Shqiponja Axhami Trota
KREMTJA E NJË DIKTATURE
Bien kambanat:
është e kremtja e një diktature.
Mbi papafingo një fëmijë indiferent
qëron krahë shelgjesh,
ndërton një krrabë…
duhet trembur epërsia e zogjve të egër.
Bien kambanat…
Zërat e burgosur përhapen
si sherebelë në një plazmë prej ajri;
kohë e pajetuar rrëshqet udhëve të pluhurta
si këmba e plagosur e një dreri…
Karuseli prej bime shtyn drejt mbrëmjes
heshtje pleqsh,
kuisje qensh….
Bien këmbanat
…në një rrëkezë loti mblidhen
pemë,
fshatra të braktisur,
të vdekurit, lumenjtë
duke përhapur brenda vetes
polenin e një faljeje.
Bie kambana;
është e kremtja e një diktature,
por jo: diktaturat s’kanë të kremte,
kanë vetëm gjëmime.
O zëra të burgosur,
mbusheni kraharorin
me timbrin e një lutjeje:
mbi krizantemën e një pranvere
duhet të mbijë çdo epokë;
nga një lule, mbi çdo kasketë naziste,
ose ndryshe, çdo natë do vdes nga një poet
dhe çdo ditë, një urë do të bëhet rrënojë
(Nga vëllimi “Zoti zbret mbi jaseminë…”)