Qëllimi i propagandës së regjimit enverist në sferën kulturore, ishte të forcente identitetin kombëtar shqiptar dhe të lidhte shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera me Shqipërinë, duke promovuar një imazh të unitetit kombëtar nën udhëheqjen e regjimit socialist
Nga Avni HALIMI
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, historia e Kosovës dhe e shqiptarëve në përgjithësi u dominua nga një narrativë e ngushtë ideologjike e përcaktuar nga regjimi komunist i Jugosllavisë dhe i Shqipërisë. Në këtë narrativë, figura të ndritura dhe lëvizje nacionaliste që kishin kontribuar për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, si luftëtarët e Ballit Kombëtar, anëtarët e Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare (NDSH), dhe udhëheqës të rezistencës, si Shaban Polluzha, Hoxhë Idriz Gjilani, Xhemë Gostivari, Sulë Hotla, Adem Demaçi etj., u margjinalizuan dhe u fshinë nga historiografia zyrtare. Përse ndodhi kjo dhe cilat janë pasojat e kësaj mungese në diskursin historik të Shqipërisë socialiste?
Narrativa komuniste dhe shpërfillja e nacionalizmit shqiptar
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë dhe në të gjithë Jugosllavinë, historia u shkrua nga fituesit – komunistët. Narrativa zyrtare ishte e përqendruar rreth “bashkim-vëllazërimit” dhe mbi rolin e Partisë Komuniste në çlirimin e popujve të Ballkanit dhe më gjerë. Në këtë kontekst, çdo lëvizje apo individ që nuk i përkiste frontit komunist u shpall si kolaboracionist ose si armik i popullit, pavarësisht motiveve dhe kontributit të tyre real.
Luftëtarët e Ballit Kombëtar dhe NDSH-jaishin ndër të parët që u përjashtuan nga kjo narrativë. Edhe pse shumë prej tyre kishin luftuar për mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera etnike, ata u shpallën tradhtarë për shkak të përplasjes me komunistët dhe mospranimit të ideologjisë socialiste. Në vend që të përkujtoheshin për qëndresën e tyre ndaj pushtimeve të huaja dhe përpjekjet për autonomi, ata u stigmatizuan si reaksionarë dhe mbështetës të pushtuesve.
Përjashtimi i këtyre figurave dhe lëvizjeve nga historiografia zyrtare ka pasur pasoja të thella për kujtesën historike dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve të ngelur jashtë shtetit amë. Stigmatizimi i nacionalistëve ka lënë pas një boshllëk të madh në të kuptuarit e historisë së rezistencës shqiptare kundër pushtimit dhe represionit. Kjo narrativë e njëanshme e shkruar nga fituesit ka ndikuar në krijimin e një perceptimi të shtrembëruar të historisë, ku nacionalistët janë parë si tradhtarë, ndërkohë që shumë prej tyre luftuan për mbrojtjen e popullit dhe të të drejtave kombëtare.
Strategjia nacionale e madhërimit të vlerave të socializmit si dhe të atyre që kontribuuan për këto vlera vërehet edhe në “PLANET TEMATIKE TË ORGANEVE Ë SHTYPIT, RADIOTELEVIZIONIT DHE SHTËPIVE BOTUESE LIDHUR ME PROPAGANDËN NË KOSOVË”, sidomos në propagandën e paparë në shtypin ushtarak! Në gazetën “Luftëtari”, në revistën “Për mbrojtjen e Atdheut”, në revistën “Në shërbim të popullit”, si dhe në revistën “10 Korriku”, janë paraparë qindra shkrime të publikuara dhe ato që do të shkruhen nga autorë konkret të cilët do të trajtojnë tema që kanë të bëjnë me angazhimin e “kosovarëve” në luftën nacionalçlirimtare (!). Gati në të gjitha temat e kësaj natyre lufta e shqiptarëve të Kosovës kundër fashizmit dhe ngelja e tyre pas Luftës së Dytë Botërore nën okupimin serbo-jugosllav trajtohet si “luftë nacionalçlirimtare e kosovarëve”! Për ironi janë të propozuar edhe tema të llojit “Lufta dhe përpjekja e popullit të Kosovës në shekuj për ruajtjen e bashkësisë shqiptare”, ose “Qëndrimi i popullit të Kosovës në ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste”!!! Rrjedhimisht, lartësohen figurat partizane si Hajdar Dushi, Emin Duraku, Zenel Hajdini, Xhevdet Doda, Fejzi Rusta, Qerim Delia, Tahir Mala, Zeqir Hajdini, Ramë Vidrica, Brahim Ymeri, Gkelosh Rama. Teposhtë historisë, dalin te figurat kombëtare si Haxhi Zeka, Ymer Prizreni, Idriz Seferi, Isuf Murja i “Nantë maleve”, Ali Jakupi, Mehmed Shpendi, Hasan Muglica, Isa Boetini, Bajram Curri, Jakup Ferri, Shaban Binaku etj.
