FILOZOFIA E NJERIUT TË LIRË

ANGELUS NOVUS (ENGJËLLI I RI) sipas traditës hebraike, është një krijesë qiellore e krijuar vetëm për të kënduar një këngë të përjetshme përpara Zotit. Pasi ta këndojë himnin para Zotit, përfundon dhe të tretet në hiç. Po çfarë lidhje ka kjo me Xhevdet Bajrën?

Drita MIFTARI

Ndryshe nga vëllimet e tjera poetike të Xhevdet Bajrajt, vëllimi i fundit, ANGELUS NOVUS apo ENGJËLLI I RI, është pagëzuar para se të merrte formën finale. Madje, edhe para se të përzgjidheshin poezitë që do të përfshiheshin brenda këtij vëllimi. Titulli i librit zakonisht lind pas përfundimit të të gjitha fazave. Kësaj radhe vetë Xhevdeti e kishte përzgjedhur atë shumë më herët dhe i kishte lënë në dorëshkrim.

Zyrafete Shala, redaktore e librit thotë se vëllimi ANGELUS NOVUS është dorëshkrimi i fundit që Xhevdeti ma ka dërguar pak ditë përpara se të ikte nga kjo botë. Ishte i papërfunduar. Kur them i papërfunduar, nënkuptoj faktin që poezitë kanë qenë, por ai nuk i ka përzgjedhur se cilat do të hyjnë në këtë vëllim me poezi. Do të thotë, ka përzgjedhë një pjesë të tyre dhe nuk është marrë pastaj më, siç e ka pasur atë metodën e punës, me radhitjen e tyre, me ndarjen nëpër cikle. Ai, edhe këtyre iu ka dhënë një rëndësi shumë të madhe, se cila poezi duhet të vijë pas tjetrës, me cilën hapet vëllimi, me cilën mbyllet, ndaj dhe këto vetë e kanë krijuar një lloj figurë poetike në një vëllim të Xhevdetit. Punën e mbetur u desh ta përfundoj unë, por falë atij bashkëpunimi që e kemi pasur për vite të tëra, pak a shumë kisha arritur ta kuptoj mënyrën e punës së tij dhe jam përpjekur që ta bëj përafërsisht ashtu siç e ka bërë ai. Megjithatë, librit i mungon dora e fundit e vet poetit. Pikërisht kjo edhe e shtyu botimin e librit, sepse nuk isha e sigurt, a jam duke shkuar në atë vijën, në atë rrugën që ai kish dashtë të shkoj. Megjithatë, duke i marrë edhe vlerësimet e kolegëve, miqve, krijues që e kanë njohur Xhevdetin dhe krijimtarinë e tij, mbretëron bindja se puna e bërë është tamam e denjë për të qenë një vepër e Xhevdet Bajraj. Më gëzon fakti, që kemi arritur edhe një herë ta kthejmë Xhevdetin te lexuesi. Ky është libri i dytë që botohet pas vdekjes së tij. Ai ka lënë edhe poezi të tjera, mirëpo ato nuk e di se si do t’i organizojmë, sepse Xhevdeti këtë vëllim e ka titulluar vetë, përderisa nuk ka arritur ta përfundojë. Kjo ka qenë diçka e rrallë në punën e tij, sepse zakonisht ai e ka përfunduar një herë radhitjen e poezive dhe pastaj e ka vendos titullin. Por, kësaj radhe nuk pati sqarim se pse e zgjodhi këtë titull, pse e emërtoi librin përpara se ta përfundonte. Ndoshta duket si rastësi, por, megjithatë, tani e të qartë se pse e la këtë titull. Është e qartë se ai ka dashur të na thotë që ka qenë një lloj engjëlli i ri, që ka ardhur në botë për ta krijuar poezinë.

