PËR POLITIKAT KULTURORE DUHET TË VENDOSIN VETËM ARTISTËT DHE KRIJUESIT

Subjektet politike shqiptare duhet ta kenë të qartë se pa një bazë të fortë infrastrukturore dhe mbështetje financiare në kulturë, gjithnjë do të ngulfatemi në antivlerë dhe në akulturimin e shoqërisë sonë shqiptare

Nga Avni HALIMI

Favorizimet kulturore janë dukuri që shprehen si pasojë e urdhrave politiko-partiake dhe të njëjtat mund të përjetohen në Shqipëri dhe në Kosovë, pra, në shtetet që drejtohen nga qeveritë shqiptare. Ministria e Kulturës, përveç që ka obligim të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve nëpër institucionet kombëtare kulturore, është e obliguar që në programin e vet nacional vjetor të përfshijë edhe organizata e shoqata që merren me aktivitete kulturore. Pa dyshim, edhe kulturën  e kemi komercializuar deri në përmasa të “firmave fitimprurëse” dhe, fatkeqësisht, për këtë poshtërsi përkujdesen partitë tona, pastaj individë nga legjislativi dhe ekzekutivi kombëtar, të cilët gjejnë mënyra se si t’u dalin nga borxhi militantëve dhe përkrahësve të vetë! Le të formohen sa më shumë shoqata e organizata, nga të gjitha fushat e kulturës se, fonde ka mjaftueshëm për të gjithë! Kjo është logjika e diletantëve dhe snobëve që nuk dinë se si të dëshmohen si “intelektualë” dhe “akademikë” të kombit! Jo gjithnjë ndahen të kënaqur të gjithë! Që të gjitha organizatat dhe shoqatat varen nga koalicionet qeveritare! Në të dyja shtetet tona, ministritë gjegjëse gjenden edhe nën presionin partiak të strukturave të ndryshme të pushtetit, por edhe nën presionin e favorizimeve të udhëheqësve (por edhe komisioneve!) të dikastereve përkatëse. Si rrjedhojë e këtyre qëndrimeve imorale në raport me jetën kulturore, kemi subjekte e persona të favorizuar dhe, të tjerët “të diskriminuar”! Këtu kemi ankesa e “protesta” nga ata që ngelin jashtë sferës së favorizimeve si pasojë e pozicionimit opozitar dhe, në raste të tilla, absolutisht nuk kemi kurrfarë “diskriminimi”! Jeta kulturore institucionale është në nivel dhe, përtej mundësive, subvencionohen edhe dy-tri e më shumë ansamble, shoqata, organizata, botues etj!

Për ta kuptuar diskriminimin kulturor, mjafton që të hidhet një sy në viset e tjera etnike, te shqiptarët e Maqedonisë së Veriu, të Luginës së Preshevës e të Malit të Zi! Çuditërisht, edhe nga këto vise shpesh kemi dëgjuar “për diskriminime kulturore”, të cilat nuk vijnë nga subjektet politike, nuk vijnë nga institucionet dhe asociacionet që e llogarisin veten si bartës të jetës kulturore shqiptare. Fatkeqësisht, konstatime të tilla faktike vijnë nga individë që përfaqësojnë një shtëpi botuese, nga ndonjë “ansambël”, nga ndonjë shoqatë jo-fitimprurëse, nga ndonjë artist që, thjesht, kanë ngelur jashtë “tavolinës së kekut” kulturor! Të tjerët që kanë marrë ndonjë kockë sa për ta lëpirë, ndahen të kënaqur me politikat nacionale kulturore si të dikasterit gjegjës të qeverisë maqedonase, ashtu edhe të dikasterit kulturor qeveritar serb e malazes! Të pakënaqurit, nëse subvencionohen pas ndonjë ankese eventuale për diskriminim kulturor, shumë shpejt e harrojnë këtë shprehje që absolutisht duhet të jetë dukuri që brengos e jo vetë një fjalë goje!

