Rexhep Shahu, shkrimtar

SHUMË NJERËZ SHALOJNË GOMARIN E NA OFROHEN SI KALORËS

Ka nisë një ngutje në botimin e librave hutues të tipit si të jesh i suksesshëm, si të jesh kështu a ashtu, si të bëhesh milioner e pallavra me receta të tilla sa banale e vulgare dhe marketingu për këto libra le në errësirë letërsinë e vërtetë që nuk të mëson si të bëhesh milioner, po si të bëhesh njeri…

Shkëlzen HALIMI

Rexhep Shahu u lind në vitin 1960 në Bardhoc të Kukësit afër Prizrenit ku bashkohen dy Drinat, Drini i Bardhë e Drini i Zi me malin e Pikëllimës në shpinë e atë të Pashtrikut në sy. Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike. Atje u mëkua me det dhe lau ëndrrat në të. Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.

Rexhep Shahu ka provuar gjithfarë lloj punësh e profesionesh në fusha e male, me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri… Ka jetuar me mineral-kërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka punuar sekretar në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, korrespondent në Radio Tirana, korrespondent në Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit, zëdhënës shtypi e këshilltar i ministrit për media e marrëdhënie publike në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë. Ka drejtuar si botues e kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”, revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës kulturore “Dy Drina”, te themeluar prej tij, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe shtatë vite ka drejtuar si kryeredaktor edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare”, organ i Ministrisë së Bujqësisë, Tiranë. Rexhep Shahu prej një dekade është botuesi dhe kryeredaktori i revistës më të madhe letrare në gjuhën shqipe “Illz”, periodik dymujore dhe drejton Shtëpinë e tij botuese Klubi i poezisë në Tiranë.

Është autori i shumë veprave: Mali i Hënës – vëllim poetik (Tiranë, 1998), Bregu i Brengës – vëllim poetik (Prizren, 2000), Misioni për Paqen – publicistikë, krizës së Kosovës 1998-1999 (Tiranë, 2001), Bllaca – (monografi) me bashkautor – 2002, Marsi i minave – publicistikë, për ngjarjet e Kosovë 1998-2000 (Tiranë, 2006), Lis i vetëm në fushë – vëllim poetik (Tiranë, 2011), Apologji për udhën e kombit – publicistikë (Tiranë, 2012), Qyteti i lutjeve – poezi, Tirane 2014, Bukën tonë të përditshme, publicistikë (Tiranë, 2014), Ismail Raka – Sytë e Lirisë – monografi per heroin e Kaçanikut, (Tiranë 2014), Kjo verë mërzie – vëllim poetik, (Tiranë, 2015), Ku ishe ti hero – publicistikë, Tiranë, Shkrimtarët për Havzi Nelën – Shpirti i lirë i Lumës, – përgatitës, Tiranë, 2018, Havzi Nela – Shtatë fletore, botimi i plotë me 5548 vargje, – përgatitës, Tiranë, 2018, Bisedë me Havzi Nelën, – eseistikë, Tiranë, 2019, Faleminderit Doktor Alushani, – rrëfime, Tiranë, 2020, Dita e gjashtë – Poezi, Tiranë, 2020, Rrahman Zeqiraj – Një statuje kujtimesh, monografi, Tiranë, 2020, Njëgjo a, njëgjos’a, pa ta s’a, publicistikë, Tiranë, 2021 dhe Lufta ime për Kosovën, publicistikë, Tiranë, 2023.

HEJZA: Është një fakt i pamohueshëm. Sot, ambientin ton letrar e karakterizojnë “kruzhoqet” letrare, provincializmi, abuzimi, amatorizmi, papërgjegjësia e kështu me radhë. Pse ndodh kjo dhe kur do të pasojë reagimi institucional për ta kthyer këtë ambient në binaret e vërteta?

R. SHAHU: Tempulli i vetëm që duhej të kishte shpëtuar pa u infektuar me viruset mediokre të ditës, do të ishte mjedisi letrar. Askush asgjë kurrë nuk mund ta ndikojë e diktojë një shoqëri në mënyrë edhe të pakuptueshme se sa libri. Po sot fatkeqësisht në mbretërinë e librit bëhet mbret kush të mundet, kush rend më i pari, kush është më i forti, kush ka post a përkrahje politike më shumë, kush ka kuletën plot ani se mund ta ketë trurin djerrë. Kush mundet katund për katund ndajnë çmime, dekorata, duke rivalizuar edhe Nobelin suedez. Kjo rëndomtësi, ky provincializëm, kjo etje për grada, kjo bjerrje vlerash e “blerje “gradash, kjo nevoje ulëritëse për lëvdata nga jo meritorë, nga anonimë të shquar, tregon një shkallë të ultë inteligjence të aktorëve të kohës tonë, tregon një inferioritet të thellë dhe një krizë të rëndë morale. Në mjediset tona letrare kulturore, mendoj se ecet me moton, “lopa jeme ma e mira në katund”.

Kjo ndodh, sipas mendimit tim, se institucionet shtetërore e shoqërore janë në pikën më të ultë të seriozitetit të tyre, kjo ndodh se shoqërinë shqiptare e tërheqin për hunde në gjithë hapësirën shqiptare militantët ordinerë që i ofron politika e ditës, se politika është mitra e drejtuesve. Kurrë më i ultë nuk ka qenë niveli i njerëzve të institucioneve të kulturës, kurrë më anonimë nuk i kemi pasur zyrtarët që merren me librin e kulturën, me letërsinë e artet. Çdo kohë e brez nxjerr përfaqësuesit e tij, por nuk ka të spikatur që drejtojnë e udhëheqin, ka vetëm anonimë që dalin në majë. Kjo ndodh e do të ndodhë derisa shoqëria të votojë njerëz pa integritet veç pse kanë pasuri jo me djersë, të votojë njerëz që politikën e kanë biznes për pasurim. Derisa të zgjedhim njerëz të ditur, jo matrapazë.

HEJZA: Borhesi, Parajsën e perceptonte si një Bibliotekë me kthina nga Babilonia e lashtë e deri te bibliotekat bashkëkohore gjithandej botës! Tendencat për digjitalizimin e librit, për formën e librit online, a po e rrënojnë këtë Parajsë borhesiane, apo janë shenjat e para të angazhimit për digjitalizimin e domosdoshëm të Parajsës-bibliotekave!

