Letërsia e këtyre “topikëve të trishtë” është lehtësisht e evidentueshme. Mjafton t’i qasemi secilit topos ku vuajtën autorët e dënuar politikisht, për të hartuar mandej një repertor të pasur e të larmishëm tekstesh e veprash
Agron TUFA
Burgjet, kamp-burgjet, kampet “me tela me gjemba” dhe kampet e zakonshme të internimit me punë të detyrueshme, përbëjnë, përveçse topografi të dhimbjes e terrorit, edhe një topikë të trishtë të shkrimit në letrat shqipe. Zhanret e shkrimit janë të larmishme; ato prekin romanin, tregimin, poezinë, kinematografinë, përkthimin artistik e shkencor, poezinë dhe memuaristikën, deri dhe disa lloje të pikturës e skulpturës (gdhendje të ndryshme, statueta, punime të holla artistike etj).
Prania e kësaj topike të trishtë burgjesh e kampesh nuk e ka pushuar jehonën e vet traumatike edhe sot e kësaj dite, ndonëse që nga viti 1991 kur ato u mbyllën dhe u braktisën, kanë kaluar mbi një çerek shekulli. Realet e këtyre “kronotopeve” ushqejnë ende vepra letrare e narrativa memuaristike. Disa piktorë si Maks Velo, Ali Oseku, e sidomos Valer Dyrzi vazhdojnë t’i kthejnë jehonën e transfiguruar artistikisht përjetimeve nga kjo topografi makthesh. Narrativa letrare, e drejtpërdrejtë apo fiktion na i sjell këto vende me një metonimi diskursi alegorik, simbolik apo filozofik, si në veprat e Kasëm Trebeshinës (“Odin Modvalsen”), Makensen Bungo (romani “Këneta e vdekjes” dhe memuaret), Pjetër Arbnori “Vdekja e Gëbelsit” dhe memuaret), Petro Marko (“Retë dhe gurët”), Jamarbër Markos (poezitë), Fatos Lubonjës (“Ridënimi”), Henrik S.G (romanet Metamorfoza e brezit të humbur”, “Gjuetia e pëllumbave”), Bashkim Shehut (“Angelus Novus”, “Loja, shembja e qiellit” dhe një varg romanesh), Visar Zhitit (poezitë “Hedh një kafkë në këmbët tuaja”, memuaristika, etj).
Letërsia e këtyre “topikëve të trishtë” është lehtësisht e evidentueshme. Mjafton t’i qasemi secilit topos ku vuajtën autorët e dënuar politikisht, për të hartuar mandej një repertor të pasur e të larmishëm tekstesh e veprash.
Nëse studimet letrare-kritike shqiptare apo studimet sociologjike letrare do ta kishin marrë në konsideratë faktologjinë e këtij shkrimi, të cilin me të drejtë poeti Visar Zhiti e quan “Burgologji”, atëherë do të na përftoheshin korpuse të veçanta, blloqe tekstesh e narrativash në repertorin e gjerë të “burgologjisë”. Kështu do të dallonim qartë “tekstet e Burrelit”, “tekstet e Tepelenës”, “tekstet e Kënetës së Maliqit”, “tekstet e Spaçit dhe Qaf-barit”, etj, et,.