Në këtë kontekst regjimi komunist në Shqipëri ishte shumë i kujdesshëm për të mbajtur një kontroll të fortë mbi narrativën historike. Ndërsa lufta kundër pushtuesve nazi-fashistë ishte një pjesë kyçe e legjitimitetit të regjimit, figurat që mbështeteshin dhe idealizoheshin ishin ato që ishin pjesë e Partisë Komuniste dhe kishin luftuar në kuadër të brigadave antifashiste. Regjimi enverist e përdorte luftën antifashiste për të ndihmuar ndërtimin e një identiteti të ri komunist dhe për të krijuar një strukturë shoqërore të bazuar në ideologjinë marksiste-leniniste. Në këtë kuadër, figura të tilla si Enver Hoxha dhe udhëheqës të tjerë komunistë shqiptar (por jo edhe ata të Kosovës!) morën një status të lartë në Shqipëri, ndërsa individë të tjerë që mund të kishin ideologji të tjera, përfshirë ata që mbështesnin nacionalizmin dhe bashkimin kombëtar, u shpërfillën tradhtarë dhe u përndoqën.
Nacionalizmi, sidomos në formën e tij të lidhur me bashkimin e viseve etnike dhe territoreve që Shqipëria i kishte humbur në periudha të ndryshme kohore, trajtohej si një ide e rrezikshme. Regjimi enverist e shihte nacionalizmin e këtillë si një kërcënim për stabilitetin e brendshëm të shtetit komunist, duke u frikësuar se një përpjekje për të riaktivizuar ëndrrën e bashkimit të viseve mund të çonte në tensione dhe përplasje me Jugosllavinë dhe shtetet e tjera të ndryshme të bllokut lindor, që nuk e mbështetnin këtë ide.
Lidhshmëria e gjakut urë e ideologjisë marksiste-leniniste
Edhe në sferën e kulturës ndiqej po i njëjti qëndrim socialist! Në shtypin letrar nuk kishte vend as për ngjarjet por as për figurat krijuese që nuk ishin në paqe me sistemin dhe ideologjinë komuniste. Të gjithë ata krijues që kishin kaluar nëpër Goli Otok e nëpër burgje serbe, të gjithë ata krijues bohemë e që shquheshin me një disidencë, apo edhe me forma dhe drejtime bashkëkohore letrare, të tillët kurrë nuk zunë vend në shtypin letrar e nëpër shtëpi botuese të Shqipërisë enverist.
Në periudhën komuniste, kultura dhe arti ishin ngushtësisht të lidhura me ideologjinë marksiste-leniniste. Regjimi enverist kërkonte që të gjitha shprehjet kulturore dhe artistike të ishin në harmoni me parimet e socializmit dhe të pasqyronin vlerat e Luftës Antifashiste, ndihmën që komunistët ofronin për popullin dhe, mbi të gjitha, të përkraheshin vetëm figurat dhe krijuesit që ishin të lidhur me pushtetin si në Shqipëri ashtu edhe në Jugosllavi. Në këtë kuadër, regjimi e konsideronte krijimin artistik jo vetëm si një mjet për edukimin dhe formimin e popullit, por edhe si një mjet të rëndësishëm për forcimin e kontrollit mbi shoqërinë.
Sipas “Planeve tematike” për propagandë në Kosovë dhe viset e tjera etnike parashihej që në Gazetën “Drita”, në Revistën “Ylli”, në Revistën “Nëntori”, dhe në Revistën “Shqiptarja e Re”, të botoheshin ngjarje kulturore, krijime të autorëve të përzgjedhur si dhe recensione e reportazhe letrare që përmbanin vetëm vlera ideologjike, që ishin në përputhje me normat shabllonike të soc-realizmit. Parashihej të botoheshin ekskluzivisht cikle poezish, tregime “të krijuesve kosovar”, të shqiptarëve nga Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilët trajtojnë temën e patriotizmit shekullor kosovar, të dashurisë për truallin socialist dhe krenarinë kosovare, të virtyteve të burrërisë, të trimërisë e të besës tradicionale shqiptare, temën e plagëve të migracionit ekonomik (por jo edhe atë politik!!!), të luftës kundër zakoneve prapanike e paragjykimeve fetare, temën e dashurisë së pastër etj.