R. SHAHU: Është tentuar dhe vazhdon të denigrohet libri, libri klasik që në jetë të jetëve nuk do ta humbë magjinë. Është stimuluar e po stimulohet dembelizmi. Jashtë librit nuk mund të jetë dikush i suksesshëm e i ditur në jetë. Telefoni dhe kultura e titujve në telefon nuk bën askënd të ditur, nuk lexohet libri në telefon, nuk është lexim, nuk ka magji pa fëshfëritje e aromë letre sipas meje. Sot po sundojnë ata që kryejnë universitete me studime në celular, ata që blejnë diploma, tituj, grada që ua përgatit e zhvillon temat IT. Ndoshta koha është e tillë e vrullshme, ndoshta koha nuk ka kohë të presë. Por, mendoj se pallati më madhështor i dijes, me solemni me hyjnori në planet është biblioteka me libra fizik. Le t’i digjitalizojnë e kodojnë se ka njerëz që lexojnë në telefona e kompjutera, por nuk ndërtojnë dot pallate hyjnore librash në USB. Ndoshta jam gabim dhe jashtë kohe e jashtë mode, por mendoj se leximi në telefon është si ushqimi në fastfude, si ushqim me hamburgër në dorë.

HEJZA: Besojmë se edhe Ju ndani mendimin se ndër ne më shumë është shkruar pseudo-poezia, më pak poezia dhe më pak tregimi? Pse shkruhet poezia? Kujt i intereso pseudo-poezia? Cili është identiteti i tregimit tonë të shkurtër?

R. SHAHU: Ne jetojmë në pellgun e poezisë, në atdheun e poezisë, siç e kanë cilësuar. Jemi një arë, një atdhe poezie me Greqinë e Turqinë. Nëse i besojmë asaj që i shkruan Lamartini De Radës në 1800, se nga brigjet tuaja ka ardhë poezia dhe atje duhet të kthehet, ne nuk i shmangemi dot. Pastaj kemi zona që epika dhe lirika është mënyrë e stil komunikimi. Por, poezia nuk ka lidhje me pseudo-poezinë. Poetët shkruajnë dhe vuajnë, nderohen dhe shpesh nuk e dinë nderimin e adhurimin. Pseudo-poetët shkruajnë për modë, për të mundë të marrin adhurimin që u jepet poetëve. Nderimin e adhurimin që shoqëria ka për poetët e vjelin përgjithësisht dhe e përvetësojnë pseudo-poetët, porno-poetët. Sot e gjithmonë ka pasur pseudo-poetë, vargëzues e rimues vargjesh, ka pasur mashtrues e hajdutë vargjesh, poezish. Ata që vjedhin poezi duan me çdo çmim të jenë të famshëm si poetë, sepse u duket privilegj hyjnor te jesh poet, të të recitojnë njerëzit, t’i shpërndajnë poezitë e tua, t’i përdorin poezitë e vargjet për kartolina urimi, për letra e mesazhe dashurie. Pseudo-poetët ngaqë dështojnë t’i dojë dikush, ata lakmojnë të jenë poetë. Poezi do të thotë dashuri, të jesh poet do të thotë të digjesh e përvëlohesh për dashurinë, të jesh flakë,prush.

Nuk e njohim sot sa duhet fuqinë e tregimit të shkurtër, nuk po dalin në dritë mjeshtër të këtij tregimi, edhe se ka patjetër tregimtarë, por mediat zhurmojnë nuk ndriçojnë meritorët, por ndezin prozhektorët për jo meritorët e meritorët mbeten në errësirë. Ndodh që na ofrojnë si tregimtarë autorë kronikash banale shtypi, por kronikat e shtypit nuk janë tregime. Kemi tregimtarë patjetër që lëvrojnë tregimin e shkurtër edhe të natyrës çehoviane, nuk po hyj në emra, por kemi, kam botuar edhe unë. Kemi shkollë tregimi edhe ne të krijuar nga Kuteli, Anton Pashku, etj.

Jo gjithkënd vetmia e bën shkrimtar, jo gjithkënd braktisja a dëshpërimi e bën shkrimtar, jo çdo mësues leximi në shkolla fillore është domosdo shkrimtar a kritik letërsie. Jo ‘do veteran mund të bëhet historian, jo çdo rrenë e falsifikim pleqsh është letërsi, jo çdo brengë a mos realizim a plotësim pleqsh është letërsi a histori. Le të shkruajnë të gjithë histori a kujtime, po për fëmijët e tyre, për familjet e tyre, jo të kërkojnë vëmendjen e shoqërisë, të harxhojnë lekët e fëmijëve emigrantë për të botuar librat e tyre. Shumë pensionisti a veterani nga mosha them veteran, beson se është shkrimtar a poet dhe beson se ka shkruar kryevepër.

Nuk ka ndonjë të keqe që shkruajnë, por ngatërrojnë me shkrimet e tyre pasi historia nuk bëhet me “si më ka thënë baba’… Pleqtë që gjithë jetën nuk kanë lexuar 50 libra dhe disa fëmijë që paraqiten prej prindërve të tyre si gjeni, janë dy kategori që dështojnë me sukses në jetë në masën më të madhe, me ndonjë përjashtim të rrallë një në 10 a 20 mijë…

HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?

R. SHAHU: Jo nuk mund të ketë, sepse kritiku bëhet me dije jo me ndonjë aftësi të veçantë tjetër. Nëse për të bërë poezi duhet talent dhe dije, për t’u bere kritik duhet dije dhe dije. Sot shumëkush po na shitet si kritik letrar, si gjitholog në të gjitha fushat dhe në një mënyrë a tjetër kjo punë është bërë biznes ditor, është bërë trafikim vlerash, përjargie vlerash. Të citosh tre katër emra kritikësh botërorë, nuk do të thotë se ke bërë shkollën e tyre, por këtu tek ne mahniten autorët lehtë. Njerëzit paguajnë në mënyra të ndryshme që të lavdërohen, është një trafik i madh lëvdimi, kemi rënë në një deformim të rëndë. Faqe gazetash e portalesh me lëvdata janë si fleta nderi. Pak e fare pak emra besimi ka kritika letrare. Sepse rioshë të saposhkolluar duke shkuar në shkolla pa libra, pa mësues, pa djersitje, me një celular në dorë shfaqen si të shumë-ditur e të gjithë-ditur. Si është e mundur pa një përvojë leximi të ofrohen si kritikë e studiues letërsie që të marrin në qafë. Ka një keqkuptim të madh në trafikun letrar, mendoj unë. Ka një trafik të dendur, një qarkullim të madh njerëzish që shkruajnë libra, që i lëpihen e jargaviten famës. Tundimi është i madh. Në këtë trafik të dendur ndodh që humbet i talentuari, që nuk vihet re, sepse sot media ka marrë përsipër të zbulojë e promovojë, por media në masën më të madhe nuk ka kompetentë të fushës dhe media do lubrifikant, paratë.

