Kamy e pa Marian edhe si një shpëtim, si një arratisje nga vetvetja. Prej shumë kohësh e kishte burgosur brenda trupit të tij sëmundja e tuberkulozit. Dashuria i bëhet liria e munguar, atdheu tjetër i dëshiruar
Grigor JOVANI
Alber Kamy ishte tridhjetë vjeçar, kurse Maria Kazares njëzet e një. U takuan për herë të parë në Paris, në mars të 1944-ës. Lufta botërore nuk e kishte ulur akoma siparin e saj, kurse dashuria e tyre sapo kishte hapur prozhektorët e mëdhenj të skenës. Ku do të luhej një dashuri gati 15 vjeçare.
U njohën gjatë prezantimit të parë të një ekspozite surealiste të Pablo Pikasosë. Siç ndodh zakonisht në një njohje, shkrimtarin dhe filozofin e ri e tërhoqi fillimisht prezenca e saj fizike: sytë shprehës, këmbët e drejta, trupi dhe zëri i saj i kristaltë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, vajza vinte nga një vend magjik, brenda saj rrihnin ritmet e flamengos. Dhe temperamenti i njohur impulsiv spanjoll. Alber Kamyja i njihte këto gjëra, edhe brenda tij rridhte gjak spanjoll, nga e ëma. E pa Marian edhe si një shpëtim, si një arratisje nga vetvetja. Prej shumë kohësh e kishte burgosur brenda trupit të tij sëmundja e tuberkulozit. Dashuria i bëhet liria e munguar, atdheu tjetër i dëshiruar. Pesëmbëdhjetë vjet jetoi në këtë tokë ëndërrimtare, dashurinë, bashkë me Maria Kazares, aktoren e mrekullueshme me origjinë spanjolle.
Por dikur, si për çdo dashuri të madhe, ka një fund. Artistëve të mëdhenj zakonisht u ndodh tragjik finishi erotik.
4 janar 1960. Është dita që prishi të gjitha planet për një jetë të përbashkët midis tyre. Shkrimtari nobelist frëngo-algjerian, Alber Kamy, lë frymën e fundit në një aksident automobilistik. Bashkë me jetën e tij shuhet edhe një dashuri e madhe e paligjshme vërtet, por shumë e pasionuar. Të gjitha humbën brenda asaj makine luksoze e tipit sportiv, të cilën e ngiste në çastin tragjik miku i shkrimtarit, botuesi i tij Mishel Galimar. Shpejtësia e pakontrolluar e drejtoi drejt një peme dhe… fund.
Kamyja vritet në vend. Vritet duke udhëtuar me mend edhe drejt Jugut të Francës, ku do të takonte Marian e tij spanjolle, për t’i shpallur vendimin e tij se nuk do të ndaheshin më kurrë, ngaqë do të martoheshin. Ky vendim vërtetohet nga letra që i kishte dërguar pesë ditë më parë Marias së tij të dashur:
“30 dhjetor, 1959.
Kurrë nuk më ke munguar më shumë, vogëlushja ime. Shkoj në Paris, ku do të rrojmë bashkë përgjithmonë. Mos vono të vish të më gjesh. E gjeta njeriun, me të cilin dua të kaloj jetën e mëtejshme. Kjo e ardhme dua të fillojë qysh tani. Të puth ëmbël, ëndërroj me pasion dhe në qafën tënde, kudo ku të pëlqen. Përgjithmonë i yti, Alonsoja yt!”
Mirëpo Fati kishte plane të tjera…