Poezi: Kaltrinë E. UKA
MË THUAJ, DALLËNDYSHE
Më thuaj, dallëndyshe, ku të ngre fole
që terr i zi të mos hyjë ndër kashtë
që mos të çelin pikëllime të reja
as të riçel një mërzitje e lashtë?
Më thuaj dallëndyshe si ta bëj gjumin?
Kur ëndrrat bien llahtarshëm nga sytë
dhe fjalët e thëna në makth kthehen
e një britmë e çjerrë mbetet në grykë.
Në cilën majë mali të ngjitem harlisur?
Kur një zog krahëthyer në mua zbret.
Cili krua freskon një zemër të grisur?
Kur një etje të shuhet ka kohë që pret.
Si ta fikë një zjarr që përskaj më djeg?
Si ta ndalë një ikje që lë mërzitje t’urryera?
Më thuaj dallëndyshe vetëm një herë
Si fluturohet me krahë të thyera?!
Përgjatë kohës gjegjen në heshtje
gërryerjet në palcë e sjellin brengë.
Më thuaj dallëndyshe si të ik nga netët
që kala mallesh në mua ngrenë?…
KTHEHU PËR HATËR T’HANËS
Me netë t’tana nuk po flen rahat hana pa neve rojtarët e saj,
s’po bjen n’herezi ma e m’sheft mas reve
tinëz t’lumtun me na pa
veç hajde e shihe prej ktu se si asht ba, asht dremit…
Mu malli po m’rigon si shi e po rri mas grilave,
n’andrrat syqel t’mesnatës n’apogjeun e rremë po luhatna
po s’po asht boll,
durt mikluese me përvinu kadal ftyrën tane
nuk po munen me durue duerkryq.
Natë orgjie po baj n’nimfen teme
sarhosh n’theqafjet drejt mirazhit tan po eci
tafti-bafti! edhe t’koft zgrip i jetës,
imazhi yt joshes po m’babëzit teslim po bahna
se m’asht sekrecion i trupit,
menzi hana po m’nal vikamen harbute kur po shuhesh si meteor
pa mujt me t’nanurisë si du unë.
Kallamishte jam ba pa ty, kurm
suvalë kujtimesh që po m’marrin…
tangjent që m’prek n’pikēn tem t’dobt, n’ty.
E vetmja hana po kuis kit eremit naiv e as nuk po kotet,
po m’ep stërkalë shpresash që kem me ken bashkë
tymtajë po ma ban menen
shtërzime pa dobi, për mu t’pashpresë!
S’di edhe sa do mahet stoik ky shpirti jem maraz
pa ba naj hata prej mungesës tane napalm…
Mos e shti n’mëkat hanën me ba alibi t’rreme për mu
kthehu për hatër t’saj.
S’MUNDENA ME T’URU MIRËSEARDHJE NATË
S’mundena me t’uru mirëseardhje natë,
qiell i veshun me t’zeza
se ti vret me t’kast
tremb me pamjen tande pa fluturime zogjsh.
Je shtiake,
me yje ban veç f’tyrë t’rreme..
Mashtrueshëm
i bjen n’menje kujtimet eremitit
copë-copë si pasqyrë e thyeme.
Mirazh t’nji dashnie t’trisht i bjen,
e shushat,
i jep tallaz shtërzimeve t’tij kot,
e marron..
Dashnia te ti s’peshon as nji okë
shkëput yjet pa u puth’,
ia kujton dhimbjet
plagos andrrat
se ai ia din mirë
vujtjen – buzëve t’paputhuna,
angështinë – fjalëve t’pathana,
Natë, s’mundena me t’uru mirëseardhje
je llahtari,
vikamën, sëmbimin, ngërçin e shfaq n’shpirtin e vetmuem…
Kot thuren lutjet me fill prej teje
i humb rrugëve tua t’errta papërfillshëm
i braktisë.
Ti mat veç dhimbjen
shtrihesh mi zemrën eremit si tragjedi
muzgut – n’aktin e fundit
e çon deri n’zgrip t’jetës orgjive…
S’mundena me t’uru mirëseardhje, natë,
qiell i veshun me t’zeza,
veç lutena: ardhsh e bardhë najherë..!
VEÇ NJI HERË
Bahu veç nji herë emni jem
dhe shih cila baladë mesnate ndanë hanën në dysh
kush ma vodhi qetësinë e mbramjeve, që e kisha kaherë
shih sa dashuni kanë lutjet që gatuhen për ty
sa t’çmenduna janë andrrat dhe si i ruj,
shih si pranvera e nalë kangën kur nin’ zanin tand t’ambël,
si e nalë lulimin kur sheh tandin nur!