Pastaj sheh në këtë trafik të dendur e kaotik letrar guximtar të çuditshëm. Jo çdo mësues leximi i fshatit duhet të shfaqet si shkrimtar apo si kritik letrar. Minimalisht besoj duhet një kohë fizike, një moshë e caktuar që të besojmë se ka pasur kohë dikush të lexojë500 a 1000 libra dhe ka fituar një minimum kulture që të shfaqet si letrar a kritik letrar. Nuk kemi trena mjaftueshëm për doktorat e shkencave në fushën e letrave… Edhe këtu politika dikton, rekomandon, cakton kush bën a nuk bën, politika thotë për kë të shkruhet e për kë të mos shkruhet. Besoj, sipas meje, se vlerësimet e shkrimtarëve të njohur për vepra e shkrimtarë të ndryshëm, janë gjërat më serioze për vlerësime veprash letrare. Po bëj një ilustrim të vogël me tregime reale, nëse më lejohet.

Më thotë berberi një ditë, ti je shkrimtar, të njoh unë, të kam parë.

Po, njëfarë shkrimtari jam, i them. Po ti çfarë shkolle ke mbaruar e pyeta.

Tha emrin e një gjimnazi të njohur në Tiranë.

Po me Kadarenë a ke pi kafe, më pyet ai.

Po, i thashë.

Po me Naim Frashërin a ke pi kafe, vijoi të më pyesë berberi ndërsa me priste flokët e rralla. M’u duk se po ma heq edhe lëkurën e kresë bashkë me flokët.

Po Naim Frashëri ka vdekë para njëqind e sa vitesh, i them duke e fshehë një dëshpërim që më mbuloi.

Nuk u skuq fare, e pashë nga pasqyra, nuk e prishi terezinë…

Një ditë në një gjimnaz të Tiranës hyjnë në një klasë një grup kontrolli prej tre inspektorësh. Sa hyjnë në klasë, njëri nga inspektorët pyet klasën, “kush i njeh vëllezërit Frashëri nga ju”. Mësuesja u tregua më e shkathët se nxënësit, “mund të jenë në ndonjë klasë tjetër, nuk ka vëllezër Frashëri në këtë klasë”. Stop. Pikë. Ja ku kemi rënë si shoqëri, si shtet, si komb.

HEJZA: Sipas Jush, jeta letrare e shqiptarëve sot është më e pasur se dikur apo më e varfër?

R. SHAHU: Në dukje jeta letrare e shqiptarëve sot është më e pasur, por në thelb është më e shpërlarë, më hipokrite. Shumë njerëz shalojnë gomarin e na ofrohen si kalorës dhe nuk kuptojnë se kanë shaluar gomarin e jo kalin. Sot bëhen ngjarje letrare sa për fotografi, sa për rrjete sociale, nuk përjetohen ngjarjet letrare. Nuk ka thellësi, ka veprime sa me kalue radhën, sa për të filmuar diçka kamera.

Nuk ka tempull më të lakmuar se libri, se shkrimtari. Të gjithë duan të jenë shkrimtarë, të kenë libra të botuara. Duan të flitet për ta, të kenë famën, vëmendjen, por harrojnë se veç talentit shkrimtari ka mundim të madh që jo gjithkush e përballon. Po sot gjen mjaft nga ata qe e blejnë famën, paguajnë të kenë libër, po libri nuk është biznes i gjithkujt që din shkrim e lexim. Se në finale fitojnë harrimin e dështimin, por joshjen e momentit e kanë të madhe. Sot blihet koha televizive jo nga i talentuari e meritori, por nga ai që ka lekë e kërkon famë e vëmendje. Gazetarë të vërtetë kulture takohen shumë rrallë në kohën tonë dhe mjaft prej atyre që duken si gazetarë kulture, janë tregtarë të hapësirës mediale që e kanë dhe e shesin a këmbejnë hapësirën për arsye politike, krahinore, dhe për lekët a benefitet që marrin, rrallë për vlerat që promovojnë. Ata të gjorët urdhërohen prej pronarëve, se pronarët janë paguar për t’i bërë qoka këtij a atij autori. Gjithmonë leku e ka ngritë ujin përpjetë, por edhe në krijimtarinë letrare në zejen më të rëndë të botës, sot po e çon edhe më lart… derisa gradohen fenomene letrare, risi në letrat shqipe, të talentuar të jashtëzakonshëm…që u bie kallaji shpejt.

Jetën letrare po e degjenerojnë keq edhe autorët e disa lloj librash që kanë vlerë patjetër, por janë libra familjarë, fisnore, libra me histori katundesh të tipit kështu më ka thëne baba, libra veteranësh që vrasin kotësinë e jetës së tyre dhe në pleqëri duan të bëhen edhe shkrimtarë a historianë ani se nuk kanë shkollim solid veç shkollës së partisë e as histori që të jenë të përveçme. Nuk po dua keqkuptim, por jo çdo veteran që i dërgojnë fëmijët lekë nga emigrimi mund të shpenzojë lekët e fëmijëve për të paguar, për të shkruar e botuar libër se as fëmijët e tij nuk i besojnë e nuk e lexojnë, vetëm i bën me turp fëmijët e tij…

Siç ka të rinj e te reja që nguten të na shiten gjeni që në shkolla fillore a të mesme dhe prindërit paguajnë për deformimin e tyre në jetë. Ne kemi njerëz për të cilët është investuar para e madhe, pritshmëri e madhe, janë investuar parathënie, recensione, rekomandime edhe nga shkrimtarë të mëdhenj dhe në fund për librat e tyre u vjen turp edhe vete atyre autorëve.