Një nga synimet e regjimit ishte të krijonte dhe forconte një identitet kombëtar të centralizuar dhe homogjen, ku virtytet tradicionale shqiptare, si burrëria, trimëria, besnikëria dhe dashuria për atdheun, ishin të paraqitura si vlera të përbashkëta që lidhin të gjithë shqiptarët. Trajtimi i temave të patriotizmit, burrërisë, besës dhe dashurisë për truallin socialist ishte një mënyrë për të forcuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare, duke i bërë shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera të identifikohen më shumë me Shqipërinë dhe me regjimin enverist. Kjo ishte një përpjekje për të ndihmuar në krijimin e një kohezioni të brendshëm mes shqiptarëve, duke u përqendruar në elementët e përbashkët të traditës dhe kulturës që mund të lidhin bashkë popuj të shpërndarë, përfshirë ata që jetonin nën shtetet përreth Shqipërisë. Kjo lidhshmëri e gjakut i duhej regjimit enverist, sepse, kësisoj, ideologjia marksiste-leniniste do të shtrihej te të gjithë shqiptarët, pa përjashtim, sepse “kështu thotë Enver Hoxha”!
Nga ana tjetër, për regjimin enverist ishte e rëndësishme që çdo shprehje kulturore dhe letrare që mund të ndikonte tek shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera të ishte e lidhur me ideologjinë marksiste-leniniste, përkundër se ky sistem kishte të bëjë me krijimin e një shoqërie të re, pa përjashtuar mbështetje për vlerat tradicionale. Regjimi përpiqej të krijonte një balancë mes ruajtjes së vlerave kombëtare dhe integrimit të këtyre vlerave në kuadër të një sistemi që duhej të ishte socialist. Për këtë arsye, vlerat e burrërisë, trimërisë dhe besës mund të shfaqeshin si aspekte të rëndësishme të natyrës kombëtare shqiptare, ndërsa ato mund të merren edhe si shprehje të përkrahjes për ideologjinë komuniste, që pretendonte se është pasqyra më e mirë e zhvillimit të popullit shqiptar në rrugën drejt “shpëtimit” dhe “çlirimit”. Propozohet që mbi këto vlera të shqiptarëve të botohen kryesisht “Tekste popullore kosovare (pra, jo autoriale!) me tematikën e patriotizmit, të momenteve historike të rëndësishme, të përpjekjeve të luftëtarëve të shquar kosovar për çështjen e Kosovës dhe të Shqipërisë, të bukurisë së Kosovës, rituale dasmore, baritore etj”. Në rrafshin e studimit dhe të krijimtarisë sugjerohen të botohen “studime për veprat letrare kosovare që paraqesin interes”, “Recensione dhe shënime kritike për veprat poetike dhe për prozë të autorëve kosovarë që janë botuar” në Kosovë. Sugjeroheshin vepra e krijime të botuara për faktin se ato tashmë kanë kaluar nëpër filtrin e censurës dhe të redakturës sipas preferencave të soc-realizmit dhe ideologjisë komuniste.
Në këtë dokument nënvizohet se “Autorë më të preferuar do të jenë prozatorë të njohur për trajtimin e temave të tilla dhe të afirmuar për vlera artistike si R. Dedaj, E. Gjergjeku, A. Vinca, D. Mehmeti, E. Mekuli, A. Shkreli, M. Krasniqi, H. Vokshi, F. Ramadani, M. Kërveshi, M. Gjosha, A. Podrimja, F. Gunga, H. Sulejmani, M. Isaku, N. Rrahmani, R. Kelmendi etj. Kurse, në asnjë faqe të këtij dokumenti nuk sugjerohet të publikohet ndonjë krijim i Adem Demaçit, i Teki Dëtvishit, i Sabri Hamitit, i Beqir Musliut, i Musa Ramadanit, i Ymer Shkrelit, i Mirko Gashit, i Mehmedali Hoxhës, i Rexhep Hoxhës, Jusuf Gërvallës, Qerim Arifi, Flora Brovina, Edi Shukriu, Fehime Selimi etj.
