Agron Tufa, shkrimtar
LETËRSIA SHQIPE KA MBETUR ME KEQ SE LETËRSITË E GJUHËVE TË VDEKURA
Lexuesi i Shqipërisë, me përjashtime të pakta, madje dhe lexuesi i specializuar, nuk i njeh veprat e Anton Pashkut, Murat Isakut, Beqir Musliut,Ymer Shkrelit, Teki Dërvishit, Musa Ramadanit, Eqrem Bashës etj., etj., – të mos flasim për brezat më të rinj. Libraritë tona jonë të mbushura me letërsinë e huaj të të gjitha shekujve, por jo me shkrimtarët shqiptarë
Shkëlzen HALIMI
Agron Tufa (1967) është poet, prozator, përkthyes, doktor i shkencave filologjike. Ka kryer studimeve e larta në Universitetin e Tiranës, mandej i thelloi studimet në Institutin e Letërsisë Botërore “A.M. Gorki” në Moskë (1994-1999) dhe studimet pasuniversitare në Institutin e Kulturave Europiane IEK (1999-2001). Për 17 vjet ka qenë lektor i Letërsisë së Huaj të Shekullit XX në Fakultetin Filologjik të Universitetit shtetëror të Tiranës. Përgjatë viteve 2011-2019 ka udhëhequr Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), një institut i krijuar me ligj të posaçëm nga Parlamenti shqiptar. Puna e zbardhjes dhe e publikimit të krimeve të komunizmit, si dhe implikimi i personave të lidhur me këto krime, e çoi pashmangshëm drejt konfrontimit me kupolën e pushtetit politik, derisa i kërcënuar vazhdimisht me vdekje u detyrua të largohet familjarisht nga atdheu si azilant.
Agron Tufa është autor i mbi njëzet veprave letrare origjinale – poezi, tregime, romane. Librat e tij janë nderuar me çmime letrare kombëtare në Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa poezia e tij është përkthyer dhe botuar në disa gjuhë të huaja. Është përkthyes në shqip i veprave të F.M. Dostojevskit, L. Tolstoit, N. Leskovit, E. Zamjatinit, M. Bullgakovit, B. Pasternakut, O. Mandelshtamit, J. Brodskijt, O. Sjedakovës, S. Aleksieviçit, Leopold von Sacher-Masoch, Paul Celan, V. Propp-it, J. Llotman-it, M. Bahtinit, etj.
Tufa deri tani ka botuar: POEZI: “Aty te Portat Skée” (1996); “Rrethinat e Atlantidës” (2002); “Avangardë engjëjsh” (2005); “Fryma mbi ujëra”(2007); “Gjurma në rrjedhë” (2010); “Fragmentet e Gjësë” (2013); “Kafsha apo fantazma” (2017); “Zonja Asnjeri dhe Zoti Askurrkush” (2019); “La prueba de la tierra” (spanjisht, 2004); “Elegy of Light” (anglisht, 2018); “Avec des abimes au milieu” (frëngjisht, 2020). ROMANE: “Dueli” (1998); “Fabula rasa” (2004); “Mërkuna e zezë” (2005); “Tenxherja” (2009); “Gurit të varrit ia rrëfej” (2015); “Ngjizja e papërlyeme” (2021); “Paqja e përgjakur e Adamit” (2022); “Arratia e fundit e Baltazar Ketës” (2023). TREGIME: “Thembra e Akcilit” (2009); “Kur këndonin gjelat e tretë” (2019). ESE & STUDIME: “Janusi qindfytyrësh” (2002); “Kuja e Mnemozinës” (2012); “Nga hiri i të vdekurve” (2014); “Letërsia dhe procesi letrar në shekullin XX, (vol I, II, tekst universitar, 2008-2009)
HEJZA: Kohë më parë vdiq Ismail Kadare, gjeniu i të gjitha kohërave i letërsisë shqiptare! A la një shkollë të vetën, në kuptimin klasik të shkollave krijuese? Cilët krijues të gjallë shqiptarë mund të llogariten si pasues të tij, ose, kush nga shkrimtarët bashkëkohorë mund të llogariten si krijues që dolën nga shkolla e Kadaresë?
AGRON TUFA: Ismail Kadare u largua si çdo frymor tjetër mbi këtë tokë, duke lënë prapa një vepër letrare të pasur, pjesa më e madhe e të cilës besoj se do të mbijetojë e do të lexohet ndër shekuj. Pjesa e veprës së shkruar, si nevojë utilitare mbijetese ndër kreshpërimet e konjukturës ideologjike të epokës, ashtu si e çdo shkrimtari që pati fatin e trishtueshëm të krijonte brenda kornizës zyrtare të dogmës socrealiste, ka rënë: një pjesë ka rënë që në gjallje të shkrimtarit, ndërsa pjesa tjetër e ka humbur aktualitetin e vet, madje dhe artistik. Por, një opus i madh veprash, madje të shkruara kryesisht në dhjetëvjeçarin e fundit të diktaturës, rreth 6-7 romane, disa novela e tregime dhe një tubë poezish, do të jenë, sipas meje, letërsi e përjetshme shqiptare e lexuesit të çdo kohe.
Për t’iu kthyer pyetjes suaj: A la një shkollë të vetën, në kuptimin klasik të shkollave krijuese?
