TIRANA, ATY KU SHKRIHET E PËRTRIHET SHQIPJA

Gjuha, pasqyrë e strukturës sociale të një vendi, është lëmi ku vërehet më mirë se kudo shtresëzimi i bashkësisë që veçon kësisoj hapësira, rregulla, stile komunikimi apo forma të marrëdhënieve shoqërore

Ledi Shamku SHKRELI

Çdo individ qëkurse lind gjendet në mënyrë të pavullnetshme, pra pa e zgjedhur ai vetë, në gji të një kulture e të një gjuhe të caktuar. Pikërisht kjo gjuhë, apo kjo mater-gjuhë, e lejon atë të formësojë mendimet e veta, të kuptojë e të kuptohet brenda një bashkësie njerëzish. Këta njerëz, në fakt përdorues të së njëjtës idiomë, formojnë kësisoj një bashkësi të caktuar gjuhësore. Për rrjedhojë Gjuha nuk mund të mendohet pa Bashkësinë Gjuhësore që e ushtron, sikurse edhe kjo e fundit merr kuptim veç falë një gjuhe të dhënë, gjë që i jep bashkësisë qoftë formën, qoftë përmasat. Në shestën e grupimeve gjithfarë, Bashkësia Gjuhësore rezulton më e rëndësishmja pasi ndihmon të depërtuarit në domenet e psikës dhe kulturës së masave folëse. Me fjalë të tjera Gjuha, pasqyrë e strukturës sociale të një vendi, është lëmi ku vërehet më mirë se kudo shtresëzimi i bashkësisë që veçon kësisoj hapësira, rregulla, stile komunikimi apo forma të marrëdhënieve shoqërore. Lidhur me këtë Orioles thotë: “Shoqëria ndahet në grupe dhe gjuha, njëlloj si ajo, ndahet në dialekte, sociolekte, regjistra dhe varietete të tjera”.

Tashmë mund ta pohojmë pa droje se larushia gjuhësore me kodet që ndërrohen e kapërthehen, me strukturat gjuhësore heterogjene që japin e marrin sipas ligjësive vetjake, me çerdhet e fjalëve ku i huaji “rosak i shëmtuar” shndërrohet në mjellmë joshëse, është diçka më se e zakontë në cilindo vend të botës dhe nuk haset vetëm ndër repertorët e gjuhëve në kontakt. Ideja se folësi i qaset gjuhës si ndonjë mali vëngërosh, si diçkaje monolite, “masive, statike, të patundshme, të pandjeshme”, ka nisur t’i lerë vend një konceptimi më real: folësi përdor shpengueshëm mjete gjuhësore të çdo idiome që njeh e që shfaqet më e thjeshtë për t’u zgjedhur. Dhe nëse marrëdhënien folës-gjuhë e mendojmë kështu, afërmendsh duhet të ndryshojmë edhe mendimin tonë mbi gjuhën.

Kush ngulmon të mbesë rob i një konceptimi të shtangët mbi gjuhën, duhet të pranojë çka thotë Jakobsoni: “cilido folës i realizon përdorimet vetjake gjuhësore përmes një përkthimi Normë-Usus”, por m’anë tjetër s’ka si të mos shohë shumëllojshmërinë e përdorimeve gjuhësore brenda shtratit standard. Teorikisht të gjitha përdorimet gjuhësore të lartpërmendura priren të konvergojnë drejt dy fokuseve, që (prapë teorikisht) gjenden fare pranë njeri-tjetrit: Norma standarde dhe Tradita gjuhësore. Tash le t’i kthejmë sytë nga harta sociolinguistike e Tiranës, metropolit të vetëm autentik të Shqipërisë. Si paraqitet bashkësia sociale e kësaj kryeqendre në raport me qendrat e tjera urbane? Pa ngurruar asfare mund të themi: më e plota. Të shkolluar, gjysmë të shkolluar, analfabetë, zyrtarë, drejtues, gazetarë, artistë, punëtorë krahu, të papunë, studentë, shtëpiake, politikanë…, lista mund të zgjatej prore. Po përkatësia gjeografike e kësaj bashkësie? Mjafton t’i biesh kryq e tërthor Tiranës, nga qendra drejt rrethinave të saj dhe mund të hasësh gjithë krahinat e Shqipërisë. Jo rrallë qëllon që nëpër labirintet mes blloqeve të banimit oshëtimat muzikore janë tinguj ku përzihen ritmi i çiftelisë me isopolifoninë e zgjatur, duke marrë rrëshanë edhe ca hip-hope të hutuara.

