MARK TUEIN, AUTORI I “AVENTURAVE…”

Mark Tueini është nga ajo tipologji shkrimtarësh, me të cilin lexuesi ynë shqiptar ka hyrë në dialog që në fëmijërinë e tij, nëpërmjet romaneve të mrekullueshëm, si: “Aventurat e Tom Sojerit”, e “Aventurat e Hakëlberi Finit” etj

Xhahid BUSHATI

Mark Tueini qe fëmija i gjashtë i Xhon Marshallit dhe Xhejn Lampton Klemensit. Kur Samueli ishte katër vjeç, familja e tij vendoset në qytetin e vogël Habibë(a)l, buzë lumit Misisipi. Qyteti buzë lumit i ngjan Samuelit të vogël me një vend përrallash. Së bashku me shokun e tij të fëmijërisë, Tom Blakënshipin, të birin e një pijaneci të varfër, të cilin e bëri më pas të pavdekshëm me romanin “Aventurat e Hakëlberi Finit”, ata kurdisin plot lojëra e aventura, ku hiqen si Robin Hudë e herë si piratë. Romantika dhe ashpërsia e jetës në lumë, avulloret e trapet, heroizmi i punëtorëve të varfër, që punojnë, mundohen e stërmundohen aty, i lënë mbresa të thella e të pashlyeshme Samuelit. Kjo mbresë e pashlyeshme, vite më vonë, shkrimtarit do t’i kthehet në shqetësim përvëlues, ku në “Aventurat e Hakëlberri Finit”, një roman realist, por jo vetëm në këtë vepër, do të trajtojë me talent, guxim e thellësi fjale, me ngjyra kontrastuese problemin e diskriminimit racial, një plagë që vazhdon ‘të jetojë’ edhe sot e kësaj dite, ndonëse shekujt i përcjellin njëri-tjetrin shpresën se, a do të ketë një ditë që bota t’i gëzohet një agimi fatlum mirësie, sinqeriteti e barazie midis njerëzve…

Sa jetësor e i pavdekshëm është romani “Aventurat e Tom Sojerit”, po aq i tillë është dhe “Aventurat e Hakëlberi Finit”, të cilët fituan një famë të përbotshme. Tueini dhe Tomi janë shpalim i një bote të bukur e plot aventura…Tueini është një qytetar guximtar, që me misionin fisnik të shkrimtarit zbulon rrënjët e së keqes. Flet troç e pa dorashka, pa iu trembur syri e pa iu dridhur qerpiku. Ky është dinjiteti artistik i këtij shkrimtari!Tomi dhe Tueini janë bashkudhëtarë: shkrimtar e personazh, ku në çdo hap të jetës ‘takojnë’ vese të tilla, si këto: hipokrizia dhe mashtrimi. Dhe kujtojnë… dhe sjellin ndërmend se si bota e  shoqëria njerëzore, do të vuajnë serialin e tragjedive të reja… Kjo është dhe arsyeja kryesore që Tueini lëvron këtë fushë (letërsinë për fëmijë) me aq pasion e dashuri. Nëpërmjet kësaj bote ku mund të veprojë i shpenguar, Tueini thur ëndrrën e vet për një jetë më të pastër e më të mirë; ku fëmijërinë e Tomit plot çapëkënllëqe, bën që secili nga fëmijët ta përjetojë nga pakëz gjatë leximit, fëmijëri që nuk mund të venitet kurrë.

Mark Tueini është nga ajo tipologji shkrimtarësh, me të cilin lexuesi ynë shqiptar ka hyrë në dialog që në fëmijërinë e tij, nëpërmjet romaneve të mrekullueshëm, si: “Aventurat e Tom Sojerit”, e “Aventurat e Hakëlberi Finit”, etj. KUJTESË e fëmijërisë, KUJTESË e ripërsëritjes së fëmijërisë, K U J T E S Ë…

Mark Tueini, romanin “Aventurat e Tom Sojerit” e shkroi në vitin 1876 (në shqip u botua në vitin 1955, përkthyer nga rusishtja Bedri Dedja; 1990, 1998 “Mësonjëtorja”, përktheu nga anglishtja Ardian Klosi); kur romanin “Aventurat e Hakëlberi Finit” e shkroi në vitin 1884 (në shqip u botua në vitet 1957, 1976, 1998 “Phenix”, përktheu Gjergj Zheji).

Të dy romanet janë të lidhur me njëri-tjetrin, sepse dy personazhet kryesorë Tomi dhe H(a)eku janë shokë. Këta dy fëmijë janë të lidhur me njëri-tjetrin për kokë dhe së bashku kryejnë shumë aksione të guximshme. Janë fëmijë të shkathët e të zgjuar, zemërbardhë dhe ëndërrimtarë.Tomi ka një fantazi shumë të zhvilluar, sepse lexon libra. Kur H(a)eku jetim jeton thuajse në mëshirën e fatit, sepse babanë e tij e ka shkatërruar plotësisht shoqëria e kohës, duke e kthyer në një pijanec.

”Aventurat e Hakëlberi Finit” është një vepër ku gjen pasqyrim “ndërgjegjja” e një epoke, të mbrujtur me kontradikta dhe, për më tepër, të rëndësishme, sepse përbën rrënjët mbi të cilat ka hedhur shtat gjithë ai sistem tiparesh morale dhe etike i Amerikës së sotme.

Që te “Aventurat e Tom Sojerit”, Tueini arriti diçka thuajse të paparë te ai vetë në të kaluarën dhe në përgjithësi në letërsinë amerikane – ai e përdori humorin, për të cilin ai shquhet aq shumë, si mjet për shtjellimin realist të psikologjisë së njeriut (para së gjithash, të fëmijëve) dhe njëkohësisht si mjet për poetizimin e jetës. Me një vërtetësi të përkryer, ai riprodhon botën e brendshme të qenieve të njoma njerëzore që ende s’e kanë humbur pastërtinë shpirtërore dhe bukurinë poetike. Por vetëm me romanin e tij “Aventurat e Hakëlberi Finit” ai arriti të sigurojë atë vend nderi, që e bën atë, krahas Uollt Uitman, themelues të letërsisë së re realiste amerikane.

Leave a Reply

Your email address will not be published.