Mirçea Eliade ka shkruar një skicë mbi mitologjinë greke të kujtesës. Ai na ndërmend që hyjnesha Mnemozina, motra e Kronosit dhe Oqeanit, quhej nënë e muzave. N’akord me Hesiodin, Mnemozina ruante kujtesën për gjithçka që ajo ka qenë
Agron TUFA
Kujtesa si organ psikologjik i përjetimit të kohës mbetet e vetmja ndërmjetëse që na garanton unitetin e thelbit të qenies, të projektuar në një shkallë vetënjohjeje individuale dhe kolektive. E them në një shkallë vetënjohjeje, sepse kujtesa, siç e thamë, është organ psikologjik dhe se vetë psikologjia njerëzore, individuale qoftë ajo apo shoqërore, gjendet në kushtet e një trysnie të përhershme që e relativizon, e deformon, e transformon apo e çorodit krejtësisht psikikën njerëzore, po të merren parasysh dramat individuale dhe kolektive. Psikologjia është e varur nga psikika, pasi kjo e dyta është tregues i shëndetit të së parës. Rrjedhimisht edhe kujtesa, duke qenë organ psikologjik i përjetimit të kohës dhe shprehje vetidentifikuese e totalitetit organik të qenies në kohë, relativizohet, shformohet, manipulohet dhe na prezanton marrtas, në pajtim me thelbin e deformuar të vetes sonë.
Kujtesa e manipuluar është një togfjalësh që shpreh reflektimin kritik, të ndërgjegjshëm e oponencial nga pikëpamja e dikujt që zotëron një përvojë krahasimore në lidhje me origjinën e njohjes dhe gjendjeve stadiale të trajektores së kujtesës, prej nga zë fill tjetërsimi dhe manipulimi i saj. Ky proces nuk ka gjë të përbashkët me idiomën e përvojave individuale “më tradhton kujtesa”, pasi si akt ndërgjegjësimi, kjo shpreh riaftësimin dhe ripërftimin e po asaj kujtese vetidentifikuese, për t’u pozicionuar mandej, në masën e vetëdijesimit, për një përballje raportesh me të.
Fjala, më konkretisht, është për kujtesën historike apo kolektive, që deri më tash ekziston kryesisht në po ato forma që e mendonin grekët e lashtë, në trajtën e mneme-së, anamnez-isit dhe mnemozinës. Mneme paraqet një aftësi të dhënë fiziologjike të çdo organizmi për ta ruajtur informacionin e ndërkallur në të. “Nga perceptimet ndjesore lind, siç themi ne, aftësia e kujtesës”, thotë Arsitoteli. Ndërsa nga ndërmendjet e shpeshta për të njëjtën gjë lind përvoja, sepse një numër i madh kujtimesh përbëjnë së bashku njëfarë përvoje. Nga përvoja pra, nga tërësia e përvojës që ruhet në shpirt, nga përvoja e vetme, e ndryshme prej shumicës, nga përvoja vetjake që paraqitet si identike në gjithë këtë shumësi, e ka zanafillën arti dhe shkenca: arti, nëse kemi të bëjmë me krijimin e diçkaje, dhe shkenca, nëse kemi të bëjmë me thelbin dhe esencën”.
Anamnezisi – është ndërmendja (të kujtuarit). Ajo e ruan informacionin e futur në të, por e ruan në atë mënyrë, që informacioni gjithmonë përplotësohet dhe pasurohet me përvojën individuale, duke u realizuar jo rrallë në letërsi në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale – nga rikrijimi artistik i ngjarjeve të kaluara deri tek historiografia, që del jashtë sinoreve të mneme-së (si te Herodoti, Taciti apo Mishlje). Në kulturën europiane, anamnezis-i ka hyrë kryesisht në atë kuptim të saj, siç e pati themeluar dhe përdorur Platoni: “Kur shpirti që ka humbur kujtesën mbi ndjesitë apo dijet, e thërret sërish atë dhe përpiqet ta përtërijë në vetvete, atëherë këtë ne e quajmë ndërmendje”. Kurse në një vend tjetër, Platoni thotë: “Prit pak, o Sokrat, – e ndërpreu Kebeti, – mendimet e tua na shpien edhe në një përfundim tjetër, nëse është e saktë ajo që ti e përsërit shpesh, se pikërisht dija nuk është gjë tjetër përpos se ndërmendje: atëherë, atë që ne po ndërmendim tani, duhet ta kemi nxënë në të kaluarën, – ja pra se çfarë nxjerrim nga ky konkluzion. Por, kjo do të kishte qenë e pamundur po qe se shpirti ynë nuk do të kishte ekzistuar në ndofarë vendi tjetër, përpara se të lindej në trajtën tonë njerëzore”.