Sipas parimeve të alkimisë, guri i çuditshëm filozofal ngërthen në vetvete zana- fillën e të gjitha lëndëve. Ai i shpërbën ato duke mundësuar shndërrimin e çdo metali të prunjtë (të varfër) në flori. Pak rëndësi ka nëse një metal i dhënë është bakër alumin apo hekur; kontakti me këtë gur, e kthen atë në ar. Atanori i kësaj alkimie bashkëkohore është pikërisht mjedisi ku kryhet fuzioni rrethina-qendër, ndërsa si gur filozofal shërben prestigji social-kulturor i gjuhës së lëvruar. Tirana e ka këtë gur filozofal, ndonëse është ende e pavetëdijshme për të. E folmja e saj, për meritë të prestigjit social që u jep përdoruesve, vijon të mbetet sociolekti më i rrahur i shqipes. Aty derdhen pa reshtur prurje gjithfarësh: të folme krahinore, nëndialekte, sociolekte e deri idiolekte të rrethinave e zonave suburbane. Këto prurje, krejt inferiore e pa status nëse shihen veçmas, kur hyjnë në kontakt me të folmen e Metropolit, shndërrohen në prurje të çmuara, të cilat me t’iu shpërbërë lënda e tyre e varfër, kthehen në rivlerësuese të një “standardi” jo zyrtar, por tashmë përdorur nga të gjithë.

Po si pritet të jetë bashkësia gjuhësore e Metropolit? Nga më të çmuarat që mund të hasë gjuhëtari. Pa iu kthyer edhe një herë përimtisht përbërjes sociale të bashkësisë, por gjithsesi duke e mbajtur në vëmendje, pohojmë se repertori gjuhësor i Tiranës i përmban të gjitha: dialektet, sociolektet, teknolekte, burokratishten, zhargonet, krahinorizmat, ligjërimet sektoriale; të gjitha të pranëvëna, dhe ç’është më e rëndësishmja, të gjitha që priren të konvergojnë drejt prestigjit – Gjuhës së Lëvruar. Banorët e Tiranës po mbrujnë kodin e tyre sociolinguistik, Shqipen Pop; ajo s’do ngatërruar me Shqipen Folk, pasi është fjala për një Sociolekt. Pikërisht kjo Shqipe Pop që formësohet nga zgjedhje gjuhësore të thjeshta, të lirshme, funksionale e me prestigj paraqitet si Substandardi i Ri i Shqipes. Mungojnë ende studimet glotologjike mbi Shqipen Pop.

Ndërmarrja e këtyre studimeve do të ketë si lëndë të parë qoftë përdorimin e folur të Shqipes Pop (regjistrin e shpenguar dhe gjysmëformal), qoftë atë të shkruar (mesazhe dhe shënime në familje, letërkëmbime, ditarë, kartolina urimi, kërkesa formale drejtuar institucioneve nga shkrues të ndryshëm, titra filmash përkthyer në shqip etj). Interesin më të madh e paraqet shqyrtimi dhe përshkrimi i tipareve të saj morfologjike, sintaksore, semantike, por edhe kontekstuale. Sa u përket tipareve fonetike dhe fonologjike, ato ndryshojnë diatopikisht, duke ndjekur pakashumë hartën e varieteteve krahinore. Megjithatë duket se Shqipja Pop, e folur apo e shkruar, shpesh i largohet fonologjisë së formave të sakta që përcakton norma. Flitet e shkruhet përditë për gjuhën tonë që po hepohet nën trysninë e ardhurizmave (forestierizmave) perëndimore. Nuk është ky problemi më emergjent i Shqipes.

