Zëri i Moisiut jepte diçka tjetër. Duke zhytur të gjitha rrokjet në një rrjedhë të shkumëzuar e të papërmbajtur tingujsh kumbues e të dridhshëm, që përplasnin kuptimin e tyre mendor e fonetik, u jepte të gjitha fjalëve një atmosferë vezulluese e të dridhshme sa që ato ndriçonin në një mënyrë magjike
Moikom ZEQO
Aleksandër Moisiu ishte i pajisur me bollëk me të gjitha dhuntitë e racës së tij. Me një trup mesatar, të brishtë, të lëvizshëm, me gjymtyrë të çlirëta, me një fytyrë të dobët, plot rrudha e zgavra, që i ngjasonte maskës së zbehtë, të palëvizshme të një kufome. Por në këtë fytyrë si të një fantazme, ku në dy zgavra të thella digjeshin dy sy të ethshëm, të zjarrtë, lëviznin pareshtur me një jetë fantastike. Tek ai kishte një lëvizshmëri dhe një gojëtari pakufi dhe masë. Sa më lart drejtohej grimasa e tij, aq më me forcë groposej dhimbja në qoshen e gojës, aq papritur hapeshin sytë, sa dukej se në një fytyrë njerëzore nuk përfshihej dot kjo gremisje, plot të çara.
Dhe mbasi lëvizjet e shpejta loznin me fytyrë kaq shpesh, mimika s’kish pushim, as rrugëdalje. Në çdo ndryshim ai mbetej i lirë. Ai vraponte shumë, nuk shkelte në shprehjen e ndjenjës fqinjë, por kapërcente menjëherë në ndjenjën më të largët kontradiktore. Ai ishte si një artist panairi, apo si një magjistar, që brenda një minute ve njëqind maska të reja: maskën e një talljeje plot ngërdheshje dhe atë të një mirësie të qeshur, të kthjelltë, merrte fytyrën epshore të një fauni dhe shprehjen e shenjtë të një asketi, shprehte gëzimin e shkëlqyer të jetës dhe gatishmërinë për vdekje.
Befasia e lëvizjeve të mimikës vazhdonte me gjallërinë e papërmbajtur të gjesteve. Gjestet e Moisiut kishin diçka që kërcente, që ecte vazhdimisht, diçka të trazuar. Ato ngjiteshin lart dhe binin poshtë me një energji fanatike nganjëherë ato ishin lëvizje burrërore, despotike, fitimtare. Nganjëherë ato përhapeshin duke u lutur, duke përkëdhelur, pa forcë e pa vrazhdësi, qenë lëvizje si të një fëmije, ledhatuese, joshëse. Në alternimin e këtyre gjesteve s’kish asgjë të shtrënguar, të detyruar. Gjendje shpirtërore fantastike duke përgjuar, lëkundeshin në ndryshime të panumërta, gjeste, që endeshin nëpër natë, gjeste, të cilave u mungonin lidhjet psikologjike.
Por në këtë hipje e zbritje të stuhishme, në këtë ekstazë të padominueshme gjestesh gjithnjë të reja, që ngriheshin e binin, linjash, që dredhonin e që kryqëzoheshin shpërthente një fantazi e papërmbajtur, që nuk lodhej e që nuk shterronte asnjëherë, një prirje jocerebrale e etur për të bukurën, një prirje e jetës së shqisave drejt dritës, e cila trefish më shumë nordikët – i trullos. Dhe në qoftë se loja e krahëve dhe e duarve diltenë dukje në befasi të pakontrolluar pothuaj si diçka e vrazhdë, e coptuar, jo-organike, ajo zgjidhej në pjesët e tjera të trupit të shkrifët, të përkulshëm në të gjitha nyjet dhe përfundonte në një hijeshi të rrjedhshme, përkundëse.
Prandaj gjuha e trupit të tij, që dukej njëkohësisht e këndshme dhe e egër, e pëlqyeshme dhe e vrazhdë, ishte shoqëruesja më e mirë për të kuptuar zërin e Moisiut, që dilte herë i errët e si në të shuar, herë i mprehtë dhe i këputur. Ky organ (zëri), vezullues e i lëkundshëm, që ngrihej lart e që binte poshtë, në një ritëm të vazhdueshëm tonesh, me nëntonet e tij të pasigurta e të mistershme, nuk i kish ato cilësi, që i kishte zëri i Kaincit, që me anën shqisore e shprehte me pak fjalë figurën shpirtërore të fjalës.
