Sikur shqiptarët t’i kishin institucionet e veta kulturore, a do të kishin nevojë për një “balancues” që do ta lehtësonte punësimin e tyre nëpër institucione kulturore të cilat aspak nuk kanë të bëjnë me kulturën shqiptare
Nga Avni HALIMI
Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të popullsisë dhe kanë një histori, kulturë dhe tradita të pasura që datojnë me shekuj. Megjithatë, deri më sot, ka pasur një mungesë të theksuar të institucioneve të strukturuar që do të përkujdeseshin për ruajtjen, studimin dhe promovimin e kësaj pasurie të madhe kulturore.
Nevojë urgjente për një Institut të Etnografisë Shqiptare
Një nga kërkesat më urgjente të kohës është krijimi i një Instituti Kombëtar të Etnografisë Shqiptare, që do të luante një rol kyç në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit etnik dhe kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Përveç kësaj, do t’i bëhej një karshillëk kombëtar forcave nacionaliste të cilat mundohen që shqiptarët e këtushëm t’i paraqesin pa rrënjë, pa një të kaluar të begatë në trojet e tyre shekullore, pa taban etnik; t’i paraqesin si krijesa që sapo kanë ardhur dhe kanë uzurpuar pjesë të Maqedonisë së Veriut. Si do të dëshmohej e kundërta e kësaj nëse jo përmes ekzistimit të një Instituti të Etnografisë! Në Maqedoninë e Veriut ka plotë profesionistë që merren me etnografi që publikojnë hulumtime shkencore po që gjithçka përfundon në kuadër të angazhimeve personale! Angazhimet personale shpesh janë trajtuar edhe si “veprimtari e kundërligjshme”, “jo shkencore”, “jo kushtetuese”, “kriminale” etj. Ose, në variantin më të mirë, ato hulumtime apo botime janë minimizuar, janë përjashtuar nga financimet prej buxhetit shtetëror dhe është bllokuar reklamimi e debati shkencor mbi veprat përkatëse. Sa shqiptarët e këtij shteti dhe jo vetëm, dinë gjë, për shembull, për veprimtarinë shkencore të Zejna Halimit, e cila është etnografe e pasionuar që hulumton dhe hedh dritë mbi artin në veshjet popullore të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Sa dinë shqiptarët e këtushëm për angazhimin profesional të Edibe Osmanit në fushën e etnografisë shqiptare? Janë një duzinë etnografësh shqiptarë që janë të shpërndarë nëpër institute të ndryshme dhe që nuk gjejnë gjithaq përkrahje institucionale për të kontribuar në fushën e etnografisë shqiptare.
Pra, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë një traditë të pasur në fushën e etnografisë. Kultura popullore, siç janë zakonet, ritualet, folklori, muzika, veshjet, artizanati dhe gjuha, janë elementë që përbëjnë shpirtin e identitetit kombëtar. Këto pasuri kryesisht janë transmetuar gojarisht dhe ruajtur nga brezi në brez, por zhvillimi i shoqërisë moderne, me urbanizimin dhe përhapjen e teknologjisë, ka bërë që disa nga këto tradita të jenë në rrezik të zhduken ose të humbasin autentiken! Kemi ansamble dhe dhjetëra shoqata kulturo-artistike që e përcjellin këndimin popullor, lojën, vallen, ritet! Kjo përcjellje bëhet përmes veshjeve tradicionale, porse këtu shtrohet çështja: sa janë origjinale dhe autentike ato veshje, motivet dhe aksesorët “popullor” që përdoren gjatë interpretimit? Një institut i etnografisë do të mundësojë mbledhjen, dokumentimin dhe studimin e këtyre pasurive kulturore, duke u siguruar që ato të ruhen për brezat e ardhshëm. Kjo është e rëndësishme për çdo komb, por sidomos për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që janë një komunitet relativisht i madh por që gjithnjë kanë pasur sfida për të ruajtur identitetin e tyre të veçantë në një shtet multietnik. Instituti do të ishte një qendër e rëndësishme edukative, ku të rinjtë shqiptarë mund të mësojnë më shumë rreth trashëgimisë së tyre kulturore. Edukimi i brezit të ri është thelbësor për forcimin e identitetit kombëtar dhe për të ndihmuar në ruajtjen e elementeve kulturore që kanë ndihmuar në formimin dhe në ekzistimin e popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Për më tepër, ky institut mund të ofrojë mundësi për studime të avancuara dhe kërkime shkencore për etnografinë, historinë dhe kulturën shqiptare. Më shumë intelektualë shqiptarë do të mund të kontribuonin në analizat dhe hulumtimet që do të dokumentonin trashëgiminë e tyre, duke ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e ruajtjes së kulturës në kontekstin e një shoqërie globale dhe gjithnjë e më të përhapur.