Standardi i shqipes ne fakt po konkurron me Substandardin e saj; thënë ndryshe po konkurron forma “si mendohet të jetë” me formën “si është në terren”. Për sa kohë do të vijojë të shpërfillet kjo konkurrencë, përdoruesit e shqipes do të mbeten në Situatën e Gjendjes së Përkohshme, në të cilën përdorimi gjuhësor kudo dhe kurdo ka rezultuar pragmatik, pra gjuha që është shtënë në punë ka qenë e një cilësie të dobët dhe përdoruesi nuk e ka aktivizuar ndërgjegjen e tij gjuhësore. Sikundër po vërehet, shqipfolësit kanë një Sjellje Gjuhësore Pragmatike, e cila, për nga vetë natyra nuk orvatet së tepërmi të zgjedhë lema me përdorim të atrofizuar, por priret drejt rinovimit të shenjuesit. Nuk do harruar se në cilëndo gjuhë zgjedhjet parapëlqejnë vetiu minimumin e lodhjes për maksimumin e rendimentit sasior (parimi i Ekonomisë Gjuhësore). Fatkeqësisht përdoruesit e shqipes së folur ndjekin paralelisht dy shtigje:

• I përmbahen ekonomisë së tyre gjuhësore përmes polisemisë, pra përdorimit të shumëzëshëm të së njëjtës shenjë. Mjafton të përmendet këtu paradigma e fryrë e shenjuesve si: grykë, qafë, bisht etj. P.sh.: grykë mali, grykë topi, gryka e fytit, grykë vullkani, grykë thesi, grykë çizmeje, grykë shisheje, grykë zjarri, grykë trikoje etj. etj. etj. Disa zëra, pra, do të përdoren në vend të të tjerëve, duke çuar në varfërim të komunikimit.

• Përdorin si t’u vijë mbarë çdo lloj fjale të huaj që u ofrohet më shpejt e thjesht se fjalët e fondit; p.sh.: lançoj (hedh, lëshoj), bekgraund (përvojë), inspiroj (frymëzoj) e kështu me radhë. Pikërisht te kjo sjellje duhen kërkuar shkaqet e pranisë përmbytëse të lëndës së huaj në shqip. Për sa kohë nuk do ta marrim në sy konkurrencën mes Shqipes Standarde dhe Shqipes Pop, do të vijojë të vërtetohet proverbi se kur hahen dy vetë fiton i treti. Pra prestigji gjuhësor i huaj, i cili i ka zgjidhur disi mirë ngërçet e veta, nuk ngurron ta ofrojë kontrabandë zhdërvjelltësinë dhe kthjelltësinë e tij për nevojat tona kumtonjëse. U tha më lart se përdorimet gjuhësore vetjake, për hir të pasaportës sociale që folësit kërkojnë të fitojnë falë gjuhës, priren të konvergojnë drejt 2 fokuseve, që (prapë teorikisht) gjenden fare pranë njeritjetrit: Norma standarde dhe Tradita gjuhësore. Në rastin e shqipes, a është verifikuar distanca mes këtyre dy fokuseve?

Natyrisht nuk mund të shërbejnë ligjet apo rregullat si matës të kësaj distance, por ai proces i domosdoshëm tek i cili ngulmojmë kaherë: Katalogimi i Substandardit të Shqipes, vjelja dhe skedimi i përdorimeve të lira gjuhësore, por që bazohen mbi normën në fuqi. Sillet shpesh Franca si shembull i një politike të mirë gjuhësore, ngase të rreptë, por duke folur kësisoj, është dëftuar vetëm gjysma e së vërtetës. Franca vërtet në vitet ‘80 hartoi një ligj të paqmë për mbrojtjen e pastërtisë dhe integritetit gjuhësor të frengjishtes, por po ajo Francë bëri më parë azhornimin e standardit të saj në përputhje me zhvillimet dhe prirjet gjuhësore të kohës. Dhe jo më kot azhornimi nisi si proces me idenë e Guiraud-së, i cili më 1967 shkroi: “Duhet t’i kthejmë sytë nga sociolekti i Parisit; ai ka shumë për t’i ofruar frengjishtes standarde”.

Dhe s’ka kuptim ajo që thotë dikush se azhornimi i frengjishtes u krye pasi standardi i saj qe disashekullor, e për rrjedhojë ky yni s’paskësh nevojë pasi mosha e tij s’është veçse disadekadëshe. Nuk është mosha e standardit që kërkon ose jo azhornim, por baza dhe prapavija e tij. Ai, sikur thamë, po përballet me substandardin. Kushtet sociale, politike, kulturore, ekonomike të Shqipërisë së viteve ’70 – kohë kur u vendos standardi – ndryshojnë kryekëput me të sotmet. A nuk duhen verifikuar këto ndryshime? SI PARAQITET bashkësia sociale e Tiranës si kryeqendër në raport me qendrat e tjera urbane? Pa ngurruar asfare mund të themi: më e plota. Të shkolluar, gjysmë të shkolluar, analfabetë, zyrtarë, drejtues, gazetarë, artistë, punëtorë krahu, të papunë, studentë, shtëpiake, politikanë… Gjuha Lagjia e gjuhëtarëve të Kosovës vijon të mbetet pararojë e fortë në punë të shqipes.

