RIMË E TRETUN

Poezia “Rimë e tretun” është një krijesë mjaft delikate, por e koklavitur. Pasi nis me një sentencë, të pakthyeshme, tregon një histori që shoqëron sentencën, jep një vijimshmëri gati absurde dhe shoqëron vizionin e këtij absurditeti, por…

(Hamdi) Erjon MUÇA

Teksa lexoja për disatën herë poezinë e Migjenit, “Rimë e tretun”, herën e fundit, kjo poezi më solli në mendje poezinë e Blake-ut, “Plisi dhe guri i zallit”.Migjeni është një nga poetët tanë, në mos, poeti ynë më i habitshëm. Jo vetëm sepse shkroi çka nuk qe shkruar më parë në Shqipëri, por edhe sepse përdori në mënyrë mjaft të veçantë artin e fjalës; nganjëherë të duket sikur brenda një poezia janë shkrirë jo vetëm zhanre të ndryshme letrare, por edhe këndvështrime të ndryshme ngjarjesh, njëherësh. Pra sikur kemi dy individë që shohin një ngjarje nga këndvështrime të ndryshme dhe e tregojnë njëkohësisht; si koncept ky i përket deri në një farë mënyre naivëve. Vetëm se ai përdor mjaft metafora hermetike në brendësi të këtyre koncepteve. Ndaj, në vështrim të parë poezitë e Migjenit, kanë një koklavitje rrëmbyese; kjo, sipas profesor Arshi Pipës, ishte një lloj defekti i poezive të Migjenit, shkaktuar nga ndryshimet e gjendjes fizike; meqë Migjeni vuante nga tuberkulozi…

Poezia “Rimë e tretun” është një krijesë mjaft delikate, por e koklavitur. Pasi nis me një sentencë, të pakthyeshme, tregon një histori që shoqëron sentencën, jep një vijimshmëri gati absurde dhe shoqëron vizionin e këtij absurditeti, por…

Jeta i kaloi si një gotë shampanje.

Fjala e tretun në dialektin shkodran ka dy kuptime, gati të afërta në thelb, por diametralisht të largëta në konceptim kur përdoren. Në Shkodër e tretur do të thotë e hedhur, por nëse thua: e kam tret, ka të bëjë me një veprim të qëllimshëm, me vetëdije të plotë. Vetëm se mund edhe të thonë: mos e kam tret pa dashje! Pra, është një veprim jo i vetëdijshëm, flitet për diçka që nuk ekziston më, por në rastin e parë askujt nuk i vjen keq ndërsa për të dytin, ekzekutuesi i tretjes ndihet fajtor për veprimin e tij. Madje, me një vështrim më të imtë, fjala tretë është shumë më thellë se hedh; të jep përshtypjen e shpërbërjes fizike…

Pra, kur e lidh me titullin, në të dyja versionet, kemi të bëjmë me hedhjen (shpërbërjen e materies) e jetës shpejt si të ishte një gotë shampanje, por me versionin e dytë del në pa edhe më, dhunshmëria psikologjike e këtij vargu sentencial. Pa dashur jetën e treti si një gotë shampanje. Ia ndjeu shijen, freskinë, iu përndez paksa qiellza nga bulëzat e gazta, por gjithçka përfundoi shpejt; i la në gojë shije mëdyshje. Jeta i shijoi, por nuk e ngopi…

Po t’i kish vënë titullin “Tretun” dhe ta kish lënë vetëm me këtë varg, Migjeni do të bënte atë që bëri Ungareti në Itali, poezinë më të shkurtër; Poezia e Ungaretit titullohet “Mëngjes” dhe ka vetëm këto fjalë: Ndriçohem me pafundësi…

Nett i çoi nër shtretër mbi gji të grave,

të cilat e deshtën fort e ma fort për pare

sesa për kafshimin e tij të dhambëve.

dhe syparia ra…

Protagonisti vdiq…

Kjo strofë në pamje të parë duket sikur flet shkoqur, e pikërisht tek ky eksplicitet qëndron metafora e mrekullueshme. Në botën moderne, mondane, dëfrimi ndryshe quhet edhe “jetë nate”, shtrati është vizioni që njeriu i jep kënaqësisë parajsore dhe kjo shoqërohet me: gji të grave; pra në zemër të epshit më të dëshiruar nga qenia humane. Por, kënaqësitë, veset, epshet nuk ndjekin njeriu e varfër; ato ndjekin atë që ka mundësi t’i blejë këto kënaqësi; Migjeni nuk na jep vetëm vizionin e një qenie që është gjithnjë në kërkim të kënaqësisë, por edhe për materializmin që shoqëron jetën e njeriut; njeriu është më i lidhur mbas fizikes se morales.. Pra, kënaqësitë kërkojnë më tepër pasurinë se sa njeriun; Kafshimi i dhambëve; duket sikur kërkon të tregojë lidhjen tonë me botën shtazore… Kënaqësitë e kësaj jete nuk blihen me forcë, por me para; bota njerëzore ka vendosur një çmim për gjithçka! Gjithçka na rrethon, me atësi njerëzore nuk është aspak reale; kemi të bëjmë me një tragjikomedi groteske. Në momentin që njeriu vdes, përfundon (u tret; u shpërbë, u pluhurizua) edhe drama komike në të cilën ai aktroi si protagonist kryesor; miliarda protagonistë e miliarda komedi dramatike që përbëjnë tragjikomedinë e madhe që luhet, pambarimisht mbi këtë planet. Sa tallëse është gjithë kjo; por kjo ka një lidhje thuajse natyrale me Rezignatën; sa e shitur.Nuk ka post morturm, post scriptum, pasi ulet sipari gjithçka tretet; përgjithnjë…

Por nuk vdes shampannja!