Kjo lojë e ndytë e “artdashësve” dhe “kulturodashësve” si dhe mungesa e politikave të qarta kulturore që do të duhej të ishin diga të pakalueshme përgjatë formimit të koalicioneve qeveritare, na bëjnë të dukemi jo seriozë, qarramanë dhe politikisht të papjekur e të pangritur. Të hamë tortën e “Korridorit 8” e ta heshtim dhe ta fusim nën cergë tortën e turpit të gatuar me inferioritetin dhe diletantizmin tonë karshi jetës institucionale kulturore kjo flet për një primitivizëm të llojit të vet! Pa dyshim, botës i duhen korridore e autostrada, por shqiptarëve të viseve etnike, mbi çdo gjë tjetër, i duhen institucione kulturore si dhe zhvillim të jetës kulturore institucionale. Diskriminimi kulturor shtetëror që i bëhet shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Luginës dhe Malit të Zi, nuk kompensohet me asnjë sukses në infrastrukturën rrugor. Për kulturën shqiptare nuk ka buxhet, sepse po e orientojmë në ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore! Ndërsa institucionet nacionale kulturore të maqedonasve, të serbëve apo malazezëve, duhet të funksionojnë, sepse ato ekzistojnë, nuk guxojnë të mbyllen!

Shkurt, mosfinancimi i një libri, mosfinancimi i një shfaqje, i një koncerti, i një ekspozite etj., nuk është diskriminim kulturor por, thjesht politikë favorizuese apo disfavorizues subjektive e personave që drejtojnë ministritë për kulturë e që i kanë për ca shqiptarë “të mirë” e “të ndershëm” si dhe për ca shqiptarët opozitar “që kanë tipare të njerëzve të egër e të këqij”, ndonëse këta mund të jenë përfaqësues reprezentativ apo ajka e kulturës shqiptare në viset ku jetojnë! Mospasja dhe moszhvillimi institucionalisht i jetës kulturore shqiptare ky po që është diskriminim politik shtetëror kundër kulturës nacionale të një etnie!

Politikat kulturore pa shpirt

Në një shoqëri e cila mëton që identitetin dhe kulturën ta ketë pjesë të jetës së përditshme dhe të zhvillimit shoqëror, roli i artistëve dhe krijuesve është jashtëzakonisht i çmueshëm. Pa dyshim, artistët dhe krijuesit janë pasqyra e shpirtit dhe mendjes së një kombi, ata kanë aftësinë të sjellin reflektim dhe kritikë ndaj zhvillimeve politike dhe shoqërore. Në shoqërinë shqiptare, gjithandej viseve etnike, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, në Luginë të Preshevës, artistët dhe krijuesit shqiptarë janë kryesisht të margjinalizuar dhe të përjashtuar nga proceset politike dhe kulturore që formësojnë jetën publike. Do me thënë, pushtetet shqiptare, subjektet politike shqiptare nuk angazhohet të sigurojë që ata të kenë një zë të fuqishëm dhe të drejtë në këto procese! Pse?

Pushtetet shqiptare, subjektet politike qoftë në pushtet apo edhe në opozitë, deri më sot kanë dështuar të krijojnë mundësi të barabarta për artistët shqiptarë që të bëhen pjesë e politikës kulturore dhe shoqërore të vendit. Ky margjinalizim nuk është vetëm një problem social apo kulturor, por një problem politik dhe institucional. Për kulturën dhe artin vendosin subjektet politike që përplasen në mes vete duke u akuzuar se kanë lidhje të ngushtë me botën e krimit, subjekte që nuk denjojnë që të përfshijnë krijues e artistë në proceset vendimmarrëse që lidhen me kulturën dhe artin, me identitetin kulturor shqiptar. Institucionet kulturore dhe ato të qeverisjes, madje edhe partitë politike, asnjëherë nuk i përfshijnë ata në mënyrë aktive në hartimin e politikave kulturore, as në krijimin e mundësive (te shqiptarët jashtë Shqipërisë dhe Kosovës) që promovojnë artin shqiptar në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Pushtetet shqiptare dhe ato ku përfaqësohen shqiptarët, kanë dështuar të krijojnë hapësira ku artistët dhe krijuesit shqiptar të mund të shprehin mendimet dhe idetë e tyre, të kontribuojnë në zhvillimet shoqërore dhe të kenë një zë të fuqishëm për çështjet që i prekin. Debatet dhe diskutimet publike mbi kulturën, kryesisht zhvillohen nga politikanë, nga fytyra publike e jopublike që nuk kanë lidhje me artin dhe kulturën ndërsa artistët dhe krijuesit detyrohen t’u nënshtrohen vendimeve që vijnë nga ata “diskutime formale” jo kompetente e jo profesionale.