Ka mjaft raste që autorë të ndryshëm i gënjen mendja se janë poetë e shkrimtarë dhe mallkojnë pse nuk u ofrohen shtëpitë botuese t’i botojnë falas dhe edhe t’i paguajnë. Në kushte normale asnjë botues nuk boton askënd falas. Për të botuar një libër shtëpia botuese shpenzon dhe nuk boton pa pasur interes e besim se i kthehet shpenzimi i kryer. Autorë mediokër, delirantë që nuk kanë asnjë lexues as një blerës të librit, që nuk janë provuar kurrë, bëjnë zhurmat më të mëdha pse nuk botohen, pse shtëpitë botuese nuk ua kërkojnë dorëshkrimet. Kur u jep shembuj të tillë se si Uitmani ka botuar librin e tij të famshëm “Fije bari” me paratë e tij, meken dhe janë gati të të thonë se nuk është gjë Uitmani sa jam unë. Kur u thua se për të botuar Lasgushin, Çabej ka mbledhë sponsorizime, janë gati të të thonë se Lasgushi nuk është gjë si poet sa ç’jam unë… Duke qenë se lexohet në telefona dhe kaq, duke qenë se rrjetet sociale shpërndajnë shumë letërsi ani se përgjithësisht është letërsi këllirë, ka rënë kërkesa për librin fizik, kërkohet më pak, shitet më pak. Pos kësaj, edhe se popullsia shqiptare në hapësirën shqiptare dekadën e fundit apo dekadat e fundit është përgjysmuar pothuajse. Dhe fuqia më aktive njerëzore e ka lënë atdheun dhe është zhvendosë në vende të tjera europiane. Atje kanë probleme integrimin, pak vëmendje kanë për librin shqip se atje nuk i ndihmon libri shqip të integrohen.

Pastaj ka nisë një ngutje në botimin e librave hutues të tipit si të jesh i suksesshëm, si të jesh kështu a ashtu, si të bëhesh milioner e pallavra me receta të tilla sa banale e vulgare dhe marketingu për këto libra le në errësirë letërsinë e vërtetë që nuk të mëson si të bëhesh milioner, po si të bëhesh njeri…

HEJZA: E bukura, e përkryera, harmonia! Cila është qasja shqiptare ndaj këtyre kategorive filozofike! I pëlqejmë, bëjmë pas tyre, por si sillemi me to?

R. SHAHU: Asnjëherë nuk besoj se biem në një mendje në vlerësimin për të bukurën, të përkryerën, harmoniken, sepse në tërësi në ne dominon arroganca e më të paditurve, më pak të diturve, gjysmë të diturve për këto vlerësime. Jemi pak dhe secili mendon se është kërthiza. Kujtoj këtu një fenomen shqetësues, një mani qesharake për të krijuar institucione vlerësimi për të bukurën, për të përkryerën e të përsosurën. Bëhemi aq qesharakë e bajat kur sheh e dëgjon deri krijime akademish, ndarje çmimesh, shpërndarje certifikatash, titujsh e nderesh, shitje nderi me gram siç e ka shtjelluar bukur në romanin e tij të qëlluar “Dhjetë gram nder” shkrimtari Namik Dokle.

Kemi një mani me i përbaltë gjërat e bukura, me i përllomë, mos me i adhurue, me i përgojue, me ua nxjerrë gjuhën. Kemi një dëshirë e mani me qenë kërthiza e botës, modeli i të përkryerës dhe këtë disa sharlatanë e kanë kthyer në biznes fitimprurës dhe rrjepin popullin analfabet të cilit ia heqin hundën. Shpallin gjuhën tonë si nëna e gjuhëve të botës, shpallin vende të rëndomta në katundet tona si kërthiza qytetërimi, shpallin ndonjë llakë uji si oqean ujërash termale, si oqeane nafte…

Vlerësimi e nderimi për të bukurën ka degjeneruar si shumëçka në jetën tonë. Shitja e titujve të nderit, e ka shkatërruar hierarkinë e vlerave. Sot po implementohet edhe në sferën e vlerësimit të vlerave shpirtërore ajo që ndodh në tregti në biznes e politikë, që ajo që nuk blihet me para blihet me shumë para. Jemi dëshmitarë të vlerësimeve jo për shkak të cilësive estetike, letrare, por për shumën e lekëve që jepen, për trafikun e influencës nga politika, krushqitë, nga konkubinat e prostitucioni politik arrogant, sa bëhet humor, mos kalo nga presidenca se të kapin për krahu e të japin ndonjë titull ose të bëjnë edhe Nderi i kombit…

HEJZA: Në Shqipëri, për gjysmë dekade u kultivua letërsia e diktuar prej pushtetit enverist! Në viset etnike, sidomos në Kosovë, u rezistua fuqishëm kundër politikave shovene që synonin për të krijuar një letërsi politike antikombëtare. Krijimtaria artistike gjeti shteg te metafora? “Disidentë plotë”, andej e këndej kufirit, por letërsi disidente fare? Pse?

R. SHAHU: Nuk është as nuk ka qenë e lehtë a e kollajtë disidenca. Regjimi komunist u instalua me plumba, me pranga, u eliminuan ashpër kundërshtarët, të dyshuarit, jo entuziastët. Disidenca jonë mbetej brenda klubit, mbi filxhanin e kafes, mbytej në gotën e rakisë, shndërrohej në jehonë thashethemesh. Pak guxonin në mënyrë inteligjente të bënin letërsi në teh thike, dhe shumica e pazonja mbyste të zotët e rrallë, i denigronte, më e pakta. Shumë e dinin se toka rrotullohet, por kishin fëmijë… Tragjeditë shqiptare nuk patën tragjedianë të shkruheshin të rrëfeheshin. Nuk kishte zgjedhje, po shkrove jetën kundër vijës së partisë, dënoheshe me burg ose pushkatim. Ne nuk mund të fajësojmë shkrimtarët pse nuk shkruan në atë mënyrë që e ndalonte regjimi, sepse do dënoheshin, por ne mund t’i fajësojmë ata shkrimtarë që u bënë më të zellshëm se partia në ndihmë të partisë. Disidenca reale u mbyt, dhe disidenca e shpikur mori frenat në dorë, porno disidenca. Shkrimtarët shqiptarë kanë përjetuar akte të tmerrshme tragjike, por u përbaltën. Letërsia shqipe ka poet të pushkatuar e të varur në vitet 1970-1980 kur në Europë, e mbase në botë, nuk ka kush tjetër poet të varur.