Këtë nuk mund ta them pa pasur një marrëveshje se ç’është një “shkollë letrare”. Në “kuptimin klasik”, siç i vini theksin ju, them se Ismail Kadare nuk ka lënë ndonjë shkollë të koduar, sipas përkufizimit që i takon një shkolle. Sepse “shkolla letrare” është një rreth i ngushtë shkrimtarësh të lidhur mbi bazën e parimeve të përbashkëta artistike, të formuluara teorikisht – në platforma, manifeste, deklarata shkencore të formalizuara si “statute” dhe “rregulla”. Shpesh, një rreth i tillë shkrimtarësh ka një drejtues, “liderin e shkollës”. Nuk do të përmendim analogji këtu me shkollat e traditave letrare të klasicizmit, romantizmit, realizmit apo një mori “izmash” të Avangardës dhe Modernizmit. Nisur nga këto nocione të shkencës së letërsisë, Ismail Kadare nuk la ndonjë shkollë. Në kushtet e stalinizmit shqiptar zbulimi qoftë dhe i projektit ilegal të një shkolle, të çonte në pushkatim. Ismail Kadare për të mbijetuar dhe kundër dëshirës së vet, ka qenë i detyruar t’i shajë e t’i “demaskojë” të gjitha “shkollat letrare”, sidomos të modernizmit; të shajë metodat krijuese avangardiste e moderniste të Xhojsit, Prustit, Kafkës, sikundërse ka bërë edhe me shkrimtarë shqiptarë të ndaluar gjatë diktaturës (Konica, Fishta, Koliqi etj) dhe kjo i është kërkuar ta bëjë në leksione, në faqet e shtypit, për të lartuar e glorifikuar metodën krijuese të Realizmit Socialist. Nga ana tjetër, Kadare, në të njëjtën kohë, është shkrimtari që, praktikisht, ia ngul kamën sa më thellë Realizmit Socialist me romanet që shkruan, sidomos cikli alegorik i romaneve perandorake gjatë viteve 1980. Kur gjykohet Kadare, duhet pasur parasysh realiteti dhe ajri konkret i kohës dhe konjukturës ideologjiko-politike në të cilën jetonte shkrimtari dhe jo të bëhen llogaritë nga lartësitë e së sotmes. Fakt është se vetëm Kadare arriti t’i shpëtojë Skillës dhe Karibdës së censurës komuniste, të krijonte brenda socrealizmit vepra që praktikisht e hidhnin poshtë dogmën, të ishte i dyfishtë, konformist së jashtmi dhe jokonformist në thellësi të veprës, të ishte “heretik”, siç thotë Arshi Pipa, pa i takuar askujt, përpos thelbit të veprës së vet letrare.
Jo, pra, jo: Ismail Kadare nuk mund të krijonte “shkollë letrare” në kuptimin klasik. Drejtimet, lëvizjet, shkollat, siç shprehet formalisti rus, Viktor Zhirmunski, “nuk janë rafte apo kuti mbi të cilat ne ‘rregullojmë’ poetë”. Procesi letrar është një dukuri komplekse dhe e larmishme, prandaj duhet pasur shumë kujdes kur përdoren kategori të tilla si “rrymë” apo “drejtim”. Përveç tyre, shkencëtarët përdorin edhe terma të tjerë, kur studiojnë procesin letrar, për shembull, stili.
Kadare la një stil krejtësisht të veçantë e të dallueshëm letrar, që është e pamundur ta ngatërrosh me tjetërkënd, edhe sikur fragmentet e veprës së tij, pa emrin e autorit, t’i jepeshin çdo lexuesi të mirëfilltë, – ai do t’ia qëllonte se është tekst i Kadaresë. Stili është koherenca e shkrimit letrar të Kadaresë që përfshin zgjedhjen e fjalëve, strukturën e fjalisë, ritmin, metaforat dhe elemente të tjera gjuhësore dhe strukturore. Por, të flasësh hollësisht për stilin e Kadaresë, duhet tjetër hapësirë.
Pikërisht nga kjo pikëpamje e stilit (jo e shkollës), Kadare ka lënë një lexues jashtëzakonisht të gjerë në botën shqiptare dhe një kurth tejet të rrezikshëm për shkrimtarët epigonë, si në poezi, ashtu dhe në prozë. Ka pasur shumë krijues që, ashtu si bimët kacavjerrëse, nuk kanë pasur një jetë të tyre letrare, autentike, andaj kanë gjëlluar e gjëllojnë nën hije. Të llogaritesh si pasues i Kadaresë, do të thotë të mbetesh një siluetë fantazmë, nën hije, të mos kesh shpikur gjuhën tënde dhe stilin tënd. Sepse Ismail Kadare është i paimitueshëm. Por dhe kjo është një temë gjithaq e gjerë, që nuk e nxë hapësira e një interviste.
HEJZA: Populli shqiptar, si një nga më të vjetrit në botë, sot me vetëm një shkrimtar me përmasa botërore?!
