Individualitete letrare: Beqir MUSLIU
METAFIZIKA, ËNDRRAT, FANTASTIKA
Vepra letrare e B. Musliut është metafizikë e realitetit që merret me të vërtetën absolute si kategori estetike dhe në cilën në epiqendër ka Unin e njeriut, botën e kozmosit dhe ëndrrat
Nehas SOPAJ
Shkrimet letrare të B. Musliut kritika i ka cilësuar si shkrime metafizike, irracionale dhe subjektive, që d.m.th. se shkrimtari në veprat e tij nuk i përmbahet realitetit ashtu siç është, me dimensionet dhe përmasat e tij objektive, gjë që me automatizëm e përjashton realizmin, jo vetëm si drejtim letrar, por edhe si metodë shkrimi. Edhe pse nuk mund të thuhet se shkrimet e B. Musliut e kanë përjashtuar krejtësisht realizmin, aq më pak realitetin e kohës në të cilin kish jetuar vetë shkrimtari, por predimensionimi realist i veprave të tij ka një përqindje të vogël të pasqyrimit pastër realist, prandaj edhe të realitetit si objektivitet, si fotografi, si dokumentaritet. Pjesa më e madhe e tyre, pothuaj e tërë filozofia dhe estetika e veprave i takon botës metafizike, fantastike dhe ëndërrore, që lexuesit e shohin në natyrën e shkrimit të autorit, në imazhet që e krijojnë me leximet e para. Jo pse shkrimtari merret me tema të mëdha të përvojës gjithënjerëzore, të ashtuquajturat tema të amshimit, siç janë temat universale të jetës dhe të vdekjes, të sakrifikimit dhe të vetmisë, të ringjalljes e të lëngatave, por edhe sepse në temat e vogla dhe të përditshme realiteti sikur nuk ekziston, në vend të tij, me një gjuhë abstrakte, shkrimtari me pamje dhe tablo hiper/realiste, ekstremisht realiste ose të një realizmi pothuaj të paqenë merret me ndriçimin e anëve më të “errëta”, më të “rënda” e më të “vështira” të realitetit ekstrem, kështu që vepra e tij, edhe kur është realiste, realizmi i tij është nuk është konkret por është abstrakt, metafizik dhe estetizant (ky është mendimi i mëvonshëm i kritikës letrare – shih S. Hamiti, R. Musliut, N. Islami etj).
Vepra letrare e B. Musliut është metafizikë e realitetit që merret me të vërtetën absolute si kategori estetike dhe në cilën në epiqendër ka Unin e njeriut, botën e kozmosit dhe ëndrrat. Shkrimtari mësyn të paarritshmen, trekëndëshin fantazmagorik ku lind fantazia e tij krijuese, krejt kjo me një gjuhë specifike ku mund të duket në dritë, e vërteta. Ëndrrat janë sfera e vërtetë e letërsisë së tij. Ato i zëvendësojnë dëshirat e shkrimtarit në realitetin objektiv; gjuha e tij i performon “neuronet” e materies gjuhësore si produkt imagjinar dhe kjo në shumë prej hartimeve të tij letrare, mund të duket si sferë e koincidencave të realitetit me imagjinaren, me fantazinë. Ëndrrat janë sfera shumë e gjerë e shkrimeve letrare të B. Musliut dhe ato lindin të përpunuara si riprodhim i tyre i natyrshëm që shpesh dalin groteske.
Shkrimi automatik surrealist, në fakt nuk është asgjë tjetër pos materializim i ëndrrave në praktikë, bërje në realitet të frymëzimit të “fjetur” në mendjen e krijuesit dhe hedhja e saj në letër të bardhë praktikisht. Shtrohet pyetja, ç’janë në të vërtetë ëndrrat, si manifestohen ato në aktin krijues, sa reflektohen ato në mendjen e krijuesit, sa kanë ndikim në procesin e gërshetimit dhe manifestimit të tyre në krijimtari? “Ëndrrat janë një tërësi vizuale impresionuese ndiesore (por edhe të tjera), të cilat na paraqiten si përshtypje që ndërfuten në proceset e mendimeve (të ‘dijes’ në ëndrra) dhe në manifestimet afektive. Ato që mbajmë mend nga ëndrrat, quhet ‘përmbajtje e ëndrrës”. Ëndrrat në të shumtën e rasteve janë tërësisht absurde dhe e ndërlikuara, ato lindin dhe marrin formën e tyre me një ose dy tërësi përmbajtësore si forma të dy inserteve. Por, edhe kur janë korrekte, siç ndodh kjo zakonisht me ëndrrat e frikës, ato në jetën tonë paraqiten si fenomen që vjen nga jashtë dhe origjinën e tyre nuk dimë si t’ia sqarojmë vetes.
