Dikur një vepër arti ka shërbyer sikur një lloj portali për një sferë më të thellë të mendjes. Ndërsa tani dominojnë pseudo-artistët
Burhan AHMETI
Shpeshherë më duket sikur bëj një luftë me veten për të mos e ndjerë se jam në një luftë të përditshme për të mos u bërë i cekët si krijues figurativ. Një mik-armik i yni është teknologjia, e cila po na e zvogëlon hapësirën e vëmendjes dhe na e mbush ditën me shpërqendrime të shumta joshëse. Armiku tjetër i dytë i shoqërisë tonë shqiptare dhe komunitetit të artistëve është politizimi i gjithçkaje. Shumica e njerëzve të profesioneve të ndryshme si: mjekë, juristë, ekonomistë, gjithashtu edhe shumë artistë po e kalojnë kohën e tyre duke u përfshirë në politikë, duke u marr me rivalitetet e parashikueshme partiake, analiza të fushatave dhe gjithçkajetjetër që s’ka të bëjë me art.Pra, duket sikur më joshëse, më fitimprurëse për ta është politika, ngaqë më shpejtë mund të bëhen me famë dhe më shpejtë mund t’i mbulojnë dobësitë dhe zbrazëtirat profesionale që i kanë.Arti është një lloj vitamine jo e rëndësishme, por mëse e domosdoshme për të gjithë shoqërinë tonë.
Fatkeqësisht, arti është marr peng nga mediokriteti. Akademitë e arteve prodhojnë numra, jo vlera.Artistët e talentuar e kanë lënë anësh ëndrrën për karrierë artistike dhe merren nevojat e tyre bazike.Mendoj se të gjithë ne duhet të përpiqemi dhe të marrim kundërmasa. Të kalojmë në profesionin tonë, të vazhdojmë të merremi me art, ndërsa politikanët le të merren me politikë.
Artistët në përgjithësi përmes artit të tyre nuk synojnë t’i përmirësojnë tjerët, ata thjesht duan që me potencialin e tyre krijues t’i qetësojnë shikuesit bashkë me zërin e egos së tyre.Fatkeqësisht, ne si popull e kemi humbur veten duke lexuar një libër, duke dëgjuar një këngë, duke shikuar një shfaqje, gjithashtu i kemi humbur gjurmët e hapësirës dhe kohës. Dikur një vepër arti ka shërbyer sikur një lloj portali për një sferë më të thellë të mendjes. Ndërsa tani dominojnë pseudo-artistët, duke iu treguar të tjerëve se dinë të bëjnë art dhe duke i bindur për shkarravinat e tyre se janë art.
Madhështia e një vepre arti me bukurinë dhe vlerën që ka, na shtyn t’i kushtojmë një lloj vëmendjeje tjetër. Na befason dhe na shtyn të heqim dorë nga prirja egoiste për të imponuar gjithmonë mendimet tona mbi gjësendet. Arti i mirëfilltë na ofron një ndryshim të rregullave të lojës, duke na mundësuar të mendojmë për çështje të përbashkëta shoqërore pa u thirrur në kundërshtimin poshtërues midis atyre që kanë të drejtë dhe atyre që mendojnë ndryshe.Vizita e një ekspozite arti me vlerë na e zgjeron repertorin tonë emocional. Këto lloj vizita dhe përvoja na japin një lloj njohurie emocionale – si të ndihemi dhe si të shprehim ndjenjat, si të simpatizojmë dikë që është në pikëllim, si të ndajmë kënaqësinë me të tjerët etj.Ekspozitat, shfaqjet apo librat na mësojnë se si ta shohim botën me sytë dhe mendjen e një tjetri, shpesh të një personi që sheh dhe mendon më thellë se ne.
Jetojmë në një epokë politike dhe teknologjike, ku artet janë bërë shumë pak të rëndësishme në jetën e përditshme publike.Mendoj se shkaku është se ne nuk debatojmë për romane dhe krijime artistike siç bënin njerëzit në kohët e dikurshme. Tani më vetë bota artistike është turbulluar nga mendimi i grupimeve apo klaneve të izoluara dhe kjo ka kontribuar në dehumanizimin e kulturës tonë.Nuk është vonë për të hequr dorë nga varësitë tona politike herë pas here dhe të shijojmë lojën e lirë të mendjes, shpirtin jodogmatik dhe gjendjet e ngritura dhe të adrenalizuara të ndërgjegjësimit që arti i mirëfilltë ka çka na ofron. Demokracia në Maqedoninë e Veriut sikur ka hy në një krizë të veçantë, por edhe heshtja e intelektualëve, polarizimi, brutaliteti i diskursit publik, përhapja e dezinformatave i ka futur artet akoma më shumë në krizë. Këtë gjendje mendoj se mund ta ndryshojmë bashkërisht me vepra, fakte, paanshmëri dhe objektivitet. Të krijojmë sa më shumë art, t’i edukojmë dhe përkrahim brezat e ardhshëm.