Të mos harrojmë se komunizmi mbi gjithçka synoi depersonalizimin, synoi t’i bënte të gjithë spiunë të të gjithëve. Masakrat mbi disidentët nisën në krye të herës, u eliminuan letrarët e spikatur klerikë që kishin nisë të bënin hekurudhën letrare shqiptare. E pushkatuan Pater Anton Arapin, shkrimtar, ndaluan Fishtën se urdhëroi Serbia, mbytën në burg Vinçenc Prenushin, Et’hem Haxhiademin, vranë Trifon Xhagjikën, Vilson Blloshmin, Genc Lekën, varën Havzi Nelën, mbajtën gjatë në burgje mjaft të tjerë, si Pjetër Arbnorin etj. Perandoria e frikës sundoi çdo mendje. Por, edhe nën terror e frikë është krijuar letërsi. Kemi rastin Kadare, letërsia e të cilit e shkruar në atë kohë, ishte rreze drite e besimi dhe ajo letërsi u vlerësua në 50 gjuhë të botës. Nuk besoj se një letërsi komuniste e të shpërlarë do ta vlerësonin 50 gjuhë të botës.

Në Kosovë si në Shqipëri u investua që të gjithë të ishin kundër të gjithëve, u investua të mos mbetej askush pa bisht, pa u bërë spiun ndaj njëri tjetrit. Komunizmi ndonëse më liberal, komunizëm ishte dhe në Jugosllavi vetëm se lejohej prona private. Kjo tendenca për të bërë e gjet spiunë, për të mos lënë askënd pa bisht vazhdon edhe sot. Vazhdon të thuhet se ky a ai e këta e spiunuan filanin dhe e futën në burg, si në Shqipëri. Këtu kemi një fushatë të pandershme. Nëse dikush ka qenë antiserb, antijugosllav i deklaruar dhe ka punuar kundër Jugosllavisë, e është mburrë për këtë gjë, pse duhet sot të akuzojë X a Y a Z se e kanë spiunuar dhe ndaj e kanë burgosë. Janë dy gjëra, nëse dikush ka hyrë në burg nga shpifjet e spiunimet e spiunëve, atëherë nuk ka faj, le të ndëshkohen e turpërohen spiunët. Por, nëse dikush ka pasur veprimtarinë kundër Jugosllavisë dhe e ka bërë me ndërgjegje, është kapë e ka bërë burg, pse duhet t’i tregojë me gisht spiunët. Si në Shqipëri, ke qenë apo nuk ke qenë kundër partisë. Nëse ke qenë kundër partisë dhe je dënuar si anti parti, pse fajëson spiunët. Nëse ke shkruar poezi a letërsi kundër partisë, pranoje burgun dhe mos fajëso spiunët. Nëse nuk ke letërsi kundër partisë, por kanë shpifur spiunët, atëherë duhen ndëshkuar spiunët për shpifje.

HEJZA: Periudha komuniste, nëpër të cilën kaloi edhe populli shqiptar, prodhoi “artin zyrtar” që e luftonte dekadencën, hermetizmin, “artin për art”. Me rënien e kësaj “ideologjie të kuqe” u përmbysën shumë vlera ideologjike, koncepte e mentalitete, por jo edhe krijimtaria e përgjithshme kulturore e kësaj periudhe! Ndodhi kjo, sepse ne shquhemi si harrestarë të së kaluarës, sado e afërt qoftë ajo, apo, sepse, patëm nevojë për një “mutacion gjenetik” që do të na rikthejë drejt evropianizimit të qenësisë sonë?

R. SHAHU: Nuk ka një gjykatë ende dhe as do të ketë për ta gjykuar atë periudhë e gjithë periudhat tona. Kur u shemb komunizmi, shumë shqiptarë ikën nga vendi. Sistemi që u instalua kishte probleme mbijetese, urie. Ndikimi i sistemit të kaluar 50 vjeçar ishte kapilar. Ngaqë zgjati shumë komunizmi, kishte arrit të deformonte gjithçka. Kur ra komunizmi, u bënë krushqitë e reja të viktimave me xhelatët. Xhelatët arritën të marrin dëshmi persekucioni nga viktimat që i lëshonin këto dëshmi. Fëmijët e prokurorit a të hetuesit, a të instruktorit të partisë u martuan me fëmijët e të dënuarit, me fëmijët e armikut, u bënë krushqi miqtë me armiqtë. Pinin bashkë kafe e raki sigurimsi, hetuesi me ish të burgosurin prej tij, pra xhelati e viktima pinin kafe e raki bashke dhe paguante viktima me këmbënguljen e tij.

Kjo pyetje që keni bërë kërkon shpjegim të gjatë të thelluar se kjo është pjesa më e pa shkruar, më e pandriçuar e jetës shqiptare. Nuk e ka treguar letërsia çfare ka ndodhë në psikikën e këtyre njerëzve. Tregimi në thellësi e me ndershmëri i kësaj historie është çelësi i historisë shqiptare të postkomunizmit.

Po kjo njëlloj përthyhet dhe në Kosovë, edhe pse parullat atje janë shpesh më të ashpra. Por pyetjet mbeten pa përgjigjë kur thua, pse ministri i brendshëm i Kosovës që e vrasin serbët, ka qenë i keq e ministri i jashtëm që e zhdukin serbët, ka qenë i mirë.

HEJZA: Historia jonë më e re ka shënuar mijëra ngjarje nga më të trishtat dhe nga më të papërjetuarat nga askush në këtë kontinent! Pra, ndonëse kemi po aq shumë tema të freskëta, ne lajtmotivet edhe më tej i kërkojmë në lashtësi, në mitologji e në folklor. Letërsia jonë, teatrot tona, assesi të trajtojnë gjenocidin serb, tradhtinë, përdhunimet, eksodin shqiptar. Apo, temat e tilla nuk janë të përshtatshme, meqë “do të nxisin urrejtje dhe konflikte ndëretnike”?

