Ajo që rëndon më tepër është emri dhe shpirti im! Edhe sikur të viheshit ju të gjithë bashkë me të njëqind brezat e ardhshëm në njërën anë të peshores, prapë ajo do të anonte nga ana ime
Kostas VARNALIS
Trupi im (kockat e kërmat) nuk barazohen në kandarin e drejtësisë me të njëmijë e pesëqind vetat që u vranë prej tiranëve. Por ajo që rëndon më tepër është emri dhe shpirti im! Edhe sikur të viheshit ju të gjithë bashkë me të njëqind brezat e ardhshëm në njërën anë të peshores, prapë ajo do të anonte nga ana ime. Mbas disa vjetësh do të dalin shumë dishepuj të mi, por edhe mohues, edhe këtej nga ky qytet, edhe nga vende të huaja, edhe bashkëkohës, edhe nga brezat e ardhshëm, të cilët do të bëjnë një zhurmë të madhe rreth vdekjes sime. Do të më quajnë si “njeriun më të mirë midis grekëve”, “bilbilin e Muzave”; do thonë se kam qenë “njeriu më i drejtë e më i urtë”, “stolia e Greqisë”. Djemtë tuaj do të ndërtojnë për mua një tempull, që do të marrë emrin e Sokratit, dhe çdo vit në pranverë do të bëjnë kurbane për kujtimin tim… Do të më bëjnë perëndi e do të falen në emrin tim, megjithëse ju nuk më lejuat të mbaja asnjë gram nga “demoni”. E përse do të bëhen të gjitha këto?
Të parët do të kenë qëllim të përfitojnë nga emri im, të ngjitin emrin e tyre pranë timit dhe, bashkë me mua, të fitojnë famë e lavdi. Kurse të dytët do të duan të tregojnë se, po të jetoja në kohën e tyre, do të më kuptonin e do të më nderonin… Punë boshe! Që të dy palët do të më ngrenë më lart nga sa vlen me të vërtetë lëkura ime dhe do të bëjnë një padrejtësi karshi jush. Do të përhapin gënjeshtra dhe do të besojnë në gënjeshtra. Ju dhe ligji juaj keni kryer detyrën tuaj. Por të merremi vesh. Ju nuk më dënuat sepse kam shkelur Ligjin, por sepse u tregova i paaftë të shkelja mbi të e të kaloja më tutje… E dini si duhej të ishte formuluar akuza kundër meje? Jua them unë, dëgjoni: “Sokrati është fajtor, mbasi ka qenë i pafuqishëm e njeri fukara. Prandaj të dënohet me vdekje.” Po të më kishit gjykuar veças e një e nga një, me siguri që do të më kishit nxjerrë të pafajshëm. Tani që jeni kaq shumë, nuk mundeni. Sa më tepër njerëz si ju të bashkohen midis tyre e të përbëjnë një turmë, aq më tepër humbasin gjykimin dhe shtojnë ligësinë. Edhe sikur të ishit bashkuar pesëqind të mençur të zgjedhur (të themi pesëqind Sokratë), nuk do të vlenit as sa gjysma e një budallai.
Pa mendoni tani që jeni grumbulluar pesëqind budallenj me brirë! Turma, opinioni publik nuk është tjetër veçse një qen i zgjebosur, i lidhur me një hu në mes të diellit. Ky qen gjithë ditën fle, kruan zgjeben dhe vërsulet i tërbuar kundër çdo njeriu që orvatet ta shpëtojë nga veset e t’i zgjidhë zinxhirin, me të cilin është i lidhur. Ashtu edhe ju, menjëherë sapo nisën të më akuzonin se po prish Fenë, djemtë e arsyen, brofët përnjëherësh më këmbë dhe hapët gojën sa një kamare që të më përpinit të gjallë. Po të gllabëroja gjëra të ndezura flakë, thika e shpata, siç bëjnë fakirët nëpër panaire, nuk do të çuditeshit as dhe një grimë, pse do të shikonit me sy të mbyllur se me të vërtetë po gllabëroj shpata, thika e flakë. Dhe, po të isha ndonjë fallxhor që do t’ju jepja për shërim bajga e shurrë sa të ngopeshit, atëherë do të besonit se ju kam shpëtuar jetën. Sigurisht, do të më kuptonit e do të më paguanit. Por e vërteta është se kushedi sa herë më keni dëgjuar duke thënë”Unë di një gjë që s’di gjë fare!” Nuk di gjëkafshë… këtë s’e kuptonit dot. Atëherë unë jam padyshim dreqi vetë. Dhe nga një njeri i tillë mund të pritet çdo gjë.
Si, si? Kam qenë i rrezikshëm për Republikën! Unë i rrezikshëm, dhe ju Republika vetë. Por njerëzit e rrezikshëm, o qytetarë të Athinës, nuk i gjykojnë. Këtyre njerëzve ose u puthin këmbët me servilizëm, ose i vrasin pabesisht. Dhe gjithë ata, që populli i do dhe që mund të bëhen një ditë të rrezikshëm, ju bëni çmos dhe arrini t’i syrgjynosni pa një pa dy.
Po të isha i rrezikshëm, do të kishit paguar dy-tre njerëz të afionizuar që të më thernin me thikë, ose do t’u jepnit ryshfet akçinjve të shtëpisë sime që të më hidhnin helm në gjellë, në verë apo në kafe. Një njeri i rrezikshëm as që gjykohet dhe as që ka nevojë të bëjë apologji. Ai fiton pozitën, gjykon të tjerët dhe i dënon me vdekje, për arsye se mban pushtetin në dorë. Dhe vetëm po të humbasë pushtetin, atëherë mundet që ju ta vini në bankën e të akuzuarve, po qe se do të guxoni… e po qe se do të arrini ta shtini në dorë. Jo, pra! Ju nuk u frikësuat nga Sokrati, por me vdekjen time kërkoni të frikësoni të tjerët. Republikës suaj po i rrëshqet toka nën këmbë… Kurse vegjëlia rri në mes dhe paguan dëmet. Ajo njëlloj vuan edhe nën regjimet legale, edhe nën ato ilegale, edhe kur pushteti quhet tirani, edhe kur quhet demokraci. Dhe që të mos kuptojë e të mos rezistojë, e hutoni me gënjeshtra dhe e terrorizoni. Ka popuj në botë që rrojnë nëpër pyje, nuk kanë ligje, hanë morrat e tyre, por e duan lirinë. Këta ne i quajmë barbarë. Kurse ne, që rrojmë në qytetin më të bukur, që kemi Ligjin më të urtë në botë, nuk hamë morra, por megjithatë i duam mashtruesit e maskarenjtë, që na rrjepin përditë.