(“Gjuha e burgut” te libri “Jetë burgu” të Fatos Lubonjës)
Bukurie MUSTAFA
Ligjërimi gjuhësor i shqipes njeh stile të ndryshme të të shprehurit, siç janë “gjuha e grave”, “gjuha e fëmijëve” e të tjera, të cilat shndërrohen në koncepte kuptimore vetëm për një grup të caktuar njerëzish. Në këtë kontekst, autori Fatos Lubonja, ish i burgosur politik, arrin që në librin e tij “Jetë burgu” (Skanderbeg Books, 2021), të shfaqë një formë tjetër komunikimi të këtij mjedisi të izoluar dhe të mbyllur për botën e jashtme. Në burg, leksemat përfitojnë një vlerë të re kuptimore, duke u dalluar nga fjalët e jetës së lirë”, siç i quan Lubonja. Për të kuptuar këtë gjuhë, autorit i nevojitej një kohë e gjatë qëndrimi brenda burgut edhe ai vetë e thotë: “Me kalimin e viteve vura re se zhargoni i burgut kishte shumë fjalë që nuk i kisha dëgjuar ndonjëherë më parë të lindura nga nevoja për të shprehur gjendje që i përkisnin vetëm asaj bote”. Burgosja e Lubonjës, i mundësoi atij që të njihet më për së afërmi me një mënyrë tjetër të komunikimit, duke vërejtur, se të kuptuarit e drejtë e fjalëve “të koduara”, kishte të bëjë edhe me mbijetesën në një mjedis të krimit dhe ndëshkimit.
Personazhet e Lubonjës janë të burgosur që kanë vetëm emra pa mbiemra, e disa nga këta mbajnë nofka, e që kishin të bëjnë me ndonjë të ngjarë nga jeta e tyre dhe e kaluara. Një nga ata ishte Ferit Lopa dhe emri i tij, gjithnjë shoqërohej nga shprehja dora jonë. Kjo ishte edhe shprehja e parë, që e kishte dëgjuar, e që siç thotë ai, lidhej me persona me sjellje të caktuar. Autori sqaron: “Emrin “dora jonë”, në kuptimin e bërjes pjesë në të njëjtin taraf, e që origjinën e kishte nga evgjitët që e përdornin për të identifikuar njëri-tjetrin”.
Lubonja dallon përdorimin e metonimisë në kuptimin e ndryshuar të ndonjë fjale të njohur, e që krijohej brenda burgut, e pastaj përdorej edhe nga të tjerët. Metonimia më e njohur ishte fjala “mishi”, që përdorej për sjelljet e reja të autoburgut, përkatësisht përdoreshin për të emërtuar personat e rinj, që futeshin në burg dhe keqpërdoreshin nga të ashtuquajturit gjahtarë të “mishit”. Gjahtarët e mishit, si për tallje, këtyre personave i venin pseudonime dhe thuhet se zgjidhnin emra femrash apo lulesh, si Mimoza a Vjollca.
Emërtimet e këtilla kuptoheshin nga të burgosurit, por edhe mes gardianëve kishte fjalë me kuptim të ndryshuar, siç i quan Lubonja fjalë me “autorësi gardiane”. Kështu, fjala “fole”, do të thoshte birucë ndëshkimore. Brenda kësaj gjuhe shihej ironia e përdorur. Kështu, të burgosurit dhe të tjerët, mirë e kuptonin kur nga shtabi, dërgohej nga diktatori udhëzimi “Të dekorohet”, që do të thoshte të eliminohej personi i caktuar. Lubonja, mësoi edhe fjalë të tjera, njëra nga këto ishte edhe “pajtos”, që e kishte dëgjuar në burg, por jo edhe në gjuhën e jetës së lirë.
Lubonjës, i duhej të mësojë kuptimin e ri të fjalëve, duke kërkuar shpjegimin e përdorimeve të reja dhe e dinte që duhej të kërkojë një të burgosur, i cili për shumë vite kishte qëndruar në burg. Këtu gjen një të burgosur me emrin Zef Mala, mendimin e të cilit e respektonte ngase ishte një i dënuar për një kohë të gjatë nga sisteme të ndryshme edhe ai vetë thotë: ”…e kam jetuar burgun në tri kohë”, kështu që mirë e kuptonte “gjuhën e burgut”. Biseda mes tyre nxiti shumë pyetje. Për Zefin këtu bëhej fjalë për gjuhë, ndërkaq Lubonjën e interesonte: Pse thua gjuha dhe jo zhargoni? Përgjigja ishte: “Sepse zhargoni është gjuha e krijuar nga të burgosurit, kurse fjalët që i përdorin edhe gardianët janë pjesë e shqipes që përshkruan burgun. Janë huazime që kemi nga gjuhët e atyre që na kanë sjellë burgun, siç kemi motor, karroceri, kofano nga italianët që na sollën makinën. Gjatë vuajtjes së dënimit të parë, mbaj mend se për burgim fjalët mbizotëruese kanë qenë nga gjuha osmane. Burgut i thoshin me shumë hapsanë, sesa burg…” (histor.). Emërtimet ndërlidhen me kohën dhe sistemet, që Zefi kishte kaluar dhe vazhdon: “Pastaj hynë fjalët sllave të kohës së burgut tim të dytë” dhe jep kuptimin dhe etimologjinë e fjalës pendrek, për të cilën thotë se ashtu i thonë gomës së shkopit të gomës. Rreth fjalës pajtos, Zefi i përgjigjet që shkruhet pajdos, jo pajtos, që ndoshta e kanë marrë nga grekët. Në fëmijërinë e tij, mbante mend përdorimin e kësaj fjale për orën e pushimit të shkollës, apo për pushimin e drekës, për ata që punonin pasdreke. Por është përdorur edhe në kuptim të armëpushimit. Tani ka mbetur vetëm për orën e daljes për ajrim të burgosurve. Fjalën kaush e jep nga osmanishtja; kavushmak, që do të thotë të mbledhësh, “Dhe këtu neve na kanë mbledhur”. Zefi shpjegon historinë e këtij termi. Ai thotë: “Po. Por më kujtohet se një i burgosur i vjetër, në burgun tim të parë, që kishte bërë burg në kohën e Perandorisë tregonte se kaush i thoshin një qelie ndëshkimore ku futeshin për ndëshkim të burgosurit më të rrezikshëm që ishte si një pus në formë koni. Për shkak të bazamentit shumë të ngushtë, këta nuk mund as të shtriheshin dot, as të ecnin prandaj ishin të detyruar të rrinin më këmbë”.
Libri i Lubonjës vjen si trajtimi i gjuhës dhe i leksemave të burgut dhe kuptimit dhe përdorimit të koduar, edhe pse ky nuk ka qenë synimi i tij kryesor, duke shkruar mbi përjetimet e tij edhe të tjerëve në burgjet në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit. Por, te ky ligjërim gjuhësor, nuk ka qasje gjithsecili, kuptohet vlen për një grup dhe mjedis të caktuar, por një vështrim i këtillë vë në pah rëndësinë e gjuhës që ajo ka dhe kodeve e kuptimeve që bartin ato.
Lubonja, ka arritur ta shpjegojë rëndësinë e gjuhës që brenda burgut ishte mënyrë mbijetese dhe se si thotë ai vetë: “Fjalët e zhargonit të burgut mësoheshin e përdoreshin ashtu, vetvetiu, dhe, me kalimin e kohës, bëheshin gjuha jote e parë”.