Poezi: Raymond CARVER
VDEKJA IME
Po qe se kam fat, do të jem i lidhur nga të gjitha anët
në krevatin e spitalit. Gypat do t’m’i fusin
në hundë. Por përpiquni të mos keni frikë nga unë, miq!
Po ua them bash tash se kjo është në rregull.
Tekembramja nuk po ju kërkoj edhe aq shumë.
Dikush, shpresoj, se do t’ju telefonojë të gjithëve
për t’ju thënë: “Ejani shpejt, ai po jep shpirt!”
Dhe të gjithë do të vijnë. Do të kem kohë
të hallallohem me të gjithë të dashurit e mi.
Po qe se kam fat, ata do të më afrohen
dhe unë do të jem në gjendje t’i shoh për herë të fundit
dhe ta marr me vete atë kujtim.
Sigurisht, do të më shikojnë dhe do të dëshirojnë të largohen me vrap
e të ulërijnë. Por pasi që më duan,
do të ma ngrenë dorën dhe do të thonë: “Mbahu trimërisht”
ose “Çdo gjë do të bëhet mirë.”
Dhe mirë e kanë. Çdo gjë është në rregull.
Bash mirë është. Sall po ta dinit se sa të lumtur më keni bërë!
Po shpresoj se fati s’do të më braktisë, dhe do të mund t’i bëj
do shenja të njohjes.
T’i hap dhe mbyll sytë sikur të thoja:
“Po, po ju dëgjoj. Po ju kuptoj.”
Bile do t’më shkoj ndoresh t’ju them diçka të këtillë:
“Edhe unë ju dua. Jini të lumtur”
Po shpresoj për një gjë të tillë! Ama nuk dua të kërkoj tepër shumë.
E po qe se nuk kam fat, njashtu siç e meritoj, animirë, vetë do të
bie, ashtu, pa kurrfarë gjase
për t’u përshëndetur ose për t’ia shtrënguar dorën ndokujt.
Ose të them se sa shumë ua kam mbajtur gajlen dhe jam kënaqur
në shoqërinë tuaj gjatë gjithë këtyre viteve. Sidoqoftë.
përpiquni të mos vajtoni shumë për mua. Dua që ta dini
se kam qenë i lumtur derisa isha me ju.
Dhe mbajeni mend, se këtë ua kam thënë para do kohe – në prill 1984.
Por jini të lumtur po qe se jap shpirt në praninë
e miqve dhe familjes. Nëse ndodhë kjo, besomëni,
Ia kam dal mbanë. Kësaj radhe nuk kam humbur.
PËR SEMRËN, ME VRULL LUFTARAK
Sa fitojnë shkrimtarët? pyeti ajo
pikë së pari
ajo kurrë më parë s’kishte takuar
ndonjë shkrimtar
Jo edhe aq shumë thashë
ata merren edhe me gjëra të tjera
Për shembull? tha
Të punuarit në mullinj thashë
fshijnë dysheme japin mësim nëpër shkolla
mbledhin frute
e ku e di unë se çfarë
të gjitha llojet e punëve thashë
Në vendin tim tha ajo
dikush që ka ndjekur kolegj
kurrë nuk do të fshinte dysheme
Epo kështu ia nisin thashë e mbasandej
të gjithë shkrimtarët fitojnë goxha para
Shkruama një poezi tha
një poezi dashurie
Të gjitha poezitë janë poezi dashurie thashë
S’po të kuptoj tha
Është zor të shpjegohet thashë
Shkruaje një për mua tash tha
Dakord thashë
një dorake prej letre/një laps
për Semrën e shkrova
Jo tash o hajvan tha
duke ma cimbidhur supin
sall desha të shoh
Më vonë? Thashë
duke vënë dorën time në kofshën e saj
Më vonë tha
O Semra Semra
Pas Parisit tha
Stambolli është qyteti më i bukur
Ke lexuar Omar Khayyamin? tha
Po po thashë
një rriskë buke një faqore verë
E di Omarin para
e pas
Kahlil Gibranit?tha
Kush? thashë
Gibran tha
Jo bash thashë
Ç’mendim ke mbi ushtrinë? tha
ke shërbyer në ushtri?
Jo thashë
Nuk e lodh kokën fort mbi ushtrinë
Pse jo? Tha
allahile a s’ta merrë mendja se burrat
do të duhej të shërbenin në ushtri?
Paj natyrisht thashë
do të duhej
Kam jetuar me një mashkull dikur tha
has burrë kapiten
ushtrie
ama qe vrarë
Epo bash keq thashë
i bërë bërryl
kërkoja shpatë
n’djall sytë e tyre strehë ferri
sapo mbërriva
çajniku fluturonte mbi tavolinë
Më fal i thashë
çajnikut
Semra desha të them
Në dreq të mallkuar vafshë tha
Nuk e di se ç’dreqin
Të lashë të më marrësh
Përktheu: Fadil Bajraj