ANGELUS NOVUS (ENGJËLLI I RI) sipas traditës hebraike, është një krijesë qiellore e krijuar vetëm për të kënduar një këngë të përjetshme përpara Zotit. Një legjendë talmudike thotë se në çdo moment, një legjion engjëjsh të rinj krijohen që, pasi të këndojnë himnin e tyre para Zotit, të përfundojnë dhe të treten në hiç. Po çfarë lidhje ka kjo me Xhevdetin? Duket se, edhe Xhevdeti është krijuar me një mision të veçantë, është krijuar që ta na sjellë një poezi mjeshtërore, që ta ngrehë nivelin e poezisë shqipe, në nivel universal, ta bëj të njohur në botë, dhe përmes asaj poezie të na mësojë se si duhet të jetë njeriu, si duhet të jetë atdheu, si duhet të jetë jeta, dashuria, si duhet të jetë kjo botë, që ne e kemi sjellë në këtë nivel, çfarë po e shohim tani dhe çfarë do t’ua lëmë brezave në vijim. Poezia e Xhevdetit do të vazhdojë të lexohet dhe ne do të kemi shumë nevojë për të, sepse para së gjithash ajo i dedikohet popullit tonë, brezave që vijnë, neve, që kemi përgjegjësi të ju lëmë një botë më të mirë.

Arsim Hamiti, kritik letrar thotë se ANGELUS NOVUS është një përmbledhje poetike, e cila përveç se mbanë vulën artistike të autorit, po ashtu na mahnit me bukurinë e vargut, mjeshtërinë e fjalës, figurën e bukur dhe kuptimet e shumta. Hamiti vlerëson se, duke qenë se ky libër na erdhi kur autori nuk është fizikisht me ne, dhe poezitë janë të shkruara pak para se ai të ikte nga kjo botë, domosdo se secilit lexues ia krijon idenë se brenda vargjeve duhet të ketë diçka të veçantë që nuk shihet në lexim të parë. Mbase një parandjenjë të autorit, një fjalë të fundit të tij apo ndoshta një kod sekret që vetëm ai dinte ta fshihte ashtu qetë-qetë mes vargjeve të bukura e të çiltra. Por, a nuk kishte gjithmonë poezia e Xhevdetit këtë mision që lexuesin ta befasonte, o me një varg predikues, o me figura të përmbysura që natyrshëm krijojnë mesazhe plot fuqi brenda vargjeve të tij? Natyrisht se po. Të gjitha përmbledhjet poetike të Bajrajt kishin misionin fisnik që lexuesin ta bëjë që të mahnitet me kuptimet e reja që marrin ngjarjet dhe gjërat në jetën tonë dhe ta shohë botën plot me ngjyra të reja. Njëkohësisht ta trondit atë me idetë artistike që shndërrohen në mesazhe kuptimplota, ushqejnë shpirtin tonë dhe na bëjnë herë pas here të ndjehemi të sigurt se është dikush që na transmeton atë dimensionin e pashpjegueshëm të botës.

Shkrimtari Kliton Nesturi vlerëson se Xhevdet Bajraj tashmë ka kaluar kufijtë kombëtar. Edhe në vëllimin e fundit poetik, ANGELUS NOVUS, ai qëndron shumë, shumë më lartë dhe me këtë vepër është çimentuar piedestali i tij. Filozofia e Xhevdetit është filozofi e njeriut të lirë, i cili është gjithmonë në rrezik. Është i papajtueshëm me realitetin në të cilin jeton. Ai do një realitet më të bukur dhe për këtë lufton. E gërshetuar kjo edhe me stilin dhe gjetjen, dy elementet më thelbësore, pa të cilët nuk bëhet një krijimtari letrare. Ky gërshetim: stil, vepër dhe filozofi e gjetje, plus talentit, i jep atij të drejtën dhe vulën për t’u quajtur një poet i kalibrit botëror. Vetë krijimtaria e tij, vetë prania i tij në qarqet letrare botërore, në Universitetet prestigjioze të botës, e dëshmojnë këtë gjë. Bota nuk të pranon kollaj. Xhevdeti i përket një bote tjetër dhe nuk është më ai që ka nevojë për ne, jemi ne ata që kemi nevojë për të. Jam i bindur që poezia e tij, pavarësisht se ka qëndruar jashtë klaneve dhe sferave të ndryshme, do të ketë shumë pasues që do ta adhurojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.