Nuk po dëgjohet zëri i intelektualëve tanë, i akademikëve tanë në angazhimin e VLEN-it për të pasur një Akademi shqiptare të arteve dhe shkencës në RMV!
Nga Avni HALIMI
Në BE nuk mund të përfshihen ata shtete që mbahen me ide retrograde, ata vende që këmbëngulin në formimin e shtetit komb. BE-ja nuk mund të shfrytëzohet si çerdhe ku mund të etablohet kjo ide e cila veç konflikteve, spastrimeve etnike, gjenocidit, nuk prodhon asnjë të mirë tjetër! BE-ja tashmë i ka rregullat e veta dhe, të gjithë ata që angazhohen për t’u inkuadruar në këtë Bashkësi, duhet që të heqin dorë nga rregullat vetanake dhe t’i pranojnë germë për germe rregullat që i kanë vënë Shtetet e Bashkuara të Evropës.
Megalomani apo paranojë
Maqedonia e Veriut nuk mund të pretendojë të futet në BE si shtet trashëgimtare e lashtësisë së njerëzimit. Për t’ia shuar një ëndërr të tillë u detyrua nga shteti grek që të heqë dorë nga emri i vjetër i shtetit, nga flamuri dhe nga simbolet e përvetësuara nga katalogu nacional i civilizimit grek. Maqedonia u vetë-përjashtua nga fillimi i bisedimeve me BE-në për hapjen e grup-kapitujve të parë pikërisht sepse po refuzon që të bëjë ndryshime kushtetuese dhe në Kushtetutën e re t’i emërtojë edhe bullgarët e RMV-së si qytetarë të saj. Vetëm Shqipëria nuk i vë kushte! Përkundrazi, me rastin e hapjes së kapitujve me BE-në, në Konferencën e përbashkët, kryeministri shqiptar, Edi Rama, e qortoi Bullgarinë për qëndrimin e saj i cili u bë shkak që Maqedonia të shkëputet nga rrugëtimi i përbashkët për t’u inkuadruar në BE! Rama e quajti dështim të Evropës mosvazhdimin përkohësisht të procesit për inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Thjesht, për këtë “padrejtësi” evropiane foli me zemër të thyer e gati i përlotur! Janë një mori problemesh me të cilat përballen shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, bashkëkombës të Edi Ramës, të cilët probleme Rama duhet t’i theksojë në çdo event ndërkombëtar! Rama nuk duhet që vullnetarisht të luajë rolin e sponsoruesit të RMV-së, por të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet e që tejkalojnë 30% në numrin e përgjithshëm të qytetarëve të saj. Maqedonasit e urrejnë gjuhën shqipe! Maqedonasit e urrejnë kulturën shqiptare! Këtë e dëshmuan edhe me Enciklopedinë maqedonase që e botoi Akademia maqedonase e ku, mbi shqiptarët, vetëm shkencë që nuk kishte, por kryekëput, urrejtje patologjike! Maqedonasit tmerrësisht frikësohen nga intelektualët shqiptarë, rrjedhimisht, edhe nga Institucioni i denjë për grumbullimin e elitës së verifikuar shqiptare – nga Akademia! Sepse, e kanë keqpërdorur Akademinë, janë mësuar me përdorimin e këtij Institucioni në shërbim të politikës ditore, ndaj dhe fort frikësohen nga Akademi “e armiqve shqiptarë”!
Maqedonasit thanë shkurt e qartë – nuk mund të ekzistojë një Akademi shqiptare e arteve dhe shkencës, sepse një Akademi (maqedonase) po ekzistuaka dhe nuk ka shtet në botë që i ka dy akademi. Por, ama vështirë të gjendet shtet tjetër në botë (veç shteteve sllave-ortodokse) që diskriminojnë intelektualë të tjerë (ekskluzivisht shqiptarë) duke u angazhuar në përjashtimin e çdo intelektuali kombëtar që i përket etnisë shqiptare. Akademikët maqedonas nuk janë të gatshëm që të hapin edhe sektorë për gjuhën, për artin, për kulturën e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, ku do të angazhoheshin akademikë etnik shqiptar. Ata jo fort larg ishin edhe kundër një Ansambli profesional shqiptar, por ç’të keqe po përjeton Maqedonia e Veriut nga funksionimi tashmë i këtij Ansambli? Çdo gjë institucionale shqiptare është vetëm një vlerë për shtetin e Maqedonisë së Veriut dhe nuk paraqet kurrfarë rreziku mbi qenësinë e popullit maqedonas.
