E PADUKSHMJA NË POEZINË E NIKO KACALIDHËS

(Mbi vëllimin poetik “ Heraldiket e borës”, Onufri, 2022, Tiranë)

Nga Fatmir MINGULI

Të shkruash për poezinë e Niko Kacalidhës do të ishte privilegj për çdo kritik letrar sepse ai është një zë krejt i veçantë i poezisë shqipe që prej viteve ’70të shekullit që lamë pas e deri në ditët tona. Eshtë pikërisht vëllimi me poezi “Heraldiket e borës” që u botua vitin e kaluar ku shfaqet trajektorja poetike e këtij autori të brishtë. Një trajektore, ekuacioni i së cilës është i panjohur, një ekuacion enigmatik, ashtu siç është vetë poezia e poetit Niko Kacalidha. Prandaj dhe nga titulli i kësaj analize për poezinë e Kacalidhës kuptohen se do flitet për disa padukshmëri në thelb të poezive të tij në dhjetë vjeçar. Ashtu si dhe Moikom Zeqo i ndjerë, edhe Niko diti tëmbikalojë lumin e turbullt që mbyste letërsinë shqipe dhe doli i palagur në tokën e shenjtë poetike të shpirtit të tij. Duke qenë eruditë të pashoq, ata të dy mes njohurive të jashtëzakonshme, dëgjonin më shumë oshtimat e trumbetës së mitologjisë. Në të dy sistemet Niko Kacalidhas mbikaloi edhe shumë lumenj të tjerë. Ai kishte dëgjuartë atin e tij kur në të gjallë i thonte:“Qëndro larg klubeve, sepse aty do dëgjosh gjëra për të cilat do të duhet të dëshmosh dikur diku. Po fole, do bëhesh njeri i urryer nga të tjerët por dhe nga vetja jote, po nuk fole, do flasin të tjerët për ty gjëra jo të vërteta, që do t’i vërtetojnë me “tre dëshmitarë”.

Ishte kjo udha e mbrothësisë, udhë që sot e shohim në faqet e librit poetik “Heraldika e borës”. Nëse do të përcaktoja profilin e poetit Niko Kacalidha, do ta mendoja mirë sepse për të janë bërë studime të shumta nga studiues shqiptarë e grekë, ku profil i tij shpaloset bukur në të gjashtëpamjet e mundshme. Ky poet që përballoi dy jetë, jetën e para ’90- tës dhe atë të mbas ’90- tës është ngadhënjyes jo vetëm në poezi, por dhe në zhanrin e prozës e aq shumë në atë të përkthimeve.Është kjo arsyeja që unë nuk pretendoj të ribëj ato që kanë shkruar të tjerët, por duke lexuar me vëmendje poezitë e Nikos ngazëllehem për nga sinqeriteti i çuditshëm, një sinqeritet i një shpirti delikat, një shpirtiqë emeton dritë. Ky është shpirti i poetit. Se poezia nuk është as filozofi, as shkencë e as teologji, por është duf i emocioneve të shpirtit të poetit. Dhe poezia e Niko Kacalidhës nuk është aspak robëreshë e rimave fundore e mesore, as linearitet në formë e përmbajtje .Poezia e Nikos, edhe pse në dukje duket delikate, si një fllad i lehtë pranveror, në të kundërtën ajo është shtjellë e erërave turbulente që prek çdo cep të tokave dhe ujërave shqiptare dhe greke. Ai të trondit me qetësinë e tij.

Kam vënë re edhe guximin e fuqishëm që Niko ka në poezitë e tij, është një guxim që duket sikur konfrontohet me delikatesën e vargjeve të tij. Por, këtu është bukuria dhe forca e poezisë së tij.Në poezinë e Kacalidhës ndeshemi me një sistem origjinal teosofist. Nëse HelenaPetrovnaBlavatskij hodhi themelet e doktrinës filozofike të teosofizmit, ku kërkohet koordinimi i njohjes mistike me kërkimet shkencore, Niko Kacalidha ndërton “doktrinën” e tij të ngjashme teosofiste ku koordinon mrekullisht poezinëme religjionin e origjinës së tij, duke derivuar poetikisht nga realja e natyrës për të shkuar drejt esencës të së shenjtës. Ai, me poezitë e tij zotëron ndriçimin direkt të shenjtores kudo që ajo ndodhet. Këto ndriçime janë shprehur në poemën brilante “Epifania e hënës”. Kjo është e padukshmja e parë në botën poetike të Kacalidhës dhe jo vetëm kaq. Duke qenë rast unikal për futjen moderne të religjionit në krijimtarinë e tij ai është ashtu siç veproi dhe poeti ynë i madh Naim Frashëri që intersektoi botën bektashiane në poezitë e tij.