R. SHAHU: Frika dhe pazotësia bën të mos shkruhet për temat tronditëse të fatit e historisë tonë. Popull i vogël, fat i vogël, gjuhë e vogël, shkrimtar të vegjël. Ndonëse kaloi çerek shekulli pas luftës për Kosovën, ende nuk është shkruar në letërsi ajo luftë. Vazhdojmë ende me kronika, monografi, dëshmi, por jo me letërsi sa duhet. Ndonjë vepër letrare është bërë, por si kronike gazetareske. Ndonëse nuk e kam të lehtë të gjykoj drejt apo të jem i saktë e i drejtë sepse njohja është e mangët, por flas nga perceptimi që më është krijuar.

Ne duhet të kthjellemi si popull njëherë, t’i këpusim telat e çiftelisë, të ndalojmë rrenat ndaj vetes e fëmijëve tanë. Sa kemi luftuar, sa jemi çliruar, a e kemi të fituar apo e kemi të dhuruar lirinë, pse falsifikojmë pa pushim, pse na pëlqen të mashtrohemi, të gënjehemi.

Nuk mendoj se duhet të rrimë e të qajmë për çfarë na ndodhi në lufte, pasi ka qenë luftë, jo mbrëmje vallëzimi, ka qenë shpërngulje masive me dhunë. Miliona përdhunime kanë bërë rusët në Gjermani e Austri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Krimet e tilla të luftës nuk shërohen me qarje e lot.

Jeta nën Serbi e me serbët për gati një shekull në Kosovë e hapësirën shqiptare të ish Jugosllavisë, mendoj se nuk është shkruar nga letërsia, ose nëse është shkruar, nuk është e njohur kjo letërsi. Por, të mos harrojmë se nuk ka qenë një shekull apo 80 vjet vetëm luftë. Këto janë tema të mëdha që duan pena të mëdha. Duhet të shkruhen për të heqë kompleksin e shoqërisë. Të mos harrojmë se në raste luftërash popujt ikin, zhvendosen siç ikën shqiptarët në 1998-1999. Por, rrallë popull kthehet aq masivisht sa u kthyen shqiptarët e Kosovës në 1999 nëpër bomba e predha të pashpërthyera në oborret, rrënojat e tyre. Shih sa milionë boshnjakë nuk u kthyen më në Bosnje. Shkurt Shkëlzen, temat e tilla duan shkrimtarë të mëdhenj. Historia e komunizmit në Shqipëri do shkrimtarë të mëdhenj. Ne kemi probleme me veten, ne kemi treguar një dashuri të çuditshme për serbet si shqiptare në tërësi.

Në vitin 1941 kur erdhi Gjermania në Jugosllavi, për pak ditë arriti ta dëbonte Serbinë prej Kosove dhe Gjermania bëri bashkë Kosovën me Shqipërinë, krijoi shtetin kombëtar shqiptar me administratë shqiptare, me parlament kombëtar, me qeveri kombëtare. Shqiptarët që drejtuan atë shtet shqiptar, Serbia i ka shpallë armiq të saj, por edhe Shqipëria edhe Kosova i ka shpallë armiq, tradhtarë, kolaboracionistë, i ka dënuar, vrarë e masakruar. Cili është morali këtu? Ti që ke ëndërruar gjithë jetën të çlirohesh prej Serbisë, u çlirove. Gjermanët të çliruan, pse i shpall armiq njerëzit që ndërmjetësuan te gjermanët dhe e drejtuan shtetin shqiptar. Njëlloj sikur sot të shpallen armiq të gjithë ata shqiptarë që bashkëpunuan me amerikanët e NATON që e çliruan Kosovën në 1999. Serbët na krijuan partinë komuniste, jugosllavët e serbët ishin gjithmonë nëndetëse në politikën e Tiranës, në politikën shqiptare në tërësi.

HEJZA: Thonë se armiku në luftë e arrin kulmin e kriminalitetit në momentin kur fillon t’ia djegë librat kundërshtarit. Në luftën e fundit kundër okupatorit serb, armiku në Kosovë dogji shumë shtëpi, shumë libra. Në tërheqje mori miliona dokumente, libra administrativë, kadastralë, artefakte arkeologjike, muzeale… Dhe, fatkeqësisht askush nuk ia doli deri më sot, të paktën të bënte një film të metrazhit të gjatë, apo një dramë që do ta trajtonte artistikisht këtë lloj armiku! Filmi boshnjak “Në tokën e askujt” që mori çmimin “Oskar”, arriti që të ndikojë te 80 për qind e opinionit amerikan të dëgjojnë për herë të parë për boshnjakët, përkatësisht të kuptojnë se çfarë kishte ndodhur në Bosnjë dhe me boshnjakët. Pra, e bëri një film atë që nuk e bëri lufta që zgjati plotë katër vite!

R. SHAHU: Kjo ndodhi edhe në Shqipëri në 1997, ku armiku shqiptar u tregua më i keq se armiku jo shqiptar në Kosovë. Nuk jemi popull i librit dhe shkrimtarët e artistët tanë duan të jenë të parët në katundin e tyre, nuk guxojnë të konkurrojnë e të hyjnë not në oqean, u mjafton më mirë i pari në katund se i fundit në qytet.

Neve do të na mbajë mend bota me armë në duar duke qëlluar qiellin në 1997 në Shqipëri, me tre gishtat lart në Vlorë, duke qarë, lot burrash, grash e fëmijësh, me trasta e fëmijë në krahë duke ikë në 1999, duke puthë makinat gjermane e duart e ushtarëve gjermanë kur hynë në Kosovë në 1999.

Ne nuk diktuam dot asgjë, nuk kishim fuqi të diktonim, ne iu lutëm qiellit dhe në fakt nga qielli na erdhi liria e Kosovës, nga një luftë 78 ditore në qiell e Amerikës e NATOS, nga qielli erdhi liria jonë. Pasuria shkresore e grabitur është mungesë e rëndë. Arkivat, arkivat e shërbimeve sekrete janë mina që mund t’i shpërtheje kur të dojë Serbia.

Mirë që nuk i bëjmë vetë filmat e mëdhenj, por Kosova i ka pasur dhe i ka mundësitë ta financojë një film të madh, pasi shqiptarët e Kosovës munden, kanë potencial financiar për këtë gjë, Kosova ka diasporën më patriote në botë.

