Do të ishte një lloj Panairi i Librit, i cili e bën të kundërtën, i viziton ata që kanë nevojë, më shumë se për gjëra të tjera, për librin, për botimet e reja, i viziton ata që për shkak të rrethanave të ndryshme, nuk kanë mundësi të jenë në panairet e librit në Tiranë e Prishtinë
Neviana SHEHI/ Itali
Në Tiranë, përkatësisht të pedonalja në afërsi të Teatrit Kombëtar (ku pritet të ndërtohet), ka kohë që qëndron një autobus i kuq, i cili është i mbushur me veshje kombëtare dhe aksesorë tjerë që janë pjesë e trashëgimisë kulturore. Në fakt, autobusi është një atraksion i vërtetë jo vetëm për turistët e huaj, por edhe më gjerë. Ky autobus, nëse nuk gaboj, ka lëvizur edhe në viset tjera shqiptare, si në Prishtinë e Shkup, gjë që është treguar si një mision i suksesshëm, sepse janë të paktë ata që nuk duan të kenë shenjë shqiptarie në shtëpitë e tyre.
Po sikur një autobus të tillë ta mbushnim me libra dhe t’i mundësonim të udhëtojë nëpër shtetet e Europës Perëndimore, ku numri i shqiptarëve tashmë është i konsiderueshëm? Do të ishte një gjë e bukur, mbase shumë e qëlluar. Do të ishte një lloj Panairi i Librit, i cili e bën të kundërtën, i viziton ata që kanë nevojë, më shumë se për gjëra të tjera, për librin, për botimet e reja, i viziton ata që për shkak të rrethanave të ndryshme, nuk kanë mundësi të jenë në panairet e librit në Tiranë e Prishtinë.
Po çfarë duhet bërë?
Ndonëse nuk është e thjeshtë, duhet të ulen botuesit shqiptarë, të arrijnë një ujdi, kuptohet, në bashkëpunim me institucionet shtetërore (sidomos me Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme), të sigurojnë një autobus që do ta përshtatin në formë librarie, ta hartojnë planin dhe t’i japin jetë Librarisë Lëvizëse. Paraprakisht do të bëhej një njoftim për të gjitha detajet, kurse për logjistikë do të kujdeseshin ambasadat dhe konsullatat shqiptare jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës.
Nuk do të ishte fare e vështirë që ky autobus një herë në vit të lëvizë, bie fjala nga Italia e deri në Suedi, duke kaluar nëpër ato shtete, ku koncentrimi i shqiptarëve vërtet është i madh. Me këtë do të dëshmohej se shtetet shqiptare mendojnë për diasporën jo vetëm në kohën kur udhëheqjet e tyre kanë nevojë për votën e shtetasve të tyre, por se interesimi për ta është çështje permanent, në veçanti në aspektin shpirtëror, si një nevojë imediate për bashkatdhetarët kudo që ata jetojnë.
Sado që zhvillimi teknologjik mundëson mënyra të shumta të arritjes së librit në adresën e dhënë, megjithatë kjo formë ka simbolikën e vet, sepse në mjedise të caktuara i tubon shqiptarët, të cilët do të mund ta bëhen dëshmitarë të një organizimi më ndryshe, që në fakt është festë e librit, duke pasur mundësi të shohin e t’i prekin botimet e ndryshme, me çka do ta ndjejnë aromën e librit, aromën e gjuhës dhe të atdheut të tyre apo të prindërve të tyre.
Me një angazhim gjithëpërfshirës Libraria Lëvizëse vërtet mund të lëvizë dhe të bëjë jehonë të madhe. Mjafton të kemi një vullnet të qëndrueshëm, dashuri dhe mbi të gjitha përgjegjësi dhe ndërgjegje për librin, artin, historinë, përkatësisht për ruajtjen dhe pasurimin e identitetit kombëtar.
Mbi të gjitha, mjafton ta duam vetveten…