AJO KA ARDHUR VEÇ PËR MUA

Në Amerikën e gradaçielave parqet të shijojnë, edhe si një nevojë kompensimi. Dal dhe në shi. Nuk bëj, si poeti Agim Bajrami, që nuk e merr çadrën, ngaqë ka dëshirë të laget, duke më kujtuar një poeteshë, që tërhiqej nga e njëjta dëshirë

Fatbardh AMURSI

Të isha rritur pranë detit, ndoshta do ta kisha dhe unë këtë hobi. Pemët e zhveshura ia kanë hequr poetikën parkut. Zogjtë, sikur ta dinë këtë duken hera-herës, sidomos rosat e egra, që notojnë në liqenzë. Më tërhoqi një piktor. Kohë më parë kisha parë një piktore, në të njëjtin vend. Isha kurjoz të dija se si i njëjti peizazh do perceptohej nga një vajzë e një djalë. Vëmendja mu shtua, kur pashë rosat, pranë të cilave rrinin dhe rosakët. Një ditë doja t`i afrohesha për t`i fotografuar, këtu vijnë shumë me aparat në qafë, por ato më ndjenë dhe ikën. Kur shkova në krahun tjetër, ato përsëri ishin larguar. Ndërsa para piktorit dukej, sikur pozonin. Me sa duket e kuptonin, që ai ishte artist, jo fotograf dhe, i pikturonte. Më kapi xhelozia me piktorin, përderisa dhe unë e mbaj veten për artist. Po, sikur në vendin tim të ishte Agim Bajrami, a do iknin, thashë me vete? Më shkoi mendja tek ai, për shkak të poezive të lexuara. “Mos i kujtoni indiferente këta drurë anës rruge/Dhe pse nga pamja ngjajnë të tillë/Ata për  ne  këtu u ngulën/ Dhe lanë shtëpitë atje në pyll.” Pemët dinë më shumë sekrete për ne, se sa ne për to. Nuk është vetëm arra, që ka aftësinë të fotografojë, falë saj janë zbuluar dhe krime. Më shumë nga vetë ambientalistët janë poetët të lidhur me natyrën. “I kishin rënë gjithë natën xhamit/Me klithma në dritare/Ndërsa unë flija i pashqetësuar/Pa e vrarë mendjen fare./Më kanë mbaruar të gjithë fjalët/Ndaj s’di ç`të them vërtetë/K’të mund ta bëjnë vetëm vandalët/Por kurrë, një poet.”, i cili në të ftohtin e dimrit nuk kishte ndjerë çukitjen e zogjve në xham. E merr aq inat veten, sa: “Dhe unë jam pjesë e kësaj turme/Me shpirt të keq, cinik.” Liriku i madh, Lasgushi, do i thotë shkrimtarit Kadare: “Ismail, njeriu që lexon dhe pëlqen poezinë, doemos, është njeri i mirë.” A mund të përdoret kjo thënie si test për të dalluar të mirin dhe të ligun, pyes unë. Halli është se poezia e bukur është e rrallë, por dhe ata që shkruajnë bukur, mos kujtoni se i gjen radhë, sikurse pretendohet. Poezitë e bukura duhet t`i kërkosh dhe brenda një autori. Në një farë kuptimi, ne që lexojmë me dhjetëra poezi, apo qindra faqe nga librat e një shkrimtari, ngjajmë disi me kërkuesit e arit. Të paktën na e njihni këtë mundim. Ja e gjetëm poezinë, që na tërheq, por, jo çdo gjë që shkëlqen është ar. Kështu që na duhet ta analizojmë. Po kush mund të mburret e të thotë, kjo është e bukur dhe s’e luan topi! Se ka dhe gosti maskarenjsh: “Ata po hanë dhe nxjerrin gazra/…Pjatancat mbushur mish të pjekur/Dhe broket plot me pije/Çdo fjalë e tyre ndjell veç mjergull/Dhe thika marrëzie.” Thamë se jo çdo gjë që shkëlqen është ar. Por, kur shfaqet një grua me flokë ari? Kjo grua flokë ari/Përditë ndez dy qirinj/Një e lë në dritare/Dhe një e fut në gjinj./Pa pasur frikë nga zjarri/Dhe flakët që shpërthejnë/Ajo është grua flirtesh/Dhe djegiet i “pëlqejnë”. Në një poezi tjetër poeti qortues, shfaqet i dorëzuar: “Ç’të them? Ti kështu je prerë/S`kam lindur unë që të të ndreq/Njëherë je fllad dhe dy herë erë/Ndaj çdo humor në çast ma heq.” Tek e fundit huqi i tjetri s`ka pse të kthehet ty në vuajtje, nëse nuk je një viktimë e saj. Nëse jeta s`të ofron një bionde, por ndodh që në vjeshtë të shfaqet një tjetër. “Dihet nga të gjithë, që ne jemi dy të dashuruar/Dhe pse jemi përpjekur, ta fshehim gjithmonë/Unë ende s`e di, se kush na ka tradhtuar/Dikush, apo vetja jonë?” E vetmja tradhti, edhe pse hap ca punë në opinion, ngjan me guaskën që kur del margaritari, nuk fyhet kur e hedhin. Vetëm në një vjeshtë si kjo të rrënjoset ideja se pranvera mund të vijë dhe me një lule.  “Sepse ndonjëherë ti je kaq e bezdisshme/Sa më vjen të të fshi krejt nga vetja”- heroi lirikë shfaqet në një tjetër gjendje. Sa më shumë gjendje shpirtërore të shprehë një poet, aq dhe më e larmishme është poezia e tij. Përndryshe ti i bie fyellit gjithmonë në një vrimë, qoftë kjo dhe magjia e femrës. Ndonjëherë ia vlen më shumë të qetësosh një tjetër se sa veten. S`është e lehtë të ngrihesh nga e rëndomtë e atyre që thonë me kollajllëk: “Unë jam vetvetja”. Shkrimtarët e artistët e dinë se ç`heqin për të qenë individual, të kenë stil. “Ti qan diku në cep vetmuar/Unë vij vërdallë dhe s’të ndih dot/Trafiku i vjeshtës ngjan rënduar/Jo veç me gjethe, por dhe lot.”

