(Mustafë Xhemaili, POEZI, botoi Shtëpia botuese DRINI, Ferizaj, 2024)
Zyrafete SHALA
Në brezin e krijuesve, emrat e të cilëve filluan të bëhen të njohur gjatë fund-viteve ’70 dhe fillim-viteve ‘80 të shekullit të kaluar, për herë të parë ishin edhe disa poetë ferizajas. Krijimet e tyre fillimisht u shfaqën në shtypin e kohës, për t’u botuar më pas edhe si vëllime poetike të veçanta të kolanës Plejada të Ndërmarrjes Botuese Rilindja në Prishtinë. Më i hershmi nga këta poetë, pa dyshim, është Mustafë Xhemaili, i cili tani, në 70 vjetorin e lindjes, vjen para lexuesve me veprën POEZI që në fakt është përmbledhje e të gjitha vëllimeve poetike të tij të botuara ndër vite. Si e tillë, kjo përmbledhje na ofron një udhëtim të plotë nëpër opusin letrar të Xhemailit dhe është një mundësie mirë për të rishikuar momentet që kanë përcaktuar trashëgiminë e tij poetike, gjithashtu, edhe për të ndjekur procesin e evoluimit dhe të pjekurisë së tij si krijues. Ky koleksion voluminoz e gjithëpërfshirës, që vjen si dëshmi e karrierës së pasur letrare dhe qëndrueshmërisë së zërit të tij në kuadër të letërsisë bashkëkohore shqipe, përfshin pesë vëllime poetike, të botuara brenda një harku kohor prej tri dekadash: Netëve të verës (Rilindja, Prishtinë,1982), Fusha e plagosur (Naim Frashëri, Tiranë, 1993), Sëmundjet e botës (Dukagjini, Pejë, 2001), Dorëshkrimi nga dheu (Rozafa, Prishtinë, 2003) dhe Për me dekë bukur (Rozafa, Prishtinë, 2008).Vetë distanca kohore mes botimeve (me theks të veçantë te dy librat e parë) dhe ndryshimet që pësojnë titujt e veprave, për nga ngarkesa emotive e kuptimore, sikur i ofrojnë lexuesit një njoftim paraprak të rrugëtimit të autorit nëpër shtigjet e poezisë. Të rikthyera kështu te lexuesi, të shkrira në një botim, duke ruajtur imazhin me të cilin u shfaqën dekada më parë, por duke sjellë edhe gjurmë të censurës së pushtetit armik, poezitë e Mustafë Xhemailit e nisin jetën e dytë në kohë e rrethana të reja, kur më shumë se kurrë na është e domosdoshme kujtesa / dëshmia që ato e ndryjnë në fjalë e varg. Meqë poezia është vokacioni kryesor, por jo edhe i vetmi i Mustafë Xhemailit, ky projekt mbase nuk do të përfundojë këtu, por do të zgjerohet doemos edhe në botime të tjera, për të përfshirë shkrime kritike e publicistike, që zënë vend të rëndësishëm në veprimtarinë e tij krijuese.
Ndërthurja simbiotike e jetës dhe krijimtarisë
Kur flitet për krijimtarinë letrare të Mustafë Xhemailit, doemos duhet ndalur edhe në veçantitë e trajektores jetësore të tij, sepse ekziston një lidhje simbiotike mes këtyre dy komponentëve, e cila, sikur e pamundëson qasjen ndaj njërës me tendencë të anashkalimit të tjetrës; ngase në raste të tilla gjithmonë do të kemi një diskurs gjysmak, të mangët dhe shumë larg thelbësores. Mustafa i takon atij brezi që mbase u rritën me shumë mungesa e vështirësi materiale, por që ishin shumë të pasur shpirtërisht dhe tërhiqeshin drejt zbërthimit të mistereve të jetës, ndaj: zhyteshim thellë në çuditë e kaltëra…//aty ku rrinim vinte era libër / dhe aromë mollëvere, thotë poeti. Ishin pikërisht librat, krahas natyrës së bukur të vendlindjes, që kultivuan ndjenjën e atdhedashurisë te poeti dhe që formësuan një shqisë të re për të perceptuar çdo dhimbje të kombit, sado e mbytur qoftë ajo. Për koincidencë, edhe botimi i veprës së parë, që për çdo poet paraqet një moment tejet të rëndësishëm jetësor, për Mustafë Xhemailin korrespondon me një kohë të pakohë, me një kohë kur populli i tij sapo kishte nisur rrugëtimin nëpër kalvarin e ri, drejt përmbushjes së ëndrrës, prandaj edhe poezive të vëllimit Netëve të verës para se të mbërrinin te lexuesi, iu desh të kalonin nëpër lloj-lloj filtrash, ideologjikë e shovinistë, për të parë dritën e botimit. Megjithatë, përkundër zellit të censurës, përkundër largimit të disa poezive, jo gjithçka arriti të deshifrohej dhe jo çdo figurë arriti të interpretohej; prandaj qysh në vëllimin e parë Xhemaili arriti t’i ofrojë lexuesit kodet e preokupimeve jetike të tij. Ai u shfaq në skenën letrare të kohës me një zë të pjekur dhe të artikuluar poetik, me një gjuhë sa të çrëndomtësuar e të kodifikuar, po aq edhe të afërt e plot ndjeshmëri.
