ARTISTI, RREZATUES I SË MIRËS, APO…

Duke lundruar në detet euforike dhe,duke dëgjuar vetëm zërat e egos së tyre të sëmurë,të tillë krijues mbesin gjithmonë në sfond dhe nuk rriten kurrë

Agim BAJRAMI

Më tregonte para pak ditësh një miku im, krijues i njohur: Desha t’i kujtoja miqësisht një të ashtuquajture poete (autore e 12 librave poetikë), që ngatërronte në një nga poezitë e saj Lumin Drin me Lumin Drinos se kishimtë bënim me dy lumenj të ndryshëm, por vërejtja ime duket se e egërsoi dhe nervozoi keq atë. Isha me fat që nuk e kisha përballë, sepse mund edhe të isha konfrontuar me të.

Nisur nga rasti në fjalë dhe nga disa reagime nervoze të disa homonimeve të tjerë të kësaj pseudo-poeteshe, në rrjetet sociale ndaj figurave aktuale të letrave tona, lind pyetja: Përse gjithë ky fjalor i ashpër dhe kjo mungesë tolerance nga ata që pretendojnë se e dashurojnë fjalën e bukur poetike dhe bartin mbi vete një emër krijuesi? Mund të ketë shumë përgjigje kjo pyetje, por gjëja e parë që më vjen në mendje është se fushës së letrave i janë vetafruar një kontigjent i tërë njerëzish, që nuk kanë asnjë lidhje apo afeksion me fjalën e bukur dhe letrat, por që ju është mbushur top mëndja, se shkrimi i librave është një mundësi për t’i bërë ata të famshëm. Është e qartë se këta njerëz nuk kanë nevojë për vërejtje dhe sugjerime letrare, por vetëm për dekorata dhe duartrokitje. Kësisoj, vërejtja ime miqësore kishte rënë në adresën dhe veshin e gabuar. Zakonisht, mes njerëzve të letrave këmbimi i mendimeve dhe përvojave është një praktikë e zakonshme dhe domosdoshmëri e pranuar nga të gjithë. Për më tepër që një krijues me vlerë duhet të jetë edhe modeli, që duhet ndjekur nga të tjerët, pasi teknika e të shkruarit është dhe mbetet një zeje shumë e vështirë dhe delikate. Historia e letërsisë njeh kaq e kaq shembuj të tillë. Por, të pretendosh se ke arritur majat, menjëherë pasi ke botuar librin e parë apo të dytë, se nuk ke nevojë për të studiuar dhe për të pritur vërejtje, është antiletrare. Duke lundruar në detet euforike dhe, duke dëgjuar vetëm zërat e egos së tyre të sëmurë,të tillë krijues mbesin gjithmonë në sfond dhe nuk rriten kurrë. Frederik Reshpja ishte një nga ata që për dekada e dekada ju përkushtua studimit të thellë të mjeshtërisë poetike. Komunikonte me të gjithë dhe ishte aq njerëzor. Ata që e kanë njohur nga pranë, thonë se karakterizohej nga një thjeshtësi e jashtëzakonshme dhe kurrë s’pranonte të mburrej me zë koke, se ishte një poet i madh. Nga tipare të tillë karakterizohej edhe romancieri i njohur shkodran, Skënder Drini, Zija Çela të bie menjëherë në sy për komunikimin me krijues të rinj. Po kështu,edhe poetët e mrekullueshëm Xhevahir Spahiu, Musa Vyshka, Skënder Buçpapaj, Petrit Ruka etj. Mjaftojnë vetëm këta emra, për të krijuar një ide sado të vogël, se thjeshtësia dhe madhështiae krijimit ecin gjithmonë paralel me njeri tjetrin/ Ngritja e zërit vend e pa vend, megalomania, narcizmi dhe prirja për të qenëprotagonist edhe aty ku nuk ju takon, janë karakteristika të njerëzve të vegjël dhe pa vlerë që inferioritetin e tyre krijues mundohen ta kompensojnë me veprime dhe gjeste ordinere. Sjellje dhe prani të tilla padyshimqë i shëmtojnë ambientet dhe atmosferën tonë letrare, duke bërë që kolegët e tyre të ndihen keq dhe të frustruar. Edhe pse absurditeti i kësaj kohe i ka ndihmuar me sa të mund ta hapin tinëzisht derën e rëndë të letërsisë,prania e tyre për një kohë të gjatë brenda saj është e përkohshme. Kur poeti i madh italian, EugenioMontale, shkroi vargun e famshëm se “Poetët kanë lindur për të ndryshuar botën”, sigurisht që nuk e kishte fjalën për ta. Nga përvoja e marrëdhënieve të mia me njerëz të tillë, kam mësuar se shumica e tyre, karakterizohen nga shenja të dukshme deliri dhe mungesë e theksuar kulture, çka ua bën të vështirë komunikimin normal me të tjerët, njohjen dhe respektimin e hierarkive dhe vlerave të mirëfillta letrare. Duke mos njohur vështirësitë e krijimit, censurën artistike, mesazhet me përgjigje refuzuese, nga redaksitë e revistave, gazetave dhe shtëpive botuese të dikurshme, atyreju është mbushur mëndja top, se të bërit letërsisot qenka njëqind herë më e lehtë se të shkosh në det për të gjuajtur peshk. Unë jam shumë i sigurt se asnjëri prej tyre nuk i di vuajtjet e Xhek Londonit (autorit të Dhëmbit të bardhë, për të botuar librat e tij të parë apo zhgënjimin e Tolstojit, përballë cinizmit të botuesve të tij të kohës, ekzistencializmin e Balzakut, Hygoit dhe Dikensit. Ata s’dinë asgjë për kalvaret e pafundme të vuajtjeve të shkrimtarit antikomunist, Bilal Xhaferri dhe dhjetëra e dhjetëra krijuesve të tjerë përballëinkuizitorëve të tyre letrar,në periudhën e errët diktatoriale. Ndofta është kjo mosdije që nuk i lejon ata të ulin sado pak kokën, të studiojnë më shumë dhe të nxijnë rreshta më pak. Ndërsa shkruaj këto radhë, më vjen në mend shkrimi i para disa ditëve i një redaktoreje të vjetër dhe me kulturë, të Shtëpisë botuese Naim Frashëri, që kishte kaluar nëpër duart e saj qindra vepra të njohura të letërsisë sonë dhe asaj botërore,dhe mbas kaq e kaq dyzimesh vendosi të dalë para lexuesit me një libër. Edhe pse vepra e saj kishte marrë vlerësime nga njerëz të njohur të letrave, ajo përsëri ishte e shqetësuar, sepse një krijuese e vërtetë duhet të ruhet dhe t’i trembet lëvdatave dhe euforisë që vjen menjëherë pas tyre. Postulati i njohur se: krijuesi duhet të jetë pasqyrë e thjeshtësisë dhe rrezatues i së mirës, është kaq kuptimplotë dhe kaq kundërshtues njëherësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published.