Poezi: FATMIR GJATA
PRIFTI I VJETËR
Këndon ca vargje t’shënjtëruar,
dhe kryqin bën atje në kishë
E tund temjanin nëpër duar,
dhe vargje zë këndon sërish.
Dhe nuk e di pse herë mendoj,
sikur lexon vargjet e mia
Dhe Zot i madh nga lart besoj,
është bërë ashtu nga dashuria.
Unë kryq nuk kam mbajtur në qafë,
as lutjet sinqerisht nuk di
Me priftin kam shkëmbyer llaf,
për bibël edhe për poezi.
Kur vajzë e bukur shkon në mes,
ulet në gjunjë e lutet gjatë
Priftit i them; ohhh kjo krijesë
si mund të mos ta duash, o at.
Më sheh dhe kryqin bën shpejt,
më qafë më paç zoti poet
Në ferr do shkosh por ke të drejtë,
të gjithë se dimë se çka na pret.
Pastaj zëmë lutemi e bëjmë lëvdata,
se ç’gjuhë përdor nuk ka rëndësi
Ai mban mënd çka shkruan dhjata
unë recitoj një poezi…
KOHË PLAZHI
Të shkoj njëherë në rërë,
të ha një thelë sharqi
Pa le të thonë të tërë,
ky sqënka zotëri
Të digjem si qirinjtë
të bëhem kuq flakë
Të shkojnë zotërinjtë,
të thonë; ky qënka plak.
Të loz me top në breg,
të ngjirrem duke thirrur
Me mbathje blerë në treg,
me trup e krahë të çirrur
Të hidhem mbi shkëmbinjtë,
të bie ku të dua
T’më ndjekin çiliminjtë,
të lozin pak me mua.
Të nxihem llërë e krahë,
të dukem si arap
Që vajzat të bëjnë ahh,
të ikin shpejt me vrap
Dhe tej matanë të thonë;
po ky qënka çudi
U dukërka demon,
po është për dashuri.
Të çaj valët në det,
më tutje se të tjerë
Pastaj të kthehem vetë,
të thaj flokët në erë
Përballë diellin e vrarë,
tek pishat nënë hije
Të thonë: qënka i shkarë,
s’ka pikë fisnikërie.
Në dreq shezlong mbi gurë,
në dreq çadër me kashtë
Unë gjersa u bëra burrë,
kam fjetur edhe jashtë
Në dreq ata që s’dinë,
ç’është jetë e qef pa çmim
Do jem i shtrirë mbi shpinë,
mbi rërë të bregut tim.
PENDESË
Të gjithë gabimet në këtë jetë,
unë kurrë si kam shikuar
Se për gjithçka paguaj vetë,
me zëmër të thërmuar.
Gabimet thjesht paguaj me lot,
me shpirtin e shpërthyer
E di asgjë nuk ndreqet dot,
nuk ngjitet çfarë është thyer.
Por jetë vazhdon ashtu siç ish,
gjithmonë kështu është shkruar
Paçka se lutem në një kishë,
dhe kurrë nuk jam penduar.
JASHTË
Në njëherë do më ndodhë,
të më zërë gjumi jashtë
Me ca plagë të mbështjellë,
herë me gjethe herë me kashtë
Do të fle në mes të fushës,
vesë të më bjerë mbi ballë
E të zgjohem lemerisur
në kam vdekur a i gjallë.
Po më zgjuan cicërimat
e ca zogjve të braktisur
Do t’u bëj nga një folezë
me këmishëzën e grisur
E do mbledhim kallëz gruri
e në pus do pimë një pikë
Do këndoj këngën e fundit
pa strument e pa muzikë.
Do të vijë një erëz fushe
zërin tej të ma përcjellë
Nëpër plepat pranë Gjanicës
ndër ugaret sapombjellë
Nëpër ujë tek shkon në det
plotë me dallgë edhe shkumë
Po këndoj këngën e vjetër
Myzeqe të desha shumë.
LUFTË
Kur bota gjithë ishte në luftë,
unë bëja dashuri
Përreth shpërthenin mijëra krisma,
e qielli ish i zi
Dhe komandantët ulërinin,
në rresht.. në rresht ushtar
Gjersa në mes u përgjysmuan,
plagosur e të vrarë.
Kur bota ish në paqe prapë,
unë bëja dashuri
Përreth shpërthenin fishekzjarrë,
këndonin për liri
Por prapë lirinë se gjetëm dot,
ku shkuam nuk e dimë
Në luftë ish vdekje e pafund,
tani është ngashërimë.
Tani shkojnë trena në stacione,
e s’gjej stacionin tim
Ndaj flas me vete midis jush,
siç flisja në fillim
Më quajtët friks e tradhëtar,
nga lufta mbeta gjallë
Pse s’mora pushkë edhe granatë,
pse s’vura yll në ballë.
Tani heronj jeni të tërë,
me plagë e shënjë plot gjak
Unë mbes gjithmonë në botën time,
më quani frikacak
Por unë gjithmonë pyes,
kjo botë është më e mirë
Edhe askush nuk më përgjigjet,
se qënka e vështirë.
Në ç’luftë do shkoni sot, të mjerë,
është luftë përsëri!!???
Kanë lindur plot heronj të tjerë,
e nëna që mbajnë zi
Do vij dhe unë me ju kësaj radhe,
i mbushur pezm e vrerë
T’ju pyes aty në mes betejës,
çfarë ndieni këtë herë….
DY HARABELA
Dy harabela cicërijnë,
bëjnë rrathë në ajër për çudi
Ndoshta kërkojnë ca thërrime,
ndoshta po bëjnë dashuri.
I rrahin krahët plot hare,
e ulen poshtë rëndë rëndë
Kushdi çfarë thonë ëmbëlsisht,
duke u prekur sqep e pëndë.
Kërcejnë me këmbëzat e vogla,
(po hedhin valle sigurisht)
Vrapojnë mbi tokë lagur me shi,
e zënë e fluturojnë sërish.
I ndjek me sy të mallëngjyer,
ah sikur t’isha pak si ju
Të kisha krahë të fluturoja,
me gaz e shënd mbi qiell blu.
Nga lart të shihja njërëzinë,
të bëja bashkë njëmijë të tjerë
Të shkonim tok mbi Myzeqenë,
të shihnim vëndin ku kam lerë.
Të shihnim arat plotë me grurë,
dhe myzeqarkat me shami
Pastaj të fluturojmë pareshtur,
në dheun tim, në Shqipëri.
KAM RËNË
Kam rënë me mijëra herë, me mijëra herë jam ngritur
Kështu na qënka jeta, herë qeshur dhe herë lot
S’do isha gjallë akoma, do vdisja i zhuritur
Nëse në këmbë s’do isha, nëse nuk ngrihem dot.
Kam rënë me mijëra herë por s’mbeta i rrëzuar
Nuk rashë fatit me grusht, nuk qava me dënesë
Por eca drejt gjithmonë, me këmbë edhe me duar
Një këngë duke kënduar për jetë edhe për shpresë.
Jam vrarë me mijëra herë sa shpirti vetë e di
Por qesha me të madhe dhe ndoqa hijë pa frikë
Nga plagët shtrydha qelb e nxora gjak të zi
Edhe me krahë të dridhur nga shpina hoqa thikë.
Nga pas shihja të tjerë që mbetën rrokullis
U çuan pak në gjunjë por prapë ranë në rrënim
U lutën ditë e natë për hir të perëndisë
Dhe mbetën të rrëzuar me dert e ngashërimë.