Bërnsi ishte fshatari më i thjeshtë i fshatit më të thjeshtë të Skocisë. Dy gjëra nuk shkundi dot sa jetoi nga vetvetja, vjershat dhe borxhet
Grigor JOVANI
Është mbase rast i rrallë në botë kur festa kombëtare e një vendi sfumohet nga një tjetër, jo zyrtare. Për Skocinë e kam fjalën, ku ky komb krenar “malësorësh” të paepur, tjetër “ditë kombëtare” ka shënuar në kalendar, Ditën e Shën Andreas, dhe tjetër i kremtojnë bashkëkombësit. Çdo vit, më 25 janar, kur është ditëlindja e poetit kombëtar Robert Bërns, e gjithë Skocia feston “Burns Night” – “Natën e Bërnsit”. I rrallë ky fakt, por më e rrallë akoma është lidhja që ka ky komb me një poet. Lidhja e tij legjendare me Skocinë, përkushtimi që i fali kombit që e lindi dhe të cilit i këndoi gjithë jetën, ngjashmëria e tij perfekte me bukurinë dhe tiparet më të qenësishme të ADN-së së një populli janë të papërsëritshme. “Rabbie Burns”, siç e njohin dhe e përfolin skocezët, është njeriu që shikon në pasqyrë më i thjeshti fshatar prej tyre, ai vetë. Një legjendë më vete.
KUSH ËSHTË ROBERT BËRNSI?
Erdhi në jetë më 1759, si biri më i madh i një familjeje fshatarësh, ku prisnin të hanin shtatë fëmijë. I ati kishte niqasur një tokë në fshatin Aloway dhe duhej puna e të gjithëve që elbi i mbjellë në të të mjaftonte për kaq gojë të uritura. Biri i madh, “Rabbie” nuk ia përtonte punës. Nuk njihte dhe mënyrë tjetër jetese. Përveç vjershave, sigurisht. Atje gjente kënaqësinë e jetës. Shkruante sikur këndonin instrumentistët popullorë rrugëve dhe mejhaneve, ku birra derdhej si përrenjtë nga malet dhe gratë zbulonin nëpër valle gjinjtë e bëshëm, si arat e begata. Gjatë 37 vjetëve të jetës së tij të shkurtër, krijoi mbi 700 vjersha. Ajo që i shpëtoi dhe jo për faj të tij ishte një vjershë për të birin, Maksuellin, i cili erdhi në jetë pikërisht ditën që përcillej në përjetësi i ati. Bërnsi ishte fshatari më i thjeshtë i fshatit më të thjeshtë të Skocisë. Dy gjëra nuk shkundi dot sa jetoi nga vetvetja, vjershat dhe borxhet. Të parat e lumturonin, të dytat e trishtonin. Gjeti një zgjidhje të zakonshme për të shpëtuar nga halli i përditshëm i borxheve, birrën skoceze. Siç bënin xhanëm gjithë të varfrit që njihte. I simpatizonte shumë njerëzit e thjeshtë, e plagoste thellë në shpirt padrejtësia shoqërore ndaj tyre. Ndjeheshe skocezi më i ndëshkuar nga fati, por edhe më i privilegjuari, dinte të këndonte për njerëzit si ai vetë, mund të shprehte me vjershat që shkruante atë shpirt. më mirë se askush tjetër. Tema e preferuar ishte hendeku i thellë midis të varfërve dhe të pasurve. Nuk harronte kurrë të nënvizonte në artin që krijonte se shpirti i të varfërve ishte aq i pasur në ndjenja, sa kuleta e të pasurve me monedha. Vetë preferonte shpirtin e lirë, gratë e bëshme të valleve dhe uiskin e mrekullueshme të kokrrave të elbit. Mbahet mend si pijedashës i famshëm, cilësi që i ofroi fundin e shpejtë. E tradhtoi zemra, e kishte lodhur kaq shumë me këngët e tij të pambaruara. Por jetoi siç dëshironte, këngëtar i lirë, i pasionuar me dashurinë dhe gjithçka tjetër simbolizonte vendin e vetë. Në fund të fundit, ç’është një skocez? Malet e lira dhe feja e tij, dashuria, vallet dhe uiski. Pasaporta e tij prej skocezi ndihet tek e gjithë vepra që shkroi. Gjuha që flasin këta njerëz gjeti perfeksionimin më të madh tek ky art, që Bërnsi u la trashëgim.
TRADITA QE U BE FESTE KOMBETARE
I pari kremtim i tillë u regjistrua para dy shekujve, më 21 korrik 1801, në Ayrshire të Skocisë, gjatë një darke përkujtimore nëntë miqsh të ngushtë të poetit, i cili ishte ndarë para pesë vitesh prej tyre. Kjo darkë përmbante menynë e zakonshme të kuzhinës së skocezit të thjeshtë, pjata tradicionale me mishra “haggis”, si edhe koka e zierë e një deleje në mes të tavolinës, ku birra dhe uiski tepronte. E para u deklamua vjersha e famshme e Bërnsit “Address to a Haggis”, të cilën e dinë përmendësh gjithë skocezët. Pastaj vërshuan këngët e vjershave të tij të melodizuara. Doemos, si në të gjitha kremtimet e tilla të mëvonshme, Robert Bërnsi ishte prezent. Duke u kthyer tek darka e parë, fillimisht u gabua me datën e lindjes, gjatë fjalëve përkujtuese. Përmendnin 29 janarin e vitit 1802, por ca kohë më vonë u zbuluan arshivat e fshehura të kishës krahinore në Ayr, që dëshmonin se dita e saktë e lindjes së Robert Bërnsit ishte 25 janari i vitit 1759. Nga dita e këtij zbulimi e mandej, gjer në kohët tona, “Burns Night” festohet çdo 25 janar, datë që prej kohësh shënon “festën kombëtare” të të gjithë skocezëve, kudo që ndodhen. Aq i “zakonshëm” u duket ky “sakrilegj kombëtar”, lënia në shkallë të dytë e festës kombëtare zyrtare të Shën Andreas, sa Parlamenti skocez zyrtarisht njohu festimet e “Burns Night” si elementin më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore në vend. Natyrisht, nuk mund të përgënjeshtronin vetveten. Parlamenti skocez konsideron këtë bard popullor si poetin më të madh që ka nxjerrë historia e vendit, vepra e të cilit ishte guri më i rëndë në murin që mbrojti gjuhën e tyre të lashtë përballë stuhive të shekujve. Këto festime në nder të tij nuk janë gjë tjetër veçse ripërtëritja e ndjeshmërisë kombëtare.