Partitë tona akoma nuk e kanë të qartë se detyrimi kryesor i partive politike është të sigurojnë një kornizë të qëndrueshme politike dhe financiare për zhvillimin e kulturës kombëtare dhe, mbi këtë parim të patejkalueshëm të ngrenë strategji participuese në qeveri të ndryshme
Nga Avni HALIMI
Plotë 100 ditë të Qeverisë Mickovski, në të cilën, nga participienti shqiptar VLEN po pritet që, në rrafshin kombëtar, të jetë për një nuancë më i mirë se sa qeveritë e kaluara ku participientë ishin herë BDI e herë PDSH! Përpjekjet shqiptare përmes politikave kadrovike të aplikuara deri më tani në këto 100 ditë lënë shumë për të dëshiruar! Thanë se VLEN do t’i ketë rreth 400 drejtori (!) (pjesën dërmuese drejtori të kota), dhe për këtë test-periudhë të qeverisë ia ka dalë që të emërtojë pothuajse në të gjitha drejtoritë, me përjashtim të drejtorive dhe institucioneve kulturore! Kanë apo nuk kanë kuadër për të drejtuar institucione kulturore? Apo, mbase janë të kënaqur me kuadrin drejtues aktual dhe, për këtë nuk është turp që të dilet dhe të thuhet “vazhdojmë me kuadrot e caktuar nga BDI se më të mirë nuk kemi”! Është e vërteta, kuadrot kulturor janë të popullit, nuk mund të përvetësohen nga asnjë parti politike! Megjithatë, çdo parti politike duhet t’i ketë të qarta dhe të ravijëzuara detyrimet ndaj politikave kombëtare për kulturë.
U mor vesh, roli i partive politike është jetik për zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Kultura, si një përbërës thelbësor i këtij identiteti, kërkon mbështetje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme nga të gjitha institucionet, përfshirë edhe partitë politike. Për këtë arsye, është e domosdoshme që partitë të marrin përgjegjësinë e tyre ndaj politikave kombëtare për kulturë, duke i përfshirë ato në programet dhe veprimet e tyre politike. Fatkeqësisht, nëse i shfletojmë “programet voluminoze” të partive tona, aty nuk do të hasësh asnjë faqe të mirëfilltë mbi kulturën kombëtare, si pikëpamjet dhe synimet partiake për kulturën kombëtare!
Partitë tona akoma nuk e kanë të qartë se detyrimi kryesor i partive politike është të sigurojnë një kornizë të qëndrueshme politike dhe financiare për zhvillimin e kulturës kombëtare dhe, mbi këtë parim të patejkalueshëm të ngrenë strategji participuese në qeveri të ndryshme. Kjo përfshin mbështetjen e institucioneve kulturore, si teatrot, muzetë, bibliotekat, dhe akademitë e artit, të cilat janë mbajtësit e trashëgimisë dhe krijimtarisë kombëtare. Partitë duhet të promovojnë politika që garantojnë financimin e këtyre institucioneve, duke i mbrojtur nga ndikimet politike afatshkurtra dhe duke siguruar një zhvillim të vazhdueshëm.
Gjithashtu, partitë politike kanë detyrimin të promovojnë dhe të mbrojnë gjuhën dhe traditat kombëtare. Në një botë gjithnjë e më të globalizuar, identiteti kombëtar shpesh sfidohet nga ndikime të huaja. Prandaj, partitë duhet të angazhohen në ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës dhe traditave, duke i përfshirë ato në sistemin arsimor dhe në aktivitetet publike.
Një tjetër detyrim i partive është mbështetja e krijimtarisë artistike dhe inovacionit kulturor. Artistët dhe krijuesit janë zëri i shoqërisë, dhe partitë duhet të krijojnë politika që nxisin dhe mbështesin artin dhe kulturën si një pjesë të rëndësishme të zhvillimit kombëtar. Kjo përfshin jo vetëm mbështetjen financiare, por edhe krijimin e një mjedisi ku liria e shprehjes artistike respektohet dhe inkurajohet.