Zëri i Moisiut jepte diçka tjetër. Duke zhytur të gjitha rrokjet në një rrjedhë të shkumëzuar e të papërmbajtur tingujsh kumbues e të dridhshëm, që përplasnin kuptimin e tyre mendor e fonetik, u jepte të gjitha fjalëve një atmosferë vezulluese e të dridhshme sa që ato ndriçonin në një mënyrë magjike. Këto fjalë flakëronin përpjetë si diçka e trupëzuar në hapësirën e mbyllur, që qahej vetëm nga drita e tyre dhe pastaj si hije, si një krijesë fantazie bashkoheshin me të pakufishmen. Zëri i Moisiut kish një fuqi metafizike përfytyrimi: Ai nuk jepte vetë shprehjen e jashtme të ndjenjave, në vend të këtyre ai vendoste simbole muzikore e piktorike. Këto mjete, që lëviznin e gjallëroheshin nga një temperament naiv, i paqëndruar, tekanjoz qenë personaliteti i tij si aktor, arti i tij dhe figura e tij. Të paudhëhequra shpesh nga arsyeja, të papenguara nga një vullnet imponues, fusnin me lehtësi në çdo rol thesaret e pasura të tyre. Ana shqisore ishte gjithçka, ekstazë, tingull e ngjyrë. Kaq i pasur ishte ky material, kaq i gjallë, kaq i huaj, jugor, sa që në veriun gjerman, të matur vepronte ai vetë si art, sa që personazhet dhe fuqia e ndryshimeve dukeshin si një mendim i verbër, të cilin çasti e lind dhe çasti e vdes…
Moisiu e kapte rolin krejt në mënyrë individuale, sipas rastësive të mjeteve të tij. Jo rrallë ai të njëjtin rol e luante siç i tekej, herë kështu e herë ashtu. Por mbasi aktorët gjermanë i besonin aq pak lumturisë, frymëzimit, minutës Moisiu i hidhte poshtë me fantazi pa zot si një krijim artistik. Kështu shkohej tek ajo, që e dallon interpretuesin – te personazhet e tij. Sepse mungesa e vullnetit e personazheve të tij dukej si mungesë vullneti e krijesave të tij. Ata qenë të gjithë aventurierë, ëndërrues, endacakë. Duke u kapur me zor për jetën, duke rënduar me nerva të ethshme pas morisë së fenomeneve, ata qenë si të dehur nga ndjenja e së tashmes.
Me natyrën e tyre prej Don Zhuanësh, me shqisa të zjarrta ata deheshin nga ndryshimet e vazhdueshme. Një fantazi me flatra i fuste ata në një kaos botërash vezulluese, në të cilat ngatërrohej realja me jorealen. Për ato nuk kish asgjë të pabesueshme, ato nuk ngurronin për asgjë. Benvenuto Çelini, Kazanova, Mynhauzeni – këtu ata vazhdonin të jetonin. Duke ndenjur pezull në mes të ëndrrës dhe së vërtetës qenë njëmijë herë më të drejtë se nderi dhe morali borgjez. Në se Riko dë la Marlinieri, nëpërmjet gojës së Moisiut ngrinte lart moton e tij “corrigor la fortune”( “korrigjues i fatit “), te ai fundosej madhështia e guximshme e Telhajmit, Minës dhe Justit.
Nuk ka asgjë më pak gjermane dhe më pak protestane se sa figurat e Moisiut. Tek këto gjejmë gëzimin naiv të shqisave, por edhe asketin katolik, që i shmangej jetës. Sepse nganjëherë në sytë e tyre të ethshëm flakëronte një ekstazë vegimtare, një pasion mistik, një ëndërr fetare. Në raste të këtilla dukej sikur shija dehëse e jetës, ankthi i jetës buronin më shumë se siguria e jetës, dukej sikur ekstaza ishte trullosje. Prandaj materiali i Moisiut përfshinte të gjitha mundësitë, që prej shijeve brutale të Don Zhuanit në kurriz të njomësisë femërore, që prej sundimtarit të trullosur – Moisiu ishte interpretues i lindur i Rikardit të Dytë – deri te murgu fanatik asket. Vetëm se ky asket nuk ishte një njeri me vullnet shenjti, por një i dehur nga ekstaza e së përtejmes.
