POS TË PARIT, S’KA ATDHE TË DYTË

Me Bajram Sefajn, shkrimtar

Përkthimet janë të një rëndësie jashtëzakonisht të madhe. Sikur mos të ishin përkthimet, zor se do kishim mundur të flisnim sot për letërsinë botërore. Shkrimtari i përkthyer është dy herë autor: njëherë në gjuhën e vet amtare dhe herën e dytë, autor në gjuhën që është përkthyer

Avni HALIMI

Bajram Sefaj (1941), gazetar dhe shkrimtar, nga Kosova, më shumë se 25 vjet jeton e krijon në Francë. Një kohë bukur të gjatë ishte në Paris. Tani e sa vjet jam në qytezën Gaillad të Francë, krejt afër Gjenevë së Zvicrës. Ndërkohë, Sefaj, ka botuar rreth 30 libra gjinish të ndryshme, letrare dhe publicistike. Disa vëllime me tregime, për të rritur dhe për fëmije, disa romane, një dramë, një vëllim me poezi për të rritur, shumë libra publicistikë. Disa nga veprat e Sefajt janë përkthyer në kroatisht, rumanisht dhe në gjuhën frënge, natyrisht. Bajram Sefaj jeton e krijon në Francë (pak në Francë, pak në Kosovë), siç preferon të thotë ai vetë.

HEJZA: Larg atdheut, larg vlerave kulturore të kombit, me valixhet plot kujtime, ndrydhur në vetmi e përmallime, lemerisur nga pesha e papërballueshme e asimilimit – ky është motivi krijues, apo është ai fat që i ndjek të mërguarit për të bërë letërsi të mirëfilltë. Dikur krijuesit nga diaspora, shqetësimet letrar si rrjedhojë e rebelimit shpirtëror anti-pushtet (disidenca), i orientonin në krijimin e kryeveprave në letërsinë tonë shqiptare, sot këtë gjë e bëjnë me qejf, për ta përcjellë traditën e prurjeve të reja në letërsi dhe, përgjithësisht, në kulturë! Apo ndoshta, tashmë ky vlerësim është demode, sepse shkrimtari ynë sot, në kohën e globalizmit, kudo qoftë në botë, ai është në atdhe!

SEFAJ: Më së pari, përshëndes me plot respekt, vëmendjen e redaksisë tuaj të çmuar për këtë iniciativë fisnike që keni ndërmarrë: trokitjen në dyert e shkrimtarëve jashtë atdheut, të trazoni e grisni, për aq, perden e trashë të heshtjes së tyre, aq më parë kur shumica syresh konsiderojnë se janë të harruar, të anashkaluar, si të braktisur krejt – “larg sysh, larg (vë)mendjes!”. Kështu mendonin dhe (kishin të drejtë) kur i brente ky krimb dyshimi. Por, kjo ndodhte dikur. Në të kaluarën, jo shumë të largët. Tani është ndryshe – “… sepse shkrimtari ynë sot, në kohën e globalizmit, kudo qoftë në botë, ai është në atdhe!”. Pa fije rezerve pajtohem me këtë konkluzion, ashtu siç jam dakord edhe me të gjitha mendimet dhe konstatimet që i shtroni në formë tezash.

(Parantezë:si pauzë a pushim i vogël, midis dy frymëmarrjesh, shfrytëzoj nga rasti, t’ju shpreh mirënjohje që nuk me harruat dhe me radhitet në këtë qark e hark –“Shkrimtarësh që jetojnë e, (krijojnë, shtoj unë, jashtë atdheut të tyre”).

Siç pohova, me gojën plotë, me sinqeritetin më të çiltër, tumir të gjitha ato që i thoni ju, dhe,përgjigjën në pyetjen e parë e ndihmuat dhe e lehtësuat. Është e vërtetë (as topi s’e luan!), se sot, në epokën e globalizmit dhe të modernizimit të lartë tekniko informativ, shkrimtari shqiptar, i kudondodhur në botë, është në atdhe të vet, ashtu siç janë, afër mendjes, të gjithë shkrimtarët e botës. Kjo është një gjë e mirë, e përgjithshme (globale) për mbarë njerëzimit dhe, këtu, në këtë mes, nuk ka çfarë të shtohet as të mungohet, me të vetmin përjashtim se përvojat dhe eksperiencat e çdo individi, të çdo shkrimtari shqiptar (në këtë rast), mund të jenë të ndryshme, varësisht nga rrethanat dhe trajtimi (ekonomike social) që gëzojnë në shtetin që e ka zgjedhur si “atdhe të dyte” të tyre që, kurrë e përjetë, as teorikisht, nuk mund të bëhet i pari, i yti. I dyti, s’ështe i yti, as që mund të jetë (bëhet) i yti. Kujto për një çast vargjet e thekura: “Mëmëdhe quhet toka/,Ku me ka rënur koka/, Ku kam dashur mëmë atë/, Ku me njeh dhe guri i thatë…”, sa të vërteta që janë. Burojnë nga shpirti i djegur i poetit tonë të madh, Andon Zako Çajupi (1866-1930), që, po ashtu, jetoi dhe krijoi larg Atdheut, në Gjenevën fqinje (voasine), të përjetshme e Francës, fqinjës time të përkohshme, shpresoj!

