Poezi: Lulzim HAZIRI
SHIU Е SOLLI VJESHTËN DHE U HESHT
Shiu е solli vjeshtën dhe u hesht
Si një kamerier bakshishin kur e pret
Toka u trand gjatë nga një bubullimë
Rrufeja nuk u pa, ende është Ditë
Veç qeni si një shpirt kur del
Nga frika zgurdulloi sytë
Shiu е solli vjeshtën dhe u hesht
Kujtimet u prehën gjetheve me pak klorofil
Piklat e shajnisë nga dielli u avulluan sakaq
Si fytyra të dashura kur shkrihen në turmë.
Sorrat m’i hedhin arrat e veseve nën strehë
Ollugjet i bëjnë udhë verës së ngecur në gjethe
Macja me gjuhë prajshëm lan veten mbi mur
Si kjo vjeshtë që zverdh me durim çdo dru
Shiu e solli vjeshtën dhe u hesht
Mbylle derën…bërtet plaka e legjendave
Tek rendit drutë me gunga si gishtat e saj
Në ahurin e frikës nga dimri i gjatë
Vjeshta nuk është stinë, po kumt
Me një frymë të ftohtë na pëshpërit në vesh
Kthemni nga dollapët ku më fshehët në verë
Tash e tutje le t’ju zgjas zhveshja, ka më shumë vlerë
(Lindita Ahmetit, poete)
Pikojnë gjethet e manjolës në këtë vjeshtë
Siç bien engjëjt e plakur me fjet
Prajshëm palosen mbi barin jeshil
Mbulojnë njëra tjetrën shpina mos u mërdhij
Pastaj fryn një erë nga gjumi i zgjon
Se vijnë engjëj tjerë të zverdhur verem
Si t’pikur nga qielli luhaten me nge
Shtrihen përmbi tokë dergjës i bëjnë vend
Është vjeshtë …
GOSTIVARI QYTET PA KUMBARË
Gjithçka filloi të mbahet mend
Kur ta sajuan emrin
Pa ditur i pari kush ta tha
Secili nga një legjendë ta la
Me buzëqeshje krejtve u jep të drejtë
Pa qenë për njërin nënë e tjetrin njerkë.
U shtrive aq sa malet të lanë
Njëri i Lartë, tjetri i Thatë
Njëri i blertë, tjetri i sertë
Por kur vjen dimri, të dy bëhen një
Me kësula të bardha në kokë.
Mbi këtë fushë të blertë pikëllimi
E mbetur djerr, jo për ujë po për krah
Vardari për mjedisi të rrjedh vërdallë
I vizatuar si me një dorë fëmiju n’janar
Ujë që më parë mbush vrima urithi
Se rrënjë groshe, drithi apo misri
Që mbi ty rriten pa i prek dielli.
E njohe botën para se me të njohë
Sot kot kërkon hartave emrin që e ke një
Ata që të deshën, që lanë emër e nam
Nuk i gjen në emra rrugësh, askush nuk i pa
Do të ishin harruar po t’mos ishte era
Sa herë që fryen si polen ua sjell
Për të mbi mbi kopshtin e ndërgjegjes.
Ti emrin e ke mikpritje
Pret e përcjell në heshtje
Miq, ushtri, barbarë, shkrimtarë
Luftëtarë, kronikanë, vallëzuese apo tuxhar
Të gjithëve u bën vend në han
Që thonë se e ngriti një gocë nga Tivari
Aq mirë i gostit, sa më këmbët s’ua lan
Ua qet atë që s’e ke, atë që e hanë
Dhe largohesh qetë, strukesh në një skaj
…krenar e i shkathët si emrin që e mba!
MACET E HALEPIT
Macet e Halepit u shurdhuan një nga një
Dhe shurdhohen për çdo ditë rishtaz
Nga shpërthimet që i gjenin strofullave
Tek ëndërronin lëmshat shumëngjyrëshe
Të derdhur mbi qilimin me xhufka
Sa herë që shurdhohen
U ikin shpijarët me një bohçe tesha mbi shpinë
U mbetet vetëm shqisa e nuhatjes
Dhe sytë që s’duan të shohin strofullat
Dhe rrugët për tek konservat e hedhura bosh
Të ushtarëve që flasin gjuhë që s’i kuptojnë
Siç nuk i kuptojnë gjuhët në konserva
Arabisht, rusisht, anglisht, sërish arabisht…
Halepi, kjo gërmadhë konservash e predhash
Gërmadhë gjuhësh të gjalla e njerëzve të vdekur
Macet e Halepit jo që s’dinë të flasin
Të kërkojnë bukë, të kërkojnë të jenë mace Kosove
Po ato janë shurdhuar
Nuk e dëgjojnë klithjen e tyre
Lere më t’i dëgjojnë
Të huajt
Që hyjnë e dalin me bujë aty
U mbetet të enden mbi gërmadha si hije
Të ecin hijeve të Halepit të UNESCO-s
Shatërvanëve që s’janë shatërvanë
Shesheve që s’janë më sheshe
As rrugët që s’janë më rrugë
As xhamitë s’janë më xhami
Myezinët ikën të shurdhuar
S’e dëgjonin më zërin e tyre
Apo i shurdhoi zhurma
Ajo zhurmë që ua prishi strofullat
Dëgjohen vetëm pëshpërimat, bisedat, këngët e sharjet
Të krejt gjuhëve të botës
Si në Kullën e Babilonisë
Gjuhë që i shurdhuan macet e Halepit
U mbeti vetëm instinkti për të mbijetuar
Dhe për të gjetur ndonjë strofull për një sy gjumë
Kur nata shtrihet e i mbulon si qiell me yje
Qiell që ia prishin rendin ca që duken si yje
E janë satelitë, aeroplanë ushtarak apo xixëllonja të harruara
Macet e Halepit që mund të duken edhe si fëmijë
Qëllon të gdhihen edhe mbi një shtyllë
Që dikur ishte një muze arkeologjik
Nga ku u shfaqet muzgu i Halepit
Kjo se pi e pluhuri e shprese të vdekur
Kjo klithmë që bota s’e dëgjon
Gdhihen të lumtura se dëgjojnë sërish
Të bindura se mjaullimën do t’ua dëgjojnë ushtarët
Hoxhallarët, humanitarët, doktorët e magnatët…
Kjo u zgjat sa një ëndërr e fluturës
Sa një flurudhë granate për tek strofulli i tyre
Macet e Halepit shurdhohen një nga një
Disa nga shpërthimet
Të tjerat nga heshtja…