Vlerat kombëtare si “vlerë kundër” regjimit
Ata që kishin kaluar Goli Otokun apo edhe që kishin qenë të burgosur dhe që ishin pjesë e disidencës intelektuale dhe kulturore, pa dyshim që përbënin një kërcënim për regjimin. Këta krijues, që zakonisht ishin të lidhur me ideale kombëtare dhe humaniste, ishin të papranueshëm për një regjimi që synonte centralizimin dhe uniformitetin ideologjik. Në një shtet ku çdo devijim nga linja e partisë mund të shikohej si një kërcënim për stabilitetin e regjimit, margjinalizimi i disidentëve, “bohemëve”, “hermetikëve” ishte një mjet për të mbrojtur dhe forcuar status quo-në. Ata që e kundërshtonin pushtetin, duke përfshirë edhe artistët dhe krijuesit që ishin më të lidhur me një kulturë të lirë dhe të pasur, përjashtoheshin nga çdo mundësi shfaqjeje publike, që të mos krijonin një “vlerë të kundërt” ndaj propagandës të cilën regjimi dëshironte të impononte.
Për regjimin komunist, kultura duhej të ishte një instrument për të promovuar ideologjinë dhe qëndrimet e tij, dhe krijuesit që nuk e pasqyronin këtë synim ishin të margjinalizuar. Në një sistem ku censura ishte e fortë dhe çdo lloj shprehje që mund të reflektonte kritika ndaj regjimit ishte i papranueshëm, kishte një tension të vazhdueshëm midis krijimit të një arti të vërtetë dhe atij që përputhej me nevojat ideologjike të shtetit. Krijuesit që ishin në paqe me sistemin, pra ata që nuk ishin disidentë, ose që ishin të gatshëm të mbështesnin idetë e regjimit dhe t’i përqafonin ato pa shumë kundërshtime, përfituan mundësitë për të shfaqur dhe zhvilluar krijimtarinë e tyre. Ky ishte një mjet për të ruajtur një kontroll të vazhdueshëm mbi artin dhe kulturën, duke krijuar një rrjet mbështetës të artistëve që ishin të integruar plotësisht në sistem.
Bazuar në temat që përfshihen në këtë “Plan tematik” për propagandën shqiptare në Kosovë dhe në viset e tjera etnike, vijmë te një tjetër aspekt që flet se regjimi enverist ka pasur një qëllim të caktuar për të kanalizuar dhe kontrolluar patriotizmin shqiptar në një drejtim të përshtatshëm. Regjimi i përdorte shkrimet letrare dhe artin për të ushqyer ndjenjat e kontrolluara nacionaliste të shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve të tjera, duke synuar eliminimin, gjithashtu, të çdo formë të lëvizjes që mund të ishte radikale apo që mund të shkonte përtej kufijve dhe për ta rrezikuar sistemin socialist të Shqipërisë. Pra, ndonëse ai promovoi patriotizmin dhe dashurinë për komb, regjimi gjithashtu e kontrollonte këtë lëvizje, duke e mbajtur nën një dorë të fortë dhe duke orientuar atë drejt një versioni të “nacionalizmit socialist”, që ishte në harmoni me doktrinën marksiste-leniniste të shtetit.
Ky është qëllimi edhe kur vendoset që mos të publikohet e të flitet fare për migrimin politik të shqiptarëve që kishte marrë hov pas vitit 1968! Regjimi i Enver Hoxhës kishte një qëndrim të ashpër ndaj çdo forme të disidencës dhe të opozitës politike, dhe ai mund të kishte frikë se çdo referencë ndaj emigracionit politik mund të përforconte perceptimin se regjimi ishte represiv dhe i padrejtë, veçanërisht në lidhje me shqiptarët që kishin ikur nga Shqipëria dhe që kryesisht ishin të lidhur me ide të ndryshme politike.