Në Maqedoninë e Veriut po funksionuakan rreth 40 institucione nacionale që merren me gjuhën maqedonase, me historinë maqedonase, me kulturën maqedonase e me shkencën maqedonase dhe vetëm një Institut (ITKSH) që merret me trashëgiminë kulturore e shpirtërore të shqiptarëve të RMV-së! Në Maqedoninë e Veriut edhe ajri, uji, fryma duhet të jenë maqedonase! Ja pse kryeministri shqiptar duhet të jetë i lemeritur dhe jo të ligështohet nga kushtëzimi i Maqedonisë së Veriut nga BE-ja për t’u inkuadruar në gjirin e saj. Nuk janë shqiptarët që duan institucione paralele, janë vetë maqedonasit përjashtues që frymëzojnë themelimin e këtyre institucioneve paralele! Akademinë e arteve dhe shkencës e themelon Kuvendi shtetëror dhe është institucion që i shtynë politikat shtetërore apo edhe që u rri çekan mbi kokë! Është pararojë e interesave shtetërore si dhe kasafortë e të arriturave, e sukseseve, e ideve dhe projekteve të shëndosha e të bukura të të gjithë qytetarëve të saj, madje duke u angazhuar që brenda vetes të përfshijë si anëtarë nderi edhe intelektualë nga mbarë bota! Vetëm shqiptarët duhet të përjashtohen! Një akademi eventuale e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut e cila do të financohet nga komunat shqiptare është vetëm se një emër i bymyer i një shoqate joqeveritare dhe asgjë më shumë! Ata akademikë që do të kishin pranuar që të startojnë punën akademike në një shoqatë joqeveritare, në fakt vetëm sa do të shndërroheshin në vegla të politikës ditore.
Rrjetëzimi kulturor
Një komb i pjekur kulturalisht, tashmë në kushte të reja teknologjike. patjetër që ka krijuar, veç tjerash, edhe një platformë kombëtare përmes rrjetëzimit të shoqatave letrare kombëtare si dhe rrjetëzimit të manifestimeve letrare. Kjo platformë pa dyshim që do të shërbejë për ruajtjen e vlerave të krijimtarisë letrare dhe të emrave të krijuesve kombëtarë. Çka i duhet një shoqërie rrjeti i shoqatave dhe i manifestimeve letrare? Mbi të gjitha, krijohet një vitrinë sirtarësh të qasshme për secilin që dëshiron të njihet me letërsinë, me trendet krijuese si dhe me veprat e autorëve kombëtarë. Në Perëndim këta lloj rrjetesh letrare po shërbejnë edhe si mundësi bashkëpunimi në mes të shkrimtarëve, poetëve, kritikës letrare, me qëllim jo vetëm të njoftimit e të shkëmbimit të përvojave por edhe të nxitjes në krijimin e projekteve të reja. Shoqatat e shkrimtarëve të përfshirë nëpër rrjete gjegjëse, duke organizuar ngjarje e manifestime të përbashkëta që përkujtojnë veprat dhe autorët e njohur, në fakt, po ndihmojë në ruajtjen e kulturës dhe historisë letrare. Tashmë ky angazhim në drejtim të këtij aktiviteti kombëtar po bëhet tepër i rëndësishëm sidomos për të rinjtë që mund të humbasin lidhjen me trashëgiminë e tyre kulturo-letrare. Gjithashtu, këto rrjete tashmë si platformë të etabluara gati në institucione nacionale, po ia dalin që të organizojnë edhe lexime publike, diskutime dhe panaire libri, ndërsa e gjithë kjo po rritë interesimin te publiku për të eksploruar më shumë krijimtari letrare. Pra, formimi i rrjeteve të shoqatave letrare kombëtare dhe i manifestimeve letrare po kuptohet si nevojë jetike për ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave të krijimtarisë letrare. Me këtë po rritet ndërgjegjësimit kombëtar për rëndësinë e letërsisë dhe krijimtarisë në jetën e përditshme, duke e bërë atë një pjesë të rëndësishme të kulturës shoqërore. Fatkeqësisht, bota shqiptare edhe në këtë plan vonon shumë, sikur më lehtë e ka që të influencohet nga ndikimet e jashtme, pa u shqetësuar fare nga shpërqendrimi nga letërsia e vërtetë e duke u dhënë pas bestseller-ave limonadë !
Përfundimisht, formimi i platformave nga rrjetet e shoqatave letrare kombëtare dhe të manifestimeve letrare është esencial për ruajtjen e vlerave të krijimtarisë letrare dhe të emrave të njohur të krijuesve kombëtarë. Pa dyshim që, këto rrjete, do të ndihmonin, veç tjerash, në ndërtimin e një kulture letrare aktive dhe të angazhuar, duke e bërë letërsinë një forcë të rëndësishme në zhvillimin e shoqërisë dhe identitetit kombëtar. Faktorët dhe institucionet gjegjëse kombëtare formimin e këtyre rrjeteve duhet ta kuptojnë si detyrë kombëtare para një ngutje marramendëse botërore në digjitalizimin e letërsisë dhe në përfshirjen e krijuesve kombëtare në platformë ku, definitivisht, nuk do të ketë vend për pseudo-krijuesit. Nuk duhet harruar që një aktivitet të tillë do të mund ta zhvillonin edhe pseudo-krijuesit, porse, në platformat e tyre pastaj nuk do të kishte vend për krijuesit bashkëkohorë kombëtar. Bota letrare do të nisej nga niveli i tyre për të krijuar një perceptim mbi letërsinë bashkëkohore shqiptare. Kjo është përparësia që e ofron koha e teknologjisë: vlera ta bllokojë antivlerën dhe, e kundërta, antivlera të shitet si vlerë!