Ja se si shprehet Timo Mërkuri në një analizë të tij për poetikën e Nikos:“Poezia e Niko Kacalidhës nuk është varg, është frymë, fryma e shenjtëruar e A(r)tit poetik. Unë ju them se Niko Kacalidha është thjeshtë Biri i A(r)tit që solli Frymën e tij të Shenjtë te ne në formën e vargjeve poetike. Pa shikoni pak me vëmendje se mos vallë ky libër është ungjilli (poetik) sipas Niko Kacalidhës Ungjillorit të 6-të, se unë për vete do ta lexoj përsëri dhe do ju them.”Dhe vetë Niko Kacalidhas shkruan për veten e tij, për atë jetë të fëmijërisë që unë si bregdetas i Jugut e admiroj:“Gjithë ajo botë mistike shpesh më bënte të besoja pa e ditur dhe rënqethesha pa e kuptuar.Kur nëna me afronte të puthja Shën Marinë, ajo, e përdelluara në ikonë, ngjante me gjyshen time. Kur gjyshja më çonte të puthja ikonën e Shën Nikollës, më ngjante se puthja emnakun gjysh Nikolla që e prisnim dhe nuk ishte kthyer ende nga Amerika. Përnatë para gjumit bënim kryqin. Kuptohet se kjo e tërë në kompleksitetin e saj është një bote jashtëletrare.”

Dhe për të mbyllur trekëndëshin e shenjtërisë ortodokse po sjell një pasazh nga studiuesja Alisa Velaj: “… Këtu mbizotërojnë shënjuesit mitikë, të përzier me shënjues biblikë si: uji i bekuar, apokalipsi i guvave dhe fashikujt e ungjijve. Ndërthurja e lëndës mitike me lëndën kristiane, si një nga tiparet themelore të poetikës deklarohet edhe nga vetë poeti, i cili i mëshon shkakut biografik të kësaj ndërthurjeje në laboratorin e tij krijues. Në një intervistë të botuar në revistën “Exlibris”, Kacalidha shprehet: “Unë kam lindur në Leshnicë në kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë. Gjithë bota ime që kishte lidhje me tokën, me drurët, me gurët, me yjet,me gurrat, me zogjtë dhe gjethet përreth ishte pagane dhe ajo tjetra, shpirtërorja, me Ungjillin, me kishat e vjetra, altaret, hieroret, qirinjtë dhe varret, qiellin e shpirtrave, engjëjt, ishte një botë e krishterë.”

Unë jam dakord me krahasimet që studiues të ndryshëm bëjnë duke thënë se Niko Kacalidhas është si shumë poetë të Mesdheut. Por, duke mos dashur të përmend emrat krahasues dua të theksoj një fenomen negativ që ndeshet në letërsinë shqiptare, në kritikat analitike ku ka një vrull të ethshëm për të krahasuar krijimtarinë e aksh autori me dhjetëra autorë të huaj apo dhe shqiptarë, mundësisht shumë të famshëm. Niko Kacalidha nuk ka nevojë për këto krahasueshmëri. Ai është vetvetja dhe është ai që e ndërtoi teosifizmin e tij poetik dhe asnjë tjetër poet i Ballkanit apo përtej Ballkanit.  Dhe ja studiuesi grek Qiriakos Harallabidhis tek flet për Nikon dhe poezinë e tij:“Niko Kacalidhas vjen midis nesh si njëpoet që ruan të drejtën të shikojë me sytë e një“të huaji atë që në fakt është thellësisht e tija”.Edhe kur isha student në inxhinieri në Universitetin e Tiranës,e pak më vonë në jetën e përditshme, aroma e poezive të Niko Kacalidhës vinte e këndshme, pa pathose partiake e atdhetare milititantiste, si ndër shumë poetë të asaj periudhe.Thjeshtësia ishte e para earomës së atyre poezive, brishtësia e forconte akoma më shumë emrin e tij si poet të vërtetë.

