Në treqind e ca faqet e kësaj përmbledhje, gjen tregime thellësisht realiste, tregime të realizmit magjik dhe deri te ato surealet apo plot me fantazi të shfrenueme; gjen satira, tregime sarkastike apo pjesë me humor të zi; gjen përshkrime mjeshtërore, dialogë lakonikë, rrëfime të thukëta dhe deri te psikoanaliza dhe shtjellime filozofike
Ernest MARKU
Ka një perceptim të gabuem se letërsia shqipe e këtij shekulli nuk vlen, romanet e shkruem në këto kohë mezi shtyhen, janë skematikë, u mungon befasia dhe joshja letrare; shkohet deri atje sa thonë që proza në përgjithësi vuen nga mediokriteti, ma keq se poezia pandemike e rrjeteve sociale. Nuk ka përgënjështrim ma të mirë për këto teza, se sa tregimet e përfshime në kët përmbledhje. Ne si kolegjium redaksional, nuk morëm përsipër me ba kritikën letrare, por nëpërmjet përzgjedhjes tonë, kena dashtë me promovu qasjet ma interesante letrare të autorve shqiptarë, përsa i përket tregimit të shkurtër; kena dashtë me tërhjekë vëmendjen drejt letërsisë së mirë, asaj të vërtetës, pjesë integrale e letërsisë europiane dhe asaj botnore (nuk fola për letërsi ballkanike pasi, për mendimin tim, nëse ekziston vërtetë një ndarje e tillë, letërsia shqipe asht letërsi europiane sui generis dhe jo nëpërmjet kësaj përkatësie gjeografike).
“Takimi” i Agron TUFËS asht një takim me veten, takim me të shkuemen, takim me ndërgjegjien që vuen. Aty gjenë elementë të realizmit magjik, të psikoanalizës, t’sarkazmës dhe mbi të gjitha gjen një gjuhë të pasun, një stil t’veçantë dhe një substancë që ta mban gjallë kureshtjen, edhe përtej fjalëve t’fundit të tregimit. Ky tekst ka disa rrafshe leximi ku shpesh, ma i randsishëm asht nënteksti, sesa ato rreshta të kursuer që t’rrëshqasin në pjesën analitike të trunit.
Depersonalizimi dhe dehumanizimi i individit, si sfida kryesore e shekullit ku jetojmë, asht lajtmotivi i “Zhgjëndërrimi”-t të Alban DANOS. Personazhi kryesor, pa pritë e pa kujtu, zgjohet nga realiteti mbytës dhe kërkon dëshpërimisht me rigjetë veten, rrugë e cila e çon drejt shkatrrimit, pasi bota reale i përgjigjet edhe ma ashpërsisht. Nëse kjo ishte andrra, atëherë autori na len në zgjandërr letrare, pa na udhëhjekë drejt realitetit të ri.
Te “Anarki në Parajsë”, Aleksandër PËRGJINI ia lëshon krejt frenat fantazisë dhe imagjinatës, tuj i kapërcy letrarisht muret e trashendentit dhe tuj i ofru lexuesit një mendim të thellë filozofik, i cili zhvillohet natyrshëm në një shtrat mitologjik dhe mbështetet në erudicion dhe kulturologji, kryesisht në atë të antikitetit.
Alfred DUKA te “Xhandari i Urës” rrëfen në mënyrë krejt të natyrshme, realitetin sarkastik të një personazhi atipik, brishtësia dhe butaforizmi i të cilit, në përballje të vazhdueshme me botën reale, arrijnë deri në kufijtë e stoicizmit. Dialogjet janë sa të natyshme aq edhe sureale, ambiguitet ky, mbi të cilin autori ka ndërtu fabulën letrare të një malësori, sa besnik dhe të bindun, po aq naiv dhe kryeshkamb.
“Syri i madh” i Alket BUSHIT asht një traktakt filozofik, i letrarizuem mjeshtërisht prej autorit. E gjitha ndodh në një skenë gjigande, aty ngërthehet historia dhe e ardhmja, pasionet dhe friknat e mëdha, forcat dhe shtysat, magjepsjet dhe joshjet… Gjatë leximit, duhet me e mbajtë frymën gjatë pasi, ato që përshfaqen aty nuk munden me t’lanë indiferent; përkundrazi, kërkojnë me t’mbajtë gjithnji inkadeshent. Ajo që i vjen në ndihmë lexuesit, asht gjuha e rrjedhshme.
