AUTORITETI QË MUNGON

Nëse keqinterpretoni një autoritet të gjallë, ata mund të përgjigjen dhe të korrigjojnë interpretimin (projeksionin) tuaj. Por autoritetet që mungojnë nuk mund ta bëjnë këtë.

Sead ZIMERI

Sipas studiuesit të fesë Craig Martin (2017) ekzistojnë të paktën tre lloje autoriteti: 1) ka gjëra autoritative (tekste, rituale, praktika, e kështu me radhë). Bibla, Kur’ani dhe ndoshta Kushtetuta janë gjëra të tilla. 2) Lloji i dytë i autoritetit lidhet me figurat fetare ose pozitat shoqërore: Dalai Lama, Papa, presidenti, etj. 3) Lloji i tretë i autoritetit, ky më i rëndësishmi për fenë, përfshin autoritete që mungojnë, të cilët nuk janë të pranishëm sot.

Për shembull, nëse keqinterpretoni një autoritet të gjallë, ata mund të përgjigjen dhe të korrigjojnë interpretimin (projeksionin) tuaj. Por autoritetet që mungojnë nuk mund ta bëjnë këtë. Etërit themelues të Shteteve të Bashkuara nuk mund t’i përgjigjen dhe të korrigjojnë interpretimet republikane ose demokrate të Amendamentit të Dytë, për shembull. Profeti Muhamed nuk mund t’i përgjigjet interpretimeve të kujtdo që përdor autoritetin profetik për të legjitimuar thëniet dhe veprimet e tyre. Nëpërmjet këtyre autoriteteve të munguara, shumë prijës fetarë legjitimojnë pikëpamjet dhe mënyrën e jetës së tyre edhe ndonjëherë kur ato pikëpamje janë moralisht dhe racionalisht të dyshimta.

Sa herë që thonë Zoti, Bibla, Kur’ani, Jezusi apo Muhamedi thotë këtë apo atë, ata shfrytëzojnë autoritetin që mungon për interesat e tyre. Ata janë plotësisht të sigurt në bindjet e tyre, që ky autoritet nuk mund t’u përgjigjet, korrigjojë, drejtojë, kritikojë apo qortojë për interpretimet e tyre. Prandaj, kushdo që përdor autoritetin e munguar në këtë mënyrë është një oportunist që me vetëdije ose pa vetëdije manipulon autoritetin e munguar, por të nevojshëm për t’i dhënë vlerë pikëpamjeve të tij. Nuk është rastësi që themeluesit e feve herë paraqiten si ideologë ultra konservatorë e herë si ideologë ultramodernist. Herë na paraqiten si kapitalistë e herë si socialistë e komunistë. Dhe kjo është e pashmangshme pasi këto janë shqetësimet tona, por është krejtësisht tjetër çështje nëse këto çështje kanë qenë edhe shqetësimet e tyre dhe në çfarë mase.

Ndoshta disa do t’i përgjigjen kësaj duke thënë se ne kemi dijetarë që dinë se çfarë thotë Kur’ani ose Bibla dhe se ekziston një traditë që i ka ruajtur këto kuptime origjinale. Por ky është një supozim rrethor, kështu që nuk e zgjidh problemin. Në fund të fundit, edhe dijetarët më të shquar janë njerëz, kështu që ata nuk janë më pak të prirur për të çuar përpara interesat e tyre se të tjerët, qofshin ato thjesht interesa intelektuale.

Mënyra e vetme për të shmangur një manipulim të tillë është ndershmëria dhe serioziteti intelektual që në thelb refuzon të identifikojë ose legjitimojë interpretimin e vet me një të vërtetë në të cilën nuk ka qasje. Është interpretimi im, dhe për aq sa është interpretimi im, është i hapur ndaj interpretimeve dhe kritikave të të tjerëve, të cilët pak a shumë mund të pajtohen me të. Kjo është gjithashtu e vetmja gjë e drejtë nga pikëpamja etike, sepse ky është përfundimi dhe kuptimi i interpretuesit. Pra, interpretuesi nuk ka asnjë të drejtë epistemike apo morale t’i atribuojë tekstit kuptimin e tij.

(Marrë nga profili i autorit)

Leave a Reply

Your email address will not be published.