Thelbi i romanit “Këneta” të shkrimtarit komunist Fatmir Gjata, niset nga një e vërtetë, por shkrimtari i partisë këtë të vërtetë e shndërron tërësisht të përmbysur, të falsifikuar dhe në fakt, falsifikimi i kësaj të vërtete është një rivrasje e shëmtuar e viktimave dhe martirëve që u dënuan
Agron TUFA
Përveç romaneve “Këneta” të Fatmir Gjatës dhe “Këneta e vdekjes” të Makensen Bungos, episodi historik dhe topografik i Kënetës së Maliqit ka ushqyer në letërsinë shqipe dhe një radhë tekstesh letrare të zhanrit memuaristik. Shkrimtarët memuaristë rreth kësaj realeje historike e toponimike kanë qenë, kuptohet, vetë të burgosur, që u shfrytëzuan si skllevërit e faraonëve për tharjen me krahë të kënetës. Mbresëlënëse e ngjethëse mbi punën në këtë kënetë janë memuaret e At Zef Pllumit, Ejëll Çobës (“Jetë e humbun”) dhe Sulejman Xhixhës. Praqet interes në këtë drejtim memuaristika e Ejëll Çobës për faktin, se dorëshkrimi i tij është shkruar në vitin 1975, çka na garanton parimisht, se koha kur e ka shkruar, nuk ka qenë aspak e volitshme për çfarëdo tundimi “hiperbolizues”. Si Çoba, ashtu dhe Atë Zef Pllumi e Sulejman Xhixha përshkruajnë përafërsisht të njëjtin realitet konkret, të ngjashëm me romanin “Këneta e Vdekjes” të Makensen Bungos, por aspak të ngjashëm me romanin “Këneta” të Fatmir Gjatës. Këtyre dëshmive u bashkohen edhe kujtimet e Skënder Stefanllarit dhe e Ylber Merdanit, ish të burgosur politikë, që kanë përjetuar punën e detyruar në kampin e Maliqit . Por më i afërt me versionin e M.Bungos është poema sonetike “Kanali” e Arshi Pipës, e cila është e pajisur me një koment të hollësishëm që sqaron kontekstin e poezive.
Rizgjimi
Përftohet, kësisoj, një repertor i larmishëm tekstesh letrare, historike, kinematografike e memuaristike rreth të njëjtës realjeje historike të një vendi të caktuar e veprimi të caktuar: tharja e Kënetës së Maliqit (1946-1949), ose në terminologjinë e Mihaill Bahtin-it, një kronotopi tekstesh të ndryshme, që përbëjnë një intertekst brenda një teksti të kulturës, ndonëse kundërthënës. Vendi qëndron në kujtesën tonë kulturore ku i përket kujtesës individuale për ta rizgjuar dhe vënë në lëvizje. Ky është kuptimi i thellë i kësaj thirrjeje të vazhdueshme, për metonimi, të interteksteve. Për ne ka rëndësi rizgjimi dhe lëvizja e këtij repertori tekstesh për vendin dhe kujtesën duke i konfrontuar ato për hir të ndriçimit të raporteve që ata mbajnë me të Vërtetën. Teksti socrealist i Gjatës u shndërrua në një metaforë po aq edhe metonimi intertekstuale , duke manipuluar me të Vërtetën në shërbim të ideologjisë. Pra kronotopia e Kënetës këtu na shërben në cilësinë e kujtesës intertekstuale të autorëve që përmendin e përshkruajnë të njëjtin referent (tharjen e kënetës). Identiteti kulturor i një vendi shfaqet kështu në i rëndësishëm se sa pamja e tij ngushtësisht gjeografike; janë lidhjet e tij me letësinë ato që kanë rëndësi, pasi ato na përplasin në një nyjë të dykuptimtë kohore të historisë dhe kulturës. Në fakt rishkrimi i tekstit të kënetës është bërë pa ndonjë polemizim të drejtpërdrejtë me të parin tekst nistor, atë të F. Gjatës, por ekskluzivisht si zotërim e dominim të “unit” të projektuar e të dëshmuar nga rrëfimi auto(biografik) e memuaristik, sikundër edhe letrar. Në këtë mënyrë, rishkrimi i një teksti nga këndvështrime të ndryshme përvojash empirike, i mbivendoset tekstit të mëparshëm duke e fshirë atë nga gjithë rrafshet e të vërtetave. Në këtë mënyrë historia e vendit dhe kujtesës së parë vjen në një pikë të tillë, sa nuk njihet më. Fakti që ne mund të thërrasim, në lidhje me një kronotopi kulturore një shumësi tëkstesh që e përmendin atë, tregon qenësinë e përhershme dhe gjallërinë e letërsisë.