Një pjesë shumë të vocërr, as pesë për qind, hiç me shumë, të eksperiencave kryesisht të hidhura pelin, nga jeta ime mërgimtare në “qytetin e dritave, qendër e botës artistike e kulturore” dhe epiteteve të tjera të shfrenuara që i shkojnë pas, i kam pikëtuar e regjistruar në 198 faqet e romanit tim me titull “Parisi kot”, botuar në vitin 2003, te Rilindja e Prishtinës. Jeta e gjatë dhe e mjerë në Paris dhe kudo tjetër në Francë, ishte (është) më së e galme, shumë larg, në kuptimin më negativ të fjalës, nga andrallat djaloshare (naive) për të. Parisi është ngopur me shkrimtarë e “shkrimtarë”, nga të gjitha anët e botës, që kërkojnë aty strehim e çati mbi kokë! Nuk arrita që as çerekun e atyre eksperiencave dhe kujtimeve, kryesisht të hidhura, t’i shtrij në ato afër 200 faqe të romanit “Parisi kot”. Si është në (krye)qytet e tjera të shteteve gjithandej ku gjallërojnë shkrimtarët shqiptarë, nuk di shumë. Krejt varet se i çfarë është sensibiliteti dhe mirësia që kanë shtetet respektive për shkrimtarët, në përgjithësi e për shkrimtarë e huaj, në veçanti! Nuk besoj se atje është diç me mirë. Me përjashtime të imta, natyrisht.

HEJZA: Gërshetimi i kulturës hispane me kulturën e indigjenëve përgjatë kolonializimit të “kontinentit të ri” (Amerikës), solli deri te “lindja e madhe” e Letërsisë hispano-amerikane, e cila, botës letrare i dhuroi kryevepra të paarritshme, nxori një plejadë shkrimtarësh mbase të papërsëritshëm ndonjëherë! Mund të vërehet ndonjë element i tillë gërshetues te krijimtaria letrare e krijuesve tanë në diasporë?

SEFAJ:Nuk e di. Sinqerisht, nuk kam ide përkitazi me këtë temë. E ndjej se është shumë serioze dhe e rëndësishme, njëkohësisht!

HEJZA: Është më me vlerë ndjekja e traditës për të sjellë “krijime unikale”, apo të bëjmë përpjekje që letërsinë tonë ta sjellim në gjuhën e popujve me të cilët bashkëjeton diaspora jonë! Sa stimulohet përkthimi, a kemi përkthyes të mirëfilltë në diasporë. Bibliotekat si dhe libraritë tona, gjithandej viseve etnike, po “gogësijnë” nga veprat e përkthyera nga letërsia botërore. Apo ndoshta ndani mendimin se çështja e përkthimit të veprave tona nga shqipja në gjuhë të ndryshme, është problem që duhet ta zgjidhin ekskluzivisht institucionet tona qeveritare dhe nacionale!

SEFAJ: E kam thënë edhe disa herë më parë, po e përsëris edhe njëherë: përkthimet janë të një rëndësie jashtëzakonisht të madhe. Sikur mos të ishin përkthimet, zor se do kishim mundur të flisnim sot për letërsinë botërore. Shkrimtari i përkthyer është dy herë autor: njëherë në gjuhën e vet amtare dhe herën e dytë, autor në gjuhën që është përkthyer.

Është e vërtetë e pamohueshme se, sot e gjithë ditën, në fushën e gjerë dhe me rendësi jetike, kur është fjala për përkthime të dyanshme, nga gjuhë shqipe në gjuhë të huaja (të mëdha a të vogla, të rëndësishme apo më pak të rëndësishme, të zhvilluara apo më pak të zhvilluara) qofshin ato, diçka nuk shkon e ngec dhe lë shumë për t’u dëshiruar. Gjullurdi e madhe, dhe luftë e ashpër, ç’prej kohësh zhvillohet dhe gjithnjë vazhdon të zhvillohet në atë front. Një ndërhyrje e menjëhershme, imediate, e përgjegjësve kompetentë dhe të autorizuar në këtë fushë, është më se i nevojshëm, i domosdoshëm, do të thosha! Një komision, e pa rëndësishme fare është, si të pagëzohej ai formacion që do të mbikëqyrë e vlerësoi hyrje daljet e librit si mall jetik shpirtëror. Derisa kontrollit doganor i nënshtrohet, qoftë edhe një kilogram kërtollë (patate), një kilogram kripe a sheqeri, kalon një kontroll të caktuar, pse mos të kontrollohen edhe hyrje/dalja e librit, andej e këndej kufirit (për kufi imagjinarë është fjala!).