AGRON TUFA: Jo, i dashur Shkëlzen, nuk mund ta pranoj tërësisht këtë pohim. Populli shqiptar, me një gjuhë që e flasin rreth dhjetë milionë bashkatdhetarë nëpër botë, nuk është vënë “para gjyqit të fundit” të historisë, në mbarim të Kohës, ku të dëshmohet vetëm me një shkrimtar. A jemi të sigurt ne, se, bash kur po kuvendojmë mbi këtë temë, nuk është shkruar, nuk është duke u shkruar dhe duke trokitur në dyert e letërsisë së përbotshme një poet apo romancier? Dikush, fjala vjen, nga Shkodra, Korça, Tetova, Ulqini, Prishtina apo dikund gjetkë, në Euroamerikë? Orët e letërsisë së shkruar shqipe, ani pse letërsi e një populli dhe gjuhe të lashtë, kanë filluar relativisht vonë krahasuar me simotrat e tyre europiane.
Por, edhe për kaq sa kemi krijuar, prej një shekulli e pak letërsi, nuk duhet të ndjehemi aspak të kompleksuar. Veçse letërsia është e papërfytyrueshme pa kontekstin e saj sociokulturor, pa habitatin, peizazhin ku gjëllon, pa infrastrukturën dhe aksesorët e saj, siç është jeta letrare me spektrin e gazetave, revistave, festivaleve, mbrëmjeve autoriale, grupimeve letrare, një politike shtetërore mbi kulturën dhe aktivitetit letrar të rretheve kulturore private, etj. etj., – mekanizma që i kanë pasur gjithmonë të gjalla kulturat kombëtare. Me fjalë të tjera, letërsia nuk mund ta realizojë njohjen dhe komunikimin e saj pa një jetë dinamike që përthyhet vazhdimisht nga periodikët letrarë, deri te performancat e leximit. Përjashto vitet 1920-1940, kur nisi të krijohej një përmasë sociologjike e letërsisë dhe komunikimit nëpër revista kulturore e rrethe letrare të shumta, pjesa tjetër, ajo e pas viteve 1945 në Shqipëri, ka qenë literaturocid i vërtetë komunist. Në ish-Jugosllavi (Kosovë, Maqedoni) kjo jetë e dinamikës letrare ka pasur një periudhë të shkurtër rreth viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë, gjithë e survejuar dhe e përndjekur. Shkurt, kemi pasur përgjatë një shekulli një jetë asfiksuese letrare, një mjedis mbytës, prej nga letërsia dhe autorët, për shkaqe sociologjike moskomunikimi, apo për shkaqe ideologjike e nacionale izolimi, kurrë nuk është njohur si duhet. As veprat, as autorët.
Fjala vjen, çfarë njohjeje ka ndër shqiptarë e në botë vepra letrare e Martin Camajt (1925-1992), një prej shtytësve zanafillorë të poezisë moderne në Kosovë? Vepra e tij nuk botohej as në Shqipëri, as në ish-Jugosllavi. Sigurisht, nuk kishte ndonjë mbështetje as jashtë, ndonëse pas përkthimeve të poezisë së tij në gjermanisht dhe anglisht, është propozuar edhe për çmimin Nobel. E mora rastin Camaj, i cili vetëm nga vitet 1996-2000 nisi të botohej e të njihej në botën shqiptare. Poet, novelist, romancier, dramaturg e shkencëtar i shkëlqyer, shkrimtari që gjithmonë e kam adhuruar për cilësinë e letërsisë, gjuhën, stilin, origjinalitetin. Për mua padyshim ai është ndër shkrimtarët më të jashtëzakonshëm të Europës, pavarësisht fatit të tij të mosnjohjes. Po si të njihesh kur nuk ke lexues, kur je përjashtuar nga leximi në gjuhën amtare? Kush luan rol vendimtar në njohjen e një shkrimtari? Përgjigjemi: shteti, shoqëria me mekanizmat e saj të kulturës, që, në konjuktura të caktuara ideologjike ose të varrosin, ose të ngrenë lart. Në rastin konkret, konjuktura shtetërore ideologjike komuniste ngriti lart Kadarenë (për përfitimin e vet), dhe rroposi shumë shkrimtarë si Martin Camaj (nuk po flas për të tjerë). Nga kjo ne vërtet fituam një shkrimtar të madh (Kadarenë), se edhe mund ta kishin burgosur apo pushkatuar. Ka qenë fat dhe unë mendoj se ky fat ka ardhur për shkak të imitimit që i bënte Enver Hoxha Stalinit. Edhe Stalini la të paprekur Boris Pasternakun, e quante mikun e vet, për të kallëzuar me këtë se sa normalisht sillet ai me shkrimtarët, por ama shokët e Pasternakut përfunduan të pushkatuar apo në Siberi. Falë këtij imitimi stalinian të Enver Hoxhës, ka mbijetur dhe shkrimtari Ismail Kadare nga vrulli i qindra letrave anonime dhe histeria e masave gjatë Revolucionit Kulturor kinez, përgjatë viteve shtatëdhjetë.
Nëse nuk do të donte klika komuniste dhe personalisht Enver Hoxha, jo vetëm që vepra e Kadaresë nuk do të lejohej të botohej jashtë, por nuk do të botohej as brenda Shqipërisë.