Arian LEKA i heq një “Brisk” përjetimeve të një burri, tuj prekë me dorë e me kujtime, gjithë vragat dhe plagët e lkurës së ftyrës. Çdo shejë ka një histori dhe çdo histori ka kriju një plagë, nga e cila ka mbetë vetëm një vragë mbi lëkurë, si lapidar apo dëshmi e një dhimbje më të thellë, apo një brenge që s’di me shujtë. Autori e merr ngadalë qethjen letrare të historisë, tuj e mbushë tekstin me emocion, mendim, psikoanalizë dhe joshje.
“Përvjetori” i Artan Gjyzel HASANIT, asht ndërtu mbi një mashtrim letrar befasues. Nëse egziston një fajtor në atë që na ndodh në jetë, minimumi, edhe ne jena bashkfajtorë. Kjo tezë, të ngërthen si një ndjesi e fortë, vetëm në fund të tregimit; mbasi të ka qorrollepsë mirë e mirë në rrugica të ngushta pasioni e frike, pa të dhanë një shenjë e pa të lanë me dyshu për trukun.
Bujar BALLIU, asht ndoshta shkrimtari që e ndjej ma së shumti të afërt në stil, kjo për shkak të letërsisë spartane dhe folmit lakonik që ai aplikon. Dialogjet te “Çmimi i baltës” janë të drejtpërdrejtë dhe të thukët në të njajtën kohë; te ky tregim respektohet maksimalisht lexuesi, kultura, erudicioni dhe inteligjenca e tij. Karma, përshfaqet befas në fund të tekstit, si një thirrje për me shmangë paragjykimet, tu e vendosë e veten nën lkurën e tjetrit.
“Në katin e katërt, dhoma numër një”, nuk ndodh pothuajse asgja; e keqja ka ndodhë tashmë dhe përsonazhit i duhet me e përballu. Në këtë tregim të rrafshët, Eli KANINA vendos përballë trishtimit dhe mërzisë, njerëzoren dhe të bukurën. Ky tekst të ofron paqe, meditim, jetë, mbështetje, shpresë dhe e gjitha kjo me një gjuhë elegante.
Ernest MARKU, me tregimin e tij “Prishja”, duket sikur do të na evokojë një thirrje të Kadaresë ndaj shtetit shqiptar, për një borxh të palamë prej tij. Bahet fjalë për mënyrën se si i trajtoi ky shtet, nuset që erdhën nga shtetet e kampit socialist për me u martu e me jetu me burra shqiptarë, si dhe për faktin se askush, asnjëherë, nuk kërkoi falje. Natyrisht që autori nuk hjek dorë prej letërsisë spartane, dialogjeve të thukët, stilit lakonik dhe evolimit gjuhsor.
“Ngrehina” e Faruk MYRTAJT të ngjan me pëlhurën e Penelopës që endet ditën e prishet natën, por edhe me administratën shqiptare e cila pothuajse çdo dekadë përjeton vitin zero. Në kufijtë e surealizmit apo realizmit magjik, tu u pshtetë në humorin e hollë apo sarkazmën therse, ky tregim shijohet dhe ta kande me vazhdu edhe ma giatë.
Fjolla Muhaxhiri AGUSHOLLI, me tregimin “Flaka e majit” të len pa fjalë, por edhe pa frymë. Ky asht rasti kur vetë jeta asht aq e papërsëritshme sa vetë letërsia. Tmerret e masakrave ndaj popullsie civile në Kosovë, i tejkalojnë edhe kufijtë imagjinatës ma të zhvillueme; kurse autores, i mbetet vetëm me përshkru, me një gjuhë zgjedhun e me një stil të rrafshët. Ajo shkruen në vetë parë dhe e ban edhe ma dramatike veprën dhe mesazhet që përçon.
“Bora e ngrime e shekullit të shkuem”, asht titulli që Gabriela MUJAJ ka përzgjedhë për tregimin e saj, i cili asht një himn për dashninë. Aty çdo gja duket si e pabesueshme, apo të paktën shumë e rrallë; por në fakt, e rrallë aty asht vetën ndjenja njerëzore që lidh dy zemra, në një kohë apo botë fatkeqe, e cila u kundërvihet me tanë ashpërsinë e saj, por pa mujtë me i thy. Teksti shijohet dhe ta ngroh shpirtin, edhe për shkak të gjuhës që ma kande fort.