Nuk vdes dëshira! Nuk vdes vesi, epshi; gjithçka që tërheq njeriun, prej mishi, mbi këtë planet majmunësh. Mos e merrni për keq epitetin, e kisha fjalën për kopjacërinë e qenies njerëzore; si thuhet ndryshe: kopjac si majmun. Nuk vdes dëshira e njeriut për të jetuar, dëfryer duke kopjuar dëfrimet e të tjerëve; duke rinovuar dëfrimet e vjetra me emra të rinj! Tretet vetëm njeriu…

U lindën milionet

me miliarda dëshira,

kuj t’i lëshohet radha

kur nuk ka batalla?

U shtua popullsia njerëzore mbi planet, duke i zënë vendin brezave të tretun, por me një handikap, dëshirat dhe veste u shtuan jo në proporcion me popullsinë. Duke ndjekur vargjet e gjeniut kupton se njerëzit nuk kanë vetëm dëshirat dhe veste e veta, por edhe ato të paraardhësve të tretur. Askush nuk është keq për meditime, të gjithë janë të etur për shkrehje endjesh të pafundme. Jemi përballë një kataklizme psikologjike, globale; njeriu është i marr peng nga dëshirat e paplotësuara, ato të mbetura pezull. Ato po e mbysin ekzistencën e qenies njerëzore. Diçka të përafërt ka trajtuar edhe Honore dë Balzak në romanin e tij “Melmoth Pajtuesi”. Ky roman bashkë me romanin “Vajza me sy të artë” dhe “Lëkura e Shagrenit” po të Balzak-ut, janë librat e parë të rrymës dekadentiste, hapja e kësaj epoke që u mbyll vetëm në prag të Luftës së Dytë Botërore. Pra, Balzaku trajton dëshirat e njerëzve dhe me anë të një shpirti të lig, që futej në shpirtrat e njerëzve, ai shpreh degradimin e qenies njerëzore; na jep brishtësinë e saj edhe pse e ndërtuar me një koklavitje marramendëse. Edhe Migjeni, me anë të kësaj poezie, trajton hutimin e madh që përjeton qenia e tretun njerëzore.

Por do të ketë Karnera

dhe do ketë poetën,

gjithashtu edhe priftën.

E mrekullueshme, gjeniale, është mënyra se si Migjeni kërkon dhe gjen fjalë për të paraqitur sa më mirë imazhin që a në mendie. Karnera: në italisht do të thotë njëri i mbushur fizikisht me forcë të jashtëzakonshme. Me pak fjalë, egoist, prepotent. Pra, do të ketë edhe egoistë prepotentë, që kërkojnë me çdo kusht të kenë supremaci mbi gjithçka. Do të ketë edhe njerëz naiv, poetë, që mundohen të gjejnë me çdo kusht dritëhijet e jetës. Njerëz që vuajnë shpirtërisht, më tepër nga ç’mund të përballojnë. Njerëz, viktima, të mendimeve, ndjesive që nuk u burojnë vetëm nga brendësia e qenies së tyre, por u vijnë edhe nga hapësirat e pamata të evolucionit njerëzor. Do të ketë edhe Priftën!

Migjeni me gjasë kishte fobi nga veshja e pushtetshme, që njeriu dëshiron me forcë. Më tepër se çdo veshje, kjo fobi qëndronte përballë teologëve; të veshur me një pushtet virtual, okult, të pakonceptueshëm si pushtet, për gjenitë, por të domosdoshëm, deri në tretje, për qenien njerëzore. Me fjalën priftën, ai do të nënkuptojë oportunistin. Sepse vetëm një oportunist ka nevojë të vishet me petka pushteti fiktiv; pushtet që i frikëson njerëzit me tepër se çdo lloj pushteti. Një pushtet që u ka gllabëruar jo vetëm pasuritë njerëzve, por edhe ekzistencën.

Nuk vendosi profesorë, shkencëtarë, inxhinierë, apo doktorë, por priftën; figura e kontrollit psikologjik mbi masën. Këtë figurë mund ta ndërroni me lloje të tjera figurash, demagogjike, groteske, krijuar nga e tretura njerëzi.Pra kemi egoistët optimistë, që janë viktimat e përhershme të vesit dhe kërkuesit e pashtershëm të kënaqësisë, por që askurrë nuk e pranojnë. Pesimistët; kërkuesit e rrugës çliruese të njerëzimit nga kthetrat e tretjes. Dhe oportunistët; klasa në minorancë që komandon, shtyp, tret nëpër labirinte të përbindshme kontrolli, shumicën e popullatës së kësaj bote.

