Jemi jo në vend numëro, por jemi duke ecur mbrapsht. Libri po jep shpirt, është i sëmurë rëndë, është keq fare. A t’i shkojmë për ngushëllim?
Artur SPANJOLLI
Dikur në Shqipëri shtypeshin 30 mijë kopje për një roman të një autori të njohur dhe njerëzit vriteshin duke u shtyrë, kush e kush ta blinte atë më parë. Kopjet mbaronin brenda disa orësh. Dikur libri ishte thesari për ta përpirë, lexuar, duke shqyer sytë. Ndërsa tani, ai që shet dy mijë kopje, është me fat dhe i suksesshëm? Dikur faji, por edhe suksesi i librit, ishte i regjimit, i cili e kishte lënë popullin në mjerim total si shpirtëror, po ashtu edhe material. Njerëzit ishin të etur për dije. Po sot, ku duhet gjetur arsyeja? Me ardhjen që prej shumë kohësh, por sidomos këto pesëmbëdhjetë vjetët e fundit, të epokës së internetit dhe të celularit në dorë, kjo bota jonë, ka pësuar dhe po pëson një ndryshim themelor. Si ka shkuar, dhe si po shkon ajo në lidhje me leximin e librit? Cili do të jetë fati i librit?
Libri po vdes? Libri është në grahmat e fundit? Ç të ardhme do të ketë letra e shtypur? Nëse 15 vjet më parë, njerëzia përveç TV-së dhe celularit, informacionet i merrte nëpër libra, biblioteka, etj, tani informacioni, përgjithësisht merret direkt nga interneti dhe nga celulari. Kjo ka bërë që vit mbas viti, libri ta ndjejë fort ofshamën e rënies, plagosjes së saj për vdekje. Trandjen e saj madhështore mbi dysheme. Dhe bashkë me të, vuajnë dhe përpëliten edhe vetë shtëpitë botuese, libraritë, të cilat e kanë humbur prioritetin e tyre kohë më parë. Mjerë kohërat që po vijnë. Më pak libra, më pak diskutime librash, më pak njohuri, thellime, reflektime. Më pak kulturë siç duhet, veç informacion sipërfaqësor, boshllëk, vetmi, zbrazëti. Faji, është në radhë të parë i epokës që po jetojmë. I ritmit të saj shfrenues, i distraksioneve të kota plot drita dhe ngjyra, i kohës që nuk gjendet dhe i teknologjisë që sa më shumë kalon koha, aq më shumë ajo i imponohet jetës tonë.
Mungojnë shkrimtarët e racës apo mungon zelli, dëshira për të nxënë dhe për t’u kulturuar? Apo shpirti i sotëm është bosh, i humbur, i rënë në apati, i mjerë. Si këngët e San Remos. Janë me sa duket vetë gjeneratat e reja të lexuesve, të cilët tani kënaqen me informacionin e sipërfaqshëm gjetur veç në internet. Do të jetë e afërt zhdukja e librit të shtypur në letër? Kjo ndoshta jo, por humbja e rolit të tij parësor, kjo, me siguri që po. Tani gjeneratat e reja preferojnë ta lexojnë materialin ndoshta më rehatshëm në e –book, se sa në letër? Që librat në qarkullim janë gjithnjë edhe më të sëmurë, kjo dallohet qartë sapo hyn në një librari. Ato po mbyllen ditë mbas dite. Ashtu si dhe kinematë. Prej vitesh, nuk ka më asnjë rast letrar. Nuk ka me asnjë best seller, që të mund të shesë me mijëra kopje. Në gadishull, rasti i fundit letrar, pas Suzana Tamaros, Dan Brownit dhe Mellisa P. R. Savianos, nuk kujtoj asgjë tjetër këtu në Itali.
