KLITHMË E HESHTUR
Ç’më humbasin fjalët
Sa herë shkruaj për Ty
Më bëhet
Se je vetëm imi
Peng më mbetet diçka
Ardhja
S’është ardhje pa mua
Itaka ime
Ç’thinjem
Përtej brigjeve të nemuna
Humbur harrimit
I tëri jam bërë
Klithmë e heshtur pa zë
Veshur me pikëllimë
Pi etje
Dhe fle me etje
Ëndrra ime
Imzot
S’më vdiset këtu
Atdheu
Është ngazëllimi
Krisma e etërve
Është
Kremtja dhe varri im
BARBARA
Një ditë
Sakaq mund të dalim
Jashtë kujtesës
Dhe të harrohemi
Si gjethet e zverdha në vjeshtë
Si rigat e shiut në verë
Tevona
Ç’na duhet kërkimfalja
Ç’na duhet pendesa
Barbara
Mosardhja s’është fundi
HIJET
Hijet
Pa stinë
Thinjen udhët e errëta
Tërë kohën
Me krajata nate
Terratisin të bardhë
Sa shumë
Retushime biografish të fisme
Hijet
Si hijet në kulmin e acarit
Ta kallin flakë
Nga breroret
Fshihen nga syri i maleve
Strehët
E përtypin heshtjen
E brymtë
Hijet
Makth fund e krye
Ëndërr e trishtë
ATA FLAMUJ GJAKU
Vitet
E prushta ishin stinët
Shkrumb si hije fantazmash
Nata
E shën Bartolomeut
Që zgjati më gjatë se jeta ime
Agimet sterrë
Sterrë qielli ankthi i natës
Na duhen shtigje të reja
Etja e brezave
Lumë që nuk shteron
Kulla e Babilonit
Gjëma e fundshekullit XX
“Vendlindja thërret
Atdheu është në rrezik”
Thërrisnin muranat
Vitet e grilave thërrisnin
Thërrisnin mallkimet e nënave
Tevona
Kalloi fara e etërve
Për dasmën e maleve
Krismat
Që zhdavaritën retë e zeza
Heshtjen pikëllimin gjëmën
Dhe agoi dielli
Udhët mbushen sheshet
Fushëbetejat
E lirisë kanë diçka hyjnore
Atje s’perëndon dita
As shterojnë lumenjtë
Ata flamuj gjaku
HIJA E FUNDSHEKULLIT XX
Kjo kohë
Ç’më ngjan në purgator
Hija e fundshekullit XX
Vitet
Ç’përgjumën tek Ura e Ibrit
Asnjë trokëllimë asnjë zë
Heshtje
E ftohtë drithërimë lumi
Valët
Kryeneçe ikin tutje vetmisë
Me nervozë pa rreze agu
Qiell i hirtë
E hirtë dhe koha matanë lumit
Teatër lojë djalli
PA TY
Kur të ikësh ti
S’çelin trëndafilat
Aromë blirët s’do të kenë
Kitarës do t’i këputën telat
Kur të ikësh ti
As cicërimë as këngë
Pa Ty
Shteron lumi im
Stina më e etshme
Barbara