Preokupimi i poetit me fatin e atdheut e kombit, nuk shfaqet vetëm si shqetësim poetik, por edhe si angazhim jetësor, gjë që e determinon në njëfarë mënyre rrjedhën e jetës së tij. I përndjekur nga pushteti serb, Xhemaili u detyrua ta braktisë vendlindjen dhe qysh në fillim të karrierës së tij letrare u kthye në një poet të anatemuar e të mohuar. Dhembjen që i shkakton kjo kthesë jetësore e gjejmë të skalitur në poezitë e botuara pas një dekade, në vëllimin Fusha e plagosur, ku qysh në poezinë e parë, programatike,jepen përmasat e dhembjes dhe vetmisë së subjektit lirik: Hipi mbi majën e Monblanit dhe bërtas në kupë të qiellit nëpër natë/ Askush nuk e kthen kokën për të më prekur dhembjen / Unë albanais i zemrës së Ballkanit, i thellësive mitologjike / I pellgut të madh të mendimit dhe i hapësirave ilirologjike/Majë Alpeve, majë Kullës së Ejfelit, majë Kullës së Pizës / Majë Statujës së Lirisë, majë Babilonit e majë dreqit e të birit / këlthas, bërtas, vritem, gjakosem… fuqia e këtyre vargjeve,të ngjizura nga vuajtja sfilitëse e njeriut të larguar padrejtësisht nga substrati i natyrshëm i tij, jo vetëm që mbërrin pa asnjë barrierë deri te lexuesi, por bart në vete edhe tërë atmosferën që e nxisin atë gjendje të subjektit.
Motivet – spektër universal i shqetësimeve njerëzore
Megjithatë, përveç atdhedashurisë, gjeografia krijuese e Xhemailit përfshin pafundësisht tema e motive, qoftë nga ato që i stimulon realiteti objektiv e që ngrihen si refleksione ndaj jetës, qoftë të natyrave të tjera, nga ato që sintetizohen në honet më të thella të unit poetik e që synojnë t’i shndërrojnë në trajta poetike trazimet e hovshme shpirtërore. Gjithsesi, një vend të rëndësishëm këtu zë edhe tema e dashurisë, që nis si trazim njomështak rinor, por që nga njëri vëllim në tjetrin merr përmasat e një force sublime; nga një pasion kalimtar shndërrohet në trajtën e një udhëtimi të përjetshëm,që përshkon çdo aspekt të qenësisë, duke formësuar kështu perspektivat jetësore dhe duke ofruar një ndjenjë të plotënisë së subjektit lirik. Vijnë pastaj një varg motivesh të tjera si motivi i fëmijërisë kur bota shihej e turbullt në globin e vjetër të shkollës; vdekja e babait që i preu në mes përqafimin dhe jetërat; sëmundjet e botës që i vyshkin lulet e zeza;kujtimi i mikut – poetit që vritet çdo ditë nga pak, për të lindur një ndjenjë, një klithmë njerëzore; refugjati në vigjilje të shekullit të ri – Golgothë moderne me përmbajtje të vjetër… dhe çka jo tjetër, që nga Thoti i lashtë e deri te dhembja në erë kozmike. Gjerësia tematike që e karakterizon poezinë e Mustafë Xhemailit është një nga cilësitë që është veçuar nga kritika letrare qysh herët, krahas autenticitetit të sistemit figurativ, fuqisë asimiluese të ndikimit, lirizmit të theksuar, afinitetit në përzgjedhjen e mjeteve shprehëse, qartësisë poetike, mendimit të konkretizuar e cilësi të tjera që e krijojnë origjinalitetin krijues së Xhemailit. Në shkrimet e shumta kritike që e kanë përcjellë poezinë e tij, është vënë në dukje edhe aftësia e Xhemailit në harmonizimin e elementeve në dukje kontradiktore – të tilla si diskrecioni në shprehje krahas imazheve të gjalla e konkrete. Ndaj, ky ekuilibër, sipas kritikës, krijon një poezi që nuk është vetëm vizualisht e qartë, por edhe emocionalisht bindëse,ku bashkohet e kaluara me të tashmen dhe intimja me socialen, që si rrjedhojë ka një përvojë poetike të pasur, të shtresuar, që rezonon në nivele të shumëfishta.