Interteksti është pra strumbullari rreth të cilit lidhen subjekti, shkrimi dhe kujtesa. Qenësia e përhershme e vendit duhet në fakt të dëshmojë, para së gjithash, për shndërrimin e unit dhe cenueshmërinë e tij themelore: nëse vendi mbetet, subjekti (i lexuesit, psh) i cili rikthehet aty ka ndryshuar thellësisht nga ballafaqimi me tekstet e tjera rreth të njëjtit kronotop. Referenca kulturore, ngaqë ajo është rrjedhojë e një kujtese të gjallë dhe vepruese, dëshmon për vazhdimësinë dhe lidhjen e unit. Uni këtu mund të shfaqet si parim identiteti: është uni ai që i bashkon copëzat e teksteve të ndryshme dhe i mbledh përtej ndarjes së kohërave dhe veprave. Puna e kujtesës rreth veprave mbi kënetën nxjerr në sipërfaqe copëza të së kaluarës dhe këtu është pushteti i saj kryesor: përreth ndërgjegjes së një subjekti mund të rrotullohen copa e fragmente tekstesh, të cilat përmbajnë realitetin që ato thonë. Intertekstualiteti është në zemër të marrëdhënies që subjekti mban me kujtesën, realitetin dhe letërsinë. Kështu të gjitha tekstet autoriale që janë shkruar me referencë tharjen e Kënetës së Maliqit kanë brenda tyre konceptimin e tyre të realitetit: subjekti është para së gjithash mbartës i një kulture dhe i një tradite shkrimi që duhet t’i zgjojë. Përllogaritja e shkrimtarit profesionist të realizmit socialist, Fatmir Gjata, ka qenë themelimi i një tradite të re leximi dhe ndjeshmërie të lexuesit, që tash e mbrapa do të lidhet jo me vërtetësinë e fakteve, por me shfrytëzimin koniuktural të tyre në shërbim të botëkuptimit të ideologjizuar komunist; që lexuesit duhet t’i afrohet një model manipulativ “edukimi të ndjenjave” të “njeriut të ri”, pavarësisht çmimit të së Vërtetës. Tekstet që pasuan për romanit të Fatmir Gjatës nuk hynë në polemikë me romanin, por e “skartuan” atë, e fshinë, duke ofruar në vend të trillit të tij manipulativ një realitet empirik tronditës me gumëzhimat e rënda mortore me të burgosur që përpiqen të mbijetojnë në zgrip të ekzistencës fizike. Intertektualiteti i këtij repertori është pra vendimtar për të ndriçuar raportet e shumta estetike, etike, psikologjike e metafizike që ka Letërsia me të vërtetën dhe moralin e shkrimtarit. Interstekstualiteti është vendimtar gjithashtu, sepse shkrimi nënkupton gjithmonë një kujtesë tekstesh, kujtesë e cila dëshmon njëkohësisht për vazhdimësinë e unit dhe për rrjedhjen e kohës: thirrja e këtyre teksteve e lejon subjektin të nënshkruhet brenda realitetit, historisë dhe letërsisë
Një tjetër dëshmi ngjethëse nga makabriteti i Kënetës na e sjell me mjetet e kursyera të poezisë, poeti Arshi Pipa me poemën e tij sonetike “Kanali” (26 sonete). Pa ndonjë ekzagjerim dhe brenda thelbit krahasimor të realeve, poema është ekuivalentja e “Ferrit” të Dantes në letërsinë shqipe. Vargjet e saj poeti i shkroi i sëmurë, përmbys, në spitalin e Korçës, mbi letra cigareje. Dorëshkrimi origjinal ruhet sot tek e mortra e poetit. Ia vlen të ngremë paksa “velin” e këtij peizazhi dantesk në tre sonetet e para:
KANALI
1
Nga Korça bumbullon. Currila shiu
rrjedhin prej mushamás mbi krena e shtroje.
Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:
Nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.
Mbramje. Dikush përbrî qet gjak për goje.
Këndon letas mbatanë nji fmí arxhiu.
Ky grindet për pak uj qi shoku i piu;
Ai shán se i vodhën bukën. Hín nji roje.
Shkopinj e shqelma. Britma. Frín bilbili.
Pushim. E dergjet lodhja, prân secili,
E flên kush mundet për atë natë me fjetë.
Si lazaret rënkon e fshân baraka.
Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,
veç atyne qi pret nji vorr i shkretë.
2
Rreshtohet puntorija: ndahet çorba,
dy-trí patate qi vozisin n’uj.
E shtrîhen duert e dridhshme… Por shumkuj,
Pse normën nuk e kreu, s i njomet vorba.
Ky ngjyen bukën me krypë, ai nji këpujë
Qepe qëron. E shkunden xhepa e torba.
Për nji fundrrí kazani mu si korba
T’etshëm mbi kërma sulen me rrëmujë.
Mbasdreke. Diell. Tash lahen, hjekin llucën
Nga kofshët; terin petkat; ngjesin arna.
Dikush morritet. Njeni zien do barna,
Si shtesë për darkën; tjetri qepë këpucën.
Nji professor me syza vetullçil
Bythça duhani mbledh e i ban fitil.
3
A mund të quhen njerëz? Qe, shikoj.
Fëtyra dheu ku sít e shojtun ngrohen
Kur shofin bukën; faqe qi gropohen
E nofulla qi dalin si patkoj.
Kambët s i mbajnë e krahët u rrëzohen.
Si dordoleca lkunden qi vendoi
Mbi hunj kopshtari. Njerz kta ksisoj?
Shauretën janë qi nga vorrezat çohen.
Njerëz kanë qenë. Sot janë veç zhele mishi,
Automa kockash, nji bërsí, nji pleh,
Ku veç prej emnave dallon e njeh
Bujkun nga beu, tregtarin nga dervishi,
kusarin, simahorin, lakanderin
prej atdhetarit qi luftoi për nderin.
Raporti me të vërtetën në tekstet mbi Kënetën e Maliqit
Nëpërmjet romani “Këneta” të Fatmir Gjatës, që njeh mbi tetë ribotime me tirazh llahtarisht të madh, të përfshirë në të gjitha tekstet shkollore-universitare, të përfshirë në kolanën “seria e romanit të zgjedhur (srz)”, të përcaktuar si lexim të detyrueshëm në shkollat tetëvjeçare, të mesme dhe universitare, të përfshirë në të gjitha antologjitë shkollore, shto këtu dhe versionin e tij filmik “Vitet e para”, një mikster manipulativ të memories – u ndërtuan deri në vitin 1990 perceptime të rrejshme mbi të vërtetën. Thelbi i romanit “Këneta” të shkrimtarit komunist Fatmir Gjata, niset nga një e vërtetë, por shkrimtari i partisë këtë të vërtetë e shndërron tërësisht të përmbysur, të falsifikuar dhe në fakt, falsifikimi i kësaj të vërtete është një rivrasje e shëmtuar e viktimave dhe martirëve që u dënuan. Personazhet e veprës – Abdi Sharra, Kujtim Shaqiri, Vasil Minga, Zyraka, Enxhenio Skutarini, Harry Fulci, në roman paraqiten si sabotues, armiq të popullit e të partisë dhe agjentë të ndryshëm e sidomos të imperializmit amerikan. Prandaj si të tillë duhej të dënohen dhe vërtet janë dënuar. Përballë tyre del ndonjë personazh letrar me ideale të reja socialiste, me një zgjuarsi të veçantë për “zbulimin e armiqve të popullit” dhe me besnikëri të plotë ndaj idealeve të partisë. Tema e romanit është tharja e kënetës së Maliqit në vitin 1946, kur sapo ka zënë rrënjë regjimi komunist. Brezat shkollorë që e kanë lexuar kanë krijuar një përshtypje të veçantë nga vepra, kanë ndjerë kënaqësi dhe i kanë urryer “armiqtë e popullit”! Mirëpo me kalimin e kohës, me ndryshimin e rrethanave politike, me të dhënat e bazuara në të vërtetën e kësaj ngjarjeje, na del një realitet tjetër, të cilin shkrimtari Fatmir Gjata nuk kishte guxuar ta paraqiste si të tillë. Nuk ishin ushtri të huajsh ata që varnin të shkolluarit në Perëndim, por ishin dora vetë, komunistët shqiptarë, që ngritën trekëmbëshat në vjeshtën e fundit të vitit ’46. Partia Komuniste shqiptare me levat e saj të propagandës e përdori gjerësisht si referencë dhe edukim për brezat gënjeshtrën e madhe të “inxhinierëve sobotatorë”. Mjafton të kujtojmë demarshin e kësaj propagande në artin socrealist.
