ALARM I RREMË

Në prill të vitit 2007, kryeministrit të atëhershëm, Nikolla Gruevskit, iu drejtua një letër interne, e nënshkruar nga nëpunësit maqedonas të Ministrisë së Kulturës. Veç tjerash, kërkohej që urgjentisht të stopohej nisma dhe këmbëngulja e z. Arbën Xhaferit për themelimin e “njëfarë Instituti për trashëgimi kulturore e shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë “Pjeter Bogdani”! Nënshkruesit e kësaj letre po tmerroheshin nga politikat që kulturën shqiptare do ta nivelizonin me kulturën maqedonase. “Të hiqet dorë prej të gjitha ministrive, të gjitha t’ua jepte shqiptarëve, vetëm se maqedonasit ta merrnin në duar ministrinë e kulturës”, thuhej në atë letër

Nga Avni HALIMI

Departamenti i kulturës, arsimit, shkencës e shëndetësisë janë departamente që i prekin interesat kombëtare, ndërsa departamentet e tjera i përkasin interesave shtetërore. Kjo bëhet më e theksuar dhe shumë më e realët sidomos në ato shtete që janë multietnike. Mandatori i shumicës etno-politike për asnjë çmim nuk do të hynte në bisedime për formim të qeverisë nëse minoranca politike do të këmbëngulte për të marrë një nga sektorët e lartpërmendur, sidomos ministrinë e kulturës. Ose, mund të jepen këto dikastere me kusht që ministrat t’i përgjigjeshin ekskluzivisht kryeministrit dhe jo edhe njëkohësisht liderit të partisë.

Lotët e krokodilit

Më vitin 2006, kur vendin po e qeveriste koalicioni VMRO-PDSH, shqiptarët, si asnjëherë tjetër, kishin ministri më të rëndësishme për një popull. Për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut shqiptarët po e drejtonin ministrinë e kulturës si dhe at si dhe atë të arsimit. Për tetëmbëdhjetë muaj qeverisje shqiptarët arritën suksese të paimagjinueshme. Për herë të parë nisën të themelohen institucionet nacionale të kulturës shqiptare. Për herë të parë nisi të institucionalizohet jeta kulturore shqiptare, ndërsa institucionet ekzistuese “u pushtuan” edhe nga shqiptarët, të cilët më parë veç i shihnim me dylbi. Manifestimet tradicionale ndërkombëtare inkuadruan në programet e tyre edhe pika nga kultura shqiptare! Shpërblimi i një poeti shqiptar me çmimin “Kurora e Artë” nga manifestimi “Netët strugane të poezisë” ishte, jo i paimagjinueshëm por, thjesht, barrierë strategjike nacionale e ngritur nga të gjithë intelektualët maqedonas. Ish-lideri i PDSH-së, z. Arabën Xhaferi, këmbënguli që, të paktën një vit këtë manifestim ta udhëheq një shqiptar i cili pastaj do ta realizonte synimin kombëtar të kësaj partie – me kurorën e artë të shpërblehej poeti më i mirë shqiptar, e që, më vitin 2007 ky shpërblim i shkoi Fatos Arapit.

Janë pikërisht këto suksese shqiptare të cilët e çuan deri te një reagim intern pulenin e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevskit, që si urith po përpiqej t’i mihë deri në rrënim sukseset shqiptare në kulturë. Elizabeta Kançevska, sekretare shtetërore e atëhershme, kishte inicuar një letër të hapur drejtuar kryeministrit Gruevski. Letra ishte nënshkruar prej të gjithë nëpunësve maqedonas. Letra ra në duart e ministrit shqiptar (Arifikmet Xhemaili) pikërisht nga një militante e opozitës maqedonase, e cila nuk kishte pranuar ta nënshkruajë letrën. Në katër faqe e gjysmë ishte derdhur një vajtim qyqesh e një urrejtje. Po vajtohej me shumë mllef, pezëm e urrejtje strategjia kombëtare e Arbën Xhaferit që po e synonte institucionalizimin e plotë të jetës kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë. Po lutej Gruevski që sa më shpejt dhe në mënyrë urgjente të prishte koalicionin ose ta merrte këtë ministri, sepse, “nismat për themelim të institucioneve kulturore shqiptare po e rrezikonte identitetin  kulturor e nacional të popullit të shenjtë maqedonas”! Kërkohej që urgjentisht të stopohej nisma e z. Xhaferi për themelimin e “njëfarë Instituti për trashëgimi kulturore e shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë “Pjeter Bogdani”! Nënshkruesit e kësaj letre po derdhnin rrëke lotësh nga dhembja se si kultura shqiptare po nivelizohej me kulturën maqedonase. Vajtuesit po frikësoheshin se shumë shpejt shqiptarët do t’ua merrnin antikën maqedonasve. Ndaj dhe kryeministri lutej që, për hir të interesit kombëtar maqedonas të hiqte dorë prej të gjitha ministrive, të gjitha t’ua jepte shqiptarëve, vetëm ta merrte në dorë ministrinë e kulturës.