Gazmend BËRLAJOLI vjen me krijimin e tij “Natën vonë”, i cili valëzon në kufijtë e surealizmit e realizmit magjik, të josh me psikoanalizë, të zhyt në sociologji, ecën si në teh të briskut pa ra në dekadencë letrare, asht plot me elementë të postmodernizmit dhe, vetëm sa ta kujton Koliqin me “Ngjarje në Kazemaj”, pasi qasja asht krejt tjetër dhe stili ma modern, ndonëse vesi i shiptarëve mbetet po i njajti.
Me tregimin e tij “Hasmi”, Gjergj METAJ na ka dhanë një panoramë gati të pabesueshme të shpirtit të malsorit të Veriut të Shqipnisë. Dy personazhet që e mbajnë gjallë subjektin, janë përshkru me nota dashnie dhe me një vërtetsi e thjeshtsi emblematike; letërsinë e ban vetë karakteri dhe natyra e tyne, sa e ashpër aq edhe njerzore.
“Fyelli” i Gjergji MIHALLARIT, asht ndoshta tregimi ma tipik i realizmit magjik. E magjishme asht natyra, e magjishme dashnia, e magjishme asht jeta, me të mirat e me të kqijat e saj. Autori kujton e ritregon, kthehet në retrospektivë apo e rimerr temën disa herë, tu e përplasë lexuesin me shkamijtë, lëndinat dhe dallgët e personazhit, që e pranon fatin e njeriut pa u anku.
Hekuran KOKA vjen me një prej tregimeve të tij haluçinante ma të bukura, të cilin e ka titullu “Zotëria me këmishë të bardhë”. Çdo gja aty, nis e mbaron në kokë. Personazhet xanë vendin e njani tjetrit, ngjarjet vendosin vetë me ndodhë ose jo, kurse autori dyzohet në dëshirën dhe frikën e tij për me ndërhy. Filozofi, psikoanalizë, sociologji, imagjinatë pa frena, por mbi të gjitha letërsi befasuese; në dukje e paangazhueme, por pro jetës, të mirës dhe të bukurës.
Shkrimtari Iljaz BOBAJ, “Në aeroportin e huaj” takohet me të shkuemen e tij. E befasishmja xen fill që në nisje, ndonëse vetëm në fund përshfaqet fuqishëm. Personazhi në vetë të parë, paska marrë pjesë në disa përjetime dramatike, për të cilat, vetëm ai nuk paska kenë koshient. Arsye krejt banale, shpesh kanë forcën me na ndryshu jetën. Apo mos jemi ne, ata që zgjedhim?!…
“Vrimat e këmishës së kaltër” të Ilir KADISË, nuk të lanë kohë me shiju ndjenjat dashunore të dy të rijve, pasi jeta ka vendosë me iu tregu anën e saj ma të errët. Bota asht e vogël, aq sa nji kmishë të bukur e njeh tanë qyteti; por asht edhe e madhe, sa me u nda në dy pjesë. Ndoshta dashnia asht tekanjoze e nuk duron asnji mospërsosmëni, ndoshta e shkuemja e helmon të ardhmen, ndoshta… duhet shiju vetëm letërsia, pa mbajtë qëndrim.
Liljana KRISTULLI, me tregimin e saj “Tekat e fatit”, lëviz në kufinin mes dy kohëve, mes Shqipnisë e Greqisë, mes të mirës e të keqes, mes pushtetit dhe persekutimit. Ku nuk e çon fati njerinë, kush e di ç’sjell e ardhmja dhe, pikërisht te kto befasi, autorja gjen shtratin e letërsisë së saj. Edhe gjuha greke i rri mjaft mirë tekstit, që e gjen zgjidhjen te triumfi i dashnisë.
“Gruaja dhe Lumi” asht testamenti letrar i andrrimtares, si subjekt feminist dhe femëror në të njajtën kohë. Liza BROZI përdor një gjuhë të zhdërvjellët, imagjinatë letrare origjinale dhe ka një stil të thukët tregimi. Personazhi në vetë të tretë, nuk e pranon atë që nuk e don, madje, ky mospranim, nuk ngelet thjesht një revoltë por shkon deri në krijimin e një realiteti të ri.
Marash MIRASHI, me tregimin e tij “Fantazmat dhe macja e Davidit”, ka ndërtu fabulën letrare të dhimbjes për braktisjen e vendlindjeve. Nuk asht vetëm nostalgji, as vetëm dhimbje; asht shpirti i rrënojave që nuk dorzohet. Situata sureale apo momente magjike, fshihen nën lvozhgën e një realiteti të trishtë, që vetëm syri i shkrimtarit i sheh.