Gjithsesi, unë nuk mendoj se kemi vetëm një shkrimtar të përmasave botërore, por disa të tillë, poetë apo prozatorë, pavarësisht nëse e gjetën apo nuk e gjetën veten të përkthyer në gjuhë të huaja. Cilësia e letërsisë nuk varet se sa gjerësisht njihesh i përkthyer në botë, përndryshe shkrimtarë pa ndonjë vlerë letrare si Stephen King, Daniele Still apo Nicholas Sparks do të konsideroheshin shumë më të mirë se sa Kafka apo Borhesi. Çështja shtrohet: a do t’i shpëtojë ndonjëherë shkrimtari dhe vepra e tij mjedisit tonë acid, literaturocidit, që e kemi trashëguar si inerci totalitare? Këtë e di regjimi i sotëm i librit, që ka zëvendësuar të dikurshmen Lidhje të Shkrimtarëve, Lidhjet e ndryshme të botuesve shqiptare të lagjeve tona në Ballkan, sepse janë ata që vendosin kush duhet të jetë kush (kush duhet të përkthehet, kush jo; kush duhet të fitojë Çmimin “Europa”, kush duhet të skualifikohet nga konkurrimi; kush duhet të mbështetet mediatikisht, kush duhet të mbetet sus).
HEJZA: Si e vlerësoni ndikimin e letërsisë në shoqërinë shqiptare sot krahasuar me periudha të tjera historike?
AGRON TUFA: Letërsia, si çdo art pak a shumë masiv, ndikon e duhet të ndikojë përmes nivelit dhe kodit të saj artistiko-estetik, që është i vetmi ndikim jetëgjatë. Sigurisht, vepra letrare ka një subjekt, një tematikë dhe një mesazh që i përcjell shoqërisë, por këto janë dytësore. Një shkrimtar përfaqëson më së pari GJUHË, çka do të thotë aftësi sugjestionuese të imazhit dhe figurës në poezi dhe arrati të bukur në rrëfimin magjik në prozë. Këtë e garanton gjuha e veprës, stili saj i veçantë letrar autorial, që përbën atmosferën e një bote të caktuar si fiction artistik. Pavarësisht mosnjohjes së gjerë apo njohjes së keqe, peizazhi letrar sot është shumë herë më i pasur e më dinamik se dikur, edhe pse autori shqiptar më shumë se botohet, sabotohet. Mekanizmat e përpunimit të mendimit mbi letërsinë (periodikët dhe revistat letrare) janë, përkundrazi, të varfër deri të paqenë, ndërsa instrumentet akademikë të universiteteve dhe konferencat ndëruniversitare, janë të paaftë të zhbllokojnë krizën, janë të pakomunikueshëm dhe shpesh e shëmtojnë njohjen e letërsisë. Paragjykimet nga mosnjohja ndikojnë në përkeqësimin e imazhit të letërsisë shqipe; nuk funksionojnë as instancat që ndërlidhin lexuesin me librin si botues-shitës, kështu që dhe letërsia bashkëkohore shqipe mbetet, kryesisht, e panjohur. Sot shpërndarësit dhe tregtuesit e librit nuk ta marrin librin e autorit shqiptar. Ata diktojnë dhe rregullin e lojës. Por, letërsia shqipe bashkëkohore, në fakt, është e larmishme, dinamike dhe tejet e begatë me poetët dhe prozatorët e saj, aspak më të patalentuar se kolegët e tyre në çdo kulturë të botës.
HEJZA: Si e shihni rolin e letërsisë në reflektimin dhe trajtimin e periudhave të vështira historike, si regjimi komunist në Shqipëri etj.?
AGRON TUFA: Pas viteve 1990 janë të shumtë shkrimtarët e spikatur, që në veprat e tyre kanë trajtuar atë çfarë u la pa u përjetuar gjatë diktaturës komuniste. Ne kemi një ndër letërsitë memuaristike më të fuqishme e më traumatike në Europë, siç është letërsia e burgut apo e shkrimtarëve shqiptarë që u mbijetuan burgjeve dhe internimeve. Mjafton të përmendim “Rrno vetëm për me tregue” të Atë Zef Pllumit, “Ridënimi” të F. Lubonjës apo “Rrugët e Ferrit” dhe “Ferri i çarë” të Visar Zhitit. Se sa njihet në shkallë të gjerë, ky është problem tjetër, që nuk ka lidhje me ekzistencën faktike të kësaj letërsie. Ka, sigurisht, një repertor tejet të gjerë të tregimeve, novelave e romaneve me lëndën e ankthit të njeriut në përditshmërinë komuniste, ajo që quhet “letërsi e pasojës”.
HEJZA: Cilat janë disa tema ose çështje që ndjeni se janë të rëndësishme për të diskutuar në letërsi dhe që ndoshta janë nënvlerësuar? Historia e popullit tonë është përplot me ngjarje, trashëgimia jonë shpirtërore e gojore është mitike, legjendare, e jashtëzakonshme. I kemi shteruar duke i përdorur si tema letrare, apo i njohim fare pak, ose hiç?
