A DUHET TË KETË PARATHËNIE LIBRI I HUAJ I LETËRSISË PËR FËMIJË?

Librat e vlefshëm nga letërsia botërore për fëmijë, duhet të shoqërohen me parathënie, sepse si lexuesi i vogël, si prindi, si mësuesja etj., njihen me disa sqarime për përmbajtjen e veprës, me parimet e idetë e saj, me rrethanat e krijimit, me autorin…

Xhahid BUSHATI

Këto ditë po punoja një shkrim për novelën fantastiko-shkencore “Bambi” të autorit austriak Feliks Salten. Mbi tavolinë të punës kam “Bambi-n” (botim i dytë, përkthyer nga origjinali: Prof. Eqrem Çabej, – Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1988. Kjo novelë botimin e parë e ka në vitin 1960. Më pas, u ribotua nga Botimet Toena, Tiranë 2006, me titullin “Bambi, një jetë nëpër pyje” përkthyer nga Nevila Zeneli).

Assesi, nuk kam qëllim krahasues të përkthimit të dy përkthyesve të kësaj novele të bukur. Ky problem mund të trajtohet nga studiuesit – përkthyes. Gjithsesi koha që po kalon nga vitet e botimeve, një qasje e tillë, them që nuk do të realizohet.

Problemi im ka një qasje tjetër. Botimi i novelës, në vitin 1988, shoqërohet me një parathënie nga shkrimtarja e mirënjohur Diana Çuli, ndërsa botimi i novelës në vitin 2006 nuk shoqërohet me parathënie, ndonëse paraqitja dhe dizajnimi janë estetikisht bukur. Mbase nuk është parë e arsyeshme. Mbase është problem këndvështrimesh. Nuk gjykoj. Por, ama, parathënie nuk ka. Ku qëndron gabim: te botimi i vitit 1988 apo te botimi i vitit 2006?!

Tani po ndalem te parathënia e shkrimtares Diana Çuli. Kultura e saj rrezaton në këtë parathënie, ashtu si në dy librat autorialë për fëmijë që ka botuar pak vite më parë, si: “Aventurat e Zozosë” dhe “Aventurat e Zhuzhusë” (Botime të Sh. B. “Arka e Noes”). (Për këto dy libra që janë vazhdimësi të njëra tjetrës, kritikës letrare nuk i kanë rënë në sy. Le ta mësojë ajo, se janë dy libra interesantë, me një problematikë të parrahur në letërsinë tonë shqipe për fëmijë, siç janë: virtyti i miqësisë dhe raporti i fëmijëve me teknologjinë. Ato janë rrëfyer bukur, plot ngjyra dhe psikikë fëmijërore, gjë që nuk ndodh shpesh në botimet, së paku 5 vjet e këtej.

Diana duke qenë vetë përkthyese e disa librave, di dhe njeh vlerat e librit në fjalë dhe vlerat e parathënies. Lexojmë në ato rreshta, raportet e lexuesit me librin e mirë, me kohën që ikën e nuk kthehet më, me mbresat dhe kujtesën. Gjithashtu një pikë interesante shikimi nga përkthyesja është dhe raporti i njeriut me fëmijërinë. Çfarë i mbetet nga “leximi” i librave të kohës së fëmijërisë?, Sa jeton ajo fëmijëri në faqet e librit? Sa kujtime ka për personazhet, si i kujton, apo, vallë, i ka harruar? etj. etj. Në një paragraf përkthyesja na thotë: “E njohëm (“Bambi-n”) atëherë, me leximin e botimit të parë të këtij libri, dhe mbresa që na la na ndoqi vite me radhë duke na u ngulitur në kujtesë për të mos u larguar më. Një gjë e tillë nuk ndodh me çfarëdo libri, jo të gjithë personazhet që takon në fëmijëri të ndjekin gjatë gjithë jetës siç të ndjek Robinson Kruzo, Pinoku, [… …] apo Tom Sojeri. Dhe shkrimtarja në vazhdimësinë e gjykimit të saj, përmbledhtas e plot esencë vlerash, lexojmë më tej vlerësimin për librin: “Bambi, kaprolli i hijshëm i pyllit, ndoshta nuk hyn në këtë radhë të ndritur heronjsh letrarë të paharrueshëm, megjithatë, ndonëse thjeshtë një kafshëz me një jetë dhe me veprime modeste, nuk të ndahet nga mendja.”

Teksa lexojmë këtë parathënie të vlertë, mësojmë dhe disa “të fshehta” të librit, pse ai duhet lexuar. Duhet lexuar për: – Në këtë libër gjejmë një jetë të tërë, nga fëmijëria deri në pleqëri., – Libri është i përshkruar nga ndjenja e dashurisë për jetën, për të bukurën, për lirinë, ndershmërinë dhe respektin për miqtë e të afërmit., – Fundi i Bambit, ashtu i vetmuar, të trishton. [… …] Por takimi me dy të vegjlit, të cilëve u përsërit fjalët që i ka thënë atij dikur plaku, ka një ide domethënëse. Ai, vërtet, është tashmë kaproll i plakur dhe i vetmuar, por ja ku janë të tjerët, të rinjtë, të çilët, ashtu si ai, do të lodrojnë nëpër pyll, do të përplasen me jetën dhe do të shpërndajnë mirësi e mençuri siç ka bërë dhe ai vetë. – Është fat për lexuesin e vogël që në shqip “Bambi-n” e ka sjellë përkthimi mjeshtëror i Profesorit të nderuar Eqrem Çabej.

Në përfundim: librat e vlefshëm nga letërsia botërore për fëmijë, domosdoshmërisht duhet të shoqërohen me parathënie, sepse si lexuesi i vogël, si prindi, si mësuesja etj., njihen me disa sqarime për përmbajtjen e veprës, me parimet e idetë e saj, me rrethanat e krijimit, me autorin etj., me modelin letrar dhe me dimensionin e dashurisë për librin që autori dhe libri e ofrojnë si vlerë jete në rrugëtimin njerëzor.

Leave a Reply

Your email address will not be published.