Ndërkohë, partitë politike duhet të jenë gjithashtu të vetëdijshme për rolin e kulturës në ndërtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në promovimin e imazhit të kombit e të vendit jashtë kufijve të tij. Kultura është një urë lidhëse mes popujve, dhe promovimi i kulturës kombëtare në arenën ndërkombëtare është një detyrim tjetër i rëndësishëm. Kjo përfshin mbështetjen e diplomacisë kulturore dhe përfshirjen në projekte kulturore ndërkombëtare që fuqizojnë pozitën dhe imazhin e kombit dhe të shteteve shqiptare.
Përfundimisht, partitë politike duhet të pranojnë se mbështetja e kulturës nuk është një opsion, por një detyrim kombëtar. Pa kulturë, nuk ka identitet kombëtar, dhe pa identitet, një komb është i destinuar të humbasë drejtimin dhe qëllimin e tij. Prandaj, të gjitha partitë, pavarësisht nga përcaktimet ideologjike-programore të tyre, duhet të punojnë për të siguruar që kultura të ketë një vend të qëndrueshëm dhe të garantuar në politikat kombëtare. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një të ardhme ku trashëgimia jonë kulturore jo vetëm që mbijeton, por lulëzon dhe i shërben brezave të ardhshëm si një burim krenarie dhe identiteti. Me këtë rast do të vije edhe deri te shmangja e përplasjeve dhe e talljeve me kuadrin kulturor që mund të jetë në krye të një institucioni kulturor, siç ishte rasti me drejtorin e Ansamblit, Shkodran Tolaj, apo siç është rasti që dikush parapëlqen t’i qëndrojë si Shpatë e Demokleut mbi qafën e drejtorit mjaft të suksesshëm të Teatrit Shqiptar, artistit të popullit Adem Karaga!
Zvarritja aktuale e emërtimit të drejtorëve shqiptar nëpër institucione kulturore ka vetëm tri shpjegime: partia nuk ka strategji për kulturë kombëtare, partia nuk ka brenda vetes kuadër kulturor, partia nuk ka guxim të pranojë se kuadri aktual në krye të institucioneve kulturore është i pazëvendësueshëm. Përtej këtyre tri shpjegimeve pastaj kemi të bëjmë me subjektin politik pa identitet kulturo!
Kulturimi i “popullit politik”
Artistët, përmes artit të vet, gjithnjë e kanë synuar më të mirën e botës! Deri te kjo e mirë artistët kanë hapëruar në dy kahe: njëri kah i artistëve është angazhuar për të qenë sa më të denjë në përfaqësimin e botës (reprezentativ), ndërsa kahu tjetër ka qenë i artistëve ithtarë të transformimit të botës kah më e mira, më e bukura, më dinjitozja! Artistët që e kanë mëtuar dhe që në njëfarë forme e kanë arritur këtë synim, janë quajtur avangardë. Artistët reprezentativë janë llogaritur ajo avangardë artistësh që në art kanë sjellë stile dhe teknikë (kubizmi, ekspresionizmi, ekspresionizmi abstrakt)! Në periudhën e post-avangardizmit (në shoqëritë që gjakonin një jetë liberale) si dhe në avangardën post-socialiste, do të kemi edhe stile dhe teknika të tjera të cilat hollësisht i trajtohen historia e artit. Kjo avangardë e artistëve reprezentativ mendojnë se përfaqësojnë “artin e pastër” – prandaj njihen si tipa idealistë! Këta mendojnë se duke i afruar shoqërisë kryevepra, duke u mësuar shoqëria në shijimin e së bukurës së tyre – kësisoj do të arrihet transformim i botës!
Në anën tjetër kemi avangardën e cila mëton që përmes artit të vet të dikojë në jetë dhe, me këtë, ta ndryshojë botën. Për shkak të koncepteve të tyre mbi reformimin e botës, ata herë do të quhen si “ekstremistë” e herë si “radikalistë”, herë si “revolucionaristë”, herë si “politiko-poetikë, e herë si “politiko-estetikë”. Këto emërtime me përmbajtje politike, ndikuan në tipizimin e tyre si lëvizje avangarde “estetike” dhe do të shfaqen pothuajse në çdo shoqëri! A i kemi ndër ne (ndër artistët shqiptarët) këta lloje avangardistë? Të kuptohemi “avan-gard”-istët gjithnjë duhet të jenë para kohës dhe duhet të dinë saktësish se kah po shkon shoqëria e tyre! Rilindësit tanë e dinin, pa dyshim! Por, nëse i kemi sot këta avangardë, a mund të na thonë se në ç’drejtim (jo-politik) po hapëron shoqëria shqiptare? Janë disa konstatime që mundohen të vërtetojnë se populli shqiptar është populli më politik në rajon! Edhe fëmijët në djep merren me politikë!