AGRON TUFA: Nuk mendoj se cilësinë e një letërsie e ngre apo e ul zgjedhja e një tematike të caktuar, e një ngjarjeje apo një periudhe historike. Ato janë veçse konvenca nga merr shkas fluturimi i idesë krijuese artistike. Letërsisë në këtë pikë (të tematikës, aspekteve të historisë, të mitit apo legjendës), i konkurron në nivel informacioni shumë lehtë historia, filozofia politike, folkloristika apo publicistika. Mirëpo letërsia nuk është informacion. Çështja është se çfarë risie artistike sjell një shkrimtar në vepër, kur niset nga premisa historike apo folklorike. Unë nuk besoj se sot kemi tema të tabuizuara, por edhe në pastë, jam ithtar i provokimit, mjafton që vepra ta përligjë këtë artistikisht.
HEJZA: Cili është identiteti i letërsisë sonë sot! A vërehet ndikimi i kulturës shqiptare në veprat letrare bashkëkohore të krijuesve shqiptar dhe sa janë të përkthyeshme ato për audiencën ndërkombëtare?
AGRON TUFA: Letërsia në përgjithësi, tashmë edhe ndër shqiptarë, është një sferë tejet demokratike që gërsheton organikisht e pa sforco, si rrënjët dhe truallin identitar, ashtu dhe përvojën mbikombëtare “Urbi et orbi”, të të qenit “qytetar i botës”. Asnjëra nuk e përjashton tjetrën dhe nuk janë temat ato që ia zbehin natyrën identitare letërsisë shqipe. Në thelb, çdo shkrimtar është i kërrusur mbi përvojat dhe pengjet e veta, mbi fluturimet dhe rëniet e veta, mbi mitin e të qenit i papërsëritshëm në vijën e përjetimeve të para. Prandaj them se kapsula e botës së një shkrimtari është pandryshueshmërisht fëmijëria e tij. Prej fëmijërisë nuk abstragon dot. Nga ky rregull universal nuk bën përjashtim as shkrimtari shqiptar. Letërsia e çdo shkrimtari është shuma e përvojave të fëmijërisë dhe adoleshencës së vet. Aty është shkrirë dhe identiteti i pashmangshëm. Sigurisht që kjo përvojë, ky identitet, është i përkthyeshëm në çdo kulturë, në çdo audiencë tjetër të lexuesit të huaj. Mitet, përfytyrimet, supersticionet dhe historia e popujve të Ballkanit dhe e Europës dhe më gjerë, janë një botë e përbashkët, një metaforë e qytetërimeve mesdhetare. Krejt paradoksi i hidhur është se na mungojnë pikërisht përkthyesit për ta bërë letërsinë tonë identitare të përkthyeshme për audiencën ndërkombëtare.
HEJZA: Sa po ndihmojnë shtetet shqiptare dhe institucionet tona kulturore për të promovuar letërsinë shqiptare jashtë kufijve kombëtarë?
AGRON TUFA: Të paktën Shqipëria i ka humbur të gjitha mundësitë institucionale, ose duke e katandisur agjendën e njohjes së letërsisë shqipe përmes përkthimit në gjuhë të huaja si një byro të rezervuar të Ministrisë së Kulturës vetëm për ca pak qengja të urtë. Jo se u bë nami, gjithsej katër-pesë autorë mesatarë janë, por shtrohet pyetja: si të dilet nga izolimi?
Ne jemi një gjuhë si kurrë më parë e izoluar. Politikat dhe strategjitë kulturore kurrë nuk e kanë përfillur këtë qorrsokak të kulturës sonë letrare. Letërsia shqipe ka mbetur me keq se letërsitë e gjuhëve të vdekura. Nuk jemi më në epokën e idealizmit romantik, kur albanologët e huaj zbulonin të mahnitur ekzistencën e gjuhës shqipe. Kujt i intereson të investojë vite të jetës për të mësuar gjuhën shqipe pa pasur një shkak të fortë? Mos themi pastaj për t’u marrë me përkthimin e letërsisë së saj! Përkthimi është, më së pari, punë që duhet paguar. Kush e garanton këtë duke përkthyer vepra të një autori të ri shqiptar, qoftë ai dhe gjeni? Kush e merr përsipër botimin? Ata pak përkthyes që tepruan nga epoka kur përkthenin korpusin vishnje të veprave të diktatorit, u morën, pas viteve 1990, me përkthimin e veprës së Kadaresë dhe, biologjikisht, u shuan ose u plakën. Të tjerë, tepër të pakët, të rinj, mezi përballojnë agjendat e ofruara me pagesë nga tarafet e botuesve që kanë zëvendësuar LSHA-në e dikurshme apo nga byrotë e rezervuara të tarafeve burokratike të Ministrisë së Kulturës, e cila, edhe ajo, kontrollon zonën dhe vendos se kush duhet përkthyer e, sidomos, kush duhet pasur kujdes të mos përkthehet. Një situatë e mjerë, një aventurë çiçikoviane, e turpshme. Kështu përftohet një realitet letrar i deformuar brenda dhe një realitet monstruoz jashtë. Çfarë i mbetet të bëjë shkrimtarit shqiptar në këso loje? Ose të shkruajë në një gjuhë tjetër, për të pasur konkurrencë tjetër – dhe në këtë rast skualifikohet si autor shqiptar – ose t’u kthejë shpinën të gjithëve dhe të vazhdojë të shkruajë veprën e vet në gjuhën amtare. Unë u përkas këtyre të fundit.