Çfarë ka të vërtetë në realet historike të romanit të F. Gjatës? Pas largimit të paralajmëruar të misionit amerikan nga Shqipëria, Sigurimi i Shtetit, me orientim “nga lart”, filloi me ngut hartimin e listave të individëve proamerikanë, për të vazhduar spastrimet e përgjakta të radhës. Në këtë kuadër u përgatit dhe u zbatua skenari për ndëshkimin e të ashtuquajturve “sabotatorë” të tharjes së Kënetës së Maliqit. Anëtarët e grupit ishin inxhinierë dhe kuadro të aftë, që kishin mbaruar politeknikumin e Harri Fulcit, mandej studimet e larta në universitetet e Europës dhe shikoheshin me frikë patologjike si kundërshtarë të regjimit komunist, sikundër ngjau, pa përjashtim, më vonë, me të gjithë elitën intelektuale properëndimore.
Gjyqi-skenar nisi pak ditë para largimit të misionit amerikan nga vendi ynë, nën tamburet e një propagande frenetike që mbyste çdo mendim e qëndrim të ndryshëm nga opinioni publik i kohës. Dështimi i tharjes së Kënetës së Maliqit në afatet e vëna palogjikshëm nga partia komuniste, ishte vetëm sfondi ku u lujat ndëshkimi tragjik për “koka turku” mbi inxhinierët e pafajshëm. Ky gjyq synonte, me gjasë, për të diskretituar Harri Fulcin dhe për ta shmangur ndikimin e shkollës teknike amerikane në prag të kthesës dhe izolimit të plotë të Shqipërisë nga Perëndimi .
Të japim disa të dhëna në përballje me romanin “Këneta”:
– Avdi Sharra, si personazh letrar, është Avdyl Sharra i vërtetë, 35 vjeç, inxhinier i ndërtimtarisë i diplomuar në Romë, i caktuar si kryeinxhinier në tharjen e kënetës së Maliqit. Më vonë i dënuar me varje!
– Kujtim Shaqiri, personazh letrar, është Kujtim Beqiri i vërtetë, 30-vjeçar, inxhinier, fitues i medaljes së artë në Universitetin e Vjenës. I caktuar si drejtor i punimeve në kënetë. I dënuar me varje!
– Vasil Mano, personazh letrar, me emër të vërtetë Vasil Minga, mbaron fakultetin e inxhinierisë në Kroaci dhe kthehet në Shqipëri, së bashku me bashkëshorten e tij
– Zyraka Mano (kroate), e cila del në roman me po atë emër letrar. Të dy dënohen me pushkatim për sabotim dhe “tradhti” ndaj popullit dhe atdheut! Para ekzekutimit ajo i drejtohet të shoqit dhe një inxhinieri italian ne fjalët: “Ngrini sytë nga qielli të na shikojë Zoti, se Ai dhe ne e dimë që jemi të pafajshëm!” , fill pas të cilave pushkatohet dhe ajo, edhe pse ishte shtatzënë. Po ashtu dënohen me pushkatim drejtori i shkollës, Fulci dhe inxhinieri italian, Eugenio Scaturo, në roman, Skutarini.