HEJZA: Subjektet tona politike, a kanë nevojë për një “Manual të politikave kulturore kombëtare”, me peshë të një “kushtetute kulturore”, pa njohjen e së cilës, nuk do të guxonin të drejtojnë shtet?

R. SHAHU: Jo kanë nevojë, por subjekteve politike shqiptare kjo u mungon në mënyrën më dramatike. Mungesa e kulturës dhe mungesa e investimeve në kulturë është tronditëse, është mungesa më e rëndë e shqiptarëve. Pasuria më e bukur e shqiptarëve është tradita, trashëgimia e cila është vlerë që na bën interesantë, nuk mund të konkurrojmë me ndonjë gjë tjetër.

HEJZA: A është i lehtë bashkimi kombëtar në sferën e kulturës. A na pengon dikush që të kemi institucione kombëtare reprezentative: një shtëpi botuese nacionale, një filarmoni kombëtare, një balet kombëtar, një teatër, një produksion filmi, një galeri kombëtare një akademi shqiptare etj?

R. SHAHU: Është e lehtë, e mundshme, vetëm kërkon pak dashuri e pak përkushtim, kërkon disa njerëz idealistë e jo matrapazë e tregtarë. Duke punuar gjatë gazetar kam kërkuar, fol e shkruar se është e mundshme, më shumë se e domosdoshme krijimi i një televizioni kombëtar që kur të japë lajmet të mos thotë lajme nga Kosova apo lajme nga Maqedonia a Mali i Zi, por ta thotë qartë e kthjellë p.sh sot në Strugë…, a sot në Lipjan… a sot në Tuz… a Bujanovc… siç thotë sot në Shkodër apo sot në Tepelenë… Televizionet janë biznese private që vjelin mjaft donacione e reklama shtetërore. Po të ketë vullnet, bëhet një televizion kombëtar dhe mbahet prej profesionistësh. Por, bëhet edhe televizioni publik i Tiranës i tillë po të duan politikanët e hapësirës shqiptare. Bëhet një gazetë kombëtare që të dalë në treg në mëngjes në gjithë qytetet shqiptare. Por, meqë çdo gjë do nismë politikanësh, ne fatkeqësisht politikanët nuk i kemi me përmasa të tilla, i kemi politikanë të vegjël katundesh. Vetëm me fondet e reklamave që japin qeveritë shqiptare pushtetet vendore shqiptare në gjithë hapësirën shqiptare mbulohet pjesa më e madhe e shpenzimeve. Por, kemi inferioritete të thella.

Askush nuk na pengon ta shpërndajmë librin shqip në gjithë hapësirën shqiptare, por ky lloj biznesi kërkon mbështetje nga qeveritë shqiptare. Libri sot nuk vjen nga Prishtina a Shkupi në Bibliotekën kombëtare në Tiranë dhe as nga Tirana nuk shkon në Bibliotekën e Prishtinës a Shkupit. Se politikanët shqiptarë nuk janë produkte të librit në pjesën dërmuese. Se ministrat e kulturës nuk zgjidhen nga autoritete letrare, se ambasadorët shqiptarë në vendet tona nuk vijnë nga bota e librit dhe kulturës, por militantë të partive. Vetëm kultura e gjuha, libri, arti e sporti mund ta mbajnë e bëjnë shpirtërisht të bashkuar kombin shqiptar, martesat e krushqitë e asgjë tjetër. Vetëm duke vënë njerëz të shquar e të spikatur në detyra që kanë të bëjnë me këto probleme, mund të ecin punët përpara, por me zyrtarë anonimë, me autorë anonimë, me “nafije” partish nuk bëhen punë kombëtare.

Për të pasur një shtëpi botuese kombëtare referuese, duhet minimalisht të mbështetet pjesërisht nga qeveritë shqiptare, nga ministritë përkatëse, por mosdakortësia është prezent, lakmia për copën e madhe minon çdo gjë. Ishte Rilindja shtëpia e madhe shqiptare e librit që botonte edhe autorë të zgjedhur nga Tirana, pra e kemi pasur një model që mund ta përsosnim. Me fondet shtetërore për pasurim bibliotekash mund të mbahej një shtëpi botuese kombëtare që e ka të garantuar shitjen e librave bibliotekave me fonde shtetërore. Por, sot librat e autorëve shqiptarë jashtë kufijve shtetërorë, nuk vijnë në bibliotekat e qyteteve e shkollave të Shqipërisë. Po janë 100 autorë shqiptarë jashtë kufijve të Shqipërisë që duhet të jenë në bibliotekat e Shqipërisë. Por, nuk mendon askush për këtë gjë fatkeqësisht nga institucionet shqiptare të kulturës kudo, nuk qarkullon libri shqip, nuk njihen shkrimtarët shqiptarë në gjithë hapësirat shqiptare.

Institucionet kulturore kombëtare nuk na ndalon askush t’i bëjmë, veç na ndalon mediokriteti ynë, paaftësia jonë, pazotësia jonë. Zyrtarët tanë kujtojnë se konkurrojmë me industri të rëndë, me industri ushtarake. Jo, ne kemi fusha të tjera ku konkurrojmë e mund të bëhemi të dobishëm e të pranueshëm për vete e të fusim gjurin në sofrën e Europës. Vlerat tona të traditës vlejnë nëse dimë t’i ofrojmë, prodhimet tona bio vlejnë nëse dimë t’i shesim, për gjysmë shekulli ne kemi nxjerrë një Kadare të pranuar botërisht. Tani kemi edhe sharlatanë që deklarohen se jam botuar në 30 a 40 gjuhë, por kuptojmë se në tirazhe 5 a 10 libra mund të botohesh në qindra gjuhe me fondet e tua…

HEJZA: Megjithatë, revista letrare Illz, po arrin ta bëjë bashkimin e autorëve nga të gjitha hapësirat shqiptare. Çfarë, në fakt, paraqet revista Illz dhe a po e realizon misionin e saj në këto kohë kur realisht kemi kriza të madhe të leximit?