S’kishte si të ndodhte ndryshe!Një poet i vërtetë nuk është rob i pushteteve, por intuitivisht i shmanget poezive sloganeputhador ndaj pushtetit politik.Në diskutimin e vazhdueshëm që kam bërë me shkrimtarin e ri durrsak Pol Milo për poezitë e librit “Heraldiket e borës” kam theksuar dhe atë pjesë të padukshme tjetër të poezisë së Niko Kacalidhës, një e padukshme që e quaj “e fshehta e hënës”.Shkak ishte pikërisht kjo pjesë e një libri të Polit ku shkruan:“Hëna sheh gjithçka prej mijëra vjetësh. Ajo i ka parë të gjitha misteret. Të gjitha që i janë thënë asaj, i ka ruajtur aty. Vetëm kurrë s’do të merren vesh. Për këtë arsye, ajo tregon vetëm njërën anë, atë me dritë. Anën tjetër, atë të errëtën, do ta mbajë gjithmonë të fshehtë!”Dhe Niko Kacalidhas operon me hënën, operon rëndshëm duke na sjellë emocione të jashtëzakonshme jo vetëm metaforike por dhe sureale.

“Aborti i hënës, klepsidra e hënës, përskuqur e përgjakur gjysma e hënës/protezë e poshtme e dhëmbëve të nënës, llambadari i hënës, ulërijnë ujqit duke kafshuar hënënmijëra vjet, dhe e njëjtë mbetet. Por, unë kam në irid të njërit sy diellin përbrenda një monokël që ua kam fshehur perëndive dhe në iridin tjetër kam hënën natën, o të uruar, hëna si një sorkadhe, etj.Këto janë figurat që Niko i qëndis në faqen e padukshme të hënës. Hëna është personazhi i fshehtë i poetikës së Niko Kacalidhës, është një aktore të cilës ai i jep role në teatrin absurd të kohës së kaluar dhe të tashme, shpesh sureale. Jo vetëm kaq. Hëna në poezinë e tij është së bashku me shumë figura të tjera si drurët, gurët, bora, etj, por marrëdhëniet me hënën janë të lidhura me padukshmërinë e parë, atë të teosofizmit të Kacalidhës.

“Ajo hëna është pjesë e kishës ku ai pagëzohet, turtujt janë fshehurnë folenë e perënduar të hënës…Psalte oshënari mes orakujve në dritën e hënës….Hapen orakujt mbrëmjes në kupën e hënës…Hëna i mbuloi me degët e ullinjve të mos diktoheshin puthjet,Hëna i la të përqafuar barit dhe iku herët. Më zhytënlakuriq në baptisterin e hënës duke më larë me krezmë e ujët e pranverës”.

Këto citime janë në vëllimin ‘Blatimet e borës” që ka poezitë e pabotuara.Sonte të vdekurit/do t’i varrosin lakuriq/mbështjellë me qefinin e hënës. Drapri i hënës i priste kërthizën; altari brilant i hënës që kullot në limonishte… Metafizika e hënës”.Poezia “Hënë njëzet vjeçe” një ode e jashtëzakonshme që i këndohet hënës ku fantazia dhe realja udhëtojnë së bashku.Vetë poezia e Nikos është një labirinth që e merr ndriçimin nga ana e pasme e hënës, një ndriçim që shumë pak, shumë pak poetë e marrin. Ai dhe hëna kanë Besëlidhjen e shenjtë mes tyre. Kjo Besëlidhje është e ngjizur nga oshënari Niko që bisedon me hënën netëve.Bukuria e hënës është poezia, sepse falë dritës së saj arrin të ndriçojë natën dhe në të njëjtën kohë të japë atmosfera emocionuese. Dëshira, misteri, pyetja, malli, janë ato ku poetët në botë kanë gjeturfrymëzim për t’i kushtuar veprat e tyre magjike Por goditjet përfundimtare nuk kanë munguar edhe pse vjen nga futuristët: Marinetti e bën atë objekt të një invektivi (fjalë e ashpër)i tij i famshëm, kur në mënyrë programore bërtet “Ta vrasim dritën e hënës”. Eshtë hëna e përdhosur, një reagim i tepruar ndaj teprimeve të romantizmit sipas kërkesës.Por sa larg është Niko Kacalidhas nga futuristët e nga vetë romantikët. Ai është impresionist  i hënës, është surrealisti që e pikturën hënën ashtu si nuk e ka përshkruar asnjeri. Ai i ka bërë skanerin pamjeve të saj të prapme, se të përparmes i kanë bërë shumë poetë e shkrimtarë. Oshënari, poeti dhe hëna janë një e të pandarë. Ky është NikoKacalidhas!

E ndërkohë ai bën qëndisma me yjet në qiell e i qep jakën hënës. Dhe poezia e plotë për hënën që në 1973 botohet pa kurrfarë frike nga i brishti guximtar Niko Kacalidhas. Poezia “Doli hëna, sikur digjet pylli” nuk është e pakët për një poet klasi, e sidomos e botuar në kohën e monizmit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.