Poezi: Nafije Zogaj

ME SYTË E MI E PATA PARË

kurrë nuk e harroj

kur për herë të parë e pata zbuluar

kur vetë

me sytë e mi e pata parë

që hëna

me të cilën mburresha

dilte edhe mbi oborrin e shoqes sime

pastaj si në faj ulte kokën

më shikonte me bisht të syrit

dhe më përcillte për në shtëpi

UNË ISHA ATJE

nuk dua të kthehem në të kaluarën

unë isha atje

dhe nuk munda ta shpëtoj

fëmijën që më rrëshqiste nga krahët

e mbytej në një pellg

të turbullt

të errët

të thellë

edhe pse ëndrra m’u përsërit

sa herë

NUK DO TË DUHEJ

Nuk do të duhej të më lëshoje nga krahët

e të më vije në gjumë.

Gjumi i rrit fëmijët.

Pikë së pari

nuk do të duhej fare të më mbaje në krahë.

Fëmijët i kanë flatrat e tyre.

SHENJAT NË MUR

dielli rrëshqet mbi majat e bardha të bjeshkëve

mbi qeleshen e bardhë të gjyshit

mbi mustaqet e tij

futet nëpër llullën e qelibartë

dhe ndalon

në murin prapa dritares

aty ku duhej të ishte shenja e radhës

e asaj dite

që nuk perëndoi

HËNA VEZULLONTE NË TË VERDHË TË VDEKJES

e hapi dritaren

ishte hera e dytë që

brenda së njëjtës natë

u zgjua nga i njëjti ankth

ku nëna

siç ishte nënë i bëhej fëmijë

dhe teksa i jepte gji

shndërrohej e tëra në qumësht

që i rridhte nga duart

nga gishtërinjtë

hëna vezullonte në të verdhë të vdekjes

toka bënte sikur po flinte

TOKA E ASKUJT

në fshatin tim

është një lëndinë e madhe

dhe një mal i madh

që nuk janë të askujt

në atë mal

lisat priten veç për dërrasa varri

dhe veç për varre hapen gropa

në lëndinë

NUK E DI SE SI IA DEL

rrotulloj çelësin e derës së oborrit

pastaj atë të derës së shtëpisë

para se të bie të fle

në dhomën ku flinte babai

nuk e di si ia del ai të na ruajë

edhe nga përtej derës

nëpër të cilën dilet

vetëm një herë

SHTEGUT PËR NË ITAKËN E VET

si çdo natë tjetër

Penelopa ishte duke shthurur 

ëndrrat që kishte thurur ditën

kur padashur 

preu 

kërthizën e zemrës

hëna rrëshqiste nga një gropë në tjetrën

një aromë

që nuk e kishte ndjerë qyshkur ishte fëmijë

e bëri të ngrihej

e tërhoqi si drita fluturën

shtegut

për në Itakën e vet

NUK NA BËN ZEMRA

aty kah fundi i oborrit

afër derës së sokakut

kishim një mollë

frutat e së cilës ëmbëlsoheshin

vetëm në dimër

pasi i shtrinim në tavan

nën atë mollë

një ditë dimri

nga dritarja

pashë babain

duke ia prerë kokën Laroshit

të voglit të lopës Larë

që e kishte përkëdhelur

si mua

ai ishte

sa unë

tani që nuk është më

as molla e dimrit

as babai

kemi mbjellë mollë të vjeshtës

dimrit blejmë mollë nga vende që kanë shpikur

të tjerë diej

edhe mish blejmë

ose paguajmë të tjerë që t’i therin kafshët

ngaqë nuk na bën zemra

t’i therim vetë

TEKSA FLUTUROJE ME KRAHË ËNDRRASH

Në kujtim të vëllait Milazim Zogaj 22.11.1970-13.08.1982

Nga dyert e drunjta të larta deri në qiell

që për çudi nuk i mbyllte kush

si breshkë hyri një makinë e bardhë.

Kurrë nuk kisha parë

grumbull aq të madh njerëzish në oborr.

Qeni me ngjyrë deleje më mbështolli krejt

vetëm koka më mbeti jashtë.

Nuk e di sa gjatë dyert mbetën hapur

Nuk e di as kush i mbylli

E di vetëm që ti nuk ishe në shtëpi.

Me siguri ishe te dajat.

Nuk ishe te dajat.

I pyeta të gjithë me rend

dikush kthente kokën më një anë,

dikush më tregonte ndonjë përrallë

e dikush, dikush edhe qante.

Nuk ishe në shtëpi.

Fillova të të kërkoja vetëm

rrugëve, arave, lëndinave

e për çudi,

mua më kërkonin,

më vinin pas,

ty jo.

Askush nuk të përmendte.

Me siguri ishe në shtëpi.

Nuk ishe në shtëpi.

As te dajat

as në shtëpi

as te dajat as në shtëpi

as në shtëpi as te dajat

as te dajat as në shtëpi

as te dajat

as

derisa një ditë më zuri gjumi.

Kur u zgjova,

nëna më tha se tashmë isha

më e vjetër se ti.

Dhe sapo filloi të flasë për ty

më kapi një kollë

sa nuk u mbyta

në lumenjtë e diellit

që shpërthyen në fytyrën

e saj prej hëne.

Tash e di.

Teksa po fluturoje me krahë ëndrrash

papritmas

krahët të ishin kthyer në flatra engjëjsh

me të cilët mund të kthehesh

vetëm mbi degët e mollëve të verës,

që lulëzojnë edhe në dimër,

para shtëpisë së vjetër,

për t’i dridhur gjethet

si atëherë kur fshiheshe mes degëve

dhe kumboje me zë drite

“arushë, qe ku jam”

Leave a Reply

Your email address will not be published.