Këtë perspektivë qorrsokaku, këtë gjendje të paderman të shkrimtarit shqiptar që vazhdon si të shkruante në një gjuhë të vdekur, mund ta kishin rregulluar politikat kulturore kombëtare të shteteve shqiptare, duke e zhbllokuar perspektivën e librit dhe autorëve shqiptarë me platforma konkrete, largpamëse.
HEJZA: Sa njihen në mes vete shkrimtarët shqiptarë? Po lexuesi shqiptar i njeh krijuesit e vet? A e njeh lexuesi shqiptar letërsinë e vet siç i njeh krijuesit dhe letërsinë botërore?
AGRON TUFA: Është bërë çmos për të penguar njohjen e ndërsjellët të veprave dhe autorëve të letërsisë shqipe midis trevave shqiptare në Ballkan. Vetëm po të jesh një studiues apo një lexues i përkushtuar mund të njohësh autorët shqiptarë. Nëse ndodh të takohen mes veti shkrimtarët shqiptarë të trevave të ndryshme, ata në vend të kartëvizitave shkëmbejnë me njëri-tjetrin librat e tyre. Ja, për shembull; para do kohësh mora në shtëpinë e shkrimtarit Arbër Ahmetaj romanin e një autori nga Kosova, Ardian Haxhaj, me titull “Kujtimet e një çifuti”. Emri i autorit nuk më thoshte gjë, andaj e shtyva leximin dhe më në fund, kur e lexova, tok me mrekullimin nga niveli i lartë artistik dhe bota autentike e romanit, ndjeva keqardhje, keqardhje të thellë për mosnjohjen tonë. Romani i Haxhajt “i sjell lexuesit Kosovën e tmerruar të Luftës së Dytë Botërore. Me sytë e një të huaji, po aq të tmerruar prej ligështive, vihen në dukje ankthet e dy kombeve e dy prej popujve të vjetër të globit, çifutëve e shqiptarëve, të vënë para sfidës së zhdukjes përfundimtare: shqiptarët prej serbëve, hebrenjtë prej nazistëve!”. Është historia e një çifti të ri hebre që kërkohet dhe që merret në besë e fshihet nga familjet shqiptare nga lagjet e qytetit, deri në bjeshkët e Rugovës.
Lexuesi i Shqipërisë, me përjashtime të pakta, madje dhe lexuesi i specializuar, nuk i njeh veprat e Anton Pashkut, Murat Isakut, Beqir Musliut,Ymer Shkrelit, Teki Dërvishit, Musa Ramadanit, Eqrem Bashës etj., etj., – të mos flasim për brezat më të rinj. Libraritë tona jonë të mbushura me letërsinë e huaj të të gjitha shekujve, por jo me shkrimtarët shqiptarë.
HEJZA: Kritika letrare dhe, përgjithësisht ajo artistike, e ngrit një popull, e thekson kulturën e tij, e madhëron të bukurën, artistiken në krijimtarinë e përgjithshme. Kritikat e mirëfillta e joshin, e motivojnë, e nxisin krijuesin e popullit. Ku është krijimtaria jonë artistike dhe ku e kemi kritikën e përgjithshme?
AGRON TUFA: Kritika nuk i është përgjigjur dot kurrë realitetit të letërsisë shqipe që botohet sot. Së pari, sepse letërsia shqipe nuk funksionon si një njësi organike dhe në peizazhin e saj të thërrmuar e të shkëputur është shumë e vështirë të vërehet e të shpërfaqet si fakt dhe vlerë letrare, me përjashtime të rralla, kur autorët janë personazhe të spikatur të medias dhe politikës. Atyre u kushtohet një reklamë tejet e tepruar, një kritikë recensionale himnizuese, pavarësisht vlerës së tyre letrare krejt të dyshimtë. Së dyti, mungesa e një rrjeti dinamik të shtypit dhe të periodikëve letrarë të printuar dhe online, nuk e bën të mundur ekzistencën e kësaj kritike dhe ndërveprimin e saj me lexuesin. Së treti, lloji i kritikës studimore i bindet agjendës akademike për autorë të njohur, sipas mbrojtjes së tezave shkencore apo konferencave ndëruniversitare, krejt të papërshtatshme për t’i shërbyer një leximi “ekspres”, për vetë natyrën e tyre tepër të specializuar dhe të vëllimshme. Prodhimi letrar në këto kushte mbetet jetim, në mungesë të kritikës së thukët që e orienton lexuesin për vlerën e librit. Së këndejmi, mungojnë dhe “autoritetet” e besueshme, që garantojnë cilësinë artistike të një libri. Kjo gjendje vazhdon të përkeqësohet vazhdimisht. Të merr malli të lexosh një vështrim kritik për të qenë. Mbizotërojnë shkrimet e miqve, qoka përlëvduese, ndërsa kritika letrare negative, aq e rëndësishme, mungon.
HEJZA: A mendoni se ka një ndarje në mes letërsisë shqipe të shkruar brenda Shqipërisë dhe jashtë saj? Nëse po, cilat janë disa prej dallimeve kryesore?