Para 160 viteve, poeti, dramaturgu dhe historiani gjerman, Fridrih Shiler, ngriti teorinë se zgjidhjet politike pa një qasje estetike gjithnjë janë gjysmake dhe, thjesht, të paqëndrueshme. Ai thoshte: “Nëse njeriu dëshiron që përfundimisht t’i zgjidhë problemet politike, ai këtë do të mund ta arrijë vetëm përmes problemit estetik, sepse, njeriu vetëm përmes të Bukurës mund të vije deri te Liria”! Porosi gati të ngjashme si kjo përcjell edhe proverbi popullor irlandez i cili thotë se “Një popull që e ka të kultivuar lirikën ai e do Lirinë”! ‘Ky lloj i avangardistëve reformimin e botës e shikon vetëm përmes “revolucionit estetik”!
Ky është shpjegimi mbi atë se si Shtetësia e Kosovës po del të jetë kaq shumë “rrëfim i suksesshëm”! Sepse, të paktën nja tri dekada para luftës çlirimtare, “revolucioni estetik” është ndjerë pothuajse në çdo vit! Plot një dekade para luftës Lëvizjen Popullore brenda Kosovës e drejtuan “ekstremistët”, “radikalistët”, “gandistët”, “poetët politik”, “estetët politik”, “krijuesit nacionalistë”, pra, një avangardë që po drejtonte në “paqe të okupuar” një “revolucion estetik” deri në dalje në sipërfaqe të “planit B” – të çlirimtarëve të ushqyer edhe me frutat e këtij “revolucioni”!
Dhe, ky duhet të jetë shpjegimi edhe i “rrëfimit dëshpërues” të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut! Në njërën anë, angazhimi politiko-luftarak i subjekteve shqiptare dhe, në anën tjetër, këmbëngulja për prezencë reprezentative të elementit misionarist të “ekstremistëve fetarë”, e refuzuan nevojën e “revolucionit estetik” duke e llogaritur si “luks përtej kohës”, apo edhe si “mëkat i madh”! Prandaj te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “plani B” nuk ishte as “revolucion”, as “luftë” por thjesht, protestë “e armatosur” për të “drejta reprezentative” (të drejtat e shqiptarëve) dhe për përfaqësim adekuat të shqiptarëve në administratën shtetërore dhe publike! I vetmi “transformim estetik” i cili mund t’i karakterizojë sot shqiptarët e Maqedonisë, është mjerisht “pedantëria” prej të qenët “protestues partiakë” si dhe “bukuria e mjekërzimit” të misionarëve që shkon përtej identitetit kombëtar! Shkrimtari dhe historiani hungarez, Miklosh Sabolçi, ndante mendimin se “revolucioni pa avangardë (në art) në fakt është pseudorevolucion”!
Me nocionin “Revolucion Kulturor” në rastin konkret, nuk mendohet në formën e Revolucionit Kinez, apo të Revolucionit Francez, nuk mendohet as në çlirim e në pavarësim, por thjesht mendohet në përkushtimin kombëtar të subjekteve politike që “popullin politik” ta kulturojnë!
Manipuluesit kulturorë
Manipuluesit kulturorë janë kasta më degjeneruese e një shoqërie. Kjo kastë nuk e ka synim ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kulturor; kësaj kaste degjeneruese nuk i intereson fakti se një komb pa identitet kulturor, është si një trup pa shpirt. Fatkeqësisht, manipuluesit kulturorë janë ose të përfshirë nëpër parti që synojnë pushtetin ose janë militantë të verbër, të cilët kulturën e shohin si mundësi ideale për të fituar ndonjë lekë. Këtyre manipuluesve as që u intereson të dinë për programin kulturor, për strategjinë kombëtare kulturore, për institucionet nacionale kulturore e as për projekte profesionale kulturore. Më fatalja është kur deri në njëfarë mase ia arrijnë që të ndikojnë në perceptimin e shoqërisë mbi atë se çka është kulturë, kush di të bëjë kulturë, si bëhet kultura.