Në shumë raste, pushtetet që drejtojnë me fatin e shqiptarëve, kulturën e artin dhe, rrjedhimisht edhe ndonjë artist e krijues shqiptar, i kanë përdorur si një mjet për të konsoliduar pushtetet dhe për të nxjerrë në pah identitetin politik të partive përkatëse me programe e “vizione” partiake universale! Mospërfshirja e artistëve dhe krijuesve shqiptarë në hartimin e politikave kulturore ka sjellë një lloj diskriminimi dhe vetëdiskriminimi të brendshëm kundër kulturës shqiptare. Që nga financimi i institucioneve kulturore deri te promovimi i eventeve të artit, artistët shqiptarë përjashtohen nga mundësitë që duhet të jenë të drejta dhe të domosdoshme për çdo pushtet. Në shtetet ku shqiptarët përfshihen si participientë qeveritarë, problemet janë edhe më të theksuara. Aty pastaj kemi një mungesë të plotë të transparencës dhe angazhimit për të siguruar që krijuesit shqiptarë të kenë mundësi të kontribuojnë në ndërtimin e një kulture të përbashkët. Vendimmarrësit joshqiptarë krijojnë politika që favorizojnë vetëm elementët e kulturave joshqiptare (serbe, malazeze, maqedonase), duke injoruar pasurinë kulturore që sjellin artistët shqiptarë. Pa përfshirjen aktive të artistëve, të krijuesve e kulturëbërësve, politikat kulturore gjithnjë do të mbeten të varfra dhe të ngushta, pa atë mundësi reale për të pasuruar dhe zhvilluar identitetin kulturor si kolonë gjenetike të çdo kombi.

Diskriminimi kulturor si mision institucional

Në Maqedoninë e Veriut, kultura dhe arti shqiptar kanë qenë gjithmonë një çështje delikate, kryekëput e margjinalizuar. Pa dyshim, artistët dhe krijuesit shqiptarë japin shumë për trashëgiminë kulturore të vendit si dhe për larmishmërinë e saj kulturo-artistike. Përkundër kësaj, ata gjithnjë po përballen me sfida të mëdha, sidomos në kontekstin e një shoqërie që ka jetuar nën ndikimin e një politike të diskriminimit kulturor. Në këtë kuadër, është e domosdoshme një analizë mbi atë se çfarë bëhet (dhe çka nuk bëhet) për krijuesin dhe artistin shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Dhe kjo analizë duhet të vijë pikërisht nga vetë këta artistë e krijues, pasi të ndërgjegjësohen një herë e mirë mbi faktin që diskriminimi i tyre kulturor tashmë është një mision institucional maqedonas.

Promotor i këtij realiteti që flet për një një histori të gjatë të margjinalizimit kulturor të popullit shqiptar, është strategjia nacionale e pushtetit maqedonas për të mos ofruar mbështetje minimale për zhvillimin e artit dhe, përgjithësisht, kulturës shqiptare. Pse ky ndërgjegjësim duhet të pritet nga komuniteti artistik dhe jo nga komuniteti politik shqiptar i pushtetit maqedonas? Sepse subjektet politike shqiptare tashmë fare mirë e kanë kuptuar se janë të pafuqishëm karshi diskriminimit kulturor që nuk është vetëm rezultat i tendencave individuale, porse tashmë po kalon  nëpërmjet institucioneve të shtetit dhe të politikës shtetërore, të cilat po e stimulojnë kultivimin e një kulture dominuese maqedonase si një mjet për forcimin e identitetit kombëtar maqedonas si i vetmi identitet reprezentativ i shtetit të Maqedonisë së Veriut. Dhe kjo tendencë po vërehet nga infrastruktura kulturore, nga strategjia nacionale për kulturë si dokument, nga ligji përkatës, nga buxheti dhe fondet dhe nga mostrajtimi apo edhe keqtrajtimi i veprave dhe vlerave kulturore shqiptare.