Herëdokur studiuesit e kësaj fushe që do të merren me fenomenologjinë e këtyre teksteve, do të prekin vërtetësinë simbolike të titullit të mësipërm: “Topikë të trishtë letrarë”. Të trishtë këto tekste i bën jo aq topika si vend vuajtje e torture, por nonsensi, paradoksi dhe absurdi i fatit të vuajtësve, të cilët ishin qenie me rrënjë të thella në dije dhe kulturë, përkundër nivelit katastrofik të xhelatëve të tyre. Në njëfarë mase persekutimi komunist mbi këta njerëz, që ishin, pa asnjë fije dyshimi, elita e kulturës shqiptare, ajka e inteligjencës, njerëzit më të ditur e të shkolluar të Shqipërisë së pasluftës. Mjafton të përmendim disa syresh: Petro e Jamarbër Marko, Astrit Delvina, Arshi Pipa, Mitrush Kuteli, At Zef Pllumi, Sami Repishti, Kasëm Trebeshina, Mustafa Greblleshi, At Konrad Gjolaj, Ejell Çoba, Makensen Bungo, Uran Kalakulla, Guljelm Deda, Havzi Nela, Pjetër Arbnori, Lekë Previzi, Lekë Tasi, Fatos Lubonja, Visar Zhiti, Bashkim Shehu etj. Veprat e tyre ilustrojnë një kronotopi të fatit të intelektualit në diktaturë dhe janë i vetmi repertor i moralshëm i shkrimit që rivendos dinjitetin e raporteve me të Vërtetën, një raport, i cili, jashtë këtij kronotopi, ishte përkeqësuar, fshehur, deformuar e shfytyruar nga censura dhe autocensura komuniste.
Termi “Kronotopos” për këtë korpus tekstesh nuk e ka këtu funksionin e nocionit estetik bahtinian, pasi ai nuk zbatohet në botën e trillit artistik. Ai thjesht ndodh dhe lind brenda një realeje konkrete kohë-hapësinore, aty ku është e mbërthyer në kryq ekzistenca, mbijetesa e autorit që përpiqet të ruajë fizionominë e vet njerëzore.
Një ndër këto kronotope, që ka determinuar lindjen e një repertori të veçantë tekstesh letrare në prozë, poezi, memuaristike, kinematografi e, madje, edhe në zhanret kronikale ideologjike të historisë zyrtare, sikundërse dhe të shkrimit diplomatik, është Këneta e Maliqit me kampin famëkeq të Vloçishtit përgjatë periudhës 1946-1950. Këneta e Maliqit është njëmend, jo vetëm “topikë e trishtë” letrare. Tekstet që ka prodhuar ky topos janë kundërthënëse e diametralisht të kundërta. Nga njëra anë kemi tekste autoriale intencionalisht ideologjike, propagandistike, manipuluese në raport me të Vërtetën dhe, nga ana tjetër, kemi tekste autoriale autobiografike, që këmbëngulin në raportet dëshmuese me të Vërtetën tronditëse.
Në këtë kundëvënie spikasin më fort tekstet letrare konfrontuese në gjininë e romanit. Përkatësisht kemi:
Fatmir Gjata me romanin “Këneta”. Romani qe pjesë e srz (seria e romanit të zgjedhur), deri në vitin 1991; ishte një vepër letrare e programuar me detyrim në kurrikulat shkollore/universitare, e shkruar në përputhje me tezat e doktrinës së realizmit socialist. Romani paraqet versionin komunist të “heroizmit epik popullor”, ku masat e udhëhequra nga mësimet e partisë, përmes heroit pozitiv, sekretarit Stavri Lara, kapërcejnë gjitë vështirësitë e mungesave teknologjike, por më fort punën sabotuese të inxhinierëve “të degjeneruar” e “armiq të popullit”, që gjoja janë rekrutuar si spiunë nga ish mësuesi i tyre Harry Fultz. Se çfarë origjine etike e humane ka ky pushtet i ri, këtë në roman mund ta përkapim lehtë nga dialogu i protagonistit Stavri Lara, sekretarit të partisë. Stavri është përfaqësuesi i atyre që kanë ardhur në pushtet dhe do të themelojnë moralin e ri të drejtësisë, barazisë e vëllazërisë. Po sa çuditshëm tingëllon, kur pasi ka treguar mes familjarëve të tij tërë mikro-Odisenë e tij romantike të mbijetesës nga kampet naziste, zhvillon, që nga dushi ku po lahet, këtë bisedë me të ëmën:
“- Ku e keni gjetur këtë peshqir? Sa i madhe e i bukur qenka!