“Mërzia” e Mario PALOKËS asht tregimi i mendjes që punon ndamas, në momentet e trishta kur sundon heshtja pas vizitës së Exhelit. Janë momentet e dhimbjes e të kujtimeve, por edhe të hipokrizisë njerëzore. Ajo që e ban të kanshëm leximin e ktij rrëfimi, ma shumë se çdo gja tjetër, asht gjuha e përdorun, plot me nuanca, shprehje e fjalë të shqipes së pastër.
Mark SIMONI me “Mesnatën e të marrëve” krijon një atmosferë me të vërtetë magjike, ku të marrët e qytetit të tij, nisin me vallzu në çmenduninë e tyne. Kanë ardhë të tanë, janë në të njajtën moshë, edhe pse kanë lindë në kohë të ndryshme. Ndërkohë, qyteti fle, nuk asht ma ai pari; u mbeti të marrve barra, për me e kthy siç kje. Nëpërmjet një gjuhe të rrjedhshme dhe një fantazie gati gati gjeometrike, ky tregim, nuk asht mallë për dashninë por dashni për mallin.
Tek “Era” e Merita BËRDICËS, shohim dy botë ndryshme të udhtojnë pranë njana tjetrës, në të njajtën ndarje të vagonit të trenit. Moderniteti na shtyn në indifentizëm, drejt mbylljes në vetvete, larg tjetrit e problemeve të tij; kurse kjo autore na tërheq në të kundërt, tuj na kumtu se nuk ka mënyrë ma të mirë për me vlersu ato që ke, se sa me i ballafaqu me subjekte në mungesë të tyne. Në thelb ky tregim, asht një himn për forcën dhe sakrificën e grues shqiptare.
Migena ARLLATI me tregimin e saj “Piano”, ngre një apoteozë të së bukurës, në kontrast me mërzinë dhe kotsinë e përditshmënive monotone. Autorja nuk ngre thjeshtë zanin, ajo këlthet si një Albatros në oqeanin e pafund të injorancës. Stili asht i rrafshët, subjekti po ashtu, derisa shpërthen në kulminacion dhe një gjuhë që përshtatet biologjikisht me natyrat e personazheve.
“Maçoku, Mica dhe mustaqet e Stalinit”, asht një tregim i Mimoza EREBARËS, i cili rreket me na kallxu se marria e një pushteti jolegjitim, nuk ka cak e as arsye. Po ashtu, njeriu mundet me u zvoglu aq shumë nga frika e pushtetit saqë, as liria nuk i ban ma derman. Në një situatë ku nuk pritet me ndodhë asgja, natyra asht në paqe me njeriun, befason “njeriu i ri” i diktaturës; hipokrizia dhe mungesa e integritetit tek ai, të fton me dashtë ma shumë kafshët.
Ndue DEDAJ me “Promovin” e tij, vjen në këtë përmbledhje me një autosatirë interesante ku lëngojnë të gjitha problemet që ka letërsia shqipe, nga krijuesit, botuesit, kritikët e deri te lexuesi. Rrëfimi ka një shtrat linear saqë, po të mos kapësh ironinë therëse, mund të mashtrohesh se po lexon një tregim klasik. Magjia i thyen kufijtë dhe njerëzit vijnë aty ku autori do, në mënyrën që ai i do, në raport me atë lloj “normaliteti” që ai po përjeton.
“Lejleku” i Ndue LAZRIT nuk pyet për sinoret e metafizikës, refuzon me pranu burgosjen mrenda të pamundurës dhe, në këto kushte siparane, nuk mundet mos me neglizhu sulmet e mediokritetit thashethemexhi dhe me përjetu të pabesueshmen. Detaje të vogla, njani ma i mrekullueshëm se tjetri, kanë vetëm një funksion, me na tregu se sa shumë mund të lidhen me njani tjetrin dhe madje të thyejnë edhe trashendentin, dy shpirtna të dashuruem.
Neviana SHEHI vjen me “Porti i dhimbjes”, një lloj letërsie gati gati poetike, por që ruan një lloj koherence në mendimin e saj, të cilin nuk asht e lehtë m’e përceptu. Personazhi në vetë të parë, apo në të tretën kur dikush ndërhyn, por edhe në vetë të dytë kur forma të ndryshme të qenies i drejtohen një vetjeje tjetër; janë gjithnjë në një anije, ose po kërkojnë një varkë. Gjatë leximit, nuk mundesh mos me i ndi valët fort.