Bahu veç nji herë emni jem
shih me ç’shpresë rrojnë ndjenjat që s’përfillen,
si ngryset dita pritjesh për nji fjalë
me britma t’pafre t’dhembjes e t’heshtjes.
Si ravijëzohet mirazhi yt mendimeve mjegull
shihe patjetër,
si suvala përpin’ shpirtin
edhe pse asht i qetë deti.
Bahu, emni jem, veç nji herë
shih sa ‘shtirë e baj vet t’plotë hanën
kur i mungon pjesa tjetër.
I PANJOHUN
M’fal, i panjohun
s’kam menu që zemra s’ka me ditë m’u mbrojtë
e dashnia ka me fillu me pulsu
veç prej nji casti që t’pashë
I panjohun,
unë patjetër që duhet me majt’ n’krahë nji mëkat
ferri s’djeg ma shumë
se që po djeg kjo ndjenjë mrena trupit
je dashni e dëshirume
neps i madh që du me shujt
buzë për buzë
trup për trup
le t’më dënojnë e marrojnë Perënditë;
po nëse dashnia asht mëkat
atëherë njeriu vet asht mëkati ma i madh…
Menoj me vete:
kush s’dëshiron me kanë e vetmja dallëndyshe n’sytë e tu
që i ke si nji hark ylberi e qielli vet?!
M’fal, i panjohun
po fluturat që po çmenden n’bark
ma nalin frymën
dhe… edhe në u qujt mëkat kjo dashni, do mëkatoj patjetër
ndiej që s’kam frymë që m’ban t’plotë pa tanden
dhe as s’kam andërr me lan’ përgjys..
VJEN
Vjen,
dhe o Zot,
ç’hirësi verbuese mbanë
kudo
vërehet brishtësia
e një fryme të gjallë
Kaq i duhet qiellit
të shpërndajë
yjet vezullor
dhe emrit tim
të mbërthejë drithërimë
nepsi
Askush s’e heton
fshehtësinë
që ngjizet fundmeje
Zot, ç’është zjarri
që ndizet
fundshpirti?
TË KËRKOVA, TË KËRKOVA
Të kërkova, të kërkova
nëpër dimra, nëpër verëra
nëpër ditë, nëpër net
nëpër mjegull, nëpër erëra,
nëpër çelje trëndafilash
nëpër brigje valështrirë,
po s’të gjeta, hiç askund
të rritet malli, të rritet nis!
Në ç’vend fshehe hiret e tua?
Në cilën fushë blerimshtrirë?
Mos vallë në grykëderdhje lumi
mbulove diku hirësinë?
Të kërkova, të kërkova
nëpër zgjime të reja agujsh
nëpër muzgje tejet të vona
thellësi detesh, lartësi malesh.
Të kërkova, të kërkova
me krah fluture, e shpendmadhi
po s’të gjeta, hiç askund
nis e rritet, rritet malli!
VASHAT
Flokëzezë e flokëverdhë
që në buzë mbanë qershitë
shpirtin kthen në rrënoja
dhe përsëri atë ringritë.
Kush të pa e s’u harbua?
S’ju shua etja njëqind vjet.
Prush e zjarre thellë ndeze
rrëzove tempuj, pushtove mbret.
Cila ëndërr nate s’u zgjua?
Kur dritë hëne të mbështolli.
Cila dëshirë s’u kokërrzua?
Kur erë e lehtë mornicat solli.
Për hapat e tu të lehtë puhizë
u bën’ tokë, e u bën’ baltë.
Për trupin tënd të bardhë borë
u bën’ shkumë e u bën’ valë.
Kaluan fusha, male, kroje
lanë freskinë e lumit në gurrë
për nishanin në kraharor
për nektarin në fundgushë.
DHEMBJE
Prarim i meteorit thahet në kalivare
vjeshta nuk lulon më krizantemë
farë e dashurisë harron mugullimin
qiell i zbrazët – lejlekët mbi re flenë
Mëngjesi nuk fekset diellit farfuritës
nata shtrydh yjet – puçrra irritimi
hëna shpërthen vajit të akneve
rrokjet e lotëve thajnë jaseminin
Dëshirat beftë shkumohen suvales
stërkalet e shpresës i tret kripa
deti merr trajtë dhembje
bregut vetëm merrë ngjyrë klithma
Sarhoshët enden dehur në theqafje
pinë helmin në gjinjtë e shisheve
lutet djalli për një kafshim
engjëjt para ju prijnë ikjeve
Penel i stinës nuk lyen më kohën
lutjet rruzare këputen në mes
hahet mollë nga dorë e Eves
ngjiz jeta – njeriu vdes