Letër nga diaspora
TË HARRUARIT E PAHARRUAR
Ndër shumë dilema që na imponohen si shoqëri është edhe kjo: a i kemi harruar disa nga artistët tanë që kontribuuan shumë për kulturën, artin dhe letërsinë shqiptare?
Neviana SHEHI/ Itali
Harresa paraqet humbje të informacionit që është ruajtur në kujtesë dhe kjo natyrisht se ka ngjyrime të dhimbshme. Si shumë popuj tjerë që u përballën me probleme të natyrave ttë ndryshme, edhe ne, shqiptarët, u bëmë shoqëri me shumë kontradikta, të cilat duket se më shumë janë pasojë e ngecjes në gjysmë të rrugës të tranzicionit, të cilit, fatkeqësisht, akoma nuk i shihet fundi.
Ndër shumë dilema që na imponohen si shoqëri, është edhe kjo: a i kemi harruar disa nga artistët tanë që kontribuuan shumë për kulturën, artin dhe letërsinë shqiptare? Ose, sa i njohin brezat e rinj, bie fjala, Ernest Koliqin, piktorin Zef Kolombi, aktorin Bujar Lako e ndonjë tjetër, të cilët ka kohë që nuk jetojnë midis nesh! Është fakt se disa nga artistët shqiptarë që kanë kontribuar dhe i kanë dhënë shtysë kulturs tonë, nuk u vlerësuar siç duhet gjatë jetës së tyre dhe kjo mund të çojë në harrimin e tyre me kalimin e kohës. Kemi shumë shembuj që tregojnë se pas vdekjes së tyre, nuk bëhen përpjekje të mjaftueshme për të mbajtur gjallë kujtimin e tyre përmes institucioneve kulturore, aktiviteteve apo përmendoreve që mund të ndihmonin në ruajtjen e trashëgimisë së tyre.
Shqipëria (por edhe hapësira tjetër shqiptare) ka kaluar përmes periudhash të ndryshme politike, që kanë ndikuar rëndë në zhvillimin dhe ruajtjen e kulturës. Gjatë periudhës komuniste, shumë artistë të njohur u ndëshkuan, u shpërfillën ose u lanë anash për shkak të censurës dhe kontrollit të shtetit mbi artin, kurse pas rënies së regjimit, shoqëria shqiptare, fatkeqësisht, kaloi përmes një periudhë të pasigurt, ku përqendrimi ishte në transformimin e shpejtë dhe në zhvillimin ekonomik, kurse për trashëgiminë kulturore kujdesi ishte minimal.
Tashmë e kemi të qartë se përditshmëria jonë është shumë dinamike dhe se jetojmë në një kohë kur media dhe industria e argëtimit po bëhen gjithnjë e më të orientuara nga fitimi dhe ndikimi i trendëve të ndryshme. Artistët që u shquan ose shquhen për vlera më të thella kulturore janë lënë pas, duke u zëvendësuar nga ata që “morën” hov përmes mediave dhe rrjeteve sociale dhe të cilët shpesh përqendrohen në aspekte të tjera, siç janë fama, por edhe përfitimi material.
Është e kuptueshme se në një shoqëri që kalon nëpër zhvillime të shpejta dhe është e ndikuar nga globalizimi, vlerat kulturore tradicionale mund të shpërfillen në favor të influencave të reja. Pikërisht ky proces mund të çojë kah zhdukja e kujtimit për shumë artistët, kontributi i të cilëve kulturën tonë është më se evident.
Fare nuk duhet të habitemi nëse institucionet tona kulturore, me apo pa vetëdije, të preferojnë të krijojnë një histori të re kulturore, e cila tendencë mëton të përfshijë figura dhe ngjarje të caktuara në forcimin e një identiteti të ri kombëtar, gjë që do të ishte shumë e dëmshme, sepse në këtë mënyrë më nuk do të kishim vazhdimësi (pa ndërprerje) zhvillimi, aq më tepër kur dihet se në këtë mënyre do të kishim margjinalizim të shumë figurave të rëndësishme, pa të cilat kultura, arti dhe sidomos letërsia do të ishte e mangët.
Harresa e artistëve të shquar shqiptarë patjetër se është rezultat i faktorëve të shumtë, që përfshijnë aspekte sociale, politike dhe ekonomike. Për të parandaluar këtë harresë dhe për të vlerësuar më shumë ata që kontribuuan në pasurimin e kulturës shqiptare, është e rëndësishme që institucionet kulturore dhe shoqëria të angazhohen për ruajtjen dhe promovimin e veprave dhe veprimtarisë së këtyre artistëve. Vetëm në këtë mënyrë do t’ia dilnim që mos t’i harrojmë ata që vërtet janë të paharruar. Gabriel Garsia Markez ka thënë: Ajo që ka rëndësi në jetë, nuk është ajo që të ka ndodhur, por ajo që ti e kujton dhe si e kujton atë.