Thënë shkurt, krijimi i një Instituti Kombëtar të Etnografisë Shqiptare në Maqedoninë e Veriut është një nevojë e domosdoshme për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar shqiptar. Ky institut do të ofronte mundësi për hulumtime shkencore, edukim të rinisë, promovim të kulturës dhe zhvillim ekonomik përmes turizmit. Ai do të ishte një hap i rëndësishëm në forcimin e lidhjeve brenda komunitetit shqiptar dhe ndërkombëtarisht, duke kontribuar në njohjen dhe vlerësimin e kulturës shqiptare si një pjesë e vlefshme dhe e rëndësishme e mozaikut kulturor të Ballkanit dhe të botës. Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, një institut i tillë do të ishte një mundësi për t’u identifikuar më fort me trashëgiminë e tyre dhe për të siguruar që pasuria e kulturës shqiptare të mbetet e gjallë dhe e nderuar për brezat e ardhshëm. Ky po që është aktivitet kombëtar që do ta linte nën hije të rëndë “patriotizmin manipulativ” që po shprehet në dy kilometra të rrugës Shkup-Bllacë!
Pse na duhet një Muze i Etnografisë Shqiptare
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë një etnikum i cili, bazuar në numrin si popullsi si dhe në shtrirjen gjeografike, është me një laramani veshjesh popullore dhe me një shumësi të folmesh të gjuhës shqipe që vështirë se mund të haset në cilëndo pjesë të etnisë dhe të viseve etnike shqiptare. Shqiptarët e këtushëm kanë privilegjin që gjuhën e vet ta kenë “zyrtare”, ndonëse nuk kanë Ligj për Gjuhën Shqipe, nuk kanë Agjencinë për licencimin e lektorëve të gjuhës shqipe, dhe nuk kanë Institutin e Albanologjisë! Shqiptarët e këtushëm, ndonëse me “arka të begata” ku ruajnë pasuri të paçmueshme nga thesari kulturor, nuk kanë as Institut të Etnografisë por as Muze të Etnografisë Shqiptare i cili u duhet (për ditët e sotshme) po aq sa Gjuha Shqipe! Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë nevojë për një Muze të Etnografisë Shqiptare, mbi të gjitha, për të pasur një platformë të integruar që bashkon kërkimin shkencor me ekspozimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale. Ky muze u duhet shumë shqiptarëve të këtushëm për të ruajtur, studiuar dhe shfaqur pasurinë kulturore shqiptare, duke i dhënë mundësi vetes sonë dhe të tjerëve për ta njohur më mirë identitetin dhe historinë e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë.
Muzeu Etnografik i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut do të shërbente si një depo e pasur për ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke përfshirë veshje tradicionale, instrumente muzikore, objekte artizanale, mobilje, mjete bujqësore, dhe shumë elemente të tjera që pasqyrojnë jetën dhe zakonet e shqiptarëve. Këtu, po funksionojnë disa “muze” private të personave pasionantë pas objekteve të trashëgimisë sonë kulturore, e që funksionojnë në kushte që nuk garantojnë jetëgjatësi të atyre objekteve. Këto objekte janë pjesë e pasurisë kulturore të popullit shqiptar dhe kanë një vlerë të madhe për njohjen e zhvillimit të shoqërisë, shpërndarjen e grupeve sociale dhe ndërveprimet e tyre me mjedisin dhe kulturat e tjera. Kjo është logjika e përkujdesit institucional dhe ruajtjes së këtyre objekteve nga trashëgimia kulturore. Ku më mirë se në një muze të etnografisë shqiptare do të pasqyrohej tradita dhe zakonet popullore shqiptare, të cilat janë një pjesë e rëndësishme e identitetit kulturor. Kjo do të përfshinte ekspozita rreth riteve të kalendarit, si dasmat, pagëzimet, festa tradicionale, festat e shenjave të natyrës (si festa e Verës, Pashkët, etj.), si dhe besimet dhe supersticionet që janë të lidhura me këto festa. Këto zakone janë një pasuri e rëndësishme dhe ruajtja e tyre përmes një muzeu do të ndihmonte në edukimin e brezave të rinj për vlerat dhe trashëgiminë e kulturës shqiptare. Është koha e fundit që një institucion përkatës të hapë konkurs për blerjen e të gjitha objekteve nga trashëgimia jonë kulturore që rrinë të palosur nëpër arka, apo që dergjin nën pluhur nëpër tavanet e shtëpive e nëpër skutat ku zënë vend plehrat dhe “vjetërsinat”! Një muze i etnografisë shqiptare do të ishte pa dyshim instituti nacional më i begatë dhe më i rëndësishëm në këtë vend.