HEJZA: Cili është raporti i atdheut me krijuesit shqiptarë të diasporës! Shtëpitë tona botuese që i kemi me bollëk, dinë gjë për këta shkrimtarë, apo nisin e i njohin sapo ndonjëri prej tyre të shpreh gatishmëri për vetëfinancim të veprave të veta? A mendoni se vetëfinancimi i botimeve është një “korrupsion kulturor” i cili duhet të ndiqet, madje edhe me mbyllje të shtëpisë botuese nga organet respektive shtetërore?

SEFAJ: Vetëfinancimi i librave është një lloj “korrupsioni kulturor”, pa dyshim, bien évidemment, siç thonë francezët! Por, në këtë “korrupsion” i përziejnë duart edhe vetë autorët nga diaspora dhe jo vetëm ata, mjerisht. Por, pasi fjala është për shkrimtarët nga diaspora, mbetemi të ata, pranë tyre. Kush u ka faj “shkrimtarëve dhe poetëve” mërgimtarë që brenda natës, brenda ditëve të ngushta të pushimeve verore, synojnë të botojnë shpejtë e shpejt dhe për ngut vëllim me poezi, “roman” voluminoz, libër publicistik kushtuar babës, hallës, dajës…”pemës së familjes”, në të shumtën e rasteve… ngase pas dy, a tri ditësh festojnë ditëlindjen, përvjetorin e vdekjes e, kështu me radhë. Kujtoni esenë e shkëlqyer të Agron Tufës, poet e përkthyes nga Tirana, tashti edhe ai i mërguar, kur para shumë vjetësh shkruante se kur mërgimtarin e pyesin sa fëmije i ke, ai (sypatrembur, për flakë pushke), përgjigjet: kam dy fëmijë e dy përmbledhje me poezi! Ha-ha e mashalla! (parafrazim i lirë!) Mos të shkohet aq larg, i mbyllën shtëpitë botuese private. Veprimtaria botuese private është e barabartë me çdo veprimtari tjetër legjitime. Larg asaj. Kadare e tha me një rast se shumësia (va e pa va, kriter e pa kriter!) e botimeve të librave mos të brengosë askënd. Shyqyr zoti kazanë bërlloku (poubel) ka (kemi) boll. E, Kadare, kur flet, flet, e thotë me gjithë mend, njëherë e përgjithmonë!

HEJZA: A e ka thënë akoma fjalën e vet kritika letrare për krijimtarinë që po zhvillohet në diasporë. Apo, janë dy vlera që po ecin paralelisht dhe assesi të takohen diku sy më sy!

SEFAJ: Unë nuk e di se diku në rruzullin tokësor, në Planetin tonë shqiptar, këtej e matanë gardhit, ka kritikë të mirëfilltë letrare, siç kishte dikur! Kurse kritika letrare në diasporë as që ekziston fare. Me përjashtim të disa përpjekjeve fisnore e miqësive të ngushta që të thuhen fjalë (kuturu) e plot lavd për “veprat” e njeri tjetrit. Lojë e pahijshme (korruptuese, në mekamin: ama-na! Hi, hi e, ha-ha…)

HEJZA: Antologjitë e mëhershme të poezisë, por edhe të tregimit shqiptar, nuk janë llogaritur si të “kompletuara” pa përfshirjen e autorëve shqiptarë të diasporës! Sa vend zënë sot krijuesit nga diaspora nëpër antologjitë e tilla bashkëkohore? Apo nuk njihen fare nga hartuesit e antologjive, aq më pak nëse nuk paguajnë për përfshirje!

SEFAJ: Pajtohem, katërcipërisht, pajtohem me konstatimin tuaj, me pjesën e parë të kësaj pyetje, e sa i takon pjesës së dytë të pyetjes, sypatrembur dhe, pa fije hezitimi, them se edhe me përgatitjen e antologjive, me përfaqësimin e autorëve nga diaspora, apo pa ta fare, diçka ngec dhe nuk shkon. Edhe në këtë shteg ka hile, lëshime, manipulime e keqtrajtime. Shoqëria jonë, e shendosh dhe, gjithnjë e më moderne, lypset të jetë vigjilente dhe më e vëmendshme, të shërojë edhe këtë plagë dhe të eliminojë një orë e më parë, të gjitha njollat që shfaqën këtu e atje dhe që e dëmtojnë shëndetin kulturor dhe shoqëror përgjithësisht.

HEJZA: Jeta letrare e shqiptarëve sot është më e pasur se dikur apo më e varfër?

SEFAJ: Nuk di, ç’të them saktë. Ndoshta është me e varfër se dikur! Logjikisht, tani do të duhej të ishte më e pasur!

Leave a Reply

Your email address will not be published.