Z. Freud në studimet e tij të njohura për ëndrrat, ndër të tjera flet për mënyrën e “punës së ëndrrave”, prej nga kanë mësuar shumë shkrimtarë, sidomos surrealistët, duke e sqaruar të pavetëdijshmen dhe rëndësinë e saj në procesin krijues. Sipas tij, ja si “punon” ëndrra: “Puna e ëndrrës mund të përshkruhet kështu: një varg mendimesh tejet të komplikuara të cilat kryesisht janë ndërtuar gjatë ditës po që kanë ngelur të papërfunduara, një pjesë tjetër e saj ruhet dhe gjatë natës ajo energji – interesim – del si pengesë gjatë gjumit. Atë pjesë të mbetur të ditës, puna e ëndrrës e shndërron në ëndërr gati pa pengesa. Në mënyrë që punës së ëndrrës t’i vijë pika ngulmuese, pjesa e mbetur e ditës duhet të jetë e aftë ta krijojë dëshirën që nuk është ndonjë kusht i rëndë të realizohet. Dëshira e cila lind nga mendimi i ëndrrës, paraqet shkallën paraprake të thelbit të ëndrrës… Nga ndikimi i asaj dëshire për vetëdijen e materialit korrekt të ëndrrës, lind ëndrra. Pastaj ai material në një farë mënyre tërhiqet në sferën e të pavetëdijshmes, më saktë përpunohet në shkallët e proceseve të mendimeve të pavetëdijshmes, karakteristike për atë shkallë. Karakteristikat e mendimit të pavetëdijshëm dhe dallimet nga ato të ‘paravetëdijes’, që mund të bëhet e vetëdijshme, gjer tani mund ta dimë vetëm mbi bazë të rezultateve mu nga ‘puna e ëndrrave”. Mbi bazë të kësaj më lart, mund të konkludojmë se “grimasa” intime e aktit krijues të B. Musliut, “manifaktura” e saj, është kjo: katarsisi i nënshtrohet një akti solemn të vegullimit, të “trullosjes” mes esullimi ku ëndrrat syhapur ia diktojnë produktet e gjeniut krijues te makina e shkrimit të shkrimtarit: punëtoria e tij është si një lundër/flutur që mësyn universin, po kaq sa universi mbytet tek gjeniu krijues i autorit!
Ëndrrat ose gjendja mamur gjatë aktit krijues, pos mekanizëm teknik shkrimi, te B. Musliu janë edhe fokusim tematik të veprave të caktuara të autorit. Në përgjithësi, të gjitha veprat epike të shkrimtarit, pra romanet dhe dramat, kanë elemente dhe substanca të ëndrrës dhe ato u ngjasin atyre; të gjitha ëndrrat janë pjesë të imagjinatës krijuese dhe të gjitha kanë proporcione të ndryshme frekuentimi të mbushje-zbrazjeve krijuese, madje ato janë reprodukim ëndrrash të caktuara të cilat përsëriten. Pos si “makinë shkrimi” të transponuar si lëndë e drejtpërdrejtë, ëndrrat janë lëndë e disa shkrimeve karakteristike, siç janë p.sh. te romani Ndeshtrasha, ku rrëfimtari kryesor tërë lëndën romaneske e “materializon” pikërisht me anë të ëndrrave, te Vegullia ku Mevlan Jusufi pothuaj tërë lëndën romaneske e realizon vetëm me anë të ëndrrave për Talin e zhdukur, babain, Hulën e “mërguar” etj. Ëndrrat, të vogla, të shkurtra dhe “vetanake”, i gjejmë gjithandej në tërë veprën e autorit, te Mbledhësit e purpurit, janë si edhe imagjinata e “çmendur” krijuese ku s’dihet më ç’është ëndërr e ç’është fantastikë e autorit.
(Nga libri “Trinomi postmodern letrar shqiptar”)