S’lexohet ndoshta më, apo s ka më letërsi të mirë? Atë që libri në të shkuarën i falte njeriut, tani ai e mbush ndoshta me internet, me fb, me tik tok, me instagram, me show tv? Ndoshta qëndrojnë që të dyja. Ndoshta s ofrohet më letërsi e mirë si ajo e realizmit magjik, për shembull, por mund të jetë edhe e kundërta. Njeriu i sotëm nuk ndjen ekzigjencën e risive në letërsi. Klasikët mjaftojnë dhe ndoshta janë tepër. Një shoqëri që nuk reflekton mbi shqetësimet e saj, fenomenet e saj, është një shoqëri e verbër, e sëmurë, e varfër dhe e destinuar të gërryhet nga brenda. Një popull pa syrin kritik, ka diçka vërtetë që nuk shkon. Kjo tregon se në të ardhmen do të kemi, me siguri, gjithnjë edhe më shumë gjenerata të varfra si në arsyetim, ashtu edhe në reflektim. Një gjeneratë injorantësh, të cilët marrin nga celularët veç një informacion të mjerë dhe të sipërfaqshëm. Shumë herë të rremë dhe krejt të përciptë. Jemi prapë në vend-numëro?! Para 100 vjetësh, injoranca dhe mjerimi material e bënte gati të pamundur luksin e kulturës dhe arsimimin e popullit në masë. Ndërsa tani, tregu ofron gjithçka: libra, materiale, shkrime, por njeriu i sotëm nuk e blen librin, njëlloj si 100 vjet më parë. Pra, kultura vazhdon të mbetet luks i një inteligjence, i një grupi të ngushtë njerëzish?! Dikur, pamundësia ekonomike, sot hutimi, shpërqendrimi, rendja drejt kotësive, mungesa e kohës, humbja tragjike e interesit, ka bërë që njeriu mos ta hapë rishtas librin.
Injorantë me zile. Nuk them se të gjithë duhet ta duan librin, por një njeri i formuar duhet ti njohi të paktën klasikët e letërsisë. Pesimist? Libri do të humbë akoma terren? Apo, ai njeri, i cili e ndjen ekzigjencën e librit në çdo shoqëri, do ta kërkojë atë, do ta lexojë, do ta përvetësojë, do ta dashurojë atë? Me siguri do të kemi një shoqëri më të trullosur, më të matufosur, një gjeneratë më bosh, e cila do të rendë veç drejt internetit, talk show-ve televizive. Një rini të dehur me helmin e konsumizmit. Një shoqëri më të varfër, të mjerë, mizerie. Një rini tik-tok-se, instagram-se, fejsbuk-se, e cila s do ta ndjej më kurrë, por as edhe nuk do ta kërkojë, erën e mirë të letrës së shtypur ndër hundë. Një shoqëri të cilës do t’i interesojë gjithnjë edhe më pak kultura, thellimi, identiteti i saj dhe sidomos historia dhe memoria e saj. Një shoqëri e lehtë për t’u manipuluar, për t’u tërhequr prej hunde. Kur një shoqëri nuk reflekton mbi fajet e saj, mbi brengat, mbi gabimet, ajo nuk do ta ketë kurrë shansin të rritet kulturalisht. Gjithashtu do të kemi edhe një gjeneratë më të thjeshtë për ‘tu manipuluar, prej një injorance të mirëfilltë intelektuale. Pra, ajo mund të tërhiqet fare lehtë prej hundësh, nga padronët e botës. Jemi jo në vend numëro, por jemi duke ecur mbrapsht. Libri po jep shpirt, është i sëmurë rëndë, është keq fare. A t’i shkojmë për ngushëllim? Apo ai po përgatitet të vdesë pa ne? Në heshtje. Me mërinë dhe dhimbjen e shkrimtarëve, editorëve, lexuesve, shumica e të cilëve me siguri janë në moshën e tretë. Shpresojmë që kjo mos të ndodhë kurrë! Po institucionet, ku janë? Ç bëjnë për ngritjen e nivelit të kulturës, ndërgjegjësimin e njeriut për lexim?