AGRON TUFA: Nuk e kam ndeshur këtë dukuri. Për një shkrimtar, në përgjithësi, nuk luan rol vendi se ku shkruan. Edhe kur është jashtë atdheut, shkrimtari është si ajo varka e Noes, që i ka marrë të gjitha me vete nga vendlindja. Kështu ishte Martin Camaj, për shembull, që ndonëse jetoi nëpër metropolet e Europës, gjithë lënda, imazhet, tematika, mitet etj., janë të lidhura si rrënjët në dheun dhe gurët e truallit shqiptar. Këtë e provoj dhe vetë në përvojën time. Nëse, megjithatë, ka diçka që dallon, mund të jenë mbase subjektet e ndonjë tematike, por asgjë tjetër thelbësore.
HEJZA: Sa shkrimtarët shqiptar të sotshëm po i japin rëndësi identitetit kombëtar në veprat e veta dhe, si mund të balancohet ky fenomen me tendencat globale në letërsi?
AGRON TUFA: Thashë më sipër: identiteti kombëtar i një shkrimtari të vërtetë është fëmijëria. Aty i gjen të ngjizur të gjithë elementët e ndjeshmërisë dhe poetikës së tij, pengjet dhe utopitë. Janë mijëra fije që e mbajnë të lidhur me këtë identitet. Siç dihet, të shpikësh një fëmijëri tjetër, është e pamundur. Shkrimtari shqiptar (sidomos ai), s’ka pse të bëjë përjashtim nga kjo e vërtetë.
HEJZA: Agron Tufa, nga një shkrimtar e studiues shumë i respektueshëm në Shqipëri, sot i braktisur jashtë shtetit të vet! Si u bë Tufa “ i rrezikshëm” për shqiptarët, pse Tufa “të zgjedhë” të plaket si krijues në shtet të huaj?
AGRON TUFA: Agron Tufa ka, për fat, një lexues jo të pakët (por as masiv) tepër të përkushtuar e besnik. Unë nuk lakmoj më shumë se kaq. Nuk kanë ndryshuar kurrë marrëdhëniet e ndërsjellët përnderuese mes meje dhe lexuesve të mi dhe këtë e provoj dhe e riprovoj çdo vit kur botoj një libër të ri. Tufa nuk është bërë i “rrezikshëm” për shqiptarët dhe zgjedhja ime për “t’u plakur” larg atdheut, ka qenë përkohësisht e detyruar, për mbrojtjen e familjes së rrezikuar nga po ata që e shfytyruan atdheun tonë përgjatë gjysmë shekulli. Kjo inerci totalitare e trashëguar e diktaturës, e veshur me pushtetet më të larta shtetërore është drejt shuarjes, është e dënuar të shkojë si “shurra e pulës” në mbretërinë e harrimit. Agron Tufa vazhdon të shkruajë romanet dhe poezitë e veta, të përkthejë shkrimtarët e mëdhenj dhe do të kthehet qetësisht në atdheun e vet, herëdokur, kur pushteti i pasardhësve të Milladinit, Dushanit dhe Enver Hoxhës të jetë bërë pluhur varreze.
HEJZA: Keni qenë drejtues i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri. Keni shfletuar mijëra dosje me ndodhi e ngjarje nga më të pabesueshmet antihumane! Koha po ik, dikush po punon që ato dosje kurrë të mos zbardhen në opinion, ndërsa krijuesit shqiptar assesi të binden se nëpër ato dosje ka rrëfime e tema që do ta tronditnin lexuesin botëror! Bëhet fjalë për ndonjë frikë të pashpjegueshme apo për sjellje nonshalante të krijuesve shqiptar në raport me këto ngjarje që ia kanë dalë “ta degjenerojnë edhe racën shqiptare”?
AGRON TUFA: Arkiva e diktaturës komuniste, merret me mend se është pusi i thellë i Hadesit shqiptar. Mjerisht arkivat sot janë në duart e ish-oficerëve të Sigurimit të shtetit, tërësisht në shërbim të politikës në pushtet. Si në çdo sferë të përditshmërisë komuniste shqiptare, edhe kultura, sidomos shkrimtarët, ishin të survejuar, të kërcënuar e të terrorizuar, shpesh vegla të Sigurimit që dilnin si hartues akt-ekspertizash apo dëshmitarë, shpesh të rremë, kundër sivëllait të tyre. Kishte prej sosh, si spiuni dhe agjenti rezident “Dragoi”, alias Nasho Jorgaqi (siç kam dëshmuar me pjesë të dosjes së tij), që e bënin këtë punë nga bindja, zelli dhe ligësia, që përbetoheshin me shkrim dhe kishin krijuar me dekada marrëdhënie aq familjare me Sigurimin, sa shokët e Sigurimit i sponsorizonin dhe dasmën. Me këtë dua të them, se aparati shtypës e terrorizues i diktaturës, fatkeqësisht, zhburrëroi shumëkënd, shpërfytyroi çdo etikë tradicionale etnopsikike të shqiptarit dhe, natyrisht, pati nga ata që iu kundërvunë burrërisht dhe shkuan në plumb a në litar, pa e bjerrë aspak dinjitetin. Mirëpo, hero nuk mund të jetë çdokush dhe është pafytyrësi t’i thuash nga pozitat e sotme: pse nuk u bëre hero? Që është e njëjta gjë si t’i thuash: pse nuk vdiqe? Është një histori dobësie, sikleti e turpi dhe për ata të thyer duhet pasur një grimë mirëkuptimi. Por, këto histori nuk u bënë kurrë transparente në publik, kur duhej.
