QETËSI DRAMATIKE

Piktura e tij nuk ka ngarkesa emocionale dhe nuk ka dyndje të elementeve në kompozicionin me drejtpeshim hollësisht të studiuar. Është i veçantë dhe cilësor. Vepra e tij është një përjetim estetik

Ali PODRIMJA

Ne artet tona pamore dominojnë tri ngjyra me nuancat e tyre: e bardha, e zeza dhe e kuqja (Lojë me hijedritë). Në pikturën e Tahir Emrës më e preferueshme është e zeza.

Ky piktor i njohur është konsideruar si paqësor, të themi. Mendoj se leximi i ngjyrave dhe i elementeve figurative është bërë në një kontekst tjetër kohor, pra nuk është lexuar si duhet. Pikturën e tij duhet parë edhe si thyerje të konvencave. Dhe e mbështes këtë shkaku i rrafshit poetik. Së pari, artin e tij piktural e kap si revoltë të heshtur, bile edhe kur ka shenja të autobiografisë të mbështetur fort në tabanin nacional, të thënë përmes një seleksionimi rigoroz e gjuhë moderne, se Emra di ç’kërkon nga ngjyra e detaji. Së dyti, mbështes mendimin se ky kultivon pikturë intelektuale, ku dominon lirizëm karakteristik e me tone elegjiake. Së treti, piktura e tij nuk ka ngarkesa emocionale dhe nuk ka dyndje të elementeve në kompozicionin me drejtpeshim hollësisht të studiuar. Është i veçantë dhe cilësor. Vepra e tij është një përjetim estetik.

Pikturën e lexoj si një poezi vizuele, të hapur, përmes shenjave. Nuk pretendoj se mund të depërtoj në imagjinatën e piktorit. Kërshërinë ma zgjon ai sfondi i zi në tablotë e tij, ku duhet kërkuar sublimen.

Se pse në pjesën më të madhe të tablove të këtij piktori dominon e zeza dhe ato dy-tri elemente figurative të postuara në kompozicion, mund ta zgjidhin enigmën krijuese të këtij piktori.

Përmes ideve, motiveve e përmbajtjeve Tahir Emra shpalos botën e tij imagjinative mbi kalueshmërinë njerëzore, ngrit sintezën mbi gjërat që nuk mund të harrohen, se janë pjesë të ndërgjegjësimit dhe historisë sonë. Shtron probleme, çështje të rëndësishme mbi qeniesimin tonë. Në mozaikun gjithënjerëzor vendos ngjarje e përmbajtje domethënëse, qofshin ato historike apo të vjela nga bota shpirtërore e popullit. Ka edhe shkaqe të tjera që simbolika e tij të kapet nga rrafshi i universales e të trajtohet edhe si sens i tij etik, njerëzor. Të cekim, po ashtu hetohet trupëzim i çuditshëm mes tablove dhe cikleve. Ku mbyllet një ide hapet tjetra si vazhdë e të mëparshmes.

E përcjellë atë vijë magjike, që lidh tragjizmin, shkapërderdhjet tona ekzistenciale në hapësirë e kohë (tablotë: “Trungu i ndarë”, “Sofra e përgjysmuar”, “Druri i fëmijërisë”, “Buka e fundit”).

Kreativiteti i tij krijues të bën t’u kthehesh tablove. Shikoni vetëm ato të cikleve “Vatra”, “Elegji për Kosovën” dhe “Homazh për dëshmorët” dhe do të zbuloni edhe diçka tuajën. Në ca tablo nga “Vatra”, kisha humbur në atë koloritin e zymtësisë, dhimbjes. Përballesha me vatrën time, ku më përfytyrohej hija e nënës, e humbur në blozë, pastaj fëmijëria, frika mos i digjja gishtërinjtë në gjuhën e flakës. Disi ringjallej e harruara, pak nebuloze ndoshta, po që pipëtinte si dritë e largët diku në kujtesë. Kjo është meritë e piktorit, që arrin të vë komunikimin me recipientin, ta bëjë bashkudhëtar në kërkimin e të bukurës. Por ç’të bësh, qetësia ishte thyer aty në sfond, te e zeza. Brusha e piktorit nuk kishte lënë ta lexojmë deri në fund morbiditetin.

Besonte ndoshta se drita e qiriut nuk do të fiket kurrë.

Kohët megjithatë puqen diku. Asgjë nuk është e vdekur kur hulumtohet.

(Ulpianë, shtator 2002)

Leave a Reply

Your email address will not be published.