R. SHAHU: illz, kjo shtëpi e bukur shkrimtarësh, u bë 10 vjeç dhe deri tani botoi numrin 53 të saj. Mund të flas për revistën illz, pasi jam botuesi e kryeredaktori i saj. Në 53 numra reviste në rreth 12500 faqe të shtypura në formatin B/5 me germë 11, bashkë me dy numrat specialë 10 e 14, me nga 500 faqe, për Skënderbeun dhe shkrimtarët martirë, kanë shkruar në revistë mbi 3500 autorë e përkthyes, të cilët meritojnë pafund falënderime e mirënjohje. Ata i dhanë dritë nga drita e shpirtit të tyre kësaj shtëpie shkrimtarësh, duke shkruar kështu një faqe të ndritshme në historinë e letërsisë shqipe, duke u shndërruar në një trashëgimi që patjetër koha do t’i japë vlerë. illz është organ i shtëpisë botuese Klubi i Poezisë, të cilën e kam unë. Pra, administrativisht jam botuesi i revistës illz. Por revista botohet e jeton falë një trekëndëshi të bukur miqsh Flamur Hoxha, Izet Duraku, Rexhep Shahu.

Kjo revistë nuk e mendon asnjë çast qenien e saj si revistë e Shqipërisë administrative, jo, ajo është konceptuar si reviste e hapësirës shqiptare, si revistë letrare e republikës së gjuhës shqipe, si revistë e republikës së letrave shqipe, pastaj si reviste rajonale, ballkanike e më gjerë, ia kemi heqë kufijtë, dhe do të vazhdojmë ta përsosim.

Nëse flasim me gjuhë teknike, arkitekt i revistës illz është miku im, Izet Duraku – drejtori i saj që edhe e ka pagëzuar revistën me emrin që ka. Pa Izetin nuk do të ishte bërë kjo revistë letrare, kështu siç është. Unë jam inxhinieri i zbatimit për ndërtimin e kësaj reviste. Dhe jam shumë i gëzuar që ia dolëm pa përkrahje shteti, pa përkrahje mediash, ia dolëm. Ta kishte bërë ndonjë shkrimtar partie këtë revistë, sot në numër 53, do të gjëmonin ekranet e televizioneve të pushtetit. Kjo revistë illzash është një libër i madh dashurie, nuk është revistë biznesi pasi edhe 99 % e atyre që po i lexojnë e mund t’i lexojnë këto fjalë, nuk e kanë blerë asnjë numër reviste. Ne nuk e bëjmë dot revistën gazetë dhe do t’i largohemi përditë e më shumë gazetës.

Mua dhe Izetit do të na tereshin ëndrrat në telat e zogjve po të mos ishte Flamur Hoxha, një sipërmarrës atipik shpirtbukur shqiptar, i cili e ka sponsorizuar printimin e kësaj reviste që nga dita e parë pa kushte, pa asnjë lloj ndërhyrje në punët e revistës një dekadë me radhë, 6 herë në vit. 

Humanisti deputet i PD, Flamur Hoxha, ndryshe nga sipërmarrës të tjerë që ngrenë perandori biznesi me fonde tenderash qeveritare, që ndërtojnë e dhurojnë shtëpia a vila, pranoi të sponsorizojë krijimin e revistës illz, kësaj shtëpie shkrimtarësh. Poeti Petrit Ruka e krahasonte Flamurin me Anastas Lakcen që sponsorizoi librat e poetit kombëtar Naim Frashëri. Shkrimtari Zija Çela e ka cilësuar Flamurin “deputeti i letërsisë”, Shkrimtari Mehmet Elezi e quan “perandor i vogël  në perandorinë e madhe të Librit”. Po ashtu poetët Bardhyl Londo, Sadik Bejko e të tjerë e kanë vlerësuar kontributin e përveçëm të deputetit humanist Flamur Hoxha, falë të cilit kemi në dorë 53 revista illz, një libër të madh dashurie që nuk e kanë bërë dot institucionet as universitetet publike e private. Ndaj, me shumë përzemërsi, faleminderit po i them Flamurit edhe nga dritarja e revistës HEJZA.

Kur është themeluar e formatuar kjo revistë një dekadë më parë, e në vazhdimësi, një kontribut të veçantë e special ka dhënë miku ynë i përhershëm, akademik Shaban Sinani për ndërtimin e rubrikave të revistës, me studime të herëpashershme dhe në rekomandimin për disa anëtarë bordi për revistën.

Revistën illz nuk e ka ngritë bordi, por revista ka ngritë bordin e saj. Në startin e ri për 100 numrat e tjerë të illz, do të kemi një bord më aktiv, më pjesëmarrës e kontribuues.

Në 50 numrat e parë të revistës illz jemi përpjekë që autorët e hapësirës shqiptare “të republikës së gjuhës shqipe” të jenë të përfaqësuar dinjitetshëm. Revista vërtetë ka shënimin “revistë letrare e Tiranës”, por kjo është vetëm për shkak se Tirana është aktualisht kryeqyteti më i madh i shqiptarëve. Por, po aq sa është revistë e Tiranës, aq është edhe e Prishtinës, e Shkupit a e Ulqinit dhe gjithë autorëve shqiptarë e jo shqiptarë kudo ku janë në botë. Këtë e vërteton lënda e revistës që nuk përjashton askënd dhe është e hapur për fjalën e bukur.

Revista illz ka tentuar e do të tentojë të jetë illz për vendet fqinje, pasi ne kemi idenë se urat që ngre letërsia nuk i shemb dot urrejtja.

Ndoshta u zgjata për revistën, por e çmoj dhe e di se kjo revistë është bërë tani një vlerë e përveçme e pashmangshme, si një kurorë për letrat shqipe. Revista gjithmonë ka nevojë për shkrimtarët, se ata janë lumenjtë e këtij deti. Ka nevojë edhe të sjellin shkrime, por edhe ta promovojnë.  Është dëshpëruese që shkrimtarë që punojnë si gazetarë, nuk i kushtojnë kurrë hapësirë revistës e prezantimit të saj në mediat ku ata punojnë. Revista ka dhënë e po jep prova se bën edhe pa mediat e tjera, se nuk është revistë propagande ditore, nuk jeton me reklama, ajo e ka bastin me historinë e letrave shqipe jo me aktualitetin, nuk i dëgjon zhurmat e ditës, por gazetarët shkrimtarë mos të dërgojnë pra krijimtarinë e tyre për botim në revistë, të paktën të mos këmbëngulin të botojnë  në çdo numër. Kjo është dëshpëruese.

Leave a Reply

Your email address will not be published.