Përgjegjësia ndaj fjalës së shkruar ka qenë një parim udhëheqës përgjatë gjithë udhëtimit poetik të Mustafa Xhemailit, rrugëtim ky që shtrihet nga vëllimi i tij i parë e deri te veprat e tij më të fundit. Që në fillim, Xhemaili ka qenë thellësisht i vetëdijshëm se: Asgjë nuk është tortura fizike sa tortura për krijimin e një vargu, prandaj i është qasur mjeshtërisë së tij me një rigorozitet të disiplinuar që duket në çdo varg që ka shkruar. Përkushtimi i tij ndaj krijimit, ndaj përzgjedhjes dhe përdorimit të kujdesshëm të gjuhës, pasqyron një respekt të thellë për poezinë si formë arti dhe si mjet shprehjeje. Vargjet e tij, pavarësisht nga periudha kur janë krijuar apo rrethanat që i kanë paraprirë lindjes së tyre, janë punuar gjithnjë me përkushtim, me përpikëri dhe me pedantëri, të tillë çfarë e kultivojnë vetëm ata që artin nuk e shohin thjesht si një medium komunikimi, pos si pjesë thelbësore të jetës së tyre,që lindin dhe frymojnë me te.
Rezistenca e shpirtit krijues e gdhendur në varg
Ashtu siç u bën vend brenda universit të tij poetik të gjitha motiveve që kanë preokupuar njeriun tonë, Xhemaili i kushton vëmendje edhe çdo detaji poetik, çdo stileme, çdo figure, çdo ngjyrimi stilistik për të transponuar sa më denjësisht në art shqetësimet e tij dhe për të qenë i sigurt se çdo objekt poetik është përcaktuar me kujdes dhe është i rrethuar nga ide plotësuese që e rrisin ndikimin e tij të përgjithshëm. Kjo lidhje e brendshme me zanatin e tij i mundëson të krijojë një univers poetik që është i gjerë dhe gjithëpërfshirës, një univers që strehon spektrin e plotë të shqetësimeve njerëzore. Qartësia e shprehjes, si karakteristikë dalluese e poezisë së tij,nuk e zbeh thellësinë e mendimeve; përkundrazi, e rrit aftësinë e lexuesit për t’u lidhur me emocionet dhe idetë e thella që pluskojnë nëpër vargje. Pra, i mundëson komunikimin efektiv me lexuesin duke ruajtur një ekuilibër të ndjeshëm midis kompleksitetit dhe lexueshmërisë. Si e tillë,vepra e Xhemailit është një kontribut jetik për poezinë e sotme shqipe;te kjo poezi përtej bukurisë së shprehjes poetike qëndron një rrëfim më i thellë – një kronikë mbijetese. Poezia e tij kap qëndrueshmërinë e një kulture që ka duruar sprovat e shtypjes, pushtimit dhe mohimit, prandaj vargjet e Mustafë Xhemailit përveç si krijime artistike, na ofrohen edhe si dëshmi e rezistencës së një populli, dëshmi e triumfit të shpirtit krijues edhe kur kjo duket praktikisht e pamundur.