Armiqtë e kulturës letrare shqiptare
Manifestimet letrare janë aktivitete që i kushtohen krijuesve letrar, por dhe respekt që në mënyrë të organizuar shprehet për vlerat dhe për të arriturat në sferën e krijimtarisë letrare. Atëherë, çfarë mund të jenë e kundërta e kësaj? Çfarë paraqet pseudo-manifestimi letrar? Sot, kritika bashkëkohore letrare konstaton se letërsia jonë ka nevojë për inovacion dhe sinergji dhe në emër të kësaj shpesh po përballemi me do aktivitete që po na shndërrohen në dukuri shqetësuese: me pseudo-manifestime letrare, në të cilat kryesisht vlon antivlera si dhe promovohen ide dhe prirje të cekëta sa për të shprehur “kreativitetin” e një grupi që pretendohet si letrar. Çuditërisht, kritika po hesht dhe nuk po i vë në shënjestër rreziqet që paraqiten nga këto dukuri! Të paktën të flitet për mungesën e origjinalitetit që vërehet nëpër pseudo-manifestimet letrar, që po organizohen nëpër mëhalla, nëpër oda, nëpër katunde e nëpër paralagje, në të cilat “manifestime” nuk po ndodhë asgjë përveçse po riprodhohen idetë e vjetra, tendencat e tejkaluara dhe kjo po shëmbëllen në riciklimin e qëllimshëm në format dështuese “letrare”. Krejt në fund, në mënyrë “të pavetëdijshme” po kontribuohet në devalvimin e manifestimeve të mirëfillta letrare me karakter lokal, shtetëror e mbarëkombëtar.
Çfarë po ndodhë në të tilla pseudo-manifestime? Po shtyhen përpjetë me kunja ca emra që kanë nevojë për “famë aktuale”, që janë ithtarë të “poezisë aktuale” dhe jo të aktualitetit të përhershëm të poezisë! Kjo pastaj po e nxitë detyrimisht përjashtimin e zërave autentikë, të atyre krijuesve të kohës që sjellin perspektiva të fuqishme letrare. Mbi të gjitha, këto pseudo-manifestime letrare ashiqare po ngjasojnë në një shfaqje marketingu, duke vendosur para artit interesat financiare. Po flitet se nëpër “evente” të tilla po shiten-blihen, po financohen e sponsorizohen “shpërblime” e “dekorata” që mund t’i ofrojnë vetëm “mjeshtrit themelues” të pseudo-manifestimeve të tilla. Këta “mjeshtër” kanë edhe një afinitet të çuditshëm: thirren në emra të krijuesve të mëdhenj, lexojnë e citojnë autorë të njohur kombëtar, me qëllim që ta realizojnë synimin e tyre: të anashkalojnë dhe t’i ngulfasin talentet e rinj dhe mjeshtrit e krijimtarisë poetike bashkëkohore, si dhe të promovojnë “poetë” sa për ta tërhequr një “të anatemuar” që do t’i bëhen publik besnik i pseudo-manifestimit.
Pra, pseudo-manifestimet letrare në vend që të mbështesin një zhvillim të vërtetë dhe të thellë të letërsisë, ata, veç tjerash, përfaqësojnë një rrezik të madh për komunitetin letrar. Është e nevojshme që artistët dhe organizatorët e ngjarjeve letrare të rikthehen në vlera autentike, të inkurajojnë zërat e rinj dhe të promovojnë një dialog të sinqertë dhe krijues midis autorëve dhe lexuesve. Kjo në të mirë të integritetit të letërsisë që është një amanet për çdo komunitet letrar i cili duhet të rishqyrtojë dhe të mbështesë ngjarjet që frymëzojnë dhe nxisin kreativitetin, që fokusohen në autenticitetin dhe thellësinë e shprehjes artistike. Por, ka edhe nga ata matrapazë që pseudo-manifestimet i organizojnë sa për ta përqendruar vëmendjen te autorët e rinj dhe eksperimentalët, sepse besojnë fort se rinovimi është çelësi për të tërhequr audiencën. E bëjnë këtë “fokusim” vetëm sa për të përjashtuar emra që kanë kontribuar me vepra të jashtëzakonshme dhe të pavdekshme. Pa dyshim, të këtillët lirisht mund të vlerësohen si armiq të kulturës letrare shqiptare.