Dhe ndoshta për këtë aktor fatlum ishte një dhuratë dhe jo një refuzim i fatit, që artit të tij i mungonin shumë elementët e arsyes. Në Veriun gjerman të përpiktë e analizues arti i tij do të bëhej një ndërgjegje jo e planifikuar dhe e montuar, që largonte komunikimin e drejtpërdrejtë dhe sigurinë e ndijimeve shqisore dhe në vend të tyre do të futej një koketëri e vetëdijshme, që nxirrte kryet nganjëherë në disa role të luajtura. Por ndjenjat shqisore të këtij arti duhej të mbesin për Europën. Sepse përndryshe do të duhej të kapërceheshin Alpet për ta gjetur përsëri.
Moisiu shqiptar ishte para së gjithash qytetar botëror. Ishte i tillë, emblematik, universal, i kudogjendshëm, i veçantë, i lidhur në një kohë të caktuar, për të mos vdekur në të gjitha kohët, për të mbijetuar si fantazmë, për të dhënë shpirt si maskë njeriu, për të përfituar si shpirt i shqetësuar, për të fluturuar në shtatë qiejt e kujtesës, për të heshtur i regjistruar në pafundësi. Moisiu ishte artisti i Krizës së Njeriut, për t’u ekspozuar si subjekt i projektuar i kapërcimit të krizës ekzistenciale. Ai lind vetëm njëherë në botë, për të mos u përsëritur kurrë më.
Më shumë europian se sa shqiptar, po edhe më shumë shqiptar se sa europian, Moisiu nuk mund të përcaktohet përfundimisht, nuk mund të kristalizosh shtrëngatën e tij, për ta paraqitur si një etalon ndërkombëtar, krahasues, ngushëllues, kultizues për misteret nacionale, çmitizues i arketipave të shenjta, referencë e të pangjashmëve, e të pakrahasueshme dhe njëkohësisht një emër konkret, një mundësi emërtuese e padyshimtë për të gjithë njerëzit dhe dramat e tyre, më shpesh të padukshme, anonime, larg publicitetit dhe skenave të bujshme, një kometë e ndritshme e netëve të teatrit europian dhe absurdit planetar. Mik i afërt i Maks Brodit dhe Franc Kafkës Aleksandër Moisiu u sfilit nga rropatjet e rënda sizifiane të enigmës biologjike dhe shpirtërore të jetës, duke sfiduar filozofinë e kufomave dhe rezignatat e pamëshirshme, tmerrin që quhet shpesh art.
Arti i Moisiut ishte si një krishterim pa perëndi, një aventurë e rrëmbyeshme, e paformulueshme, një apostullim i Shekspirit, po me një ndryshim të pamohueshëm, që të ndihej Hamlet i epokës elisabetiane, po që luan si personazh i “Procesit” të Kafkës dhe Leopold Blumi xhojsian, apo dhe Godoja, kaq mitik dhe i vërtetë për ne shqiptarët e traumatizuar nga politikat skandaloze të ditës. Në një libër të tij Rey Bradberi flet për një planet, ku kishte vetëm qenie prej zërash. Patjetër aty Moisiu duhet të shpallej si një kryeqënie, për të zotëruar një mbretëri të së paarritshmes.
Ai mbeti një Fëmijë i Universit që guxon të qeshë përpara një bubullime apokaliptike, që shpall identitetin e vet kontradiktor dhe të vërtetë, me ankthin e këmbënguljen e një Gilgameshi dhe të një Fausti, për të cilët krenaria e kotë është thjesht një tjetërsim vulgar. A mund të ridimensionohet? Po kush vallë ka fuqi dhe targ për ta bërë këtë mrekulli? Në qeramikat me forma popullore dhe antike të Kavajës është mbyllur, më saktë, është vulosur xhindi i misterit dhe artit të tij. I mbyllur nga mijëvjeçarët e vdekjes Moisiu mund të përfytyrohet, ose të ribëhet në gjestet tona, duke mbartur disa gene dhe hormone të dilemës së tij të paasgjësueshme dhe të përjetshme.