Në këtë pushtet ku kasta politike përbëhet nga “pronari dhe vasali”, nga “perandori dhe robi”, në këtë shoqëri ku identiteti dhe kultura nacionale (maqedonase) janë të lidhura ngushtë me pushtetin, kulturë-bërësit shqiptarë lihen jashtë procesit të vendimmarrjes kulturore dhe institucionalizimit të artit. Askush nuk i pyet: subjektet politike shqiptare nuk pyesin sepse janë kryekëput antikulturorë, ndërsa subjektet politike maqedonase nuk pyesin, sepse atyre u intereson dhe angazhohen ekskluzivisht për kulturën maqedonase “që i jep shpirt” shtetit maqedonas. Institucionet kulturore dhe mediat janë të dominuar kryesisht nga ndikimi maqedonas i bazuar në “dokumentin e shenjtë” të strategjisë nacionale për kulturë, ndërsa përpjekjet e artistëve dhe krijuesve shqiptarë për të realizuar projekte mbështeten me lëmoshë, apo edhe bllokohen nga mungesa e burimeve financiare dhe mbështetja institucionale.

Në këtë kontekst, çfarë duhet të bëjnë partitë shqiptare që “participojnë” në pushtet për krijuesin dhe artistin shqiptar në Maqedoninë e Veriut? Sa më parë duhet të hartojnë strategji nacionale për kulturë që duhet të jetë platformë politike mbi të cilën do të ngrihen programe partiake e marrëveshje politike me subjektet e pushtetit! Përfundimisht, çdo pushtet duhet të marrë masa të qarta dhe të drejta për të krijuar mundësi të barabarta për zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare. Në peshoren politike qartë duhet të shihet mbështetja e barabartë financiare dhe infrastrukturale për artin dhe kulturën shqiptare. Investimi në hapësira kulturore dhe mbështetje për organizimin e aktiviteteve artistike shqiptare duhet të jenë një prioritet për çdo qeveri të shtetit të Maqedonisë së Veriut. Subjektet politike shqiptare duhet ta kenë të qartë se pa një bazë të fortë infrastrukturore dhe mbështetje financiare në kulturë, gjithnjë do të ngulfatemi në antivlerë dhe në akulturimin e shoqërisë sonë shqiptare. Më e pakta që duhet të ndodhë përgjatë konstituimit të qeverive dhe ndarjes së pushtetit është përfshirja e domosdoshme e krijuesve shqiptarë në proceset e politikës kulturore, sepse krijuesit shqiptarë duhet të kenë një zë në hartimin e politikave kulturore të vendit. Ata duhet të përfshihen në proceset e vendimmarrjes dhe të jenë pjesë e ngjarjeve dhe aktiviteteve të rëndësishme kulturore, duke pasur mundësinë për të sjellë një kontribut të vlefshëm dhe për të promovuar artin shqiptar në një nivel më të gjerë. Sepse, deri më sot është dëshmuar katërcipërisht që këtë detyrë kombëtare nuk po dinë dhe nuk po munden ta kryejnë përfaqësuesit politik të shqiptarëve të këtushëm.

Pa dyshim, edhe pala maqedonase duhet përfundimisht të bindet që mos ndërmarrja e hapave të qartë dhe të menjëhershëm për të mbështetur artin dhe kulturën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, vetëm sa e dëmton rëndë zhvillimin e artit, kulturës dhe shoqërisë në tërësi. Nuk guxon që në një hapësirë ku shprehet angazhimi maksimal për një kulturë të mirëfilltë institucionale të lulëzojë “një kulturë” e padenjë për t’u kultivuar në asnjë cep të botës! Antivlera “kulturore” nuk është egjër që mund të harret porse është një barojë që e shkreton tërë fushën. Diskriminimi kulturor institucional duhet të trajtohet njësoj siç trajtohen veprat e krimit, pa mëshirë dhe njëjtë për të gjithë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.