Kush i heshti gazetarët shqiptar

Një vit më vonë kësaj letre të hapur drejtuar kryeministrit, ndodhi marrja e ministrisë së kulturës nga maqedonasit. Një vit më vonë në krye të këtij dikasteri u emërua iniciatorja e kësaj letre, personi më flegmatik përsa i përket jetës kulturore, personi i përbetuar për nëpërkëmbjen e jetës kulturore shqiptare, Elizabeta Kançevska, e cila, karrierën e vet në këtë ministri e nisi si sekretareshë e thjeshtë dhe më vonë, duke derdhur pa hesap pare nëpër mediat e vendit, prezantohet si ministreshë nga më të suksesshmet e kombit maqedonas. Ky sykses matet me forcën për të shkelur sa më shumë e sa më gjatë mbi jetën kulturore shqiptare. Është për t’u habitur se si, sapo ky dikaster iu mor shqiptarëve u heshtën të gjithë ata gazetarë shqiptarë, të gjithë ata intelektualë shqiptarë (nja 2-3 më të zëshmit) të cilët derdhnin gurë e dru mbi këtë ministri derisa drejtohej me sukses nga shqiptarët. Këta gazetarë ose atëherë ishin paguar nga shërbimet maqedonase që të bëjnë zhurmë, ose sot janë paguar prej po të njëjtëve shërbime që të heshtin përballë nëpërkëmbjes flagrante të kulturës shqiptare. A ka më turp dhe më ofendues se sa një aktivitet kulturor shqiptar të mohohet nga zëvendësministri serb! Komisioni parlamentar për kulturë kishte kaluar kërkesën që të festohej 100 vjetori i shkollës së parë shqipe “Josif Bageri”! Natyrisht, ky komision parlamentar obligon ministrinë përkatëse për ta ndihmuar materialisht këtë përvjetor. Ministresha e refuzon, ndërsa, për të qenë refuzimi edhe më ofendues kërkoi që këtë vendim refuzues ta nënshkruajë zëvendësministri që vinte nga radhët e pakicës serbe në Maqedoni.

Projektet që shtonin buxhetin e partisë

Ekzistonte edhe një arsye tjetër, madje „racionale“ për njeriun që nuk kisht lidhje me kulturë, siç ishte ish-kryeministri Gruevski, për marrjen e ministrisë së kulturës nga duart e shqiptarëve. Madje, çuditërisht, ndonëse posti sekretar shtetëror i takonte shqiptarit, përfundoi një mandat të plotë që kjo ministri ishte e vetmja që nuk kishte emëruar person në këtë post. Duhej të shtyhet edhe pak kjo punë, derisa të përfundonin të gjitha projektet “kulturore” të Qeverisë të cilat duhet t’i realizojë Ministria e Kulturës. Në atë kohë, ndër projektet „e fundit“ ishte projekti “100 nobelistët” që duhet të përkthehen vetë në gjuhën maqedonase. Behët fjalë për miliona libra! Sikur të fitohej vetëm nga një euro në libër! Pastaj, projekti paralel përkthimi vetëm në maqedonisht i „Yjet Botëror“ (shkrimtarët botëror), që nga antika e deri te më bashkëkohori, diku nja 500 autorë botërorë! Pastaj, përkthimi në anglisht, në frëngjisht, në rusisht, në arabisht madje edhe në kinezçe i projektit “Letërsia maqedonase”, mbi 100 autorë maqedonas. Përkthimi i mijëra titujve universitarë që përdoren si literaturë bazë nëpër universitetet më të mëdha botërore. Gjithsesi, duhet nënvizuar edhe buxhetin për gjurmime arkeologjike, për ndërtimin e përmendoreve dhe të skulpturave. Po investimet kapitale!? Ishin shumë! Të gjitha me tender! Njerëzit e Gruevskit mendojnë se tenderat janë të shpikur për të fituar para ekskluzivisht partia që udhëheq qeverinë! Ekziston një klauzolë e cila u mundëson në mënyrë interne që firmat fituese të tenderit më vonë të kërkojnë plus deri në 20 për qind të kostos së përgjithshme të projektit. Natyrisht, këto lekë do të shkojnë tek ai i cili bëhet “sebep” për t’u fituar tenderi.

Kryeministrit i interesojnë vetëm lekët, përfitimet, fitimet dhe mirëqenia ekonomike e partisë, ndërsa ministreshës së kulturës i intereson ta zbatojë kërkesën e kryeministrit. Në planin individual kjo ministreshë, këmbëngulte ta demonstrojë forcën në drejtim të realizimit të “projekteve kulturore”! Një nga këto “projekte” ishte edhe nëpërkëmbja transparente, devalvimi sy më sy dhe ngulfatja deri në “vdekje” të kulturës shqiptare në Maqedoninë e veriut. Dikush duhej ta zmbrapste këtë orientim obsesiv e psikopatik të ministreshës. Maqedonasit ia dolën ndonëse nuk u ndihmuan nga asnjë shqiptar, qoftë edhe me vetëm një zë kritik kundër ministreshës së xhindosur! Ajo “u tret” ndërsa për fatin e saj të zi vazhduan të funksionojnë të gjitha institucionet nacionale shqiptare qe i themeloi i madhi, z. Arbën Xhaferi, gjatë tetëmbëdhjetë muajve në pushtet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.