“Shtëpia e librave” e Oriada DAJKOS, asht apologjia e bijës për babën erudit. Baba nuk kishte miq, nuk kishte para, kishte vetëm një kand të vogël në një shpi të vogël. Ata i shitën të gjitha orenditë shpisë për me ble libra, biblioteka ishte e vetmja shpi e vërtetë që ai kish. Rrëfimi vjen i shtruet, tu i prezantu detajet një e nga një, nëpërmjet një gjuhe të zhdërvjellët.
Petrit PALUSHI vjen me tregimin e tij “E verdha”, në të cilin rreket me zbërthy makthet e fundit nëpërmjet ngjyrave dhe andrrave. Situatave sureale, iu bashkëngjitet një mesazh letrar, i cili të shtyn me lexu edhe në mes të rreshtave. Gjuha e thukët dhe stili lakonik, e marrin për dore lexuesin, tuj kapërcy edhe kufijtë e trashendentit, apo edhe ato të unit.
“Një ditë me bela” e Petro ÇERKEZIT, asht një fotografi autentike e keqtrajtimit të shqiptarve në një kufi jodashamirës. Absurdi gërshetohet vrazhdësinë e indiferencës dhe arrogancës, tuj na përballë me situata që të irritojnë dhe të solidarizojnë me viktimat e urrejtjes. Ky asht një tregim tipik i humorit të zi, plot me ngjyra gjuhësore e karaktere të spikatun.
“Gjenerali” i Primo SHLLAKUT, asht personazhi tipik i atij që nuk e pranon dot ndryshimin e kohnave. Ai jeton mes kujtimeve e dhimbjeve, të përzime idhujtari ideologjike; tuj mos mujtë me e nda realitetin prej andrrës me sy hapun, pse e gjithë egzistenca e tij i ka rranjët në të shkuemen. Përtej kësaj, ky asht një tregim thellësisht realist, i cili e ngërthen plotësisht lexuesin në kurthin e vet letrar, ku subjekti rrjedh krejt ngadalë, tuj fotografu çdo detaj artistik.
Raimonda Belli GJENÇAJ, vjen me tregimin “Gjysma”, një tregim modern dhe me nota të fuqishme analititiko-filozofike. Gjysmë dashuri dhe gjysmë urrejtje, gjysmë siguri dhe gjysmë dyshim, gjysmë lumtuni dhe gjysmë trishtim, një pafundësi gjysmash që vijnë nga bota e fminisë, nga e sotmja dhe deri tek ardhmja gjysmagjel ambig.
“Zhulieta Guiçardi” asht titulli i tregimit që na ofron Roland GJOZA, një rrëfim letrar i një jete të jetueme fuqishëm, plot ambicje, arritje, dashni, pasione, andrra dhe përpjekje që nuk njohin kufij; ku dyshimi, brenga e dhimbja, janë bashkudhtare të padëshirueshme por edhe të pashmangshme. Kontër, Arkidukë të përkoshmëm, gjallojnë në faqet e këtij tregimi, rrugëve të Vjenës apo shtigjeve alpine, krahas Bethovenit të përjetshëm në dilemat e tij vetshkatrruese.
Rudina Muharremi BEJA, te tregimi i saj “Kur ndërronte fustanet…” na sjell një panoramë mjaft të ndjerë, të një përballjeje njerëzore, mizorisht dramatike. Baba, detyra e të cilit asht me përcjellë bijën e tij të dashtun në altar, pikërisht në atë ditë, thërritet me ndërmarrë udhtimin e tij të fundit. Në fund të këtij leximi, ndjen se komentet janë të tepërta.
“Lëndina me lulëkuqe” e Salvator GJEÇIT asht tregim i ndërtuem mbi realitetin gati gati magjik të shoqnisë së nderit. Personazhet e tij, befas ndjehen si të kapun në çark, nga vetë ligjet mbi të cilën ata ndërtojnë jetën e tyne shoqnore. Që kuptosh dramacitetin e situatës, duhet me e njoftë mirë karakterin e malcorit të Veriut të Shqipnisë, skrupujt dhe kodet e tij, të cilat autori i shpalos krahas me shtjellimin e subjektit, me një gjuhë të gjallë e përshkrim shterues.
Shkëlzen HALIMI na prezantohet me tregimin e tij “Mona Liza”, i cili nuk asht tjetër veçse letrarizimi i pamundësisë njerëzore për me pranu të papranueshmen. Pikëllimi ndihet që rreshtat e parë, por shkaku i saj përvijohet dalngadalë, bash njashtu siç përhapet helmi në gjak. Personazhi në vetë të parë, asht artist në shpirt, e njeh të bukurën dhe pikërisht aty kërkon të kapet që t’i punojë një rreng vetes, t’ia fshehë atë të vërtetë të papërballueshme.
