TRI LETRA TË PANJOHURA TË PETRO MARKOS

Në këto letra Petro Marko shtjellon edhe pikëpamjen e tij të drejtë për misionin historik, që ka letërsia në pasqyrimin e ngjarjeve kulmore të jetës shqiptare

Xhahid BUSHATI

Duke lexuar librin “Kujtesë” të autores PandoraDedja(studime, kritikë letrare, mbresa), Sh. B. UEGEN, Tiranë 2006; u ndala tek pjesa II (Kritikë letrare), dhe më konkretisht te  shkrimi: “Tri letra të panjohura të PetroMarkos”, f. 285). Shkrimi shoqërohet me një parathënie nga shkrimtari BedriDedja, Shtator 2002.

PJESË NGA PARATHËNIA

“Bashkëshortja ime Pandora, ka kohë që punon me këtë botim. Ditët e fundit, duke kërkuar në arkivin tonë familjar, ajo gjeti dhe tri letra të panjohura për publikim të PetroMarkos, mjeshtrit tonë të madh. Këto letra i janë drejtuar redaksisë së letërsisë për fëmijë pranë Sh. B. “Naim Frashëri”, si dhe në veçanti Pandorës në vitin 1969 dhe në vitin 1972.

Mendoj se letrat nuk përfaqësojnë thjeshtë një kureshti letrare. Në këto letra Petro Marko shtjellon edhe pikëpamjen e tij të drejtë për misionin historik, që ka letërsia në pasqyrimin e ngjarjeve kulmore të jetës shqiptare. Shumë interesante janë mendimet e PetroMarkos mbi letërsinë për fëmijë dhe veçantinë e saj, atje ku ai shprehet se detyra e kësaj letërsie nuk është të merret me deduksione e didaktizëm të thatë, por me zgjidhjen e detyrës themelore, që qëndron para saj “për t’i hapur shtigje imagjinatës” së lexuesve të vegjël dhe të rinj. “

NGA LETRA E PARË(Shkrimtari Petro Marko falënderon shoqet Dhurata Xoxa, PandoraDedja; shokët Shefqet Musaraj dhe Mentor Belegun për ndihmën e madhe i kanë dhënë për përmirësimin e romanit “Halimi”). Në mes të tjerave, P. Marko thotë: “Kam krijuar situata të tilla reale për atë kohë, duke u ruajtur nga skematizmi dhe nga çdo gjë ireale.”

NGA LETRA E DYTË ( f. 286 )- Letra i drejtohet shoqes Pandora (Dedjes) -Letra flet për vërejtjet e recensentëve për romanin “Fantazma dhe plani tre plus katër”.

Petro Marko u përgjigjet: “Që të tre shokët, kishin vërejtjet e tyre, të cilat unë i shqyrtova dhe vura re disa prej tyre ishin me vend, … [… …] Unë, duke e rishikuar me kujdes fjalë për fjalë dhe skenë pas skene, duke u ndihmuar nga zbulimet e disa pasaktësive të recensentëve, dhe duke u përpjekur që të jem më i saktë, bëra ndryshimet që pashë me vend. [… …] Disa pikëpyetje që bënte dikush nga recensentët, mu dukën të tepërta, se letërsia nuk mirret me deduksionet e ngjarjeve dhe as gjenezën e aksioneve që zhvillohen gjatë rrugës së zgjedhjes së problemit me të cilin merret një vepër. Po, cilido ka dhe shijet e tij, ka dhe mënyrën e shprehjes dhe të përdorimit të mjeteve të shumta dhe të pakufishme të artit për të goditur atje ku duhet. [… …] ( shembull: udhëtimi i arapit… ) Prura këtë shembull për të treguar, se nuk janë vërejtje të logjikshme për një letrar, … [… …] Nuk vazhdoj, jo Ju shoqe Pandorë, kini për t’i parë vetë këto pikëpyetje që s’kanë të sosur. Sidoqoftë, cilido ka konceptet e tij për jetë e për art. Disa shkruajnë si unë  e disa shkruajnë si ata që kanë bërë recensionet. [… …] Për vërejtjet e tjera të recensentëve, unë nuk jam dakord… [… …] Sidoqoftë, ju shoqe Pandorë, shikojeni vetë dhe kam besim të plotë se ju do ta shikoni me dashuri për të mirën e veprës. Ju falenderoj; Autori i romanit “Fantazma dhe plani tre plus katër”; Petro Marko Tiranë, 26 / IX / 1972.

NË VEND TË PËRFUNDIMIT

Romanet për fëmijë të Petro Markos, veçanërisht “Shpella e piratëve” e sidomos “Fantazma dhe plani 3 + 4” është shoqëruar me një lumë kritikash, tëcilat fshehin dashakeqësi, shpesh janë bashkëshoqëruese e metodës së realizmit socialist. Duke parë me vëmendje dy letrat e panjohura në arkivin familjar të Pandora Dedjes, tekstet e tyre, evidentojnë disa probleme, si: marrëdhënia e shkrimtarit me drejtuesit e redaksisë së Shtëpisë botuese, marrëdhënia e shkrimtarit me recensentët, marrëdhënia e shkrimtarit me identitetin e krijimit të tij, marrëdhënia e shkrimtarit me arsyetimet dhe metodën e realizmit socialist, etj. Të kuptohemi, ky roman nuk është në nivelin e romaneve të tjerë. Po çfarë konstatojmë nga letra e parë? Shumë duar janë futur në romanin e tij, shumë “qepje” janë bërë, aq sa Petroja ndjen tjetërsimin e veprës së tij. Por Petroja krahas etikës, me vendosmëri, argument e dinjitet mbron veprën e tij. Nga ana tjetër, konceptet e autorit lidhur me kohën dhe shenjën e veprës, magjinë e krijimit, me idealet dhe talentin e tij, me vizionet krijuese lidhur me ardhmërinë e kësaj letërsie, sikur janë larg koncepteve arkaike, primitive e të paaftëve drejtues të qarqeve letrare. Ndaj, jo më kot, në këto letra, shprehja përsëritëse e Petros: “… unë nuk jam dakord…” është rezultat i një shkrimtari që ka personalitet, që dha një kontribut të rëndësishëm edhe në zhvillimin e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, i dha lartësi të reja. Disa i kuptuan e disa jo vlerat romaneske të këtij shkrimtari të madh. Petroja mbeti i nderuar si njeri e si krijues i letërsinë shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published.