mbi konceptet kryesore të filozofisë dhe rëndësia e tyre për të kuptuar botën, mbi vetëdijen për emocionet dhe menaxhimi i tyre, mbi ndërtimin e vetëbesimit dhe motivimit e kështu me radhë. Dhe, kuptohet, shoqëria italiane i kushton vëmendje të madhe debateve dhe takimeve të tilla, sepse janë, mbi të gjitha, me karakter edukativ.

Atëherë shtrohet pyetja: a kanë nevojë edhe shqiptaret për debate e takime të ngjashme? Nuk themi se në Shqipëri apo në hapësirat tjera shqiptare, nuk ka pasur organizime të tilla. Por, ato janë të rralla dhe herë – herë të organizuara ad hoc. Një takim, jo vetëm në Tiranë, me një nga shkrimtarët tanë të shquar, do të ishte mjaft frytdhënëse. Përvoja e një aktori të njohur në skenë filmi e teatri gjithsesi do të zgjonte kureshtjen e shumë të rinjve, sepse do të mësonin mjaft shumë nga përvojat e një aktori. Jo pak kanë çfarë të thonë edhe një piktor, një filozof, një sociolog, një kompozitor, një koreograf, një regjisor, të cilët do të kishin vërtet audiencë shumë të mirë. Në këto kohë të turbullta dhe shpesh edhe shtrënguese, takimet e tilla paraqesin mundësi unike që mund të frymëzojnë të rinjtë dhe të kenë ndikim të thellë në zhvillimin e tyre intelektual dhe personal dhe janë përvojë jo vetëm informuese, por edhe motivuese.

Pra, takimet me artistë gjithsesi kanë një rëndësi të veçantë për zhvillimin kulturor, emocional dhe intelektual të individëve. Këto takime krijojnë hapësira për dialog, frymëzim dhe ndërgjegjësim mbi rolin e artit në jetën e përditshme dhe në shoqëri. Diskutimet me artistët ndihmojnë në analizimin e mesazheve dhe temave që përçon arti. Ndihmojnë në interpretimin e artit nga këndvështrime të ndryshme dhe reflektojnë mbi ndikimin e tij në shoqëri. Debatet mbi artin janë një platformë e fuqishme për të eksploruar ndikimin e tij në shoqëri dhe për të nënvizuar rolin që luan arti në përmirësimin e jetës së njerëzve. Të tilla diskutime frymëzojnë mendimin kritik, sjellin në pah çështje të rëndësishme sociale dhe nxisin ndryshime pozitive. Që të kemi një organizim të mirëfilltë, kuptohet se nevojitet një forcë që do t’i lëvizë gjërat. Në rastin konkret, duhet të kemi një qendër, e cila do t’i koordinonte këto aktivitete mjaftë të nevojshme edhe për shoqërinë shqiptare. Në fillim do të mund të mbështetemi edhe në përvojat e të tjerëve dhe pastaj, kur të merret hovi, pengesat vetvetiu do të eliminohen. Të bëjmë diçka që na bën shpirtërisht me të fisnikëruar, më të përmbushur dhe më te pasur me dije e informacion.

Leave a Reply

Your email address will not be published.