Prifti ka për të thanë:

Ku do të shkojë

ai që e çoi

jetën si një gotë shampanjë

e ku ai me të thyemedhambë?

Këtu poeti sheh tërësinë e tablosë paradoksale njerëzore dhe me shpoti, duke i dhënë tone pyetje, evidenton defektet në kompozimin e këtij kuadri. Kuadër i gjallë që lëviz nëpër shekuj, që ndryshon aktor, personazhe, por me një libret të njëjtë. Skenografia ndryshon, egoistët (Karnera) bëhen gjithnjë e më grykës. Poetët (naivët pesimistë) ndryshojnë fjalët dhe tonalitetin e lëngimeve; diçka e ndryshojnë të paktën. Ndërsa priftën (oportunistët) kanë gjetur argumentin e duhur, ka mijëra vjet që argumenti mbetet i pandryshuar, e ndoshta kushedi përsa mijëra vjet do mbetet tillë; ndoshta deri ditën kur bota njerëzore të jet e tretun brenda pikave të errëta të ndërgjegjes së vet…

Jeta i kaloi si një gotë shampanje.

Nett i çoi nër shtretër mbi gji të grave,

të cilat e deshtën fort e ma fort për pare

sesa për kafshimin e tij të dhambëve.

dhe syparia ra…

Protagonisti vdiq…

Por nuk vdes shampanja!

U lindën milionet

me miliarda dëshira,

kuj t’i lëshohet radha

kur nuk ka batalla?

Por do të ketë Karrnera

dhe do ketë poetën,

gjithashtu edhe priftën.

Prifti ka për të thanë:

Ku do të shkojë

ai që e çoi

jetën si një gotë shampanjë

e ku ai me të thyemedhambë?

Ja edhe Rima e tretun, e plotë, tretur mes dihatjeve të dy personazheve që duket sikur dialogojnë në brendësi të sajë. Dialogon poeti(naivi pesimist) me Karnerën(egoistin prepotent). Fraza e parë i takon poetit që tregon. Jep sentencën e një jetese të boshatisur. Ndërsa karnera, egoisti, shpalos me mendjemadhësi mendimin e vet tek strofa e dytë, e po në këtë strofë i ndërhyn poeti dhe mundohet ta bëjë të heshtë. Por, egoisti nuk stepet dhe jep sentencën e vet, të cilën e shoqëron me një strofë të mbushur me përçmim. E në fund, poeti merr drejtimin e dialogut, e mbyll atë, në mënyrën e vet, poetike, pesimiste, vëzhguese. Me dhimbje, më tepër për të gjallët se për të vdekurit…

Tani të dalim te lidhja e kësaj poezie me poezinë e Blake-ut. Edhe aty kemi një bashkëbisedim, mes poetit, naivit të përkëmbur, të shtypur, dhe egoistit të pastër nën ujin e përroit, që e ka rrumbullakuar me përkundjet e veta. Madje, ka edhe një lidhje gati magjike, që nëse e lidh, ia vë në fillim strofën e fundit të poezisë “Rimë e tretun”, poezia e Blake -ut, “Plisi dhe guri i zallit” duket sikur del nga fshehtësia e vet vizionale dhe paraqitet nudo, me një përvijimshmëri koncepti filozofik, siç mund të jetë konceptuar nga vetë poeti i madh anglez.

Prifti ka për të thanë:

Ku do të shkojë

ai që e çoi

jetën si një gotë shampanjë

e ku ai me të thyemedhambë?

“Dashuria nuk kërkon vetëm kënaqësinë e vet,

Dhe ndaj vetvetes nuk ka asnjë ngutje,

por i jep të mirën e vet tjetrit, e krijon një pariz

në dëshpërim të ferrit”.

Një plis prej argjile të shkelur

nga këmbët e bagëtive këndoi këtë,

por një gurë zalli që ndodhej brenda përroit,

në këtë mënyrë ia riktheu vjershën:

” Dashuria kërkon vetëm kënaqësinë e vet,

e kësaj kënaqësie një tjetër kërkon t’i lidhë,

e lumtur edhe nëse tjetri humb mirësinë,

e për inat të parizit krijon një ferr”.

WiliamBlake

PLISI DHE GURI I ZALLIT

“Dashuria nuk kërkon vetëm kënaqësinë e vet,

Dhe ndaj vevetes nuk ka asnjë ngutje,

por i jep të mirën e vet tjetrit, e krijon një pariz

në dëshpërim të ferrit”.

Një plis prej Argjile të shkelur

nga këmbët e bagëtive këndoi këtë,

por një gurë zalli që ndodhej brenda përroit,

në këtë mënyrë ia riktheu vjershën:

“Dashuria kërkon vetëm kënaqësinë e vet,

e kësaj kënaqësie një tjetër kërkon t’i lidhë,

e lumtur edhe nëse tjetri humb mirësinë,

e për inat të parizit krijon një ferr”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.