RRËFIM I SHKURTËR PËR VETEN

Emil CIORAN

Kam dëshirë të shkruaj veçse kur jam në një gjendje shpërthyese, kur jam nën ethe, apo kur ha thonjtë me dhëmbë, kur jam nën trysninë e një tensioni nervor, kur çudia shndërrohet në frenezi, dhe, në vend të jap goditje me grushte, apo shuplaka, mërmëris të shara. Fillon zakonisht kështu: një drithërimë e dobët që bëhet gjithnjë e më e fortë, sak si gjendja pas një fyerjeje, të cilën e ke mbajtur vath në vesh. Të shprehurit nënkupton një replikë, apo një veprim agresiv të vonuar: shkruaj me qëllim që të mos arrij tek të vepruarit, për të shmangur një krizë. Të shprehurit është lehtësim, revansh i tërthortë I atij që s’mund të hajë turpin me bukë, ndaj rebelohet me fjalë ndaj të ngjashmëve dhe ndaj vetes. Zemërimi është më shumë një impuls letrar, sesa moral; në të vërtetë ai është burim i frymëzimit. Po urtësia? Është pikërisht e kundërta. Ajo shkatërron brenda nesh të gjitha impulset e mira; është sabotuesja që na poshtëron, që na paralizon, që përgjon të çmendurin brenda nesh, me qëllim që ta qetësojë, ta komprometojë dh eta çnderojë. Po frymëzimi? Një çekuilibër i befasishëm, një ëndje e madhe për t’u pohuar, apo për t’u shkatërruar. S’kam shkruar qoftë edhe një rresht të vetëm me temperaturë normale. Dhe, ndërkaq, për vite të tëra e kam ftilluar veten si të vetmin individi pa cene. Kjo krenari ka qenë diçka e dobishme për mua: më kalejuar ta nxij letrën e bardhë. Praktikisht nuk shkruaj kur qetësohet deliri, kur bëhem preja e një modestie të rrezikshme, vdekjeprurëse për atë ferment nga i cili rrjedh intuita dhe të vërtetat. Nuk mund të shkruaj veçse kur, pasi më braktis papritur sensi i qesharakes, e çmoj veten fillim dhe fund…

Të shkruarit është një provokim, një këndvështrim fatmirësisht i rremë i realitetit, i cili na vendos përsipër asaj çfarë është, dhe asaj çfarë duhet të jetë. Të rivalizojë Zotin madje ta tejkalojë atë, thjesht përmes virtytit të gjuhës: e tillë është orvatja heroike e shkrimtarit, specie ambige, i molisur dhe i dalldisur pas vetes, që, duke ebraktisur gjendjen e tij të natyrshme, i ka dhënë vetes të drejtën të përjetojë një marramendje sipërane, trallisëse, ndonjëherë të neveritshme. S’ka gjë më mjerane sesa fjala, por bash prej saj ia ngjitet gjer te ndjeshmëria e lumturisë, gjer te prëjtja e skajme, ku është krejtësisht i vetëm, pa ndjesinë më të vogël të shtypjes. Supremja mbërrihet përmes fjalës, përmes vetë këtij simboli, të brishtësisë. Për çudi, mund të mbërrihet gjithashtu edhe përmes ironisë, me kushtin që kjo, duke e çuar gjer në ekstrem punën e saj rrëmimtare, t’i shkaktojë rrëqethje një zoti që punon së prapthi. Fjalët si mjete të një ekstaze të rikthyer…Gjithçka që është me të vërtetë intensive merr pjesë si në parajsë, ashtu edhe në ferr, me këtë ndryshim: të parën mund ta marrim me mend, teksa, të dytin kemi gjasën ta kundrojmë, apo, më mirë, ta ndjejmë. Ekziston një përparësi akoma edhe më e madhe, e cila është monopol i shkrimtari t’i heqë qafe rreziqet e veta. Pa të drejtën për të nxirë faqe, as vetë s’e di çfarë do të kisha bërë. Të shkruash do të thotë të zhbësh brerjet e ndërgjegjes dhe mllefet, do të thotë t’i vjellësh sekretet e tyre. Shkrimtari është një i lajthitur që përdor trillimet e fjalëve për t’u mjekuar. Mbi sa vështirësi mbi sa sulme të pamëshirshme kam trimfuar sajë këtyre melhemeve delikate

Të shkruarit është një ves që nuk mund ta lësh. Në të vërtetë, shkruaj gjithnjë e më pak, dhe pa dyshim do të vijë koha që s’do të shkruaj më fare, ngaqë s’do të më japë më asnjë kënaqësi kjo betejë me të tjerët dhe me veten.

Kur sulmojmë dikënqoftë ky dhe një njeri i zakonshëm, përjetojmë ndjesinë e plotësisë, shoqëruar me një grimë qibër. Një fenomen edhe më i çuditshëm akoma: ndjesia e superioritetit, kur përshkruajmë një figurë që e admirojmë. Mu në mes të një fjalie, ah, me çfarë lehtësie besojmë se jemi qendra e botës! Të shkruarit dhe të admiruarit nuk shkojnë së bashku: na pëlqen apo jo, të flasësh për Zotin, do të thotë ta kundrosh atë nga lart. Të shkruarit është hakmarrja e krijesës, dhe përgjigja e saj për një Krijim të dreqosur.

(Nga libri “Sprovë admirimesh”; përkthyer nga frengjishtja, Balil Gjini)

Leave a Reply

Your email address will not be published.