Në qytetet e vogla përherë është një grua, që tërheq më shumë vëmendje. E cila vishet bukur, përdor gjuhën e trupit pa ndjellë askënd, duke shfaqur një protagonizëm, i cili kthehet për të tjerët në një nevojë. Ajo e di që e presin të gjitha, ndryshe nga ato, që i pret vetëm një njeri. E tillë është dhe “Ardhja e një gruaje në qytetin D”: “Të gjithë kishin qenë lajme të vjetër/gjer kur u shfaq ajo atë ditë/(S’ harrohet lehtë një grua e tillë)/Pastaj siç erdhi, u largua/Por mua seç mu ngjall një bindje/Se ajo kish ardhur veç për mua.” Shikoni sytë e një fotoje apo të një portreti, ato duken sikur të ndjekin vetëm ty. Dihet që preha e parë e trishtimit është poeti. Por, trishtimi i shprehur me gjuhën e artit është tjetër gjë, sikurse ndihet tek poezia “Një plakë në dritare”: Duart mbështetur si në mjegull/Vështrimin hedhur pa adresë/Nuk i kujtohet kur ka lindur/Nuk e mban mend, se kur do vdesë.” Një dritare e trishtuar nuk ka të krahasuar me atë të një fshati: “Këtu njerëzit flasin veç për vdekjet/Me një qetësi për tu çuditur/-Marija e gjorë vdiq këtë të enjte.” Si poet i lindur me detin në sy, sigurisht që Venecia do ta mahnitë: “Gondolave që preken brigjet/Mbi kiç nga një pulëbardhë u rri/Unë jam mes turmave që dynden/I etur për këto mrekulli/I kaltër ajri edhe era/Të kaltër zogjtë, që vijnë vërdallë/Sa vjen këtu, të pret te dera/Një madhështi dhe art i gjallë.” Kjo është një sprovë për të skicuar portretin e poetit me vargjet e tij, duke qenë i sigurt, se veç të tjerave poezia e tij krijon gjendje, atmosferë, kundrejt asaj poezi që ngjan me lulet pa aromë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.