Imazhi i unitetit kombëtar me profil të regjimit socialist
Natyrisht, regjimi enverist ishte angazhuar fuqishëm për një propagandë konkrete dhe të papengueshme! Nëse propaganda përmes botimeve dhe shtypit kishte vështirësi për të arritur deri te “konsumatori kosovar”, propaganda përmes radios dhe televizionit do të ishte më efikas. Ndonëse programet ishin shumë të kufizuara Shteti Shqiptar do të përkujdeset që përreth kufijve të vë sa më shumë antena dhe përsëritës, për t’i përforcuar valët si brenda shtetit ashtu edhe jashtë! Deri në vitet ’80, më se dyzet e pesë për qind e vendit nuk kishte mundësinë të përcjell asgjë në televizion. Kësisoj, në strategjinë kombëtare të përfshirë në këtë dokument “Mbi masat e marra për zgjerimin e rrezes së shikimit të televizionit dhe dëgjimit të radios”, thuhej se, pas ndërtimit të stacionit TV të Dajtit, i cili mbulonte rreth 45 për qind të popullsisë, janë ngritur 67 qendra përsëritëse TV të përkohshme të pajisura me 71 përsëritës aktiv dhe shtatë rezervë të prodhimeve vendore. Këta përsëritës mbulonin 25 për qind të popullsisë. Në vendosjen e qendrave përsëritëse prioritet u ishte dhënë zonave kufitare. Me anë të qendrave përsëritëse të Hasit, Pashtrikut, Soferçanit dhe Tushemishtit mbulohej Gjakova, Prizreni, Dibra, Struga-Ohri dhe tridhjetë fshatra rreth këtyre qyteteve, kurse qendra përsëritëse e Klisharit, Dropullit të Epërm dhe e Milesë mbulonte rreth dhjetë fshatra përtej kufirit. Ulqini, Tivari dhe disa zona rreth Podgoricës mbuloheshin direkt nga Dajti dhe një pjesë e fshatrave të brigjeve të Prespës mbuloheshin nga qendra përsëritëse e ngritur në malin Ivan të Korçës. Parashihej që më vitin 1980 të ngritët një qendër përsëritëse edhe në Qafë Prush dhe të mbulohet Peja dhe zona e gërë rreth saj.
Përkujdes i veçantë i kushtohej edhe radio valëve. Strategjia nacionale e “Planeve tematike” për propagandë në Kosovë e në viset e tjera etnike duhej të realizohej e tëra dhe pa pengesa. Ndaj dhe, në gjysmë e parë të vitit 1979 ishin ndërmarrë sërë aktivitetesh për ta përmirësuar dëgjimin e Radio-Tiranës në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Greqinë Veriore. Për këtë qëllim kishin fillar ndërtimet e pesë stavioneve me valë të mesme me fui 20-50 KW që do të vendosen në Shkodër, Kukës, Korçë, Gjirokastër e Sarandë.
Angazhimi i regjimit të Enver Hoxhës për propagandën ideologjike në Kosovë dhe në viset e tjera etnike shqiptare ka qenë një pjesë e strategjisë së gjerë të regjimit për të forcuar dhe mbajtur ndikimin e Shqipërisë mbi shqiptarët jashtë kufijve të saj dhe për të avancuar interesat e tij kombëtare dhe politike.
Një nga strategjitë kyçe të regjimit ka qenë ndërtimi i një identiteti kombëtar të centralizuar, ku kombi shqiptar ishte i njëjtë kudo që jetonin shqiptarët, dhe ku çdo individ, pavarësisht se ku jetonte, do të ndihej i lidhur me njëri-tjetrin dhe me Shqipërinë socialiste. Kjo propagandë përpiqej të forconte ndjenjat e përkatësisë dhe besnikërisë ndaj regjimit enverist, duke përdorur virtytet tradicionale shqiptare (patriotizmi, burrëria, trimëria, besnikëria) si mjet për të krijuar një ndjenjë solidariteti dhe të përbashkët. Kështu, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera duhej me patjetër ta shihnin regjimin si një mbrojtës të interesave të tyre kombëtare.
Për regjimin e Enver Hoxhës, një pjesë e rëndësishme e propagandës ishte të lidhte idealet e kombëtarizmit shqiptar me ideologjinë marksiste-leniniste. Nga ana tjetër, qëllimi i propagandës së regjimit enverist në sferën kulturore, ishte të forcente identitetin kombëtar shqiptar dhe të lidhte shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera me Shqipërinë, duke promovuar një imazh të unitetit kombëtar nën udhëheqjen e regjimit socialist. Kjo propagandë synonte të përforconte besnikërinë ndaj ideologjisë komuniste, të ruante kontrollin mbi mendimin dhe kulturën, dhe të krijonte një mbështetje për ambiciet politike të regjimit. Përmes artit dhe letërsisë, regjimi promovonte virtytet tradicionale shqiptare, ndërsa mbante një kontroll të rreptë mbi çdo formë disidence.