Për shembull, këta manipulues as që pretendojnë që një mësues shumë të ditur ta hipin në qyrsi dhe prej tij të kërkojnë që të mbajë vaze, të mbajë ligjërata fetare, sepse kjo nuk i shkon mësuesit, ofendohet shoqëria, kurse një gjysmë teologu shtyhet, promovohet, madje përkrahet fuqishëm si kulturolog i denjë për të drejtuar dikaster apo institucion kulture. Në këtë situatë kemi të bëjmë me manipulimin kulturor institucional, sepse në pushtet instalohet njeriu pa kurrfarë afiniteti për promovimin dhe zhvillimin e vlerave të mirëfillta që do të ishin bazament i identitetit kulturor.
Në shoqëritë e përziera madje kjo dukuri neglizhohet tërësisht dhe, në emër të lirisë kolektive, në emër të harmonisë dhe mirëqenies, në emër të respektimit të vendimeve të partnerit qeveritar, lejohet si dhe përkrahet pa rezervë në ngecje dhe në degjenerim të shoqërisë që jepet me afsh në promovimin e antivlerave. Bie fjala, pa kurrfarë problemi qeveria do ta përkrahë për drejtor biblioteke njeriun i cili vjen nga pozita e sekretarit teknik të partisë, apo këshilltar kulturor emërtohet shqiptari që ka përkrahje nga artistët dhe kulturologët maqedonas, apo drejtor teatri emërtohet personi që kurrë në jetë nuk ka dëgjuar për katarsisin, drejtor ansambli emërtohet valltari që është në preferenca të liderit politik…
Një nga karakteristikat më të dukshme të manipuluesve kulturorë është guximi prej avdalli dhe pafytyrësia e tyre për të krijuar narracione të frikshme mbi domosdoshmërinë e mbështetjes që duhet t’u vije nga shoqëria dhe sidomos nga komuniteti i artistëve, sepse, sipas tyre, këta dhe vetëm këta janë shpëtimi i kulturës kombëtare. Përmes filmave, muzikës, librave, teatrit dhe mediave sociale, manipuluesit kulturorë krijojnë një realitet të shtrembëruar, ku e vërteta përzihet me propagandën, dhe ku kufijtë midis faktit dhe trillimit bëhen të paqarta. Kësisoj bëhet trend shkelja, nëpërkëmbja dhe mohimi i vlerave, kurse manipulimi kulturor si afinitet dhe vlerë partiake, e cila të paktën ka bërë diçka për “avancim kulturor” në kohën kur tërë luftërat bashkëkohore po bëhen përmes zhvillimit dhe shtrirjes sa më të gjerë të ndikimit kulturor.
Pa dyshim, në një shoqëri demokratike, ku diversiteti i mendimeve dhe shprehjes është thelbësor, manipuluesit kulturorë nuk paraqesin asgjë tjetër përveçse kërcënim serioz për lirinë dhe pluralizmin, sepse një ditë, kur do të trokasë ora e ndërgjegjësimit kulturor, vetvetiu do të shtohen forcat për ngritje kulturore profesionale dhe institucionale, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, do të egërsohen forcat e degjeneruesve apo manipuluesve kulturore, të cilëve do t’u pëlqente status quo-ja në skenën e manipulimit kulturor. Tërë kjo do të ndikonte vrullshëm në krijimin e polarizimit shoqëror, ku grupet e ndryshme kulturore, politike ose fetare do të përplasen dhe ndahen midis tyre. Kjo çon në krijimin e “flluskave kulturore”, ku manipuluesit janë të ekspozuar vetëm ndaj ideve që përputhen me bindjet e tyre, duke u bërë më të prirë për t’i manipuluar ata konsumatorë të antivlerave të cilat tashmë u “bëhen kulturë”!
Së fundmi, manipuluesit kulturorë janë një nga sfidat më të mëdha edhe të shoqërisë moderne, të cilat i paralizojnë më lehtë falë përpjekjeve kolektive për ta zhvilluar dhe imponuar mendimin kritik, përmes të cilit ia dalin të kuptojnë dhe t’u rezistojnë angazhimit këmbëngulës të manipuluesve, por dhe forcave që synojnë t’i manipulojnë dhe t’i kontrollojnë.