Pasi nxorën dy herë rresht botimin anastatik të Fjalorit të ’54, pasi botuan gjithaq si anastatikë tre fjalorët e harruar të shqipes: atë të Gazullit, të Tases e të Shoqërisë “Bashkimi”, pasi hartuan ata vetë një Fjalorth fjalësh të rralla të shqipes, së fundmi, të vëmendshëm e objektivë edhe ndaj zhvillimeve të shqipes bashkëkohëse, ata patën kurajën të dalin me një dokument të quajtur Orientime të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për çështje të shqipes standarde ku, përpos njohjes së efekteve unifikuese të një gjuhe të përbashkët standarde, kanë shtruar jo pa qëllim një platforme të re pune. Në dokument i mëshohet faktit se “krijimi i një forme të përbashkët të gjuhës, sado e përsosur që të jetë ajo, nuk është veçse një moment në histori të një gjuhe.

Ajo shënon një kohë të ndalur në zhvillimin e gjuhës, kështu që format e saj, duke qenë të qëndrueshme, vijnë e ngurtësohen dhe e humbin zhdërvjelltësinë natyrore të jetës. Gjuha e përbashkët nuk mund të qëndrojë e fiksuar po u desh që ajo të jetë vijmisht e përdorshme si e tillë. Rrethanat e reja kërkojnë nga gjuhëtarët përgjigje të shpejtë përmes një politike gjuhësore, e cila do të synonte zgjerimin e aftësive komunikuese, rritjen e fleksibilitetit të normave të standardit, ngritjen e shkallës së pranueshmërisë së standardit, gjithë duke përpunuar më tej të arriturat e tri dekadave të fundit e duke mos lejuar alternativa të skajshme të varieteteve të folura. Rezultatet e kësaj politike gjuhësore do të ndikonin që të shmangen për një kohë të gjatë zhvillimet e ndara në të gjitha kodet e gjuhës.

Studiuesit e shqipes standarde do të kenë për detyrë që të përcaktojnë prirjet e zhvillimit në ndërthurje të varieteteve të gjuhës së folur mbi bazën e gjuhës së shkruar unike dhe të mundësisë së saj që të përfshihen në normë ato elemente që ndihmojnë që gjuha standarde të fitojë gjithnjë në spontanitet e t’i pasurojë mundësitë e saj shprehëse”. Kështu për herë të parë në këto vite shfaqet një platformë që sugjeron t’u përmbahemi prirjeve të shqipes duke përcaktuar më pas një politikë, e cila rrit shkallën e pranueshmërisë së standardit. Me fjalë të tjera është e udhës që gjuhëtarët të bashkërendojnë punën për të hetuar dhe orientuar proceset alkimike, me të cilat po gatitet vetiu substandardi i shqipes (tashmë me risinë e një komunikimi me shtrirje të pakufizuar në gjeografinë e shqipes). Afërmendsh kjo është rruga që jep shumë më tepër rezultat në dobi të gjuhës, sesa “përkujdesja” për të vijuar mbajtjen në ngrirës të Standardit aktual nëpërmjet gjobave administrative dhe masave ndëshkimore (?!).

Arsyeja është e thjeshtë: rruga që kalon përmes shkencës garanton evolucionin gjuhësor në përputhje me evolucionin shoqëror (gjuha ngërthen në vetvete evolucionin, jo revolucionin). Duhen gjurmuar pra këto zhvillime bashkëkohëse gjuhësore, që për shqipen më tepër se kudo vërehen në qendrat e mëdha urbane dhe kulmojnë natyrshëm në Tiranën-Metropol. Aty po shkrihet e përzihet thuajse gjithë ç’ofron shqipja. Hierarkia dhe dozat e kësaj alkimie gjuhësore janë në një farë mase procese vetërregulluese mbi të cilat gjuhëtari vepron. Nuk mbetet tjetër veçse ta shfrytëzojmë këtë përftesë të alkimisë metropolitane. Katalogimi i saj, pa e tjerrë gjatë, është hapi i parë i sigurt.

Leave a Reply

Your email address will not be published.