Dhe gjithnjë, duke gjurmuar shkrimet rreth kësaj ngjarjeje mësojmë se në tharjen e kënetës së Maliqit nuk ka marrë pjesë populli, as punëtorë vullnetarë të partisë, por të burgosurit politikë nga të gjitha burgjet e Shqipërisë, nën masa të rrepta sigurie e në kushte e masa ndëshkuese mesjetare. Këneta e Maliqit ishte shndërruar në një kamp të tmerrshëm ku bëhej shfarosja e “armiqve të popullit e të partisë”! Prandaj është e qartë se ngjarjet rreth kënetës së Maliqit janë shtrembëruar dhe janë hartuar ashtu siç i ka pëlqyer regjimit komunist.
A do ta shkruante ndryshe shkrimtari Fatmir Gjata po të ishte gjallë?! Përveç romanit ka edhe një film të kinostudios “Shqipëria e Re” (“Vitet e para”) për ta kanonizuar masivisht versionin zyrtar komunist, po ashtu edhe dokumentarë mbi këtë diavoliadë. Në kënetën e Maliqit, sipas versionit të propagandës komuniste punonte “populli, rinia jonë heroike”, ndërsa e vërteta është krejt ndryshe: Kontigjenti që realizoi në kushte naziskine këtë vepër, ishin të burgosurit politikë. Disa nga shifrat që afrohen janë se rreth tre mijë të burgosur kanë punuar atje. 63 vetë kanë vdekur në punët e vështira, janë pushkatuar, janë varur në kohën e tharjes së kësaj kënete. Masat represive që u ushtruan në kënetën e Maliqit u përkasin metodave të nazistëve. Përditshmëria e të burgosurve kalonte nëpër kushtet ekstreme: mushkonjat, norma e rëndë e punës, ushqimi i pakët, rrahja, ndëshkimet poshtëruese deri te groposja në kanal, mungesa e teknologjisë (mjetet përbëheshin prej lopatës, kazmës, tokmakut, dekovilit, dinamiti). Tharja e kënetës kërkoi shfrytëzimin mizor të energjive të mijëra vetëve, ndërkaq shteti refuzonte kredi dhe makineritë moderne që përdorte bota në tharjet e kënetave.
Tekste të tjera të kronotopisë së Kënetës së Maliqit
Një korpus më vete përbën repertori i dëshmive memuaristike. Janë përvoja në lëkurë, përjetime të vetë autorëve. Autorët më të spikatur midis dhjetërave, janë: Beqir Ajazi, At Zef Pllumi, Ejëll Çoba, Sulejman Xhixha, Arshi Pipa, Sami Repishti etj. Ky i fundit i përshkruan të burgosurit si “kufoma lëvizëse”, “leckamanë të mbuluar me baltë”, që transportoheshin të lidhur me zinxhirë.
Tekste politike, ideologjike e diplomatike. Këtu mund të përfshihen në një repertor më vete të gjitha tekstet e Historisë së Shqipërisë së pasluftës, Historia e PPSH, tekstet shkollore apo universitare të Historisë. Te këto tekste mund të përfshihet dhe një tekst diplomatik, Raporti i qeverisë Amerikane i paraqitur në OKB në shkurt të 1055, prej 10 faqesh, ku flitet hollësisht për mënyrat çnjerëzore të trajtimit të të burgosurve politikë në Shqipëri, në këtë kamp shfarosjeje. Nëse do të përmblidheshin të gjitha tekstet e repertorit të Kënetës së Maliqit në një antologji të kësaj “topike të trishtë”, atëherë në letrart shqipe do të kishim rreth 2000 faqe tronditëse në disa zhanre.
Pasi kujton thënien e Danillo Kishit se “shkrimtarët nuk janë ndërgjegjja e kombit, sepse në mesin e tyre ka shumë qelbanikë e kriminelë”, në çast të dalin përpara shkrimtarë si Fatmir Gjata me personazhet e romaneve të tillë, si “Këneta”.