Përdorimi i teknologjive moderne për t’i dhënë një përvojë interaktive muzeut do të ishte një mundësi për të angazhuar brezat e rinj dhe për t’u mësuar atyre rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të traditave dhe identitetit kombëtar. Për më tepër, një muze i tillë mund të organizonte aktivitete dhe programe edukative, si punëtori artizanale, ekspozita dhe ngjarje kulturore që do të tërhiqnin vizitorë dhe do të rrisnin ndërgjegjësimin për pasuritë kulturore të komunitetit shqiptar. Muze i etnografisë shqiptare mund të shërbente si një pikë lidhëse për komunitetin shqiptar me kulturat e tjera dhe me botën. Vizitorët nga e gjithë bota që po vijnë gjithnjë e më shumë në vendin tonë, në Muzeun etnografik shqiptar do të eksploronin pasuritë kulturore të shqiptarëve dhe do të kuptonin më shumë rreth mënyrës së jetesës, traditave dhe historisë së këtij populli. Po ashtu, muzeu mund të hapte mundësi për partneritete dhe bashkëpunime ndërkombëtare me muze të tjerë, institucione shkencore dhe organizata që punojnë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të popujve të Ballkanit dhe më gjerë. Ky bashkëpunim mund të çonte në krijimin e ekspozitave të përbashkëta, shpërndarjen e hulumtimeve shkencore dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Mbi të gjitha, një muze i etnografisë shqiptare mund të luante një rol kyç në dokumentimin dhe ruajtjen e objekteve kulturore përmes procesit të digjitalizimit. Teknologjia mund të ndihmojë në regjistrimin e detajeve të objekteve, duke mundësuar ruajtjen e tyre edhe në rast se këto objekte fizikisht mund të dëmtohen. Po ashtu, muzeu mund të krijonte një bazë të dhënash online, ku studiuesit, studentët dhe të interesuarit mund të aksesojnë informacione dhe pamje të objekteve dhe dokumenteve etnografike. Pa dyshim, Muzeu i etnografisë shqiptare nuk do të shfaqte vetëm elemente materiale të kulturës, por edhe trashëgiminë jomateriale, siç janë këngët tradicionale, vallëzimi, gojëdhënat dhe legjendat, folklori dhe artet e tjera që përcjellin historinë e shqiptarëve. Duke përfshirë këto aspekte të etnografisë, muzeu do të mundësonte një pasqyrë më të plotë të kulturës shqiptare, që është ndoshta më e vështirë për t’u përjetuar vetëm përmes objekteve materiale, por që ka po aq rëndësi në ndërtimin e identitetit.
Për fund, ky muze nuk do të ishte thjesht një hapësirë ekspozuese, por një qendër edukative dhe kërkimore që do të kontribuonte në forcimin e identitetit kombëtar shqiptar dhe në pasurimin e dialogut kulturor ndërkombëtar. Është koha e fundit që subjektet tona politike të angazhohen në institucionalizimin e kulturës shqiptare, pra, përtej “Ditës së plisit” apo “Javës folklorike” e “Tingujve të Çarshisë” që më shumë shërbejnë për zhvatje të fondeve se sa për të mirën e trashëgimisë sonë kulturore.
Program i margjinalizuar në një hapësirë të kufizuar
Jemi në prag të 80 vjetorit të Radio Shkupit, Shërbimi i tretë programor, Programi në gjuhën shqipe! Sa emërtim tendencioz e qesharak! Në gjuhën shqipe thuhet “Radio Shkupi” dhe, pastaj, duhet të theksohet edhe “Programi në gjuhën shqipe”?! Po pse? Sepse, pas vitit 2001, gjatë procesit të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, u gjet një zgjidhje e gjymtë, ofenduese për shqiptarët dhe, si e tillë, u hesht dhe nuk pati interesim politik për një zgjidhje që do të na bënte nder, siç nuk pati kapacitet politik as zgjidhja për gjuhën shqipe, për “balancuesin” i cili përkujdesej për të balancuar nevojat etnike si të shqiptarëve ashtu edhe të maqedonasve për punësime në administratë dhe jo për të balancuar përfaqësimin e shqiptarëve në administratën maqedonase! Kështu siç ka ngelur Radio Shkupi, është fyerje për dinjitetin e shqiptarëve të RMV-së! Ky Shërbim i tretë, në fakt është shërbim që u rezervohet pakicave kombëtare në Maqedoninë e Veriut! Pra, me pajtesën politike për t’u përfshirë në këtë Servis, në fakt kemi pranuar publikisht statusin e pakicave etnike në vend (insistim ky i politikave nacionaliste maqedonase). Shqiptarët, turqit, serbët, romët, boshnjakët dhe vllahët kanë po të njëjtin status në një organ të themeluar nga Kuvendi i RMV-së! Radio-televizioni Maqedonas – Radio Maqedonase (ky është emërtimi zyrtar dhe jo “Radio-televizioni i Maqedonisë – Radio e Maqedonisë”, siç e përkthejnë shqiptarët gabimisht), është media që gjatë 24 orëve transmeton 17 orë program në gjuhën shqipe, 5 orë në gjuhën turke dhe nga 30 minuta program në gjuhën rome, vllahe, boshnjake dhe serbe! Maqedonasit kanë Servisin e parë programor, të dytin, të tretin, kanë Programin e Kuvendit si dhe Programin Satelitor!