“Ra tërmet e u pamë” i Thanas MEDIT, asht tregimi i intolerancës ballkanike dhe i vogëlsisë njerëzore të denatyrimit prej interesit të ngushtë. Duhet një tronditje e madhe, që me na e thy lvozhgën e depersonalizimit që i veshim vetes, për me përfitu sa ma shumë nga jeta; të cilin autori e shpreh artistikisht mjaft bukur, tu na befasu me gjetjen e tij letrare.
“Tregim i jetuar” i Vaso PAPAJT, asht një rrëfim i shtruet i asaj që nuk asht aspak e zakonshme, asht pasqyra e ndërgjegjes sonë kombëtare të baltosun nga historia jo fort e largët dhe krejtësisht jonjerëzore, e diktaturës së proletariatit. Detajet janë përshkru me një ndjeshmëni të naltë, me një revoltë të thellë ndaj të keqes dhe adhurim për ata që u përballën me të.
Visar ZHITI te tregimi i tij “Drama e flokëve të saj”, nëpërmjet një elementi në dukje sipërfaqsor, na ban me përjetu nevojën jetike të njeriut për një të drejtë themelore të tij, siç asht liria. Mjeshtria autoriale në përshkrimin analitik të detajeve, përshfaqet në trajtën ma siperanane, kur kupton se nuk po lexon për atë që ka ndodhë, por për gjumët që kanë lanë ato në psikikën dhe zgrofin emocional të lirimohuemit.
“Macja që ma preu rrugën tri herë”, asht një tregim i Xheladin MJEKUT, i ndërtuem në rrafshin psikoanalitik të mendimit artistik, i cili ngrihet mbi zakonet bestyte dhe na i sjell ato të dobsueme por jo të zhdukuna, deri te njeriu i sotëm. Dilemat e individit, raporti i tij me modernitetin, nostalgjia për gjanat e thjeshta e besimet naive, vijnë te lexuesi nëpërmjet një stili interesant dhe gjuhe të pasun.
I fundit, por jo nga randësia, Zija ÇELA me “Brezi i Shkretëtirës”, vjen me një satirë të hollë, plot me nota të humorit të zi. Surealja mbizotëron subjektin e tregimit, por nga ana tjetër, kjo na përshfaqet si një realitet i frikshëm, që e kërcënon seriozisht shoqninë shqiptare. Gjatë leximit, mundesh me veu buzën në gaz, ose mund të futesh në të thella, në raport me gjendjen ideoemocionale të lexuesit.
Në treqind e ca faqet e kësaj përmbledhje, gjen tregime thellësisht realiste, tregime të realizmit magjik dhe deri te ato surealet apo plot me fantazi të shfrenueme; gjen satira, tregime sarkastike apo pjesë me humor të zi; gjen përshkrime mjeshtërore, dialogë lakonikë, rrëfime të thukëta dhe deri te psikoanaliza dhe shtjellime filozofike; me fjalë të tjera, gjen të gjithë elementët e letërsisë ma të mirë bashkëkohore.
Për mendimin tim, këtu duhet të ishin përfshi edhe katër-pesë autorë të tjerë, tregimet e të cilëve kishin se çka me i shtu ktij mozaiku interesant; ashtu siç mund të ishin përfshi edhe dhetë-pesëmbëdhetë të tjerë, po të niseshim nga niveli i tyne artistik; por që nuk u përfshinë, për shkak të kritereve që patëm vendosë paraprakisht, të cilat synonin me e orientu fokusin tonë drejt tregimit klasik, larg skicave, eseve, fejtoneve apo reportazheve. Kurse për rreth njizet-tridhetë tregime të tjera që skualifikuem, mundem me thanë jo pa dëshprim, se vumë re tema letrare mjaft interesante, të shpërdorueme prej autorëve të tyne.
Tuj përfundu, shpresoj që me kët përzgjedhje letrare, të kemi ndiku sadopak në kultivimin e shijeve artistike për tregimin e shkurtër shqiptar. Kjo ishte qasja jonë, kët lloj letërsie deshtëm me promovu. Uroj të kena pasë kthjelltësinë e mendimtarit, seriozitetin e sipërmarrësit, durimin e alpinistit dhe ndershmëninë e besimtarit.