BABEL DHE “KALORËSIA E KUQE”

Teki Dërvishi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm me përkthimin e tij (i vetmi gjer më sot në gjuhën shqipe sa e di), ku hyjnë novelat e tregimet e famshme si: “Kripa”, “Letra”, “Mbreti”, “Vdekja e Dollgushevit”, etj

Bujar MEHOLLI

Isaac Babel është njëri ndër prozatorët më të mëdhenj hebrenj. Lindi në qytetin e vjetër të Odesës. I shquar si shkrimtar, dramaturg, përkthyes letrar e gazetar. Shtëpia botuese, ikonike, “Rilindja” u përkujdes që t’i sjellë lexuesve shqiptarë gjithë veprën e autorit ku përfshihen tregimet nga “Kalorësia e kuqe”, “Tregime nga Odesa” dhe “Tregime të tjera”, nën përkthimin e intelektualit të shquar Teki Dërvishi, viti 1986. Babel është ndër stilistët më të mëdhenj të shekullit XX. Mjeshtër i prozës së shkurtër në të cilën trajton tema nga lufta polako-sovjetike ku ai kishte rolin e gazetarit dhe orvatej ta demaskonte realitetin e hidhur gjatë konfliktit. Temë tjetër me peshë të madhe në prozën e tij është antisemitizmi. Gjithherë në rritje, stereotipizimi i çifutit mori përmasa të mëdha deri te trajtimi më mizor në historinë e njerëzimit.

I guximshëm për t’i tejkaluar konditat e ngushta të realizmit socialist, Babeli, u kritikua (MaksimGorki e kritikoi më vonë për “frymë bodleriane” te drama “Maria”) dhe veprat e tij u hoqën nga qarkullimi për t’u rikthyer tek pas njëzet viteve kur ra regjimi autokratik i Stalinit. Por Babeli nuk shpëtoi. Arrestohet nga NKVD-ja, i akuzuar për terrorizëm dhe spiunazh ekzekutohet.

Në autobiografi, tregon se mësoi gjuhën hebraike, Biblën dhe Talmudin si dhe u interesua për ta studiuar muzikën në një jetë dinamike me vrull të madh për mësim dhe përvetësim të shkathtësive. Në “Shkollën tregtare të Odesës”, Babeli pati rastin të mësoi nga M. Vadoni gjuhën frënge. Kështu lexoi klasikët francezë, madje nisi të shkruajë tregime të shkurtra në këtë gjuhë. “Në vitin 1915 fillova t’ua dërgoj redaksive tregimet e mia letrare: të gjithë redaktorët më këshillonin që të merrem me tregti e jo me letërsi, por unë nuk e dëgjova këshillën e tyre, kështu që kah fundi i vitit 1916 ia dola të takohem me Maksim Gorkin. Këtij takimi çdo sukses i imi i mbetet borxh. Ai i pari ma botoi një novelë në numrin e muajit nëntor të revistës “Letopis”. Kam punuar edhe si reporter në Petrograd dhe në Tbilis, isha ekspeditor në shtypshkronjën numër shtatë të Odesës, dhe vetëm në vitin 1923, mësova t’i shprehë mendimet e mia qartë dhe pa zvarritje të tepruar”, rrëfen ai.

Teki Dërvishi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm me përkthimin e tij, (i vetmi gjer më sot në gjuhën shqipe sa e di) ku hyjnë novelat e tregimet e famshme si: “Kripa”, “Letra”, “Mbreti”, “Vdekja e Dollgushevit” etj. “Rilindja” është, padyshim, institucioni më i madh, titan, i kulturës mbarëshqiptare me përkthime të panumërta, dhe shumë cilësore, me objektivin e madh: njohjen e lexuesit shqiptar me penat e mëdha botërore që ndryshuan botën me artin e tyre të përjetshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.