LULE PËR LULET

Antologjia është një dhuratë e çmueshme e fatlume, që ka një të djeshme, ka një të sotme dhe me gjuhën e zemrës e të shpirtit të krijuesit i flet së ardhmes

Xhahid BUSHATI

“Lule për lulet” është Antologjia e parë e Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj pas viteve ‘90, e cila përfshin një prodhim letrar: 2000-2014. Antologjia është pasaporta e identitetit që Letërsia shqipe për fëmijë e të rinj, kësaj here e jep përmes krijimeve të gjeneratave të shkrimtarëve shqiptarë. “Lule për lulet” brenda ndërtimit të saj të harmonishëm mbart marrëdhënie përrallore, floreale dhe poetike. Siç shprehet studiuesja Zejnepe Alili – Rexhepi: “Vepra “Lule për lulet” e përzgjedhur si simbol identiteti letrar nga letërsia për fëmijë, e krijuar në kohështrirje 2000-2014, në një farë forme shquhet për natyrën kritike, sintezën e shkëlqyeshme, për modelin dhe metodologjinë, jo vetëm për poezitë dhe prozat origjinale, por edhe shqetësimet,situatat, dramat, vlerat estetike, virtytet njerëzore, qytetare, intelektuale… Një krijimtari e sjellur mjaft bukur, si një tufëzë shumëngjyrëshe lulesh, prej ku përthithet nektari i disa vlerave të shkruara, pothuajse të smerilizuara me delikatesë e përkushtim. Në këto dimensione krijimesh rrëfatet shkalla e realizimit artistik, qoftë si frymëzim letrar, qoftë si sintezë idesh dhe rrymash letrare, te të gjithë autorët e përfshirë.”

Antologjia “Lule për lulet” si vepër është në një marrëdhënie të shumëfishtë, ku prezantohen: individualitete letrare, koncepte estetike, kode, realitete, kultura, vizione e procese krijuese e letrare, etj., etj. Në këtë marrëdhënie polivalente, të gjithë elementët të ndërtuar gërshetohen e flasin sipas ligjeve të letërsisë, në atë çka kumton vepra (krijimi). E, në këtë marrëdhënie (autor-vepër) autori vjen me një botë plot veçanësi, ku përballet dhe ndeshet me një botë të magjishme, siç është ajo e fëmijës, dhe ku e sjellë po aq magjishëm në tekstin letrar me poetikën e tij. Vazhdojmë më tej arsyetimin. Me talentin e tij krijuesi magjinë dhe psikikën e botës së fëmijës, e eksploron, vazhdimisht e zbulon dhe e rizbulon… Është ajo botë e autorit që ka zanafillë në embrionin e frymëzimit, ku shpalos një botë tjetër, botë mesazhesh e vizionesh, tashmë lexuesi e ka në “pronë” të tij… Kjo përftesë që i ngjan një “parfumi” erëndjellës më ndiqte e më shoqëronte krijim pas krijimi në faqet e kësaj Antologjie.

Antologjia “Lule për lulet është e prirë drejt një skeme të thjeshtë: fotografia e shkrimtarit, njohja autobiografike e bibliografike e tij; krijimi autorial, burim i krijimit (librat, revistat a dorëshkrimet). Në këtë Antologji, si në një polifoto qëndrojnë pranë e pranë brezash krijuesish, individualitete e mjeshtëri artistike, stile e mënyra rrëfimi, koncepte e dukuri estetike, përvojat e talentet, këndvështrime të motiveve e ndërtime arkitekturore të krijimeve, vendlindje e mesazhe, i të jetuarit aktualisht të shkrimtarit e të ndikimit të kultura letrare, ndjesi e përgjegjshmëri, treva shqipfolëse apo nga vende evropiane e kontinente ku me dashuri artikulohet poetika dhe sintaksa shqipe etj., etj. Ashtu pranë e pranë vjen kuvendimi për botën e madhe të letrave shqipe, me zërin e moçëm ilir e me kumbimin shqip. Në këtë këndvështrim Antologjia flet shumë, veçanërisht me parathënien e saj, por është edhe një udhërrëfyese dritëdhënëse e dritëshprese të një ecjeje të sigurt të kësaj letërsie që i flet kohës dhe të ardhmes e që të fton drejt vizioneve të reja.

Në këtë Antologji janë pranë e pranë 87 krijues, që mbi bazën e statusit të tyre të shkrimtarisë, shpërfaqin me dinjitet krijimet e tyre  letrare mbështetur mbi bazën e lëvrimit gjinor apo të zhanrit. I gjithë ky palimpsest jo pak i mundimshëm është kurorëzuar me shije dhe kulturë nga një grup përzgjedhës – me redaktorë Pandeli Koçi (kryetar)  Astrit Bishqemi, Fatmir Gjestila, Riza Braholli, Vangjush Saro, Vasil Premçi, Xhahid Bushati, Xhevat Syla.

Disa karakteristika:

– Pjesën më të madhe e zë poezia me 45 autorë. Mozaiku gjinor e zhanror, si: përralla, rrëfimi, legjenda, gojëdhëna, animalistika, florealja, faunorja, didaktika… e deri te tregimi fantastiko-shkencor  me 22 autorë. Tregimi i mirëfilltë me karakteristikat e tij fabulore me 20 autorë. Ky shpërpjestim në fushën gjinore e zhanrore mbetet një fushë e hapur studimore për kritikën letrare për të vënë pika mbi i rreth këtyre problematikave e dukurive që kanë shenjat e tyre, që krahas vlerave paraqesin dhe mangësi të kësaj letërsie.

– Çdo autor, përmes krijimit të tij, shpreh tiparet më të mira të krijimtarisë së tij, duke përcaktuar individualitetin artistik dhe shpirtin poetik përmes rrëfimit e ligjërimit të tij. Por në tekstet e paraqitura është e pamundur të mos vësh re të një mos-shkëputjeje ende nga metoda e realizmit socialist, që disa krijues, akoma nuk e kanë kapërcyer. Për mua, ky problem mbetet thelbësor ndaj kësaj Letërsie dhe kërkon studim të thelluar.

– Vlerat e kësaj Antologjie përcillen përmes trajtimit të problematikës së krijimit për fëmijë me një dimension të gjerë kohor, të përpjekjes maksimale të talentit krijues për të njohur në thellësi botën dhe psikikën e fëmijës, etj., etj.; për ta përmbledhur: përkushtimi dhe idealiteti i krijuesve bën që të ekzistojë dhe të jetojë Letërsia shqipe për fëmijë e të rinj.

Antologjia është një dhuratë e çmueshme e fatlume, që ka një të djeshme, ka një të sotme dhe me gjuhën e zemrës e të shpirtit të krijuesit i flet së ardhmes. Kjo është dhe arsyeja që dhurata magjike me emrin Antologji vjen si lule për lulet-fëmijë!

Leave a Reply

Your email address will not be published.