Në një formë të ndryshuar, përfytyrimi mbi anamnezisin si një fundament i aspektit frymor ka hyrë në kristianizëm: “Pastaj mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha e tha: Ky është korpi im, që flijohet për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim ” (Luka 22. 19). Përjetimi platonian i anamnezisit, që mbijetoi deri në shekullin ХХ, përbënte bazën e simbolizmit edhe si filozofi, edhe si drejtim letrar, në botën e krishterë. Një ndër poetët dhe teoricienët e simbolizmit rus, Aleksandër Bllok, shprehej se: “Rruga e simboleve është rruga nëpër gjurmët e harruara… rruga e mbërritjes së dijes si ndërmendje (Platoni)” .
Mnemozina. Mbi këtë nocion qendror të imazhit për analizën tonë na takon të flasim pak më gjerë. Në rendin e numërimit paraprak të atyre mishërimeve kryesore në të cilat ka ekzistuar për grekët e lashtë kujtesa e tyre historike dhe kulturore, mjafton t’u referohemi tipareve të Mnemozinës, siç na paraqitet ajo në të vetmin burim – në veprën “Teogonia” të Hesiodit, ku për grekët ajo është, para së gjithash, nëna e muzave.
Mirçea Eliade, në njërin prej librave të tij, ka shkruar një skicë mbi mitologjinë greke të kujtesës. Ai na ndërmend që hyjnesha Mnemozina, motra e Kronosit dhe Oqeanit, quhej nënë e muzave. N’akord me Hesiodin, Mnemozina ruante kujtesën për gjithçka që ajo ka qenë, por kishte dijeni edhe për ato që do të ndodhnin. Kur muzat e përndritin poetin, ai bëhet i aftë për dijen e Mnemozinës, njohjen e zanafillave të para. Muzat këndojnë, tue u nis ç’prej zanafillave ato rrëfejnë për origjinën e zotave dhe njerëzve. Poeti përmes muzave fiton kujtesën mbinjerëzore të Mnemozinës.
Por, këto realitete parazanafillore, pikërisht ngase janë të lidhura me burimet, nuk hyjnë në sferën e jetës së tashme, ato janë të pambrrijtshme për përvojën e përditshme. Prandaj, pra, poeti që ka fituar këtë dhunti mbikujtesore prej duarve të Mnemozinës, shtyhet, si të thuash, prej saj në një botë tjetër, botën e së shkuarës dhe harresës, e cila identifikohet me vdekjen. Lumi i harresës, Leta, që rrjedh në Aid, e shkatërron kujtesën e të vdekurve, duke i shndërruar ata kësisoj në të vdekur. Por, vëren Eliade, me shfaqjen e doktrinës së transmigrimit (rimishërimit) të shpirtrave ndryshon edhe mitologjia e kujtesës. “Është e rëndësishme tashmë të mbash mend jo burimet dhe parazanafillat, por jetën paraardhëse të shpirtit, që shënon humbjen e kujtesës së shpirtit në lidhje me ekzistencat e tij pararendëse. Dhe rishmi vdekja në këtë kontekst del si kthim në një botë tjetër, botën e zanafillave dhe mbikujtesës. Vetëm pak të zgjedhurve të muzave dhe profetëve, Mnemozina ua lë kujtesën e ekzistencave pararendëse dhe parazanafillave. Dhe ata përpiqen t’i bashkojnë fragmentet e shkalafitura, t’i përfshijnë ato në një zinxhir të vetëm, që të mbërrijnë kuptimin e fatit të tyre. Sepse ngjitja e fragmenteve të memories së historisë, që s’kanë asnjë lidhje mes veti, do të thotë “lidhja e fillesës me fundin” (Eliade, 1988:156).
Këta poetë dhe orakuj, që rrahin të ribëjnë e ringjallin një tekst të lidhur prej fragmentesh të bëra fir në kujtesë, përmbushin punën e kulturës – të shqyer, fragmentare, të shkërmoqur në arkivin e padukshëm heterogjuhësor, por ama janë ata që gjakojnë të përftojnë tërësinë, unicitetin, logjikën. Në thelb, çdocili tekst i bart në vetvete këto fragmente, herë të dukshme e herë të maskuara dhe rreh t’i ndërtojë ato n’akord me logjikën e rrëfimit.
Ndër orakujt të cilëve zotat ua ruajtën kujtesën pas vdekjes, spikat njëri ndër më të njohurit – Tiresia. Ç’prej kohës së djalërisë, ai pa rastësisht, tek po lahej cullake në burimet e Hipokrenës, hyjneshën Atena dhe shi për këtë shkak i plasën sytë e mbeti i verbër, por njëkohësisht u pajis me dhuntinë e profecisë. Mandej, duke bredhur nëpër krepat e maleve të Kilenit, ai, po rastësisht, pa shlligat që po ndërzeheshin dhe për disa vite u shndërrua në femër. Ky verban dygjinish u zgjodh prej zotave që të bartë përjetësisht një kujtesë të pashqimur.