HEJZA: Si i krahasoni përpjekjet e Shqipërisë për të adresuar krimet e komunizmit me ato të vendeve të tjera post-komuniste?
AGRON TUFA: Lustracioni i ish-vendeve të kampit komunist të Europës Qendrore e Lindore, me përjashtim të Rusisë dhe Serbisë, e ka trajtuar ligjërisht të shkuarën e tyre diktatoriale dhe ka vënë rregulla edhe mbi trashëgiminë propagandistike të komunizmit. Në Shqipëri ka pasur vetëm aspekte të këtij trajtimi, aspekte ligjore gjysmake, të cilat janë ndërprerë nga çdo rotacion politik. Dështimi i ligjit të Lustracionit që paraqiti qeveria demokratike në vitin 2008, i dha fund përpjekjes për t’u çliruar nga e shkuara kriminale. Vetëpërtëritja e totalitarizmit shënoi triumfin e vet me hedhjen poshtë të Lustracionit nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ish-prokurori që dënoi me varje poetin Havzi Nela më 10 gusht 1988.
Ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria ka vendosur të hyjë në dyert e BE jo me viktimat dhe martirët e regjimit komunist, por me vrasësit dhe xhelatët e tyre.
HEJZA: Cilat janë sfidat kryesore që keni hasur gjatë dokumentimit dhe identifikimit të viktimave të regjimit komunist?
AGRON TUFA: Janë të shumta e të shumëllojta, kryesisht të karakterit negativ: mosdashja e moslejimi i dhënies së informacionit, filmave dhe fotokopjeve në arkiva për qëllime studimi, edhe pse ishim të pajisur me ligj të parlamentit; mospërfshirja e Institutit tonë në ndarjen e përvitshme buxhetore, që në krye të vitit të parë nga themelimi, ndonëse ishim me statute njësoj me institutet e tjera të pavarura me buxhet të parlamentit; buxheti qesharak për projektet tonë, çka na bëri të gjejmë rrugë alternative me shoqatat e huaja; sfidat për identifikimin e viktimave të terrorit të parë komunist (1944-1948), qindra qytetarë të pushkatuar pa gjyq, sipas “listave të zeza”. Për ta nuk kishte asnjë informacion në databazë, as nëpër arkiva, kështu që duhej një qasje fshat më fshat, një projekt gjurmimi që kushtonte dhe askush nuk ta jepte; gjetja e moshave të treta, ish-të mbijetuar nga kampet mortore të Tepelenës apo të Maliqit dhe filmimi e regjistrimi i narrativës së tyre; përpjekjet për filma dokumentarë dhe muze virtualë mbi burgjet, kamp-burgjet dhe kampet komuniste të internimit, etj., etj.
HEJZA: Si ka ndikuar kjo në krijimtarinë tuaj?
AGRON TUFA: Ne kemi regjistruar me qindra orë nga persona të mbijetuar anembanë Shqipërisë, që përbën sot dhe një arkiv të pasur në Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK). Këto regjistrime janë zbardhur pjesë-pjesë dhe janë botuar si tekste në një kolanë vëllimesh me titull “Zërat e kujtesës”. Për çdo tragjedi familjare, për çdo peng tragjik të jetëve të këputura apo të dënuara ta përjetojnë të gjallë, unë kam shkruar një libër me tregime të shkurtra (rreth 100), ku personazhe janë “zërat”, një gumëzhimë e përmatanshme në dyert e vdekjes. Çdo zë rrëfen në vetë të parë një peng që nuk ia mban varri. Ky është ndikimi i drejtpërdrejtë. Por, në krijimtari lënda e dhunës diktatoriale ka qenë vazhdimisht e pranishme, që në romanin e parë “Dueli” (1998), “Fabula rasa” (2004), “Tenxherja” (2008), shumë më herët se të drejtoja Institutin mbi krimet e komunizmit. Megjithatë, në kuptimin e aksesorëve letrarë, atmosferës dhe kleçkave juridike, kjo përvojë është përthyer mandej në romanet “Gurit të varrit ia rrëfej” (2015), romanit tetralogjik “Ngjizja e papërlyeme” (2021) etj.
HEJZA: Cili është mesazhi që dëshironi të përcillni përmes krijimtarisë tuaj dhe si e arrini atë në veprat tuaja?
AGRON TUFA: Jam shkrimtar dhe dëshiroj që lexuesi të vazhdojë të më lexojë si shkrimtar: të çmojë tekstin, gjuhën dhe fuqinë e shprehjes, që përbën stilin tim të të shkruarit. Unë ndërtoj atë botë artistike që jam në gjendje ta ndjej, të vë në veprim sipas ligjësive letrare. Nëse prej kësaj del ndonjë mesazh apo një mori mesazhesh, dua që më parë të çmojë artin e fjalës, mandej mesazhin. Personalisht jam i një mendjeje me shkrimtarin Balil Gjini, që thotë se një vepër e mirë letrare përcjell jo mesazhe, por masazhe. Më duket tepër e qëlluar kjo dhe, nëse plotësoj diçka, them se libri i mirë ia përcjell lexuesit mesazhet përmes masazheve. Konkretisht mesazhi im për lexuesit: lexomëni dhe jini të pamëshirshëm me mua!