Pa dyshim, Radio Shkupi, Servisi i tretë programor, Programi në gjuhën shqipe, gjatë këtyre 80 viteve ka pësuar evoluim, sidomos pas vitit 1990, dhe aq më shumë pas vitit 2001! I është dhënë kohë më shumë dhe, sipas të gjitha gjasave, kjo kohë i është dhënë për tallje politike! Si mund të shpjegohet ndryshe fakti që, pas vitit 2001 ky Servis ka fituar kohë transmetimi me një skemë programore jo të dinjitetshme: dy të tretat e programit është muzikë dhe një e treta emisione informative (edukative, arsimore, kulturore, politike etj.) Pra, 65% muzikë dhe, 35% “informacion”, thuajse shqiptarët kanë pasur nevojë për një “disko-koncert popullor elektronik” dhe për emisione të lodhshme! Cilat janë pasojat e një “tarator-radio” të këtillë? Në muajin mars, me rastin e “Natës së zjarreve në Prekaz”, do të përgatitet një emision dinjitoz! Përkujtim të ngjarjeve, intervista, këngë patriotike! Sakaq përfundon koha e Programit në gjuhën shqipe dhe, fillon programi në gjuhën serbe! Në gjuhën serbe shkon një radiodramë në të cilën madhërohen figurat serbe me përmasa “mitologjike”, të cilat e paskan mbrojtur popullin serb nga gjenocidi shqiptar në “Kosovo i Metohija”!
Së këndejmi, përfundimisht, shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut i duhet një KANAL më vete radio-televiziv, le të jetë ky Kanali i dytë, apo i tretë, një Kanal që do të flasë në gjuhën shqipe në tërë territorin e vendit, pa i ndërruar radio-frekuencat orë e çast! Kështu siç është, është tepër nervozuese dhe shumë ofenduese dhe konfliktuale! Boll e mirë, je duke dëgjuar program në gjuhën shqipe kur, sakaq, ndërpritet dhe nisë programi në gjuhën serbe me politika redaktuese që t’i minojnë të gjitha ato ndjenja paraprake të krijuara gjatë emisioneve në shqip, në fakt, gjatë këngëve shqipe, nga fondi muzikor absolutisht më i pasur dhe më origjinal që mund të ekzistojë në cilëndo radio-platformë nacionale shqiptare! Përkundër kësaj fonoteke të begatë, çka paraqet skema programore “65% muzikë”! Paraqet neglizhencën totale dhe qëndrimin kundër medias nacionale të një subjekti partiak, i cili nuk ka kurrfarë potence politike në asnjë nga organet shtetërore! Sepse, një radio pa punësime të reja, pa staf të zgjeruar e të kompletuar të redaksisë, pa studio-hapësirë përkatëse dhe pa politika redaksionale përtej atyre politikave shabllone e steriotipe, natyrisht që do të ngjasojë në “disko-koncert elektronik” dhe në makineri që nervat t’i bën tërkuzë!
Pra, tejkalimi i kësaj situate do të ishte një zgjidhje e drejtë dhe praktike përmes kalimit të Programit në gjuhën shqipe në një kanal të dytë shtetëror, ku të ofrohej transmetim 24 orësh tërësisht në shqip. Kjo do të linte Shërbimin e Tretë Programor të fokusuar tek pakicat më të vogla kombëtare, duke u dhënë edhe atyre një platformë më të mirë për përfaqësim. Një kanal i tillë në gjuhën shqipe do të ishte në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe synimet për barazi dhe integrim të shqiptarëve në jetën publike dhe institucionale. Për më tepër, do të ofronte një mundësi për të zhvilluar një programacion cilësor që adreson nevojat specifike të shqiptarëve. Kjo situatë kërkon veprim nga institucionet shtetërore dhe përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Të mbështesësh kalimin e Programit në gjuhën shqipe në Kanalin e dytë shtetëror nuk është vetëm një kërkesë legjitime, por një domosdoshmëri për të siguruar një përfaqësim të drejtë dhe dinjitoz për shqiptarët.
Radio Shkupi dhe programi në gjuhën shqipe duhet të jenë më shumë sesa një simbol; ato duhet të jenë një platformë e vërtetë për dialog, kulturë dhe zhvillim. Të shpresojmë se 80 vjetori i themelimit të saj do ta gjejë në këtë pozitë të dinjitetshme!