– Se mos kemi vetëm këtë. E kemi mbushur shtëpinë. Kemi marrë kolltukë, një raft me pasqyra, dy qilima, perde, takëme për të ngrënë bukë me dymbëdhjetë peceta. Janë të atyre borgjezëve <…> Ç’e do kur s’morëm edhe ca! Po s’desh yt atë! “Të marrin edhe fukarenjtë e tjerë”, thoshte! Po shtëpia si të duket? Nuk është si pallat?
– S’e kam parë mirë, po pallat më duket!
– A e di se e kujt është? E atij që rri tani në kotecin tonë.
– Ashtuu? E atij burrit me gjyzlykë?
– Hëëë! Ç’ka qenë ai! Të vëllanë ia pushkatuam. Një djalë e ka të arratisur në Itali. I kanë hedhur një milion franga tatim “.
Vullnetarët dhe populli i thjeshtë ia dalin mbanë, falë vigjilencës dhe mësimeve të partisë. Triumfon suksesi, Këneta thahet.
Makensen Bungo me romanin “Këneta e vdekjes” jep një version të përmbysur të realeve të Fatmir Gjatës për të njëjtën Kënetë, për të njëjtin proces. Rrëfimi është shkruar nga perspektiva e narratorit që dëshmon në mënyrë kronikale përditshmërinë e detajuar të një realiteti permanent vdekjeprurës në kënetë, ku ndaj të burgosurve ushtrohen sistematikisht, ditë e natë, eksperimentet më çnjerëzore, të tilla që mund t’i ndeshesh vetëm në arsenalin e torturave nëpër kampet naziste të shfarosjes.
Tipologjia zhanrore e këtij rrëfimi auto(biografik) në veprën letrare është, tashmë, gjerësisht i njohur në repertorin e krijimtarisë letrare, që e merr lëndën drejtpërdrejtë nga përvoja reale e kampeve dhe burgjeve, të tilla si romanet e Primo Levit (“A është vallë njeri ky?”), Imre Kertezhit (“Romani i një të pafati”) Aleksandër Sollzhenicinit (“Arkipelagu Gulak”, “Një ditë e Ivan Denisoviçit”, “Pavioni i kancerrozëve” etj), rrëfimet e Varllam Shallamovit (“Tregimet e Kolimës”), Fatos Lubonjës (“Ridënimi”), Atë Zef Pllumit (“Rrno vetëm për me tregue”), Visar Zhitit (“Rrugët e ferrit”, “Ferri i çarë”) etj.
Përmes një realiteti ngjethës, që mpikset deri në makabritet, Bungo vizaton një tjetër të vërtetë në kronotopin e Kënetës dhe këtë e bën me realizmin e detajeve ngjethëse e shokuese. Autori, një i mbijetuar i Kënetës, na rrëfen fatin tragjik të një grushti stundentësh nacionalistë të Normales së Elbasanit. Pasi lënë qelitë e burgut të qytetit të tyre dhe vetë profesorin e tyre të dashur, shkrimtarin Et’hem Haxhiademin, që po jep shpirt aty, ata dërgohen të vuajnë dënimin në Maliq. Parakalon në rrëfim figura e shkrimtarit Mitrush Kuteli në Kënetë, sikundërse dhe e profesorit-poet, Arshi Pipës, që dërgohet në spital. Romani mbyllet më kthimin e përgjysmuar të atij grushti miqsh idealistë. Dikush ka vdekur nga puna e sfilitëse, sëmundja dhe uria; dikush tjetër nuk e ka duruar sprovën e rëndë të mbijetesës dhe është bërë spiun, për një copë bukë, e më në fund, i turpëruar e i vetëneveritur var veten. Skenat e dhunës, torturës psikologjike, rrahjeve e poshtërimeve, zhburrërimet e nëpërkëmbjet e nderit janë norma e përditshme në kamp. Heroizmi masiv i punëtorëve vullnetarë nga romani propagandistik i F. Gjatës, ia lëshon vendin të vërtetave pataksëse e të shëmtuara: janë realisht të dënuarit politikë, rreth 2500 skllevër, që janë dërguar aty për të mos dalë gjallë, çka përputhet saktë me faktet reale zyrtare në dokumente, raportime e dëshmi të tjera.